E merkure, 09.10.2024, 01:33 AM (GMT+1)

Kulturë

Bahtijar Kryeziu: Shqipja sot - çfarë është ajo?

E marte, 29.10.2013, 09:33 PM


SHQIPJA SOT – ÇFARË ËSHTË AJO?

Nga Prof. Dr. Bahtijar Kryeziu

Synimi drejt botës së qytetëruar, e në mënyrë të veçantë drejt Europës, ku duam të integrohemi, i gjen sot shqiptarët edhe me variantin standard të gjuhës së tyre, shenjë e emancipimit dhe e përparimit të kombit tonë. Falë kësaj, shqiptarët sot paraqiten para botës si një komb, me një gjuhë dhe një histori – mantër e kohës dhe e nevojës e paraqitur që në Konsultën Gjuhësore të Prishtinës të vitit 1968. E përgatitur atëherë dhe e miratuar në Kongresin e Drejtshkrimit (1972), “shqipja standarde bëhet mjet i pazëvendësueshëm i komunikimit ndërmjet shqiptarëve në mbarë Shqipërinë gjuhësore: në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në diasporë”[1]. Një arritje e tillë, sa është çështje shkencore e kulturore, po aq është edhe çështje socio-politike e kombëtare. Pena e hollë shqiptare, Faik Konica, që herët ka vërejtur se “Çështjet e gjuhës te shqiptarët nuk janë çështje të rendit thjesht filologjik, por çështje të rendit kombëtar”. Në Irlandë, jo pa të drejtë, madje, përdoret edhe shprehja: “Pa gjuhë nuk ka atdhe”, edhe pse jo gjithherë ndodh kjo në botë. Gjuha, pra, nuk është asnjëherë vetëm gjuhë[2]. Andaj, si në çdo shoqëri të civilizuar, ajo edhe te ne duhet ta ketë trajtimin që e meriton dhe statusin e respektin që i takon. Jo rastësisht, edhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës (2008), faqe 2, neni 5, para se të flitet për flamurin, himnin, stemën etj., shkruhet për gjuhën dhe përdorimin e saj, si mjet komunikimi në jetën tonë publike[3]. Duke ndjerë rëndësinë e përdorimit të gjuhës standarde, pos në institucionet arsimore e shkencore në Shqipëri, kryeministri i saj i tanishëm – Edi Rama, për lakmi, para pak ditësh kërkoi që administrata dhe organet shtetërore, duhet të kenë edhe redaktorët gjuhësorë, duke kërkuar madje edhe “vendosjen e gjobave për shpërdorim letre dhe kohe për hartuesit e dokumentacionit që bëjnë gabime drejtshkrimore në shkresat zyrtare”[4]. Një hap i mirëseardhur do të thoshim ne dhe shembull i mirë që duhet ta ndjekë edhe Qeveria e Kosovës. 

Mbështetur në këtë që përmendëm më sipër, nuk e quajmë të pavend interesimin që ekziston dhe vendin që i jepet gjuhës, rrjedhimisht edhe standardit gjuhësor, sado që jo në shkallë të duhur. Edhe pse në ligjërimin e folur variantet dialektore, me pak përjashtime, janë mjeti dhe forma e vetme e komunikimit (siç ndodh thuaja edhe në të gjitha gjuhët e botës), në gjuhën e shkruar puna qëndron më ndryshe. Me këtë standard sot botohen me mija e mija kopje gazetash, revistash, librash, që nga institucionet parashkollore e deri tek akademitë e shkencave; mësojnë me mija e mija nxënës, studentë; shkruajnë punonjësit e administratës e punonjës të veprimtarive të tjera. Në këtë gjuhë e me këtë standard emetohen lajme nga shumë qendra informative, në të katër anët e botës, ku sot shqiptarët jetojnë e punojnë. Shqipja e sotme standarde, shprehet prof. Emil Lafe, është autostrada e zhvillimit kulturor të shqip­tarëve, e afrimit dhe e bashkimit të mëtejshëm të vlerave të tyre[5], ndonëse ”nuk duhet të kemi iluzione socialiste – shton profesor Lafe - për një kulturë gjuhësore të lartë të mbarë shoqërisë. Gjendja e pakënaqshme që vërehet në praktikën gjuhësore të shqipes, nuk mund të quhet e papritur, kjo gjendje ka të bëjë edhe me rrethana e arsye jashtëgjuhësore, sepse kultura gjuhësore, si çdo kulturë tjetër nuk fitohet vetiu”[6] – përfundon profesori ynë.

