Kulturë
Ndue Ukaj: Antologji për identitetin
E enjte, 24.10.2013, 07:56 PM
Antologji për identitetin
(Viktor D. Sopi, Fishta-dëshmi
për identitetin shqiptar, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2013)
Nga Ndue Ukaj
Në këtë ribotim, autori
sjell mendime të reja për Fishtën dhe veprën e tij, e thellon përqasjen për
veprën letrare të autorit dhe e kontekstualizon mesazhin letrar, etik dhe
filozofik të Fishtës, si mesazh tingëllues për çdo kohë e brez. Don Viktori
këtë e bën, me qëllim që vepra e Fishtës ta ndihmoj njeriun tonë në kthjellimin
e territ të mendjes.
Leximi i
klasikëve, sikurse është Fishta, bëhet i patjetërsueshëm , në kohë krizash
identitare, siç është kjo e jona. Autori kësaj antologjie, në kontinuitet me
traditën e priftërinjve katolik, të angazhuar gjithmonë për Atme e Fe,
synon ta transmetoi të lexuesi edhe njëherë mesazhin e Fishtës, i bindur se
kështu ndihmon në kthjellimin e territ të mendjes. Vepra e Fishtës, siç kanë
vërejtur shumë studiues, ndër të cilët edhe Don Viktori, duke qenë enciklopedi
e mendjes dhe shpirtit shqiptar, është njëherësh porta ma e mirë për të hapur
dyert e vështira të lirisë së njëmend. Ajo është një gurrë e pashterur
frymëzimi, për ideale kombëtare e fetare, për kulturë kombëtare e vlera
universale. Don Viktor Sopi, ashtu sikurse Fishta, lirinë më tërë përmasat e
saj, e kërkon përtej lirisë pragmatike, që e shfrytëzojnë profiterët - liri të
cilën liri e stigmatizonte ashpër Fishta. Pikërisht për këtë, autori Sopi
kërkon sendërtimin e një liri të mirëfilltë, si mishërim i idealeve të larta
dhe sublime të lirisë së shpirtit dhe mendjes. E kjo liri, mbërrihet me lehtë
duke e njohur dhe shijuar veprën e Fishtës.
Poet me sens të
brumosur artistik, dramaturg me shpirt të rrëmbyer skenik, lirik më ndjenja të
holla e drithërima vibruese, epik me natyrë glorifikeuse e diskurs të fuqishëm
heroik, Fishta mbetet modeli më interesant e më i veçantë i letërsisë shqiptare
të shekullit XX, por edhe kulturës shqiptare përgjithësisht, ngase vepra e tij
e gjithanshme, më së miri arrin të sintetizojë rrugëtimet shqiptare nëpër kohë
dhe kështu u bë fanar i pashuar i identitet shqiptar.
Me poezitë e
përzgjedhura, me parathënien interesante, me mendimet më reprezentative për
veprën e Fishtësë, kjo antologji, veç tjerash plotëson një boshllëk të
nevojshëm, që lexuesi shqiptarë të gjej brenda një libri, larmi tekstesh nga
vepra e ne pasur poetike e Fishtës. Ndërkaq, në planin qëllimor, ky libër mëton
t’ia rikujtoj shqiptarit nevojën e domosdoshme, për t’u ushqyer me veprën e
Fishtës, sepse ajo është tharmi dhe gurra e pashterur e ideve të larta
kombëtare dhe fetare.
Duke e shijuar
këtë vepër, duke reflektuar për mesazhet që dalin nga kjo vepër, lexuesi ndjen
një lehtësim, sepse gjen një udhërrëfim për të ardhmen, një shpjegim për të
kaluarën dhe mëshirohet me të sotmen. Të rralla janë ato vepra që kanë
funksione kaq shumëdimensionale.
Krijimtaria
shpirtërore e At Fishtës, nëpër kohë ka pasur funksione të shumëfishta
shoqërore. Fishta sa ishte gjallë, u bë një institucion në vete, e
vepra e tij pati roli qenësor për kombin. Fishta shkroi një letërsi, siç
do të thoshte studiuesi Northrop Fraji me një funksion, që nuk ka qenë në
rend të parë estetik. Fishta shkroi një letërsi me një funksion universal
kulturor. Don Viktori e ndjen këtë puls të krijimtarisë së Fishtës dhe
pikërisht për këtë, ja ofron lexuesit shqiptar, ngase vepra e Fishtës në çdo
kohë e ruan të freskët këtë funksion dhe jo vetëm këtë.
Është thënë
shpeshherë dhe përsëritet vazhdimisht se Gjergj Fishta është autori më i madh
nacional, i cili bëri transformimet më të mëdha dhe më cilësore në letërsinë
shqipe, sikurse në planin tematik, ashtu në atë ligjërimor e stilistik. Këtë
portret të Fishtës, ne e gjejmë të plotësuar dhe nga një këndvështrim tjetër,
nëpërmjet punës së Don Viktorit. Nëpërmjet kësaj antologji, ne shohim se Don
Viktori i është përqendruar me dashuri dhe përkushtim veprës së Fuishtës. Ai
e lexon Fishtën në thellësi duke mëtuar të vë në pah vlerat më dalluese,
duke theksuar postulatin Athe e fe. Në këtë mënyrë, kjo antologji
realizon katharsisin shpirtëror, pra ndihmon në kthjellimin e territ të
mendjes.
Secili lexim dhe
interpretim i ri i letërsisë së Fishtës, nën dritën e zhvillimeve të reja
letrare e kulturore, dhe shngarkimet nga tensionet e panevojshme e të dëmshme
ideologjike (pse jo edhe të natyrave të tjera), duhet të ketë pikësynim të vë
kuptime të reja brenda letërsisë shqipe, veçanërisht në marrëdhënien e kësaj
vepre kolosale me historinë e letërsisë. Kjo, për faktin se vepra e Fishtës
është paradigma themelore dhe shenja identifikuese e letërsisë shqipe. Këtë gjë
e vëren drejt Don Viktori, sikur me përzgjedhjen e teksteve cilësore të
autorit, po ashtu edhe me mendimet shoqëruese, që e përplotësojnë kuptimin e
kësaj antologjie.
Letërsia e At Fishtës, vështruar në kontekstin më të gjerë të letërsisë shqipe në përgjithësi, është hallka ma e rëndësishme e kulturës letrare shqiptare. Krijimtaria e tij plotësoi mungesat dhe boshllëqet që e karakterizonin letërsinë e deriatëhershme dhe i dha asaj pikërisht veprat që i mungonin. Kësisoj, vepra e tij do të ketë një funksion të posaçëm komunikues brendapërbrenda një konteksti kulturor shqiptar, të dekadave të para të shekullit XX. Këtë funksion, ajo e ruan të freskët edhe sot dhe do ta ruaj në të ardhmen. E për të ndihmuar në këtë drejtim, Don Viktor Sopi ka bërë një punë serioze dhe të çmuar.