Kulturë
Hyqmet Hasko: Poetika e hapësirës së shumëfishtë
E hene, 28.10.2013, 08:26 PM
Përsiatje rreth dy vëllimeve me poezi “Në krahët e mjellmës” dhe “Atdheu brenda vetes” të poetit Ajet Shala
Poetika e hapësirës së shumëfishtë të procedimit estetik
Nga Hyqmet HASKO
Profili
poetik i një autori ka të bëjë me shumë elemetë, të formës, të përmbajtjes, të risive
që ai sjell në raport me sivëllezërit e tij, por ajo që është kryesore mbetet
procedimi estetik, mënyra se si ai e vështron botën, realitetin, përditshmërinë,
kujtesat që e rrethojnë, historinë dhe përditshmërinë, në raport me të tjerët,
me ata që kanë lënë gjurmë para tij ose krijojnë në të njëjtën kohë e në të njëjtin
vektor hapësinor dhe emocional estetik.
Duke
lexuar vëllimet me poezi të poetit Ajet Shala të sendërtohet ideja se ky autor,
më shumë se gjithçka sjell në letrat poetike kombëtare një vizion konkret, përgjegjshmëri dhe realzëm në të thënat,
të nënkuptuarat dhe të nënvizuarat si ide dhe mesazhe që bashkëshoqërojnë aktin
e tij poetik.
Autor i
dy përmbledhjeve poetike”Në krahët e mjellmës” dhe “Atdheu brenda vetes”, si
dhe i një vëllimi tjetër me poezi në proces botimi, Ajet Shala ia ka dalë të sjellë
në poezinë shqipe një zë të tij, një vektor poetik të përndezur nga tekste dhe
nëntekste mbresëlënëse, që apelojnë për një shoqëri më të mirë, për një komb të
ridimensionuar jo vetëm në hapësirat mbarëkombëtare por dhe në shpirtin dhe
kujtesën kolektive kombëtare.
Poezia e
Shalës është në gjurmët më të mira të traditës poetike shqiptare, në atë traditë
ku lënë shenja në kohë dhe hapësirë poetë të shquar të botës shqiptare, në Shqipërinë
amë, në Kosovë, ndër shqiptarët e Maqedonisë, në Mal të Zi, ndër arbëreshët e
Italisë e të Greqisë,në diasporë e kudo gjetkë, ku gëlon me sharmin, elegancën,
fuqinë kumtuese dhe kreativitetin mrekullor fjala e bukur e gjuhës sonë shqipe.
Duke qenë
në dhe të huaj, emigrant, ky bir i Kosovës martire e ka mbartur Kosovën dhe
kombin e tij në një hapësirë të dyfishtë të procedimit artistik, jo vetëm si
kujtesë, jo vetëm si lëvizje mendimi e meditimi në kohë-hapësirën e lirisë, por
dhe si mall, si përkujtesë mungese në një kohë kur mungesa është kryefjala e
aktit të tij poetik.
Mungesa e
atdheut, mungesa fizike kthehet në një mungesë shpirtërore, në një mesazh
universal të kërkimit të rrënjëve dhe identitetit nacional, të cilin Shala e kërkon
në çdo gur, në çdo lule, në çdo grimcë dheu të tokës së shqiponjave.
Në vëllimin
poetik “Në krahët e mjellmës” Ajet Shala, siç thotë poeti dhe kritiku i njohur
Namik Selmani është “sfidant i vetvetes dhe i moshës së tij”.
Poezitë e
këtij libri kanë shumë ngjyra, shumë thyerje, mpleksen në vargje e strofa
grimca kujtesash, përjetimesh, impresionesh, kontrapunte që e bashkëshoqërojnë poetin
në rrugën e tij drejt realizmit të finales poetike.
Në thepat
e një
Më dha
gurë, lule, gjethe, drurë,
Me stuhinë
më tha që të rrokem grykaz një ditë…
(Poezia “Portreti
im në mal”, fq. 31)
Epizmi
dhe lirizmi bashkëjetojnë në poezië e Shalës, tablotë lirike mpleksen me fatet
e personazheve epikë, pjesë e asaj kujtese ku përfshihet emocionalisht poeti,
duke qenë se ai, përveç të tjerave, ka qenë dhe një luftëtar aktiv i UÇK-së, në
luftën e shenjtë për liri e dinjitet shoqëror të popullit martir të Kosovës.
Atdheu,
me brengat, vetminë, iluzionet, qëndresën, heroizmin e heshtur të njerëzve të thjeshtë,
kurthet e puthadorëve, intrigat e politikanëve, martirizimin e heronjve, pra
atdheu në kuptimin më të gjërë dhe më të thellë të kësaj fjale është kryefjala
e poezive të Shalës. Atdheu për poetin ka fytyrën e nënës së tij, të bashkëluftëtarëve
të UÇK-së, të shpresës së lotit që nuk duhet të shkojë dëm, por të kthehet në një
devizë të lirisë e të vetë ardhmërisë.
Është kjo
arsyeja që poeti e ka “Atdheun brenda vetes”, siç thuhet në poezitë vëllimit me
të njëjtin titull. Është kjo arsyeja që poeti gjen tek pesha e fjalës, tek akti
i Preshevës, tek “eksodi drejt lirisë”, marrshi i “çlirimtarëve martirë”, tek “kordha
e dashurisë”, tek “masakra e Reçakut”, vetveten të pjesëtuar në mijëra grimca e
të shumëzuar në miliona ëndrra që udhëtojnë drejt tokës së Kosovës, drejt
shekullit të ri dhe horizonteve të reja të shpresës.
Në poezitë
e përmbledhjes që ka në proces botimi kumti i atdheut bëhet një fiksacion
poetk, përzihen notat lirike, epike e dramatike në një vekktor estetik plot
kolorit gjuhësor dhe ndjesi të forta emocionale.
Kosovë o
kështjella ime e dashur arbërore
Ngritur
mbi themele të një kulture epokash
E ndërtuar
nga mjeshtër me duar hyjnore
Me gurë të
skalitur nga mbretër në kohëra.
Tek Ajet
Shala akti poetik është një aventurë shkrimore përtej të zakonshmes, një endje
e bukur në trajektoren e trillit dhe ëndrrës së poetit, në kohën e zgjimit të ndjesive
dhe impresioneve, që i vijnë nga brenda, si një ftesë e papërballueshme për të reflektuar
poetikisht. Shala duket se nuk ka pikë sforcimi e shtirje kur merr penën për të
shkruar; ai thjeshtë ndjen ritmin e zemrës së tij, pjesëton e shumëzon çastin në
kohën e përditshmërisë, duke na dhënë me një muzikalitet aq të ëmëbël e aq të dëlirë
vizatime dhe gjendje sa reale e konkrete aq dehëse e trallisëse…
I
vendosur në shtratin e tradicionalizmit poetik, në atë guvë burimore ku është folku,
zërat e ngrohtë lirikë që vijnë nga etnopsikika poetike kolektive, Shala nuk
mbetet rob i kësaj tradite, por me origjinalitetin e zërit të tij, me tonet aq
të ndjeshme e kumbuese deri në dehje, me lirizimin, epizmin dhe spontanitetin e
tij, e pasuron këtë traditë me imazhe dhe struktura të reja poetike.
Ajo që në
të vërtetë përbën individualitetin e poetit është freskia e motiveve, marrja e “lëndës
së parë” poetike nga jeta e gjallë njerëzore,
nga raportet e unit të tij me kohën dhe bashkëkohësin dhe jo nga skemat
libreske, ndikimet dhe spostimet akrobatike, siç bëjnë një duzinë poetësh, që nuk
shkruajnë veteveten, nuk janë vetvetja, por ndihen të kompleksuar nën hijen e të
tjerëve.
Poezia e
Ajet Shalës nuk vjen nga shtampat deklerative, nga agjustimet dhe ilustrimet
rozë të realitetit, por nga një njohje e thellë e objektit poetik, nga fuqia e
ndjenjës dhe intensiteti i emocionit, që vë në lëvizje turbinën e mendimit për
të prodhuar energjinë poetike, që na vjen me anë të vargjeve të ndjerë e të ngrohtë,
plot ritme e temporitme të brendshme.
Shala është
një zë epik, por dhe një lirik i ngrohtë, plot ritme jete dhe ngjyra të përndezura,
ku rrinë aq mirë dhe në simbiozë të plotë elemetët klasikë me pak spërkatje të lehtë,
një si tis moderniteti. Ai vizaton shkujdesur, por me linja të qarta e të përvijuara
ëmbël peizazhe të thyer të shpirtit njerëzor dhe të historisë, duke i zgjeruar
rrathët e këndvështrimit poetik nga vargu në varg, nga strofa në strofë, nga
poezia në poezi, me një pasuri trajtash, figurash dhe mjetesh shprehëse.
Poeti e
tejshtrin botëvështrimin e tij në hullinj të njohur përjetimesh, por mënyra se
si ai vështron në këta hullinj është befasuese; duke sjellë ritme dhe melodi të
hazdisura e trillere, që të rrëmbejnë e të bëjnë për vete.
Pjalmi i
folkut duket sikur e josh poetin të shkund frymëzimin e tij mbi vargjet aq të ndjera
dhe fine, shkruar me një elegancë të admirueshme dhe me një lirizëm aq të ngrohtë
dhe spontan, por ky folk thyhet e bëhet disi “agresiv”, për shkak të teknikave
të ndërthurura të vjershërimit, për shkak të disa elementeve si ironia e hollë e zhbiruese, që poeti i përdor si
mekanizëm përforcues të aktit të tij mediativo-lirik.
Vargu i
thjeshtë por elegant i Shalës nuk kërcet, nuk kërkon të duket, por është i vetëmjaftueshëm
për atë çfarë kumton dhe si e kumton, me një natyrshmëri dhe sponanitet për t’u
admiruar.
Tipopogjia
poetike ku vendoset dhe përvijon shfaqjen e fytyrës së tij Shala është ajo e
trevës së Kosovës, ku iu kanë ardhur letrave tona poetët më në zë si Azem
Shkeli, Din Mehmeti, Ali Podrimja, Rrahman Dedja, për të vijuar me më të rinjtë,
për të cilët nuk ka vend për lista e rreshtime.
Libra të tillë
me poezi, si këto dy vëllime të Ajet Shalës dhe i treti në proces botimi,
tregojnë për mundësitë e mëdha shprehëse dhe imazhinuese të poezisë së re
shqipe, e cila tashmë e çliruar nga jashtësitë dhe dogmatizmi, në një tendencë të
bukur për të kapur kohën e humbur, po sjell në rrugën e saj poetë të vërtetë, të
rinj e të vjetër, të prirjeve e tendencave të ndryshme, tradicionalë, modernistë
e postmodernistë, me përvojë ose fillestarë, që gjithësesi janë vetveteja dhe të
gjithë së bashku i japin pulsin e duhur artit tonë poetik…