Në këtë situatë të re dhe komplekse sociolinguistike, të krijuar sidomos kohët e fundit, të kushtëzuar nga ndryshimet demografike, politike e ekonomike që ka pësuar e po pëson shoqëria shqiptare, në kohën e teknologjisë aq të përparuar botërore dhe të një globalizimi gjuhësor, jo dhe çdo gjë po shkon në të mirë të një standardi të mirëfilltë gjuhësor e pa telashe të caktuara. Kur kësaj i shtohet edhe papërgjegjësia e shpërfillja e përdorimit të saj në medie, sidomos tek ato elektronike, po edhe në administratën shtetërore, në shkolla, në universitete, në forumet më të larta shtetërore etj., s’ka se si problemi të mos fitojë peshën e seriozitetit të tij. Para pak ditësh një koleg dhe mik imi nga Universiteti publik “Fan S. Noli” i Korçës, prof. dr. Ali Jashari, në një recensë të tij që më dërgoi përkitazi me një problem gjuhësor, i mllefosur për gjendjen aktuale të respektimit dhe të përdorimit të shqipes standarde, apo më mirë të themi të mosrespektimit të gjuhës standarde, më kishte shkruar: “Shumëkush e di se gjendja e shqipes dhe kujdesi për të sot është për të vënë duart në kokë. Përçudnimi i shqipes bëhet përfaqe dhe është i pakundshoq në botë... Me një fjalë, shprishjen e shqipes e bëjnë vetë shqiptarët, madje, mjaft syresh e mësojnë shqipen përmes gjuhëve të huaja që studiojnë(!). Ndërkaq, gjithë atdhetarët dhe lëvruesit e shqipes, mësuesit e zellshëm të saj, gjithnjë e më shumë po bëjnë pyetjen “Quo Vadis?”

Edhe në vlerësimet, analizat, qëndrimet e paraqitura në tryezat e konferencat shkencore, në simpoziumet e tubimet e tjera shkencore, ku temë diskutimi bëhet shqipja standarde - të arriturat dhe problemet e saj, jo një por gati të gjithë pjesëmarrësit në to, dhe jo njëherë por të shumtën e herëve, kanë paraqitur e po paraqesin shqetësimet e tyre për nevojën e ngritjes të shkallës së respektimit dhe të përdorimit më të mirë të standardit gjuhësor, të kësaj shenje kombëtare, pra të gjuhës shqipe.

Se në ç’shkallë po respektohet e zbatohet sot standardi gjuhësor, do të ishte mirë të lexojmë shqetësimet e shprehura të disave nga emrat e shquar të gjuhësisë shqiptare:

- “Nuk mund të mos e them sot, sikundër nuk kam mënuar ta theksoj edhe disa herë të tjera, krejt qartë e shkoqur, katërçipërisht shkoqur: nuk më ka pëlqyer (dhe deri sa të marr frymë do të vijoj ta pohoj) se, nuk i është dhënë kujdesi e vlerësimi që meriton gjuha shqipe, e cila, faqe anglishtes, le ta themi ashtu si na ka hije: ka mbetur si dy thjeshtrat ndaj djalit të njerkës në rrotullën e njohur të Drenicës” (Akademik Gjovalin Shkurtaj);
- 
Një gjendje kaq e palakmueshme e zotërimit të të shqipes standarde, po kjo mund të thuhej shkoqur – edhe të shqipes përgjithësish, kohët e fundit është bërë e padurueshme dhe, kujtoj, me prirej për të prodhuar një diçka krejt artificiale – një shqipe pa asnjë mbështetje...” (Profesor Isa Bajçinca);

-  Shqipja e sotme, me disa përjashtime, është një shqipe e dalë rodit të shqipes së Naimit, të shqipes së Konicës, të shqipes së Kadaresë dhe të shqipes së popullit (Dr. Qemal Murati);

- “Gjuha sa vjen e merret në gojë. Gojohet e përgojohet. Çoroditet e përçudnohet” (Ramiz Kelmendi). Këso qëndrimesh e konstatimesh kanë edhe filologët tanë, si: Prof. Emil Lafe, Dr. Shefkije Islamaj, Dr. Rami Memushaj, Dr. Ragip Mulaku, Dr. Kristina Jorgaqi, Dr. Begazad Baliu  etj., etj.     

