E marte, 15.10.2024, 10:24 PM (GMT+1)

Kulturë

Përparim Hysi: Oha, Balash !...

E diele, 03.11.2013, 10:37 AM


Oha, Balash !...

 

Tregim

 

Nga Përparim Hysi

 

Ja tek kthehem në vitet e adoleshencës unë, trazovaçi, që dy gurë nuk i lija tok. Sherri, po të ishte i fshehur, do ta shpikja se nuk e ndjeja veten rehat. Bëja goxha rrugë të gjatë ( gati 10 km vetëm xhade) dhe, po  t'i shtoje dhe nja dy km të mira në një terren të thyer gjysëm malor, e kuptoni vet se   si ndihesha. Këto kilometra nuk i bëja për sport, por  vazhdoja shkollën në qytet (qyteti kaq km larg qe nga fshati im) dhe një natyrë eksplozive si  imja nuk mund të rrinte rehat. Ngacmoja ndonjë që kalonte  xhadesë (zakonisht këta qenë fshatarë të panjohur) dhe, tek reflektoj sot për këto noksanllëqe të mia, çuditem se si asnjëherë nuk ndodhi që të më jepte  ndonjë shuplakë ( aq  meritoja sa nuk ke se si i vjen anës) qoft dhe njëri prej kalimtarëve. Por kur marrë të shkruaj për këtë të kaluar të "lavdishme" timen, s'kam se si mos e veçoj  njërin prej tyre. Këtij dhe ia kushtoj tregimin. Kjo batuta "Oha, Balash!" është e tij dhe unë, kur e dëgjoja nga goja e tij, sikur ngopesha duke e harruar fare atë 10 km xhade. Se atje, ku mbaronte xhadeja  ime, (Fier- Lushnje dhe anasjelltas) e shihja atë që ngiste qetë duke mbjellë tek ara e tij. Tokën e kishte mu buzë kënetës ( këneta e fshatit Mbrostar- Ura,e bonifikuar aty nga viti 1960) që ato vite nuk  ish e bonifikuar. Jo vetëm që qe e pabonifikuar, por shpendët e  egra e mbushnin plym kënetën e madhe prej qindra hektarësh që me ujërat e  saj shtrihej gjer tek xhadeja. Aty e kishte një copë të madhe toke ky, xha Nasi, që unë e "sulmoja" me fjalët e mia prej trazovaçi:

- A u lodhe, o xha Nasi ?! Dhe ai:

- Oha, Balash!  Ndërsa qetë qëndronin, xha Nasi, dilte para qeve, ngulte çapzën e hostenit mu para qeve ( shënjë që ata nuk duhet të lëviznin) dhe,si kthehej nga unë që prisja përgjigje, ma kthente:

-E, u lodhësh. Do vish të më çlodhësh?!!!

Kjo batutë kaq shpotitëse sikur ma mbushte shpirtin dhe harroja dhe lodhjen, por dhe urinë. Kthehesha nga shkolla dhe mend ia thërrisja për të ngrënë. Ikja dhe tek merrja atë maloren mbi xhade sikur ia  merrja këngës. Përgjigja kaq hokatare e xha Nasit ishte si një bateri karikuese që gjeneronte motorin tim.  Po mos kujtonte se kështu ndodhte vetëm një herë. Jo. Sa herë që  xha Nasi punonte, e  njëjta metodë "sulmi" nga unë dhe përsëri e njëjta përgjigje.

Xha Nasi! Ç'njeri babaxhan! Kurrë nuk u mërzit nga një rrush aguridh si unë. Përkundrazi, ma priste me shpoti sikur do më kthente diçka që ma kish borxh.

 

*   *   *

 

Po unë vallë për kaq gjë do shkruaj? Jo. Qëllimi im nuk është fare tek natyra ime prej trazovaçi, por dua që ta njihni pak më mirë këtë njeri babaxhan. Për të patur një ide për xha  Nasin, ju them vetëm kaq: përfytyroni një burrë paksa të shkurtër, veshur me atë dokun e lirë të viteve '50-të, copë e zezë sigurisht, dhe veç kësaj dhe takien e bardhë të myzeqarit që nuk e hiqte nga koka. Qe paksa i zi nga ngjyra e lëkurës dhe unë që nuk njihja as kufi moshe,por as dhe turp, i them:- Ti, xha Nasi, je i zi! Dhe ai ( sa  babaxhan që qe!), në vend që të zëmërohej, ma priste:

- Të keqen xha Nasi tyja ke ngrënë fiq ti? Fiku i zi është më i  ëmbël. Dhe shkrihej së qeshuri me mua duke më bërë një afrim prej prindi. Ja, i tillë qe. Goxha njeri. Goxha prind.  Nuk para bëhej shumë me njerëzit. Shikonte punën  e tij. Shtëpinë e kish mu në mes pyllit të Vajkanit ( ky pyll shekullor me dhjetra e dhjetra hektarë me një shtrirje për t'u patur zili , mbi xhadenë Fier-Lushnje e anasjelltas, u zhbë,sa hap e mbyll sytë në vitet  epasnëntëdhjetës dhe sot nuk gjen një shkop për be). Sado që pylli kish një shtrije prej 10 km, asnjë shtëpi nuk qe ndërtuar mbi të, veç shtëpisë së  xha Nasit. Kish 6 fëmijë dhe aty, për reth shtëpisë, kish selitur një bahçe që nuk ia gjeje shoqen anë  e kënd. Thoshte: u bëre me fëmijë, ke hedhur mbi  kurriz atë kryqin e Krishtit. Qy ( Krishti) vuante për të tjerët, ti për fëmijët. Nuk bëre kështu, je birbollan. Ke tokën, punoje. Gruja ( nuk e thoshte gruaja) dhe toka,që the ti, duhen pluguar. Mbill, do korrësh. Gruja dhe toka janë si zjarri. Hidhi shkarpa,që të ndizen. Dhe qeshte. Po fëmija të do dhe bylmetin, por dhe frutat. Pemë. Ore pemë. Ke krahë të njomë,bëji ysmet tokës se t'i jep të tëra. Nuk ke nevojë të trokasësh nëpër botë, t'u  bëftë xha Nasi tyja. Unë që thuaj ti, as jap dhe as marr borxh. Jam qy që jam. Të kam borxh dhe nuk ta kthej, hajde dhe hamë me gjithë lecka. Jo në më ke dhe nuk ma kthen, të hëngra. Epo sadaka nuk  ka,de. Ndaj më bie bretku sa hap sy dielli dhe dersa perëndon. Se një krah jam unë. Detyrime,tatime që kam ndaj shetit, gërr. Se shteti është "trim": të merr gjak në vetull. Po dhe hall nuk të qan, por as turp dhe as mëshirë nuk të ka. Vetëm të kërkon. Nëm atë që nuk më ke. Me demek, të kam dhënë tokën.

Harron se toka është e Perëndisë. Aha, nuk ka shtet që ka frikë nga Perëndia. Dëgjo, xha Nasin ti. Se dhe Perëndia është larg. Larg dhe lart. Shteti po është afër. Sa të vijë Perëndia, vajti xha Nasi me gjithë halle. Hë, ku e paçë fjalën? Hë, tek borxhi. Është i lig. More borxh: ke shitur shpyrtin. S'je më i lirë. E di pse ta them,që kur të rritesh t'i kesh si mësime nga unë,xha Nasi. Të thuash nesër:- Aha, ma ka thënë xha  Nasi mua këtë.  Epo fjala shton fjalën. Është si era fjala. Ore, ke parë ti që sikur  bën këmbë  dhe, pa sosur brenda, ka sosur fjala. Çu-çu këtu tek pylli ku jemi imëni, kur,sa të vesh në shtëpi, ka mbrritur. Ka veshë gardhi,- thonë. Por nuk thonë kot. Ja qenka hapur fjaja që unë, xha Nasi, paskam para. Se nuk reshperoj me njeri dhe zahiretë dimër e verë i sigurokam me këta krahë. Epo doli fjala... nuk del kot. Jo. Se njerëzia sytë i kanë në ballë. Pastaj, hesapi i tjetrit bëhet kollajaz fare dhe gjithmonë i terezitur. Hesap-qesim aq. Mirë,o mirë, hapur fjala, hapur fjala po merr vesh e tërë mëhalla. Por  qo fjala, të keqen xha Nasi tyja,qe pak si me spec. Spec bërë nga ato piperkat me majucë dhe djegëse aq, sa po e kafshove pak, tërbove dhe more pyllin. Unë dëgjoja dhe, mësuar me fjalën që e ngiste gjatë e gjatë, prisja për atë "piperin" e fjalës që kish helmuar xha Nasin. Ai e shihte që e ndiqja me kërshëri ( kënaqej,me siguri se e merrte si mbështetje nga ana ime) dhe ma zbrazi:

- Ore, a të kam thënë që borxh as mos merr dhe as mos jep?

-Po, e mbështet unë.

Mirë, ore mirë, po më vjen mua një ditë qy Jani i Zarikut. E njeh apo jo?

Kur pa që i dhashë shënjë që e njihja, vazhdoi.

E, që thuaj ti, qerdhi. Epo mirëse erdhi. Se shtëpia edhe për mikun është. Aha, në shtëpinë e Janit  s'kam vajtur una, po ja erdhi qy. Erdhi, Të ketë ardhur për muhabet?Po nuk jam i muhabetit una. Jo. Po hall do ketë,se kot nuk ka ardhur. Dhe më thotë:

- Nasi mua më duhen ca lekë hua!!!

I them:- Po kush të ka  thënë ty, Jani,që  Nasi ka para. Nuk po fliste. Ja kështu si ti njimëni. Foli nuk foli,po hua kërkon dhe do përgjigje.Ty po ta kam thënë huqin tim që as jap dhe as marr borxh,una. Epo të tërë nuk ta dinë huqin,de. Dhe i them: - Të tha kush të tha, nuk ka rëndësi. Tani më digjo mua dhe, në të pyeçin dhe të tjerë,thuaju kështu: - Shumë lekë nuk kam una. Pak kam. Të jap pak, harrohen ato. Prandaj, o Jani i Zarikut shiko në tjetër vënd,se tek una  gjete qishë (kishë) ku të falesh. Dhe iku që thuaj ti dhe më nuk vjen për borxh tek Nasi  as edhe një. As i kam dhe as më ke. Dhe jemi birnxhi.

 

*    *   *

Pjekur dardhat e  xha Nasit për merak. Unë ia di huqin. I ka nxjerë t'i shesë mu buzë xhadesë,tek çezma  e  Vajkanit. Pret " Satën" se e di që zbresin për të pirë ujë nga rruga e gjatë. Zbresin dhe, sa shohin koshin plot, lëshohen me një frymë për të blerë. E  shikojnë xha Nasin ashtu të shkurtër, gjasme si të "humbur", dhe hyjnë në pazar.

-Me sa dardhat?

-Me 70 lekë?

-Bëmë dy kg.

Xha Nasi peshon dhe kur  blerësi i  zgjat dyzet lekë, xha Nasi ia pret:

-Evlat, nuk po ble kumbullore po dardha të Nasi Meços që s'i ka njeri në kaza të Fierit.

Tjetri "mbrohet", unë i mora për 17 lekë.

-Me aq shesë kumbulloret una.( Kumbullore xha Nasi u thotë domateve). Ai, tjetri  thotë:- Po  si shtrenjtë hesapi.

Xha Nasi:- Teste- teste qo dynja:ca kumbulloret,ca gorrricat dhe ca dardhat. Nuk lëshon pe sikur aty të prishen të gjitha. Në tepron ndonjë kg, e çon në shtëpi,se dëm nuk vete.

I sherrit nuk ka qenë kurrë. Po i re në qafë, drejt e në hyqymet( në pushtet). Dhe nuk ndahet deri sa të vejë nderin në vënd. Kënaqet me atë masë dënimi që vë "hyqymeti", se vet nuk ka takat t'i dalë sherrit mbanë.

E di ç' më ndodhi? Erdhi një nga këta "zabitët" ( e ka fjalën për oficerët) me motor. Siç bën terbiet shaferat e maqinave ( të shkretët shafera bëhen grusht para tij) dhe më thotë:- Ç'janë këto çmime kaq të shtrenjta? Ku ke parë ti me 70 lekë një kg dardha? Dhe sikur t'i kisha vrarë të atin, ma mori koshin me dardha dhe ma  vërviti mu në blacë ( ferrë e madhe). Unë po as gëk as mëk. Sikur qeshë shafer. Epo qenit kur i vjen ngordhja vete e përmjerë mu tek dera e qishës. Unë kyç gjuhës. Drejt e në degëz të mbrëndëshme. Kërkoi  të madhin e tyre. U them:- Kam një punë me  "axhale". Më çuan tek ai zabiti i madh. I tregoi hallin. I them: - Po nuk më shleu dëmin, shkova dhe do i shkruaj dy gjisht letër kumandantit unë. ( Fjala për Enver Hoxhën). Mirë,- më tha,- nesër në sahatin nëntë të mëngjesit të vish këtu. -Vjen Nasi ,o poça. Ama paratë e dëmit i dua një më një una. Vajçë të nesërmen që në sabah. Atje që të dy  zabitët: i madhi dhe qy murtati i dardhave. Jo myrtat por sikur kish dalë nga varri. Verdhur si ato dardhëzat e mia që më flaku në blacë.

-Dëgjo, xha Nasi,- foli  ai, i madhi: qy jo vetëm dëmin do ta shlyej, por dhe do të kërkoj falje.

-Mor të më tundi mua 350 lekët se nuk dua as t'i shoh surratin. As më lipset falja e tij. E bën veç nga frika.

Nxori lekët. I numërova një për një dhe, kur i pashë që qenë tamam, i futa në kuletëzën time,falnderova të zabitiin e madh dhe ika.

Kur kthyer pa kthyer mirë në shtëpi, më vjen një shafer:

-Hë, më të lumtë,- më thotë. Na ke hequr një samar nga kurrizi. Qe zullumqar i madh.

E kishin hequr se zabiti i madh kur pa qëndrimin tim, duket  xhëç nxuri. Epo mirë ia bëri. Nuk të bie në qafë. Ç'ke që më bie? Se vërtet sot më kafshon dhe nuk jam i zoti, por nesër s'dihet se si e paguan. Për një thelë,paguan një pelë. Si ky që për 5 qillo dardha la dhe punën.

 

*    *    *

 

Historitë me  Xha Nasin janë të shumta. Ndoshta një herë tjetër do t'u tregoj për të. Sidoqoftë, unë e kujtoj me shumë mall. Kurrë nuk ma prishi qejfin dhe më duket se përsëri e shoh atje toka, buzë kënetës, duke ngarë tokën dhe tek unë vërvis atë gjylen time prej trazovaçi: - A u lodhe, o xha Nasi?  Pres atë  përgjigjen e përherëshme:- E, u lodha. Do vish të më çlodhësh?!!!

 

* kam rujatur të folurën e tij.

 

Tiranë,  20 tetor   2013

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora