E marte, 10.12.2024, 05:58 AM (GMT)

Kulturë

Qazim Shehu: Poeti Ferik Ferra me një përkthim

E enjte, 24.10.2013, 06:15 PM


POETI FERIK FERRA ME NJË PËRKTHIM

Shënime për librin:”Perla dhe inxhi poetike”

NGA QAZIM SHEHU

Kohët e fundit lexova dhe rilexova disa herë vëllimin poetik:”Perla dhe inxhi poetike”, një antologji me poetë botërorë të të gjitha kohrave,  përkthyer e sjellë në shqip nga poeti i mirënjohur Ferik Ferra. Them e rilexova,  sepse poezia e mirë nuk përcillet vetëm me një lexim,  aq më tepër kur bëhet fjalë për poetë botërorë.  Mjaft poetë kanë dhënë e po japin një ndihmesë të çmuar në përkthimin e poezisë botërore.

Ata janë shumë aktivë në përcjelljen e krijimeve  duke sjellë poezi në faqet e shtypit të javores “Nacional’,  siç është Anton Papleka me përkthimet e tij  brilante,  i palodhuri dhe poeti i mirëfilltë,  Faslli Haliti,  me botimet e shumta në internet. Poeti Skënder Buçpapaj ,  gjithashtu në revistën e vet elektronike:Voalonline. ch, sjell përkthime të bukura nga Çarls Bukovski, Ginsberg,  Emilie Dikinsion,  si dhe poeti Sinan Kërpaçi,  me përkthimet e veta prej anglishtes.

Kjo përpjekje dhe punë fisnike,  është  sa impresionuese aq edhe e volitshme,  sepse duke sjellë poetë të kontinenteve të tjera,  të periudhave historike apo poezi bashkëkohore,  hap dritare për poetët që merren me shkrimin e poezisë,  pasuron përkthimin shqip,  i cili numëron përkthyes të zotë të poezisë nga Noli,  Agolli,  Kadare,  Jorgo Bllaci e shumë të tjerë.

Në këtë radhë , ndër ta dallohet edhe Ferik Ferra,  poet i njohur,  me një prodhimtari të begatë të librave poetikë,  një poet metaforik dhe zë origjinal në poezinë tonë në dhjetëvjeçarin e fundit,  i cili vazhdon të mos i ndahet poezisë dhe pasurimit të saj të mëttutjeshëm.

Të gëzon fakti se poezia shqipe me gjithë traditën e vet të pasur,  ende e ka të nevojshme të ballafaqohet me veten dhe poezinë botërore,  dhe këta poetë duke e ndjerë këtë,  vazhdojnë të mos i ndahen shqipërimit të vargut poeti. Gjithashtu është impresionues edhe fakti tjetër se ata sërish vazhdojnë të sjellin perla dhe xhevahire nga poezia botërore,  duke prurë kështu përvoja dhe teknika të reja poetike në përkthim. Sot,  në kohën e konvergimeve të shpejta dhe të qarkullimit të ideve dhe të pasurimit të teknikave poetike,  botime të tilla sjellin një farë nevoje për orientim ,  një parametër dhe synim për të matur veten.

Duke u kthyer tek libri në fjalë,  gjithnjë i përmbajturer ndaj ideve të mësipërme,  vura re se autori u është afruar poetëve të cilët janë korifejtë e letërsisë botërore,  për të na e dhënë këtë libër si një tufë me lule në tavolinën e poezisë, ose në festën e përhershme të saj.  Dhe kjo tufë me lule vaditet përherë nga fryma dashamirëse e adhuruesve të saj. ”Lëmi poetik është aq i madh e i thellë-thotë autori-sa kohët e njeriut nuk mjaftojnë”. Duke na paralajmëruar kështu idenë se poezia botërore nuk shënon vetëm disa poetë as të një kohe,  të një kombi apo një preference të caktuar.

Kuptohet sa e vështirë ka qenë të përzgjedhësh për ta sjellë në shqipërim,  por njëkohësisht edhe sa këmbëngulës dhe sqimatar është treguar autori për të na dhënë atë maja të vargut të këtyre poetëve për dashurinë,  të bukurën dhe filozofinë e jetës. Dhe duke lexuar librin,  në këtë nismë ai ia ka arritur,  duke ia sjellë lexuesit këtë poezi sa më bukur sa më shqip,  përmes një rrjedhe të pastër të mendimit dhe lakonizmit e verbit të thjeshtë ;duke mos harruar të ruajë origjinalitetin dhe tiparet vetanake të çdo autori. Shpirti i shekujve është i madh,  i gjërë dhe humbet herë herë në tymtajën e tyre që shënohet nga harresa e kohrave që vijnë , që prodhojnë probleme të reja të cilat mundohen t`i kapërcejnë.

