E merkure, 06.11.2024, 09:36 PM (GMT)

Kulturë

Arben Puto: Paskal Milo - “Politika e Jashtme e Shqipërisë”

E shtune, 26.10.2013, 09:01 AM


Përpjekjet për njohjen ndërkombëtare të shtetit të pavarur shqiptar

Libri “Politika e Jashtme e Shqipërisë”, një vepër me vlera historike

Nga Prof. Arben Puto

Paskal Milo është një personalitet i njohur për aktivitetin e tij intensiv në politikë. Kjo nuk e ka penguar të angazhohet me sukses deri tani edhe në shkencë. Është autor i disa veprave me vlerë në fushën e historisë, Vepra me të cilën ka debutuar i përket vitit të largët,1984, për çështjen e pranimit të Shqipërisë në OKB. Pastaj vijnë me radhë shkrimet në fushën e politikës së jashtme. Kjo që i paraqitet publikut tani është një kryevepër. Është një trajtim mbresëlënës të njërës prej aspekteve më të rëndësishme të historisë së shtetit të pavarur shqiptar siç është politika e jashtme, Është një tablo e plotë e gjithëpërfshirëse e periudhës 1912- 1939. Në këtë vepër bëhet një analizë origjinale teorike e krahasuese të zhvillimit të nacionalizmit shqiptar si pararendës e finalizues i krijimit të shtetit të pavarur kombëtar shqiptar. Ka një vështrim kritik të mënyrës se si janë konceptuar disa aspekte në zhvillimin historik shqiptar e si kanë qenë ato të interpretuara në të kaluarën, sikurse ka edhe interpretime të reja mbi bazën e mendimit të përpunuar botëror në lidhje me gjenezën e tiparet e nacionalizmit në përgjithësi, në Ballkan e në Shqipëri në veçanti. Autori ka arritur të qëmtojë fakte të reja e detaje në dokumentacionin arkivor të pabotuar të huaj e shqiptar, për ta paraqitur në një dimension sa më realist dhe sa më afër të vërtetës procesin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, të portretizojë figurat historike dhe kontributet e tyre në kompleksitetin e tyre e për t'i zbuluar me gjithë dritë-hijet, me meritat dhe dobësitë. Është e natyrshme që autori të përqendrohet në figurën e I. Qemalit, si personaliteti kryesor i Shpalljes së Pavarësisë dhe i Qeverisë së Përkohshme të kryesuar prej tij. Është jashtë çdo dyshimi se, Qeveria e I. Qemalit nuk i kishte mjetet dhe mundësitë për të dalë në marrëdhëniet ndërkombëtare si palë, si subjekt. Kishte një marzh veprimesh tepër të ngushtë, aq më tepër që Fuqitë e Mëdha nuk e njihnin qeverinë. Megjithatë, në Vlorë ndodheshin përfaqësuesit e dy Fuqive në rang konsullate. Në kontaktet e vazhdueshme me ta bëhej politikë. Autori e gjykon këtë si një fillim të aktivitetit të mekanizmit shtetëror në politikën e jashtme. Ai shton se: I. Qemali dhe shokët e tij u bënë pionierët e diplomacisë shqiptare dhe vendosën gurët e themelit në ndërtesën e politikës së jashtme të shtetit shqiptar. Përpjekjet për njohjen ndërkombëtare të shtetit të pavarur shqiptar e të qeverisë së tij, për njohjen e Statusit nga Konferenca e Ambasadorëve e Londrës e për caktimin e kufijve të saj ishin padyshim veprime të politikës së jashtme e në përputhje me objektivin e saj themelor që ishte mbrojtja e pavarësisë, sovranitetit e tërësisë territoriale të vendit. Qeveria e Princ Vidit nga pikëpamja formale e jo për meritë të saj hodhi disa hapa e kreu disa veprime në politikën e jashtme por gjithnjë në një mjedis të brendshëm politik të paqëndrueshëm e në krizë. Ajo u njoh ndërkombëtarisht, u shkëmbyen disa përfaqësues diplomatikë e konsullorë. Në përgjithësi qeveria e Turhan Pashë Përmetit nuk arriti të hartojë një program për politikën e jashtme të vendit. Ajo nuk pati as edhe pavarësi në vendimmarrje në politikën e jashtme. Gjithçka imponohej nga Vjena e Roma e nga Fuqitë e tjera të Mëdha. Akti kryesor i politikës së jashtme të Vidit është një akt dorëzimi. Është Protokolli i Korfuzit që pranoi planin grek për "autonomi të Vorio Epirit" që donte të thoshte një shtet brenda shtetit. Princit ia imponuan dhe ai e ratifikoi. Ndaj edhe autori bashkohet me mendimin gjerësisht të mbështetur se Principata e Vidit në 1914 ishte një krijesë artificiale e Fuqive të Mëdha, një kompromis i përkohshëm i tyre. Në Luftën e Parë Botërore Shqipëria u pushtua nga Fuqitë ndërluftuese të Antantës e të Boshtit Qendror. Gjatë saj nuk mund të flitet për shtet shqiptar dhe politikë të jashtme. Tri janë momentet kryesore: shkelja e neutralitetit të shpallur nga Fuqitë e Mëdha në Konferencën e Londrës, kthimi i vendit në shesh lufte midis shteteve ndërluftuese të dy kampeve dhe Traktati i fshehtë i Londrës i 1915, që parashikonte copëtimin e plotë të Shqipërisë në favor të shteteve fqinje. Edhe pse autori thekson se, nuk bëhej fjalë për politikë të jashtme, gjithsesi mbi bazën e shumë burimeve të reja, përmes një dokumentacioni që shfrytëzohet për herë të parë ai ka arritur të mbledhë informacion me interes mbi veprimet dhe orientimet e personaliteteve kryesore politike të kohës, brenda vendit dhe jashtë tij duke treguar kompleksitetin e sjelljes së tyre. Vihen përballë nënshtrimi, servilizmi e pazaret në dëm të interesave kombëtare dhe meritat e shumicës që edhe në ato rrethana të rënda nuk i reshtën përpjekjet për rimëkëmbjen e pavarësisë dhe integritetin e tokave shqiptare. Nuk mund të bëhej fjalë për politikë të jashtme të saj, por vetëm për marrëdhënie personale ose grupore të individëve politikë me qendrat e qeveritë e vendeve ndërluftuese. Autori ka dhënë kontributin e tij për të qartësuar pozitën ndërkombëtare të Shqipërisë në Luftën e Parë Botërore përkundrejt interpretimeve nga më të ndryshmet që janë bërë nga qeveri, politikanë e historianë gjatë e pas Luftës për statusin e saj. Përmes një dokumentacioni të gjerë e të shumanshëm ai ka vërtetuar se Shqipëria në Luftën e Parë Botërore nuk mbeti as neutrale (asnjanëse), as u bashkua me Antantën dhe as me Fuqitë e Boshtit, por u bë shesh lufte dhe u pushtua nga ushtritë e vendeve ndërluftuese.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora