Kulturë » Sidheri
Elvi Sidheri: Hrushovi me këpucë dhe Edi me fjalë
E premte, 04.10.2013, 09:05 PM
Hrushovi me këpucë dhe Edi me fjalë (andej nga OKB-ja)!
Nga Elvi Sidheri
Kohë më parë të
nderuar lexues, duan të thonë dhe të dëshmojnë dëshmitarët e kohës si dhe një
numër xhirimesh okulare, se lideri sovjetik me origjinë ukrainase (prandaj
Ukraina është shtet i madh, me Krimenë pjesë të saj sot, sadoqë ai rajon
banohet nga 77% popullsi ruse dhe “mirëpret” bazën më të madhe ruse në Detin e
Zi, Sevastopolin)...Nikita Hrushçev apo Hrushev ose Hrushov (se akoma s’e kam
marrë vesh mirë si e kishte fiks mbiemrin tjetri)...ia këputi me këpucë
tavolinës ku qe ulur për të përfaqësuar vendin e tij, pra të rëndin dhe
pafundmin e bërthamorin...Bashkimin Sovjetik!
U drodh selia e
OKB-së nga ky eveniment historik gjë?
U tundën me
themel dritaret dhe fasadat e bukura dhe futuristike të Pallatit të Qelqtë të
Nju Jorkut, kryeqytetit ekonomik dhe zhvillimor e modern të planetit tonë prej
të paktën një shekulli?
Ç’arsye e fortë
vallë, e pati shpënë të gjorin Nikita, këtë ukrainas kokërrumbullak-topolak
paksa “babaxhan” siç do t’a quanim ne shqipo-turqisht, që të merrte atë mundim
të padëgjuar dhe të hiqte me pahir këpucën nga këmba (me rrezikun e dukshëm
eventual të ndonjë “patateje”, pra të çare ose të grisure tek zona e thembrës
në çorapen e tij e cila tashmë do të shfaqej botërisht para publikut të gjerë
botëror, sapo këpuca të qe hequr njëherë e mirë)...dhe t’a përplaste atë në
formë proteste përmbi tavolinë?
Kishte menduar
ky shoku Nikita Hrushovi nga Ukraina e fushave me grurë, lumit Dnjepër dhe
minierave të Donetskut, që ku i dihet, ndoshta këmba e tij e zhveshur nga
këpuca e “udhëheqësit” sovjetik, mund të qëllonte edhe që të binte ndopak erë
të pakëndshme?
Erë këmbësh
Hrushoviane, që do të ndoste pak nga pak, së pari shoqëruesit e tij, pra
aparatçikët sovjetikë, sekretarucët, ambasadorët dhe “Da Çelovjek-ët” (supozoj
që kështu i thonë “Yes Man” në rusisht)...të cilët në atë kohë vitesh të
shkuara, do të kishin patur fatin të qenë ulur pranë liderit të madh të BRSS-së
së madhërishme.
Më tej këmba e
zbathur Hrushoviane, erën e saj të veçantë, të çorapes...të themi me origjinë
dhe të fabrikuar andej nga stepat e Kazakistanit, me lesh ndoshta nga dhia e
shkëmbinjve kirgizë, të punuar mëpastaj me kujdes dhe ëndje nga duart e arta të
ndonjë “babushke” (gjysheje) sa të rudhur aq edhe të gëzueshme ruse, apostafat
për Nikitën tonë, këtë “aromë” kutërbuese do t’a tejçonte nëpër sallën plenare
të OKB-së, mespërmes tavolinave dhe karrikeve ku do të kishin zënë vend
delegacionet e tërë vendeve anëtare të asaj organizate gjithëbotërore.
Se erë këmbësh
ka kushdo, të mos ushqejmë iluzione të kota në këtë këndvështrim!
Këmba dhe këmbët
e varfanjakut që qëmton centimetër për centimetër fundet e kazaneve të
mbeturinave poshtë ndërtesave ku neve, të ashtëquajturit “të privilegjuar” për
shkak se ushqimin tonë të përditshëm, Zoti dhe puna jonë, kombinuar edhe me një
dozë të mirë fati dhe ylli të mirë aty në qiell, apo ndonjë ëngjëll që na ruan
krahët çdo ditë, të ngrënën pra, e kemi sidoqoftë të siguruar dhe me bark thatë
nuk mbetemi, gjithësesi këmbë të vobektësh apo presidentësh e kryeministrash,
murgjërish, peshkopësh apo ajatollahësh, të pasurish e manjatësh me lekët lumë
që u rrjedhin nga xhepat si Amazona në sezon shirash, të tërëve era e këmbëve,
ja që njëlloj u vjen!
“Çorape-qelbur
dhe djersëtarë të gjithë botës bashkohuni”...do të kishte qenë padyshim një
shprehje dhe formulë internacionaliste tejet më realiste dhe më këmbë në tokë,
sesa homologia e saj komuniste që dikur, e lëshuar nga qendrat moskovite të
Kominternit socialist, përhapej si virus trushpëlarës anë e kënd botës.
Por Nikita
Hrushovi, mbeti në histori për disa gjëra, kryesorja sepse vuri në provë
durimin amerikan, kur dërgoi tinzash disa raketa bërthamore në Kubë, pak
kilometra nga Miami emblematik dhe ishujt si Key Biscaine, po ashtu edhe për
shkak të mohimit dhe dënimit tëpër të guximshëm nga ana e vet, të trashëgimisë
Staliniste, pra kryesisht të “kultit të tij të individit” (sovjetikët e lanë
pas, kurse neve sipas togfjalëshit patetik “Parti-Enver” e shenjtëruam edhe tej
këtë blasfemi humane me prirje gati delirante që përfundoi në një skamje pranë
bar-ngrënies për gjindjen e thjeshtë shqiptare, ndërsa Byroja dhe udhëheqja
partiake, mumifikohej brenda Kullës së saj të Fildishtë aty në Bllok).
Hrushovi bëri
edhe një “piknik” këtej nga anët tona, ca palo-dokumentarë të AQSHF-së, që
nisin përherë me atë zërin e neveritshëm të spikerit të përzishëm të asaj kohe
(me ton pompoz, sahanlëpirës në ekstazë dhe militarist, model “Instituto LUCE”
i epokës fashiste)...na e tregojnë ende kur ndonjë televizoni i bie mendja të
na i shfaqi ato pamje, itenerarin dhe përqafimet e “ngrohta”, shoqëruar nga një
mori lulesh, britmash entuziazmi dhe buzëqeshjesh të shtirura (rasti tipik i
“me të qeshme, me të ngjeshme”), të vizitës së liderit sovjetik në Shqipërinë
thellësisht të pandarë nga fantazma staliniste, e përditësuar me një dozë të
mirë sadizmi origjinal enverist.
Prapa gojëve dhe
turinjve të zgërdhirë të udhëheqësisë së partisë sonë të lavdishme, mbas
përkuljeve dhe përqafimeve me mikun e madh nga Moska, në të vërtetë fshihej së
pari një alamet frike nga ariu i madh rus, që personifikohej perfektësisht nga
“tovarish” Nikita, por më tej pasonin, vlonin dhe zhvilloheshin edhe ndjesi të
tjera smire dhe prirje për t’u vetëofruar përdalësisht tek ofruesi tjetër më i
mirë, pasi “tutorët” jugosllavë titistë më parë dhe këta rusët sovjetikë më
pas, qenë bërë pak si shumë të mërzitshëm për 200 petritët, ilegalët e
dikurshëm dhe ish debatikasit e Tiranës.
Sepse këta
tanët, kishte vite që ja kishin nisur këngës së njohur gjysmë-legjendare që
fliste si në rapsoditë më të zgjedhura të eposit të kreshnikëve, jo më për
Gjergj Elezër me nëntë plagë në trup, por për një Parti syshqiponjë, vetullhark
e shpatullgjerë, që përveçse falë njerëzve të saj më të mirë, nuk linte qoftë
edhe një “fije pa e prerë” (çdo përkitje me titull real filmi të kinostudios
Shqipëria e Re, është e qëllimshme), por po ashtu edhe për kuadro, bijë të
denjë të socializmës dhe komunizmës, që ashtu si partizanët trima dikur andej
nga majat, shkrepat, brinjët dhe gërxhet e maleve tona të paepura, nuk linin
sikur edhe një armik të vetëm për be, pa i marrë edhe pikën e fundit të gjakut,
drejt e në vetull!
Pra të mos
harrojmë që në atë kohë “Ne në gojë të ujkut hidhnim vallen”!
Në rastin tonë
me këpucë-përplasësin Nikita Hrushov, sigurisht që dilte të qemë duke hequr një
valle sfiduese, brenda gojës së ariut sovjetik!
Por së shpejti,
jo shumë vite më tutje, vallen do t’a kërcenim sërish edhe nëpër skutat e
dhëmbëve të Dragoit Kinez!
Eh ç’gallatë
paskemi bërë o njerëz, s’kemi lënë gojë armike pa e shkelur dhe tundur me vallen
tonë, por në fund, siç thonë nga një zonë jugore e Shqipërisë, vetë përfunduam
sido që të jetë, duke “kërcyer edhe me lajme”, për shkak se pasi u dhamë duart
edhe shokëve kinezë, harruam përfundimisht Çu En Lain, atë kinezin që ra nga
antena e Dajtit dhe “lejfenizmat” e shumta, ashtu si edhe “Timonierin e Madh”
Mao, në fund na mbeti vetëm “bari i tokës amë” dhe lajmet e orës 20.00 tek
TVSH-ja, ku domosdo nën ritmet e kolektivave punonjëse që pa pikë mëdyshje do
kishin stërthyer çdo parashikim korrje-shirje dhe realizuar dërrmueshëm planin
me 170 %, do kërcenim të gjithë nga e keqja, se tjetërgjë s’na mbetej si
popull!