Themelimi dhe funksionimi i dy akademive shqiptare, i dy Instituteve që merren me gjuhën nga aspekte të ndryshme të saj, po edhe të kulturës së gjuhës, veprimtaria e nja 15 universiteteve publike me gati po aq katedra të gjuhës shqipe, themelimi dhe funksionimi i disa universiteteve private, botimi i gramatikave normative të gjuhës, i fjalorëve të fushave të ndryshme, i sa e sa botimeve për standardin e gjuhës e për kulturën gjuhësore, qoftë nga institucionet shkencore apo specialistë, të cilët merren me problemet gjuhësore, sikur nuk po ia dalin dot të kryejnë misionin e tyre të mirëfilltë.

Shkarjet e shumta gjuhësore në mediet elektronike e në ato të shkruara, në librat shkollorë e universitarë, në diplomat e studentëve, të kandidatëve për master e në disertacionet e doktoratës, në shkrimet e publikimet edhe në nivelet më të larta shtetërore e shkencore, besojmë se janë një dëshmi e mjaftueshme për të konstatuar gjendjen, jo edhe aq të mirë të shqipes standarde sot, e cila padyshim se kërkon kujdes e përgjegjësi më të madhe të shoqërisë sonë në përdorimin e saj, të asaj gjuhe “të ëmbël, të lirë, të mirë, të vlerë, e të bukur” të Naimit, të asaj shqipe të cilës aq bukur i këndoi jezuiti shkodran, Ndre Mjeda, në vargjet:

            Përmbi za që lshon bylbili,

            Gjuha shqipe m’shum gullon,

            Përmbi erë që jep zymbyli,

            Pa da zemrën ma ngushëllon.

Sigurisht se në këtë shkrim të shkurtër nuk mund të përmendim të gjitha ato shkelje e shpërfillje të standardit të gjuhës, në të gjitha ato segmente të jetës së përditshme, nga shumë faktorë jashtëgjuhësorë, por, megjithatë do të përpiqemi të vëmë në letër disa nga ato bastardime të cilat i kemi ndeshur dhe po i takojmë në përditshmërinë tonë, duke u pykëzuar në veçanti, por jo domosdo, në ato të hapësirës kosovare.

