Kulturë » Sidheri
Elvi Sidheri: Një “Nobel” për “armikun e popullit”!
E merkure, 23.10.2013, 08:40 PM
Një “Nobel” për “armikun e
popullit”!
Nga Elvi Sidheri
Fushata
ndërmediatike dhe mbi të gjitha ndërpopullore anti-Kadare para dhënies së
çmimit Nobel në Letërsi, mua vetë më kujtoi qetësisht edhe pa asnjë dyshim të
vetëm (“sem duvida nenhuma” që thonë portugezët)... idetë e Daci Bao-ve të
dikurshme që zinin hapësirën e tabelave të vëna apostafat për një qëllim të
tillë, në qendër të fshatrave, provincave të thella (e shpesh tejet injorante
dhe të trasha në sjellje dhe mendësi) larg Tiranës, qytezave apo kooperativave
punonjëse!
Këto Daci Bao
apo denoncime publike, shërbenin në atë kohë, për demaskime të ndryshme
publike, të armiqve të partisë dhe të popullit njëkohësisht (si një remix
perfekt që buronte nga aftësitë e ndonjë “Dee Jay” anëtar të Byrosë Politike në
versionin “Realizmi Socialist & Revolucioni i Kuq Kinez...on the dance
floor”).
Të denoncuarit,
të demaskuarit, të përçudnuarit publikisht, ata që meritonin sharjet apo anatemimet
faqe popullit, kooperativistëve apo katundarëve të ndryshëm, ishin sërish
padyshim, armiqtë e pamungueshëm të Nënës Parti, njerëz që pale nuk kishin
realizuar dhe tejkaluar apo thyer planin me 117%, apo të tjerë që kishin
refuzuar të rrasnin duart gjer në bërryl, brenda kazanëve me komposto fekalesh
dhe bajgash lopësh apo kakërdhishë dhishë mali (një nga zbulimet famëmadhe
teknologjike që na qe importuar vëllazërisht nga shokët kinezë).
Por të
denoncuara rëndom ishin edhe do gra apo vajza të reja, që të dëbuara
familjarisht nga Tirana (babait, mamit, gjyshit, kushuririt të pestë, ndoshta
diku do i kishte shkarë këmba dhe “hop si top”, ato të ngratat bashkë me
familjet e tyre, do të qenë përzënë pa shumë ceremoni, me trastat dhe valixhet
majë ndonjë kamioni deportues, nga Tirana për t’u degdisur nëpër humbëtirat
provinciale plot paragjykime, urrejtje për njeriun e fisëm dhe me dy gramë
kulturë, ideale partie në kult dhe anti-borgjezizmave të shumta)...patën
përfunduar fshatrave të panjohura, të denoncuara në tabelat e lartpërmendura.
Kishte Daci Bao
të ndryshme thonë.
Unë kam lindur
për fat pas tyre dhe dëshmitar nuk mund të jem dhe këtë marrëzi kolektive (nga
ato që shqiptarët i kanë të shpeshta)...nuk e kam njohur personalisht.
Diku ndokush
dilte në Daci Bao për një palë syze dielli për shembull (“shfaqje e huaj” e
nivelit të lartë, që asnjë sekretareshë partie me qimen si të derrit, që
depilimin trupor s’e kishte marrë kurrë në konsideratë...se fundja shfaqje e
huaj ishte edhe të qënit femër prej vërteti atëherë, asnjë zyrtare rajonale
partiake pra, nuk do t’a honepste dot pa e denoncuar para gjithë popullit, duke
mëtuar përherë, një linçim publik, aq të dashur edhe sot e kësaj dite ndër
shqiptarë).
Ndokund tjetër,
një “fund me pala” (pra sadopak i konsideruar në modë) apo ndonjë palë sandale
të bardha me njëfarë take të lartë, bëheshin problem aq i madh, sa të
shqetësonin njëkohësisht Frontin Demokratik, Sekretarin e Partisë, Kolektivat
Punonjëse, Brigadierin e rradhës (ndërsa i fuste duart ndonjë kooperativisteje
të ngratë), operativin e zakonshëm të Sigurimit dhe keqanët apo keqanet e
pamungueshme që gëlojnë në të tilla situata “denoncim-linçimesh” të
çfarëdoshme.
Nga 1967-a e më
tej, të tilla gjëra kanë qenë aq të rëndomta, sa besoj se nuk ka shqiptar që
atë kohë e ka jetuar në kurriz të vet, që të mos e ketë ngrënë nga një Daci Bao
të vërtetë apo të përafërt, që nuk është spiunuar qoftë edhe njëherë për
çfarëdo arsyeje, apo që nuk ka parë nga afër ndonjë linçim publik të ndokujt,
për faje imagjinare apo shkelje të moralit socialist (rroba ala-frënga, sjellje
ca si shumë fisnike, flokë të krehura me shije, gjuhë të huaja të njohura,
fytyrë e bukur, stacione të huaja televizive të ndjekura fshehtazi e shumë
shkaqe të tilla të dënueshme egërsisht dhe brutalisht nga regjimi i kohës dhe
langaraqët e lapangjozët që gjëmonin mbrapa qerres së socializmës dhe
komunizmës shqiptare).
Aq shumë qe
ekzagjeruar në këtë këndvështrim, sa në atë kohë dolën edhe tregime popullore
që përshkruanin ngjarje nga më të ndryshmet që kishin të bënin me fenomene të
lidhura me debilizma të shumtë që buronin nga pasojat e Revolucionit Kinez.
Diku në Labërinë
e thellë, thonë se për shembull, disa shokë të partishëm dhe me ideale të forta
komunisto-kineze, vajtën gjer tek kooperativa e fshatit ku banonte një plak i
moçëm dhe mjaft i respektuar i atyre anëve.
Shokët e
partishëm, të bindur se qëllimi i tyre për të sjellë metodologjinë më të re
kineze lidhur me përpunimin e jashtëqitjeve shtazore dhe përdorimin e tyre sa
më të efektshëm në plehërimin e tokës, arrihej më mirë dhe shpejt, duke bindur
të parin e fshatit (plakun tonë të sipërpërmendur lab)...iu drejtuan pikërisht
atij burri në moshë dhe patën nisur t’i shpjegojnë fije e për pe, sesi
funksiononte përzjerja dhe përpunimi i bajgës, kakërdhisë, glasës së pulës e
pse jo, edhe asaj të njeriut, brenda në kazanin e kompostos.
Shokët e
partishëm, përveçse të shpëlarë mirë nga trutë, me shokun Enver të ulur galiç
në zemër dhe me idealet e partisë të mirëngulitura në atë që u kishte mbetur pa
u fshirë nga funksionet e tyre të pavarura celebrale (prandaj doli edhe shpehja
e njohur “Për ideal të Partisë” ca kohë në përdorim)...qenë veshur edhe me
kominoshe.
Kominoshet
kooperativiste mesa duket do të kenë qenë të modës atë kohë!
Të gjorëve, për
t’a bindur plakun lab (kokëfortë sa më s’ka domethënë) që komposto me fekale,
ishte gjëja e duhur për t’u bërë, që jashtëqitjet e çdo kafshe të kooperativës
duheshin qëmtuar dhe mbledhur me rradhë një nga një për t’u përzjerë më tej
manualisht (me duar të zhveshura) nga njeriu gjersa të qenë shkrirë e bërë “një” me njëra-tjetrën që më vonë të
plehëronin tokën mëmë të kooperativës nga ku dikur do të mbinte gruri që do të
ushqente tërë popullin tonë ushtar në mbrojtje të atdheut tonë kështjellë të
komunizmit, far në detin e trazuar të botës së degjeneruar kapitaliste,
borgjezo-revizioniste, atyre burrave pra, iu deshën sidoqoftë orë të tëra
fjalësh dhe demonstrimesh të pafundme.
Plaku rrinte e
vështronte, por zë s’bënte, kruante faqet e lozte me mustaqet e gjata, por
s’pipëtinte kurrësesi!
Në fund, aty në
të errur u duk se ia dolën pikërisht kur muzgu po binte dhe hëna qe shfaqur në
qiellin përmbi Labëri, ndërsa dielli ishte zhdukur pa lënë gjurmë dhe siç
dukeshin bathët, qe duke ndriçuar të tjera toka larg Shqipërisë sonë të dashur
(e ku e meritonin qoftë edhe një rreze të vetme dielli, ata kapitalistët e
qelbur në Amerikë ose revizionistët sovjetikë?...-do thoni ju!-Po ç’t’i bësh,
partia me siguri që do e gjente një ditë edhe zgjidhjen e kësaj çështje me
rëndësi kardinale për fatet e planetit tonë, padyshim që shoku Enver në të
gjallë të tij, po të kishte patur kohën e nevojshme, një ditë do t’a kishte
shkruar me dorën e shkrimtarëve të zakonshëm “fantazëm” edhe një copë libër
lidhur me temën, sesi të bëjmë të mundur që dielli të lëshojë rrezet e tij të
nxehta dhe të ngrohë ekskluzivisht vendet e ndershme socialiste si Shqipërinë,
Kubën, Korenë e Veriut etj).
Plaku gjer në
atë moment totalisht i pavëmendshëm ndaj leksioneve
“fekalisto-komposto-plehëruese”...më në fund nisi të tregonte shenja vëmendjeje
kundrejt burrave të partishëm veshur me kominoshe dhe me duart e zhytura në
bajga e glasa brenda një kazani erëqelbur.
-“E bëmë të
vëmendshëm dhe të interesuar edhe këtë matufin”!-kishin menduar burrat e
partishëm me kominoshe!
Tani me siguri
që edhe fshati bashkë me kooperativën, do të ishte më e thjeshtë që të
ktheheshin në “rrugën e partisë” (se të Zotit e kishim ndaluar me ligj)...dhe
sapo një kafshë të guxonte të lëshonte edhe një kokërr të vetme bajge apo
kakërdhie, edhe me bark të qenë të gjorat shtazë, fshatari ynë, do t’ia kriste
vrapit si atlet në garë 100 metërshi dhe do t’a merrte në duart e tij
jashtëqitjen në fjalë, për t’a trajtuar atë si thesarin më të madh të tij, të
atdheut socialist dhe të Partisë sonë legjendare, e me të do të përgatiste një
alamet kompostoje me të cilën do të kujdesej që të plehëronte tokën dhe fushat
e kooperativës.
Por sapo
entuziazmi i burrave të partishëm me kominoshe qe ngritur në nivele
stratosferike, plaku me mustaqe kërkoi të bënte vetëm një pyetje.
-“Çfarë të duash
xhaxha, vetëm pyet se të përgjigjemi ne”!-i thanë shokët e partishëm që prej
orësh po “ushtroheshin” lodhshëm në atë proçes përzjerjeje manuale të disa
kileve bajgash e kakërdhishë.
-“Po mirë more
djema, po për t’u menderosur (për të bërë nevojën e madhe)...si ja bëni juve me
ato kominoshe mor aman”?-ishte pyetja e ndershme e xhaxhait, i cili gjatë tërë
atyre orëve të gjata e kishte vënë vazhdimisht mendjen në punë vetëm lidhur me
këtë fakt, për shkak se siç dihet botërisht, kominoshet nuk posedojnë as kopsa
e as rrip në brez, ku të zbërthehen e të ulen në mënyrë që njeriu të kryejë
normalisht nevojat e tij të detyrueshme fiziologjike.
Tani unë edhe
sulmin e padenjë dhe anormal ndaj korifeut tonë apo siç e gjykoj unë në mënyrë
autonome të paktën, Rilindasit tonë të fundit, Ismail Kadaresë, si të tillë e
konsideroj (si komposto bajgash që përmbajnë brenda tërë keqanërinë tipike
shqiptare, xhelozinë dhe smirën e gdhësë apo injorantit, ndaj të diturit dhe
atij që me penë në dorë, ka bërë më shumë për t’ia zbadhur faqen këtij vendi,
se kushdo tjetër pas Nënë Terezës të paktën)...dhe këtë përgjigje si kjo e
plakut lab, u jap pa e lodhur shumë trurin!
Ka shkruar nën
regjim apo jo, ka lëvduar xhaxhin Enver apo jo, janë gjëra me rëndësi relative!
Havzi Nela u var
për një poemë e Pjetër Arbnori ose Zef Pëllumbi kryeveprat e tyre i kanë
shkruar burgjeve të diktaturës dhe merita e mirënjohja jonë e pakufijshme i
shkon guximit të tyre të pashoq.
Në idenë time,
Kadare diti të luajë me regjimin, t’a miklojë atë së jashtmi dhe t’a denoncojë
më së miri ndërmjet rreshtave, aty ku çdo mendje e thellë intelektuale di të
lexojë atë që vërtet fshihet pas imazhit të rremë fillestar.
Kjo gjë dhe jo
thjesht egoja për t’u dukur mirë para botës e regjimit, e bëri Kadarenë aq të
dashur dhe popullor mes popullit të tij edhe para viteve 90-të.
Kadare nuk ka
qenë një disident i mirëfilltë, por një njeri i madh, mendje e ndritur dhe penë
e artë padyshim gjithmonë para dhe pas 90-ës!
Rastësisht
Nobeli u fitua këtë vit nga një kanadeze, që pa e njohur fare unë, thonë se e
ka gjetur të udhës të shkruajë për një fenomen shqiptar, atë të të
ashtëquajturave “Virgjëresha Shqiptare”, grave që jetojnë maleve si burra.
Unë uroj që
seriozisht në të ardhmen, ndonjë shkrimtar shqiptar të shkruajë për shembull
edhe për ngjarje si të themi, marrja me dhunë, shkëputja nga famlijet e tyre të
origjinës, ndalimi për të folur në gjuhën mëmë, përdhunimet dhe abuzimet
seksuale sistematike ndaj këtyre minorenëve e turpe të tjera kombëtare kanadeze
(që unë i kam zbuluar tek TV5 Monde, emisioni për Quebec-un, provincën
frankofone), ngjarje këto të vërteta të ndodhura qysh në vitet 50-të të
shekullit të kaluar në Quebec dhe nëpër tërë Kanadanë e “kulturuar”, kur
qindra-mijëra fëmijë të banorëve autoktonë (amerindianë) janë keqtrajtuar me
urdhër eksplicit nga shteti kanadez në këtë mënyrë tejet barbare dhe
anti-njerëzore.