Kthehemi në
ditët tona dhe pas shumëkujt përpara tij, kryeministri i ri dhe i gjatë i
vendit tonë, vendos (e ka edhe detyrë, jo për gjë) që të vejë njëherë
zyrtarisht aty në Amerikë dhe drejt e në OKB!
Ç’bëri dhe çfarë
nuk bëri, kë takoi, me cilin buzëqeshi, kujt i dha dorën, e rregulloi edhe
ndonjë foto të pamungueshme me “superstarët” Obama apo burra e gra liderë
botërorë, mbretër, mbretëresha ose presidentër e kryeministra, këto janë fakte
relative që nuk më kanë zgjuar asnjëherë ndonjë tip interesi sa herë që dikush,
president a kryeministër i joni ka vajtur përtej oqeanit.
Ja kishim edhe
presidentin Nishani që u mor eksluzivisht me komunitetin e nderuar shqiptar në
SHBA, i gjëmoi me rradhë tërë kishat, teqetë e xhamitë shqiptare në Detroit dhe
Boston dhe s’e mbajti dorën fare (o gënjejnë për kurnacërinë e trumbetuar të
gjirokastritëve, ose këta libohovitët qenkan të ndryshëm nga fqinjët e
tyre)...në lëvdata, fjalë të mira dhe mbi të gjitha dekorata, që fluturuan si
copa bakllavaje për Vit të Ri, anembanë kudoqë presidenti ynë shkeli.
Kurse
kryeministri u tregua më i fokusuar, me aq sa vura re të paktën, tek imazhi i
vendit tonë në botë dhe kryesisht atje në Amerikë, ku do pranuar se Hollivudi
na ka bërë siç i thotë populli “HELAQ”!
Në një film se
kush president amerikan ka ca si çështje që i pengojnë rizgjedhjen dhe mbledh
këshillëtarët e vendosin unanimisht, që duke pasur një gamë tejet të gjerë
përzgjedhjesh të mundura, pikërisht në Shqipëri, të shpikin një lloj krize sa
për t’u hedhur hi syve votuesve amerikanë.
Po si ore
regjizorër hollivudianë, po nuk kishte shtete të tjera bota, vetëm neve kishim
mbetur që të na merrnit nëpër gojë kështu juve?
Pse ç’u bënë më
të mirë se ne, të themi Svazilendi, Gambia, Tonga, Bhutani, Brunei, San Marino
në majë të malit Titan apo Monako 3 kilometra e gjysëm e gjatë në breg të
Mesdheut, ose edhe ndonjë ishull në Karaibe apo cep i shkretëtirës së Saharasë,
që t’a gjeni të udhës t’i bini në qafë atdheut tonë (apo mëmëdheut, sa për
barazi absolute edhe në këtë fushë midis gjinive)?
Lëre që kishin
futur edhe James Belushin në film, aq sa për t’i bërë të kuptojnë amerikanët e
thjeshtë, që ai është shqiptar dhe jo italian a ndonjë gjë e ngjashme.
Puna është se
tani ky amerikani i thjeshtë i sipërcituar (zakonisht tejet krenarisht dhe hundëpërpjetësisht
i painformuar për punë që lidhen me nacionalitetet dhe vendet e tjera përtej
SHBA-së), është tani edhe më i paditur se më parë lidhur me kombësinë e Jamesit
tonë, për shkak se pandeh se Belushi i vogël (vëllai i tij, i madhi dhe i
ndjeri John, na ka lënë shumë vite më parë tashmë), shqiptarin e ka luajtur si
rol në film dhe i tillë mund të mos jetë nga gjaku ose origjina.
Sikur mos
mjaftonte ky film, kanë shkuar dhe kanë vënë një aktor të respektuar si Liam
Neeson-in, që të luajë dy herë, rolin e njeriut që me shqiptarët i ka punët keq
dhe që pasi bashkëatdhetarët tanë imagjinarë çfarë nuk i kanë punuar, në fund
gjithmonë hakmerret dhe të tanëve ua tregon vendin paq!
Mark dikushi i
keqi dhe ngërthimi i portretit të shqiptarit trafikant, shpirtkazmë, shpirtgur
apo i papajisur me shpirt fare!
Po pak “Mafie”
italiane, ”Triada” kineze, ”Xhakuza” japoneze, rusë gjakatarë me sëpata në
duar, trafikantë prej vërteti meksikanë e kolumbianë, terroristë arabë,
kamikazë me breza dinamiti në trup e amerikanë të lajthitur që marrin
“Shotgun-in” apo “Magnum 44” në duar dhe shfarosin shkolla të tëra ka, nuk
dalin e teprojnë këta, me një vend me 3 milionë banorë të përherëshëm keni
vajtur të merreni tani o njerëz Hollivudi?
Kështu edhe
fjalimi i kryeministrit, që synonte të tregonte se imazhi i errësuar i
Shqipërisë (ku meritë opozitare ka dhe ai vetë)...shkon përtej asaj çfarë
përcjell kinemaja tek shikuesit, ishte sidoqoftë një gjest i drejtë, si edhe
përplasja e këpucës së Hrushovit!