Shoqëritë moderne (për çka mëtojnë edhe këto tonat - B. K.), përveç demokratike dhe multietnike, janë edhe shumëgjuhëshe. Pothuaj s’ka shtet në botë ku flitet vetëm një gjuhë – përveç në Kore[7], porse të pakta janë ato shtete (demokratike e multietnike), ose edhe nuk ka shtet të tillë që nuk e përfill gjuhën e vet zyrtare si te ne. Në kontekst të kësaj mund të përmendim edhe disa zëra që dëgjohen sot (që për fat nuk janë shumë) se në gjuhë duhet të ketë një liberalizëm, liri të përdorimit të ligjërimit të lidhur, deri në atë masë saqë kushdo mund të flasë e të shkruajë dosido, që Dell Hymes (Dell Hajms) e quan këtë “kompetencë komunikatave” që nënkupton “aftësinë për të komunikuar me kode të ndryshme, edhe pse ... në këtë mënyrë krijohet një mishmash gjuhësor, por nëse një mishmash i tillë pranohet nga bashkësia folëse, atëherë pse të mos bëhet një gjë e tillë”[8] – thotë një gjuhëtar yni. Është konstatim i cili neve nuk na duket edhe aq i drejtë. Ne mendojmë se standardi, norma, parimi, janë mjetet më të mira për të mënjanuar mishmashet dhe anarkitë në jetë dhe në punën tonë, pra edhe në fushën e gjuhësisë, si për respektimin e kodit gjuhësor, ashtu edhe kur është fjala për përdorimin e termave, nocioneve dhe fjalëve të huaja. Mos të harrojmë se gjuhët letrare, apo standarde, siç quhet rëndom sot, zhvillohet, kultivohet bash në saje të normativitetit legjislativ dhe gjuhësor. Ndryshe, edhe në gjuhë, ashtu si dhe në shumë fusha të jetës sonë, do të kishim një mishmash. Edhe sot, madje, mund të pyesim, pa fije dyshimi: Ç’disiplinë gjuhësore e normativitet gjuhe ndeshim te përdorimi i mbishkrimeve të firmave të disa institucioneve publike e bizneseve tona kur ato dalin goxha shumë në gjuhë të huaja[9] dhe krijojnë përshtypjen e një vendi kolonial, ku gjuha e metropolit ka standardin më të lartë (si, bie fjala, në komunën e Gjilanit, ku nga 3,500 mbishkrime firmash, mbi 35% janë në gjuhë të huaja, si: Amoro, Avanti, Rolex, Punto, West, Onyx)[10] etj. etj.; Ç’kulturë e respekt gjuhe tregojmë te emërtimi i fëmijëve me emrat: Kevin, Dajana, Denis, Patris..., në vend të emrave shqip - të vjetër (Ilir, Agron, Alban...), a të rinj (Gëzim, Blerim, Besnik etj.)? Ç’emërtime kanë disa shtëpi “të fuqishme” mediatike, si: Top Channel, News 24, Ora News, BBF, Club FM, në vend se të përdorin emra nga më të shumtë shqip? Ç’gjuhë të bastarduar e me lloj-lloj shprehjesh dhe më absurde për kohën ndeshim sot në shfaqje të humorit e në emisionet televizive, për “të krijuar art” me “jo art”? Ç’ligj zbatohet për përdorimin e gjuhës zyrtare në tiketat e produkteve të ndryshme, sidomos të atyre që hyjnë nga jashtë? Ç’vullnet institucional e shtetëror kemi për hartimin e fjalorëve terminologjikë etj., e që këto janë vetëm disa nga dëshmitë ogurzeza dhe aspak shpresëdhënëse për shqipen e sotme dhe për perspektivën e saj.

A nuk është për të na ardhur keq, bie fjala, gabimi i ndeshur, jo vetëm gjuhësor, këtu e një vit më parë, kur në takimin e kryetares së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në Prishtinë, më 16 shkurt 2012, në ambientin ku kishte të ftuar pjesëtarë të korit diplomatik të akredituar në Republikën e Kosovës, udhëheqës vendorë e qytetarë të ftuar, me rastin e 4-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, mu në murin ballor të sallës të shkruante:

4 VITE TË PAVARËSISË (shkruar edhe anglisht e serbisht) dhe nën te data e shkruar, ashtu siç nuk duhet të shkruhet: 17- 02 – 2012.

Me këtë rast, ne shohim dy gabime të rënda, të pafalshme do të thoshim, kur kihet parasysh ngjarja që i kushtohet kësaj date historike. Në vend se të shkruhet drejt: 4 VJET TË PAVARËSISË dhe data të shkruhet sipas standardit: 17.2.2012, ose dhe më drejt 17 Shkurt 2012, ajo është shkruar ashtu siç nuk është dashur të shkruhet. Se duhet të shkruhet 4 vjet e jo 4 vite, dëshmon edhe togfjalëshi 4-vjetori i Pavarësisë (nga vjet) e jo 4 vitori i Pavarësisë. Se “Shkruhen me shkronjë të madhe pjesët përbërëse të emërtimeve të festave kombëtare e ndërkombëtare” na mëson edhe DGjSh, si te shembujt: “28 Nëntori, 8 Marsi ose Tetë Marsi, 1 Maji ose Një Maji[11], etj.       

Po ç’të themi edhe për shembujt e tjerë të ndeshur gjithandej në mediet tona:

-          Të shkatërrohet kisha ortodokse në Universitet (titull alogjik te gazeta “Bota sot” e datës 3.2.2013) – për: Të shkatërrohet kisha ortodokse në kompleksin (ose që gjendet në kompleksin) e Universitetit (të hiqet, të largohet etj.);

-          Visar Zhiti mbi ish të përndjekurit politikë  (titullin tjetër, po te “Bota sot”, datë 24.2.2013). – në vend të: Visar Zhiti për ish të përndjekurit.