Dhe këtë shpirt shekujsh më tepër se kronikanët apo datat e caktuara , të manipuluara prej regjimeve dhe sistemeve shoqërore e gdhendin më së bukuri poetët e,  në veçanti poetët e mëdhej. E në këtë aradhë poetësh të mëdhej sejcili është më shkëlqimtar se tjetri,  secili më i bukur më i thjeshtë e më impozant.

Duke lexuar librin kupton se autori-Ferra-përmes sqimës dhe shijes së vet nuk ka qenë një seleksionues i pamëshirshëm ,  por ka tentuar dhe ia ka arritur të na e sjellë këtë libër vetëm në dy rrafshe të tematikës dhe të kompozimit, për të na dhënë një gjerdan shkëlqimtar me perla të poezisë botërore. Ai e ka përcaktuar përzgjidhjen në lirikën intime të dashurisë dhe të afrimit frymor me imazhin e femrës,  në disa pikëvështrime konvencionale  sa shtjelluese përsa i përket universalitetit të ndjenjës dhe të mendimit. Ideotematika është e qartë. Këto vjersha i përkasin njeriut në çdo çast të jetës,  në çdo kohë edhe pse disa janë shkruar njëzet shekuj më parë,  ato mbeten të freskëta edhe sot për nga fuqia e tyre depërtuese në mendjen dhe zemrën e njeriut.

Libri fillon me Ibikun,  me vargun:”Pikon dashuri nga qerpiku i zi…”;për të vazhduar me Ovidin:”Dashuri që lind vonë djeg më shumë. . ”;për të na sjell në mënyrë lineare ose rreth e rreth , atë fanitje dhe pahitje të poetëve lirikë të antikitetit si Nosside, Asclepiade,  Properci,  Katuli,  etj,  poetë të cilët i këndojnë dashurisë dhe jetës me një thjeshtësi të jashtëzakonshme,  po ku imazhi dhe moderniteti i shprehjes japin konstatimin se ata janë poetë të sotëm , po të mos e dishë historinë e letërsisë. Për një poet të mire,  siç është Ferra,  po edhe një poeti tjetër,  kushdo qoftë ai,  i duhet që vazhdimisht të thithë nektarin e poezisë botërore të gjitha kohrave,  të njohë dhe mësojë teknikat e shprehjes,  të mbushet me këtë natyrë të larushuar poetësh të ngjashëm në madhështi po të ndryshëm në profilin e tyre.

Po aq e domosdoshme është studimi i tyre jo vetëm brenda një teorie akademike sa edhe në leximin e vazhdueshëm të këtyre poetëve. Besoj se përkthyesi e ka pasur vështirë në përzgjedhje aq sa edhe në labor lime, sepse është e vështirë të paraqesish profilin e çdo poeti me dy apo tre poezi,  po ai ia ka arritur që poezitë,  të cilat ka përzgjedhur , të qëndrojnë si gurë të çmuar në një rruzare,  e të  plotësojnë kuadrin e një libri të bukur duke mos i ikur qëllimit të librit as tematikës së tij të shëndetshme.

Duke vazhduar me poezi të kulturës Keshua(prekolumbiane):”ezmerja ime e butë si brumi i ëmbël/me të qeshurën e kthellët si uji/” për të kaluar tek poetë të tjerë si Ronsard, Shekspir, Li Bo,  Tu Fu, Shelly,  Bajron,  Pushkin,  Lermontov,  Mickieviç, Prever, Bodler, Tagora,  Neruda,  Kavafis, Cuasimodo, Seferis,  Ricos,  Ahmatova,  etj etj, ne gjithnjë do të ndeshim vargje të bukura dhe hove të ëmbla të shpirtit të poetëve aq sa na duket se jemi në një meditim të gjatë e këndellës për jetën ,  të bukurën e saj,  i afrohemi një rizgjimi estetik përmes forcës së vargjeve dhe imazheve që dynden në masën e caktuar të të shprehurit.

Jo vetëm tematika-siç e cekëm në krye të herës-po edhe brendia,  madje ajo mbetet kryesore- na sjellin vibrime dhe dridhje të lehta të shpirtit njerëzor-që kthehet në një magnittutë rritjeje përsa i përket thellimit filozofik në to. Kështu përvijohen piktura të gjalla të shpirtit,  mbushur me ngjyra të shumëllojshme ku infiltrohet një dritë e begatë e dashurisë njerëzore dhe ne na duhet t`i përcjellim këto vrgje të poetëve të mëdhej me një emocion të veçantë duke i marrë këto fjalë si të ishin tonat,  dhe i thamë papritur në rini,  mund t`i themi prapë ose s`kemi mundësi t`i themi e për këtë ndjejmë keqardhje. Në fund të fundit a nuk është ky qëllimi dhe tendenca e kahmotshme e artit të mirëfilltë të cilët e kanë gdhendur mjeshtrit e mëdhej të fjalës , ngjyrës dhe tingullit?Padyshim që po.

Duke e bërë artin pjesë të njeriut ata e kanë afruar atë pranë tij me madhështinë që ka në vetvete poezia pa humbur kurrë thelbin njerëzor të saj,  as mahnitjen befasuese që ajo shpreh. Sepse:”Gjëja më e ëmbël dashuria/të gjithë i përgjuj/për një puthje buza/ pështyn edhe mjaltin/Po u them unë Nosside/kush nuk ka përqafuar Afërditën/nuk di sa trëndafila çkolite. /”(Poezi nga Nosside,  fq. 10). Vargje të tilla me kuptime edhe mesazhe jetësore gjejmë tek të gjithë poetët e përzgjedhur,  madje ndonjë poezi e njohur si ajo e Preverit,  përkthyer edhe nga të tjerë,  autori e ka sjellë në mënyrën e vet,  jo me qëllim ballafaqimi po më tepër se nganjëherë vjersha të tilla bëhen aq të njohura dhe janë unikale në llojin e yre.

Në këtë kuptim,  arti i përkthimit e njeh variantin ndryshe të tij,  po më e rëndësishme është të kuptohet se të përkthesh është përgjegjësi dhe duhet që ta sjellësh sa më mirë,  më rrjedhshëm e bukur në shqip. Në këtë pikëpamje,  mendoj se Ferik Ferra ia ka arritur të plotësojë një boshësi,  sado të vogël , në këtë fushë, aq më tepër edhe titulli i librit është i gjetur dhe e justifikon atë punë që është bërë,  një punë jo e vogël për të na sjellë poezi të bukura,  të rrjedhshme dhe të lexueshme,  jo vetëm së ata vijnë prej mjeshtrash,  por sepse pikërisht nga kjo fillon një përgjegjësi e caktuar, një ndërgjegjësim artistik dhe lëmim në vite, -çka hetohet-sepse mjeshtrat janë përkthyer e synohen të përkthehen edhe nga të tjerë. Poezia thellësisht lirike_-intime e këtij libri dëshmon jo vetëm për kërkesën ndaj saj e pavdekësinë që ajo e mbart vetiu-por edhe për skrupolizitetin e fjalës hdhe ngjeshjen e figurës që shpalos imazhe përmes shkurtësisë së strofave dhe vargjeve.

Në këtë zgjedhje autori nuk ka gabuar , sepse ai ka mundur të na përcjellë gati një natë të qetë vere ,  ku janë hedhur një grusht me xixëlloja,  ku nuk ndihen dallgët e shpirtit sepse janë arratisur për në brigje të tjera-po ku hetohet thellësia e tyre e mistershme.

Duke e lexuar këtë vëllim s`të shkon ndërmend se ata janë të periudhave të ndryshme ,  as të rrymave dhe metodave të cilat nganjëherë janë ndërtuar duke përjashtuar disa parime estetike të tjetrës.  Kjo është poezia universaleqë vjen nga kohë dhe autorë të ndryshëm në kontekste të gjëra kohore,  duke i mbetur besnik një uni të ngushtë që në mënyrë befasuese bëhet: ne. Eleganca dhe shprehimësia brenda kësaj ndërfutet në tipologjinë e vargut ngjitës e goditës, larg çdo panatyrshmërie, sepse:”Ju arrin poeti/hyn në dritë me këngët e tij/duke i shpërndarë ato. ”. (Ungareti).

Poetët titanë të kulturës botërore bëhen shpesh modele të artit të fjalës duke krijuar një stereotip shprehimësie që nuk kalcifikohet , po vazhdon të gjallojë, sepse ata patën gjeninë të hetojnë e gdhendin shpirtin njerëzor në pikat e tij më të prekshme. Guximin për të përkthyer të Ferik Ferrës e justifikon pëvoja e tij e gjatë në lëvrimin e poezisë dhe njohjen e gjuhës shqipe,  por edhe dëshira e mirë,  pasioni i përditshëm për të gdhendur bukurinë e fjalës edhe në përkthim,  sepse edhe në këtë fushë vë diçka nga aftësitë dhe shpirti jot. Dhe mendojmë se ia ka arritur…

Pastaj lexuesi do thotë fjalën e tij edhe pse lexuesi sikur i është larguar poezisë,  ndonëse poetët e mirë këmbëngulin kundër këtij qëndrimi me krijime origjinale duke sjellë njëkohësisht edhe përkthime ndaj të cilave duhet kthyer patjetër vëmendja , sepse edhe pse jetojmë në kohë metalike dhe të çrrënjosjes së identiteteve prej erërave globale,  sërish poezia do ta kryejë misionin e saj dhe do ia dalë mbanë. Në këtë hulli ideoestetik me një vetëbesim aspak të tepruar ky libër vjen e plotëson një boshësi duke u radhitur ndër ata libra të mirë me përkthime për të cilët duhet thënë fjala e nuk duhet heshtur. Një spostim i vëmendjes do i bënte mirë librit po edhe pasurimit të botës shpirtërore të njeriut. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora