Kulturë
Shkrimtari në veten e parë: Ibrahim Kadriu
E shtune, 26.10.2013, 05:14 PM
Brenda kopertinave të librit “Pesha e fjalës” të autores, Fatmire Duraku janë ndërfutur rreth 50 vjet krijimtari të Ibrahim Kadriut; në të është e pranishme atmosfera letrare e kohës dhe frymimi ynë, përvoja krijuese e jetësore e shkrimtarit dhe veçanti të tjera të udhës së tij krijuese, miqësitë e tij me kolegë, me lexues e madje edhe me personazhe
“Pesha e
fjalës” është libri i radhës i autores, Fatmire Duraku. Nëpërmjet këtij libri
jepet sa portreti po aq edhe jetëshkrimi i shkrimtarit, Ibrahim Kadriu. Në të vërtetë,
ky libër sjell një intervistë të gjatë me shkrimtarin e përmendur. Si i tillë,
ai mundëson që autorin e me mbi pesëdhjetë vepra letrare (në poezi, prozë e
dramë për fëmijë e për të rritur, e ku bëjnë pjesë edhe: tregimi, novela, e
romani), si dhe me disa sosh nga publicistika e humori, ta njohin më për së afërmi.
Madje do të shtoja se, ky është edhe një parakusht për ata lexues që duan ta
njohin më për së afërmi këtë shkrimtar, veçmas të depërtojnë në disa fshehtësi
të veprës së tij letrare. Rrëfimi në veten e parë, siç thuhet edhe në nëntitullin
e librit, nis që nga pasionet dhe preokupimet e para rinore ndaj artit të letërsisë
dhe të një brezi të suksesshëm të shkrimtarëve të Kosovës e deri te këshillat për
lexuesit që po vijnë. Në vend të hyrjes është vënë teksti “Një dhembje dhe një
ëndërr”, ndërsa për mbyllet me atë “Rrjedhat letrare tejkalojnë sfidat kalorësiake”.
Libri përbëhet nga këto njësi: Kohë e entuziastëve të letrave, Kursimi nga rrahagjokset tona, Hapësirë e ngatërruar dhe e kushtëzuar, Ndikimi në erupsionin e brendshëm, Periudha kohore nga Mesjeta e tutje, Shkrimtarët në udhëkryq, Nxënësve u duhet tjetër letërsi e jo ajo e kohës së traktorëve, Karakteret e efektet në roman, Aktualiteti ynë, shpesh me ngjyrosje bizare, Guximi krijues i domosdoshëm, Në Kosovë nuk mund të ketë artistë të lirë, Koha kur mund të rrëshqitnin këmbët shumë lehtë, Letërsia preokupim kryesor, Me dhembjet e gëzimet e personazheve, etj. Brenda kopertinave të këtij libri janë ndërfutur rreth 50 vjet krijimtari të Ibrahim Kadriut; në të është e pranishme atmosfera letrare e kohës dhe frymimi ynë, përvoja krijuese e jetësore e shkrimtarit dhe veçanti të tjera të udhës së tij krijuese, miqësitë e tij me kolegë, me lexues e madje edhe me personazhe. “Konsideroj se rruga e trasuar letrare e shkrimtarit të njohur Ibrahim Kadriu, ka një bagazh krijues në disa dimensione letrare, por pa dyshim se Epiteti i romansierit e portretizon më së miri si Kalorës të pa lodhshëm, drejt shtigjeve të thepisura, të pa udhëtuara - të pa gjurmë krijuesi deri më tash... E që Ibrahim Kadriu, pra, do t’i shtegtojë ato rrugë me maturi, do t’i zgjojë nga harrimi, për t’i kthyer prapë mes nesh përmes ndonjë shenje, përmes ndonjë embleme, përmes peshës së fjalës”, thotë autorja Fatmire Duraku në përfundim të librit, “Pesha e fjalës”. Duraku është autore edhe e romaneve: “Te varri i çikës”, “Fshehtësia e tre shpirtrave” dhe “Plepi i thyer”, e përmbledhjeve të poezive: “Pse ike kur më puthe”, “Vjedhësi i çasteve” e “Vagëllimë mbi ujë”, :Gjaku i trëndafilit”, “Peri i padukshëm”, e prozave: “Magjistari nga Fira”, “Jastëku çudibërës”, “Strajca magjike”, etj. Librin “Pesha e fjalës” e botoi SHB “Fad”, Prishtinë, 2013 dhe ka 118 faqe.
(R. Sylaj)