-          Në momentin që burri ka hyrë në kuzhinë, ajo e ka qëlluar pas shpine me armën e gjahut teke në shpatull. (“Bota sot”, 20 shkurt 2013) – për: Në momentin (në çastin) që burri ka hyrë në kuzhinë, ajo e ka qëlluar pas shpine – në shpatull me armën teke të gjahut.

-                    Ose te shembulli tjetër, kur theksohen fjalët e kryetarit të PS të Shqipërisë, Edi Rama në Vlorë: Mbi 300 të rinj janë anëtarësuar pranë PS (TV Top nis, 10 mars 2012) - për: Mbi 300 të rinj janë anëtarësuar në PS.

-          U mbajt një ceremoni përkujtimore në bustin e komandantit legjendar Adem Jashari (titull,“Bota  sot”, 5 mars 2013) – për: U mbajt një ceremoni përkujtimore te busti i  komandantit legjendar Adem Jashari.

-          Njoftohen të interesuarit se N. N. mbron temën e doktoratës me titull: “Ndotësit mjedisorë të natyrës kimike të Liqenit të Ohrit” (njoftim i FSHMN-së të UP-së dhe shtypi) – për: Njoftohen të interesuarit se N. N. mbron temën e doktoratës me titull: “Ndotësit kimikë të liqenit të Ohrit”...

-          Sasia e nikotinës, që gjendet në cigare, në një pako, po të merret përnjëherë mund të shkaktojë vdekjen e elefantit brenda një minute (shtypi) – për: Sasia e nikotinës, që gjendet në cigare, në një pako, po të merret përnjëherë mund të shkaktojë ngordhjen e elefantit brenda një minute.

-          Në bregdetin e... u gjeten shumë delfinë të vdekur. (RTK, dhjetor 2011) – për: Në bregdetin e... u gjeten shumë delfinë të ngordhur.

-          Lënda narkotike ishte ndarë në 46 pako, u gjet e fshehur në sedilje. (Top news, 2 tetor 2013) – për: Lënda narkotike ishte ndarë në 46 pako, u gjet e fshehur ndër karrige etj.

Mosrespektimi i topikës së fjalëve dhe renditja jo e mirë e tyre në fjali, sipas kërkesave të sintaksës së një gjuhe, në rastin tonë të gjuhës shqipe, është një ndër nga gabimet më të rënda që cenon mesazhin e drejtë e të qartë, e kjo pa ndonjë vështirësi hetohet te shembujt:

-   Të afërmit e 21vjeçarit bëjnë thirrej për transportimin me helikopterin e tij (TV NEWS-it, “E Premte, 3 shkurt 2012) – për: Të afërmit e 21-vjeçarit bëjnë thirrej (kërkojnë) për transportimin e tij me helikopter.

-   22 vjeçari Abdulla Cenga u gjet i vetëvarur në ballkonin e një banese ku jetonte me qera mbrëmjen e 10 majit. (gazeta “Zeri”, 12 maj 2012) – për: 22-vjeçari Abdulla Cenga u gjet i vetëvarur në mbrëmjen e 10 majtit në ballkonin e një banese ku jetonte me qira; apo edhe:

-    Ekipet e specializuara për vrasje të UNMIK-ut menjëherë pas rastit tragjik kanë dalur në vendin e ngjarjes dhe...” (“Koha ditore”, Prishtinë, 30 nëntor 2002, faqe 13) – për: Ekipet e specializuar të UNMIK-ut, për hetimin (shqyrtimin) e vrasjeve, menjëherë pas rastit tragjik kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe...”

-    Në Vushtrri, një mashkull i raportoi policisë se një mashkull i dyshimtë e kishte dhunuar vajzën e tij 8-vjeçare (shtypi) – për: Në Vushtrri, një mashkull i raportoi policisë se vajzën e tij 8-vjeçare e kishte dhunuar një mashkull i dyshimtë.

-     U bë pranimi i dokumenteve të kthyera nga Serbia të Ferizjat dhe Novobërdës (titull gazete)

(“Bota Sot”, 01.10.2013) – për: U bë pranimi i dokumenteve të Ferizajt dhe Novobërdës të kthyera nga Serbia.

Edhe nga këta pak shembuj shihet se, vetëm ndërrimi i vendit të gjymtyrëve në fjali, ose në periudhë, ndryshon në tërësi semantikën e fjalisë a të fjalisë së përbërë (të periudhës). Prandaj, kujdesi për respektimin e vendit dhe të rendit të fjalëve, si gjatë të folurit, ashtu edhe gjatë të shkruarit, jo vetëm që është i dëshirueshëm, por edhe i domosdoshëm. Duhet ditur dhe duhet pasur kujdes se cila gjymtyrë i referohet – përcakton gjymtyrën tjetër që mendimi i shprehur të dalë i qartë dhe i drejtë.

Po të ndalemi edhe në shkeljet e tjera të standardit, si në stilistikë e disiplina të tjera gjuhësore, pasqyra del, po ashtu mjaft e zymtë. Ç’stil  t’i themi, bie fjala, këtij shkrimi, ku Albin Kurti kritikon Qeverinë e Kosovës, kurse gazetari informon në këtë mënyrë:

Ai tha se nuk i beson kësaj qeverie, dhe as ky popull. Ai tha se protesta kanë bërë kundër kësaj qeveri dhe bëjnë, por kjo protestë është.
Ai paraqiti të dhënat diskriminuese si në kadastër dhe hekurudha nuk ka shqiptarë fare, ndërsa në sektorët tjerë publik thuaja nuk ka shqiptarë në Bujanoc.
Ai tha se çështja e shtruar që në Kuvend të diskutohet për bisedimet pasi nuk e përkrahi njëherë kryesia dhe pastaj nuk ia dhanë nënshkrimet e duhura.
Ai tha se Vetëvendosje i mbështet parimisht shqiptarët dhe në mënyrë të vazhdueshme, por problemet janë të mëdha atje.
Ai tha se Marrëveshja e Konçulit ishte një marrëveshje negative për shqiptarët dhe pa asnjë dobi. Ai tha ajo marrëveshje dogji edhe mundin e luftës. (“Bota Sot”, 26.01.2013 )

Moszotërimin dhe moszbatimin e letrarishtes, sidomos këto vitet e fundit, duhet kërkuar edhe në këto pyetje: Sa prindërit tanë interesohen që ata vetë e pastaj edhe fëmijët e tyre ta përvetësojnë e përdorin standardin gjuhësor të letrarishtes? Sa është duke e luajtur rolin e saj shkolla në mësimin dhe përvetësimin e gjuhës? Sa mësimdhënësit në shkollë (përveç atyre të gjuhës) e zbatojnë normën letrare? Sa nxënës ndjekin ndonjë kurs të gjuhës shqipe (krahasuar me ata të cilët vazhdojnë kurset e gjuhëve të huaja dhe kurse tjera nga më të ndryshmet)? Sa dhe çfarë emisionesh shkollore radio-televizive kemi për mësimin e shqipes? Çfarë gjuhe përdoret në emisionet e ndryshme zbavitëse televizive, të cilat edhe më së shumti i ndjekin fëmijët dhe të rinjtë tanë? A mund të edukohen ata (në aspektin gjuhësor) duke shikuar e dëgjuar emisione me një gjuhë të bastarduar, alla-kullerçe do të thoshim, të cilat emisione edhe i kemi më të shpeshtat në ekranet televizive? Ç’standard gjuhe përdorin televizionet tona në spotet e tyre? Ç’disiplinë kemi sot ndaj gjuhës si shoqëri? Cilat janë përgjegjësitë dhe sanksionet për shkelësit dhe shpërdoruesit e standardit gjuhësor në jetën publike? etj., etj.

Konstatimet e përhershme në takimet tona për gjendjen jo të mirë të përdorimit të shqipes në përditshmërinë tonë dhe porositë e vazhdueshme të cilat, si duket, po prekin në veshin e shurdhër të atyre që mund dhe duhet të bëjnë një punë më të mirë për gjuhën tonë, i ngjajnë shiritit të dëmtuar të magnetofonit.

Që gjendja të ndryshojë në të mirë të shqipes, ne mendojmë se, krahas atij veprimi të drejtë që bëri ShGjSh e Kosovës një vit më parë, duke ju drejtuar redaksive me kërkesë, institucioneve shkencore e publike etj., për respektimin e standardit të gjuhës, duhet të ndërmerren edhe këta hapa:

-          Të kërkohet nga drejtuesit e institucioneve arsimore, që në shërbimin e mbikëqyrjes së punës në arsim, të veprojë edhe shërbimi i mbikëqyrjes së zbatimit të normës së gjuhës standarde – një propozim kaherë i paraqitur i akademik R. Qosjes;

-          Të organizohen seminare nga gjuha me mësimdhënësit e ciklit të ulët, po edhe të mesëm, në mënyrë që të mos kemi rastin si te disa mësues të shkollave fillore (të Gjilanit), të cilët në testin e gjuhës, me pyetje nga programi me të cilin ata punojnë, të kalojnë vetëm 24% prej tyre, kurse 76% të kenë rezultate negative;

-          MASHT-i të mos lejojë përdorimin e teksteve shkollore të botuara pa farë kriteri profesional-shkencor dhe gabime të shumta gjuhësore;

-          Në mediet elektronike e ato të shkruara të ketë më dendur shkrime e emisione këshilluese për një gjuhë të pastër e të rregullt;

-          Të formohen shërbimet e lektorëve në administratën e shtetit, në shtëpitë botuese të librit shkollor etj., siç kërkoi para pak ditësh në Shqipëri edhe vetë kryeministri i tanishëm, Edi Rama;

-          Të themelohet Shoqata e Lektorëve të Republikës së Kosovës e së fundi, pa vonuar:

-          Të nxirret ligji për mbrojtjen e gjuhës, siç kanë vepruar, jo vetëm shtetet perëndimore, por edhe disa shtete ballkanike (Maqedonia, Kroacia etj.).

Kumtesë e lexuar në Konferencën shkencore

“Java e Albanologjisë”, me temën bosht “Shqipja                

Në rrethanat e sotme sociolinguistike dhe socio-

Politike”, Prishtinë, 21-23 tetor 2013


[1] Prof.dr.Valter Memishaj, Standardi dhe letërsia artistike, Shqipja në etapën e sotme (Politikat e përmirësimit dhe të pasurimit të standardit, QSA, Tiranë, 2011, faqe 538.

[2] Shih: Rexhep Ismajli, Gjuhë dhe etni, Prishtinë, 1991, faqe 29.

[3] Ndërkaq, në Shqipëri, për herë të parë në historinë kushtetuese të saj është futur një nen i posaçëm për gjuhën shqipe, më 1998, që e përcakton atë shprehimisht si gjuhën zyrtare të shtetit shqiptar ("Gjuha zyrtare e Republikës së Shqipërisë është shqipja", 1998, neni 14.1). Me këtë kushtetuta e Shqipërisë përfshihet në qindëshen e kushtetutave të botës, që i shpallin a i emërtojnë gjuhët për përdorim zyrtar a kombëtar.

[3] Shih: Rama kërkon përdorim korrekt dhe dinjitoz të gjuhës shqipe nga shteti, “Koha ditore”, Prishtinë, 24.8.2013.

[4] Emil Lafe, Gjuha dhe shkrimi, “Gjuha shqipe”, nr. 3, IAP,  Prishtinë, 2007, faqe 11.

 

[6] Emil Lafe, Gjuha standarde si përgjegjësi shoqërore dhe intelektuale “Gjuha jonë”, nr. 1-4, Tiranë, 2008, faqe 25.

[7]   Anton Gojçaj, Shqipja e rrezikuar në Malin e Zi, “Gjuha shqipe”, nr. 3, Prishtinë, IAP, 2008, faqe 91.

[8]   Dr. Shkumbin Munishi, Gjuha standarde nuk është varianti i vetëm i shqipes (intervistë), “Koha Ditore”, 16 gusht 2007, faqe 14.

[9]   Është e natyrshme që emër­timet e reja të shtohen, por është po aq e natyrshme që ato të jenë sa më shqipe e shqiptare (Çlirim Bidollari, Pamje e re onomastike e Tiranës, Gjuha jonë, nr. 1-4, AShRSh, IGJL, Tiranë, 1996, 93)

[10] Dr. Bahtijar Kryeziu, Trajtesa onomastike, Prishtinë, 2006, faqe

[11] Përdorimi i shkronjave të mëdha, Drejtshkrimi gjuhës shqipe, IAP, Prishtinë, 1974, faqe 153.



(Vota: 6 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora