Kulturë » Berisha
Sejdi Berisha: Antologji e poetëve të Malësisë
E hene, 28.10.2013, 10:11 PM
Doli nga shtypi vepra “Antologji e poetëve të Malësisë së Gjakovës”
Sejdi BERISHA:
KRIJIMTARIA POETIKE E MALËSISË SË GJAKOVËS, DOKUMENT ME PESHË TË VEÇANTË PËR SHNDËRRIMIN E VLERAVE KRIJUESE NË NJË GJEOGRAFI TË MIRËFILLTË UNIKE LETRARE KOMBËTARE
(Lulzim Logu & Muharrem Kurti: “ANTOLOGJI E POETËVE TË MALËSISË SË GJAKOVËS”, botoi Klubi letrar “Gjon N. Kazazi” – Gjakovë dhe Klubi i Shkrimtarëve dhe i artistëve – Tropojë, 2013)
Doli nga shtypi një prej veprave më të veçanta, “Antologji e poetëve të Malësisë së Gjakovës” të autorëve, Lulzim Logu dhe Muharrem Kurti, e cila shënon nismën e forcimit të njëmendtë të bashkëpunimit dhe të përjetësimit të vlerave krijuese, por që ato edhe të shndërrohen në një gjeografi të mirëfilltë unike letrare kombëtare.
Toka
dhe kombi shqiptar, historikisht, prej periudhe në periudhë, prej kohe në kohë,
janë përplasur me njërën prej çështjeve më thelbësore të njeriut dhe të popullit,
siç është liria, shtypja dhe copëtimi i atdheut dhe pengimi i zhvillimit të vlerave
kulturore dhe shpirtërore. Dhe, kështu është penguar edhe zhvillimi i gjithëmbarshëm
i kombit, por edhe afirmimi i të gjitha vlerave, pra edhe i atyre krijuese.
Përkundër
kësaj, përherë janë bërë përpjekje që të arrihet tërë ajo ç’është e mundur në të
gjitha fushat e kulturës, pra edhe në letërsi, në mënyrë që të forcohet trungu
dhe vlerat tona intelektuale, të marrin përmasa të gjëra dhe të shtresohen në të
gjitha poret e jetës, por, edhe të mishërohen ato me vlerat e kulturave të vendeve
të tjera të Evropës dhe botës. E gjithë kjo, sikur ka ecur zorshëm, për çfarë edhe
letërsia kombëtare ka pësuar, mbase ka edhe tash një larushi vlerash, por edhe
një segment shkëputjeje të tyre, që edhe sot e kësaj dite sikur ecën ngadalë apo
pengohet afirmimi i njëtrajtshëm, i barabartë dhe cilësor i krijimtarisë në të gjitha
viset, krahinat dhe qytetet njësoj. Kjo, është edhe aq më e rëndë por edhe
theksuese, kur kemi parasysh se letërsia jonë është krijuar, bërë e afirmuar në
kushte dhe rrafshe të ndryshme shoqërore dhe politike. Pra, e cila është kushtëzuar
nga rrjedhat politike dhe historike si në vend ashtu edhe në rajon dhe më gjerë.
Mu për këtë arsye, edhe krijuesit, por edhe krijimtaria përgjithësisht, sikur
ndonjëherë i ka ngjarë diagramit herë poshtë e herë lartë, e ndonjëherë edhe
refuzimit cilësor, gjithnjë duke pasur parasysh se në Shqipëri, në shtetin amë,
janë krijuar vlera tjera krijuese letrare, të cilat kanë reflektuar edhe
rrjedhat e zhvillimit tjetër shoqëror, krahasuar me atë në Kosovë, në Maqedoni,
në Mal të Zi por edhe në Luginën e Preshevës.
___________
Vetëm bashkërisht bëhet tërësia cilësore e thelbit krijues letrar
Prej
periudhës të para Luftës së Dytë Botërore, pas luftës, dhe tash në rrethana të reja
të rendit shoqërore e në baza demokratike, pothuaj se secila krahinë, secili
rajon por edhe secili qytet, ka pasur dhe i ka synimet krijuese letrare, të cilat
gradualisht, bashkërisht e kanë bërë edhe tërësinë cilësore të thelbit letrar
krijues kombëtar.
Tërë këtë
e theksova, vetëm e vetëm për të dëshmuar se letrarët, shkrimtarët, poetët,
romancierët, kronistët, historianët, dramaturgët, shkencëtarët etj., jo vetëm
se i kanë ruajtur vlerat shpirtërore dhe kulturore kombëtare, por ato gjithnjë e
më shumë i kanë vënë në spikamë, për ta afirmuar, vulosur dhe shndërruar në dëshmi
historie e krijimtarie çdo gjë, çdo vlerë e ngjarje, qoftë e hidhur, e gëzuar
mbase edhe tragjike. Në këtë formë, i kanë dhënë frymë të re intelektuale,
arsimore dhe kulturore gjeneratave të shumta, të cilat pastaj kanë gjeneruar
shumë krijues, që edhe atëherë por edhe tash janë faktorë të rëndësishëm në zhvillimin
e gjithëmbarshëm shoqëror dhe kulturor, të cilët, përmes veprave të tyre i kanë
përjetësuar të gjitha rrjedhat dhe ngjarjet, por edhe rrugëtimin e kombit dhe të
atdheut, i cili rrugëtim asnjëherë nuk ishte i lehtë, siç nuk është edhe sot e
kësaj dite.
Dhe, për
afro njëqind vjet, edhe kultura, siç është edhe letërsia, u zhvilluan disi të ndara,
dhe si të tilla edhe të pakoordinuara dhe as të afirmuara reciprokisht, e kjo
ndikoi negativisht në krijimin e thelbit të shëndosh krijues si një bërthamë të
vetme. Prandaj, një gjendje e tillë shkaktoi jo vetëm debalans, por edhe
ndoshta shtresoi një errësirë në njohjen dhe afirmimin reciprok të vlerave
krijuese letrare, e që bashkërisht shkaktuan edhe boshllëk të madh tek këmbimi
i përvojave dhe bashkëpunimi letrar por edhe përgjithësisht kulturor e mos të flasim
për afrimin e krijimtarisë letrare jashtë vendit.
Mirëpo,
me gjithë këtë, në Kosovë, respektivisht në Rrafshin e Dukagjinit, shumë qytete
u shndërruan në vatra kulturore, pra, edhe të vlerave letrare, të cilat tentonin
që me cilësinë krijuese të depërtojnë tek lexuesi jo vetëm në Kosovë, por edhe
në viset e tjera, pra, edhe në Shqipëri, gjë kjo e cila aspak nuk ishte e lehtë.
Në këtë drejtim, vetëm në gjashtëdhjetë vitet e fundit, Peja, Gjakova por edhe
qytetet tjera në Dukagjin, nxorën qindra krijues, pra edhe shkrimtarë e poetë,
të cilët tanimë janë emra të dëshmuar dhe se krijimtaria e tyre është shtyllë me
rëndësi e letërsisë kombëtare, por akoma jo edhe aq e afirmuar reciprokisht,
apo edhe e sistemuar ashtu siç meriton në nivelet krijuese kombëtare.
Duke
pasur parasysh problemet e njëpasnjëshme në këtë drejtim, të cilat datojnë shumë
më kaherë, por edhe kufirin fizik të vënë padrejtësisht, gjithnjë, por veçmas në
vitet e fundit, është menduar që të gjenden forma e metoda të bashkëpunimit
krijues letrar, i cili do t’i bashkonte dhe njësonte vlerat krijuese në nivel të
kombit, dhe si të tilla, ato të përjetësohen e që do të begatojnë e afirmojnë letërsinë
njësoj në secilin cep të tokave shqiptare, por edhe në vendet tjera. Një gjë e
tillë, në të ardhmen do të jetë një vibrant i fuqishëm në rrjedhat krijuese.
Për këtë, nismën dhe hapin e guximshëm e morën krijuesit e Malësisë së Gjakovës, respektivisht të Tropojës dhe ata të Gjakovës, të cilët tani e sa vite, duke pasur parasysh se këto treva lidhen shpirtërisht dhe fizikisht në mes vete, si një trup, por plotësisht edhe si një tërësi kulturore, filluan natyrshëm dhe me plotë përgjegjësi të marrin një hap për bashkimin dhe për afirmimin e vlerave të përbashkëta letrare. Natyrisht, se një gjë e tillë entuziazmoi të gjithë shkrimtarët e këtyre trevave, gjithnjë duke pasur parasysh dhe për bazë rëndësinë se një ndërmarrje e tillë, do të shërbejë si shembull për afirmimin e vlerave të përbashkëta letrare dhe kulturore.
Krijuesit nga trevat e veriut të Shqipërisë e të Rrafshit të Dukagjinit, historikisht kanë dhënë dhe i kanë vënë shtylla të forta vlerave shpirtërore kombëtare
Në Tropopjë,
një nismë e tillë u prit me shumë ngrohtësi dhe me plotë arsye, pikërisht duke
u mbështetur në atë se kjo trevë, duke përfshirë të gjitha krahinat veriore të Shqipërisë,
pra edhe Shkodrën, historikisht kanë dhënë shumë emra nga fusha e letërsisë,
historisë dhe përgjithësisht nga kultura, të cilët ia kanë vënë konturat dhe
shtyllat e forta vlerave shpirtërore dhe kombëtare, pra edhe letrare. Emrat që kanë
dalë nga këto anë, që janë shumë për t’i numëruar në këtë shkrim, kanë bërë që letërsia
dhe kultura jonë kombëtare të afirmohet edhe jashtë kufijve të vendit. Andaj,
pse të mos fillojë edhe sot bashkimi i vlerave, të cilat do të depërtojnë deri
në jug dhe e kundërta. Kujtoj se kjo është më se e nevojshme.
Nga kjo
trevë mund të kalojë numri 200 i poetëve, prozatorëve, dramaturgëve, i
studiuesve të fushave të ndryshme, i piktorëve dhe i gazetarëve, duke mos
llogaritur këtu edhe qindra krijues nga fusha të tjera kulturore, që sot veprat
e tyre janë shtylla të forta të rrjedhave të përgjithshme shoqërore.
Edhe në Pejë
e në Gjakovë, në Kosovë, janë krijuesit letrarë, të cilët, dje, sot por edhe
nesër, janë fanar dhe pena që i japin dritë e shpirt letërsisë kombëtare. Andaj,
kësaj radhe të përmendim Gjakovën, e cila u provokua nga Tropoja për të filluar
diçka që dikur ishte frikë edhe në ëndërr të mendohej, të thellohet dhe të lidhet
e të bëhet një bashkëpunim krijues letrar, respektivisht, kulturor dhe letrar-poetik.
Xixat e
para filluan gjatë viteve të kaluara me Mitingun Tradicional të Poezisë në Gjakovë,
në të cilin, përveç poetëve nga Kosova, aty marrin pjesë edhe krijuesit nga
Bajram Curri e Tropoja, por edhe nga Presheva, Bujanoci, nga Mali i Zi e
Maqedonia. Me rastin e këtij manifestimi madhështor poetik, u hodh ideja që në kuadër
të tij të organizohet edhe një orë letrare tanimë tradicionale në qytetin
Bajram Curri, në të cilën, edhe aty, do të prezantonin me vargjet e tyre
krijuesit nga Kosova dhe nga trojet tjera shqiptare. Kjo praktikë tanimë u bë traditë,
dhe se pastaj, kohë pas kohe, organizoheshin e do të organizohen edhe promovime
veprash, qoftë në Gjakovë, Bajram Curri, Tiranë, Lezhë mbase edhe në vende të tjera,
që tanimë janë hallkë e forcimit të bashkimit krijues letrar në shkallë vendi e
kombi.
Këtë e forcoi edhe manifestimi tjetër letrar, Poeteka Mbarëkombëtare e Bytyçit, i cili tash për çdo vit mbahet në Tiranë, respektivisht në malin Dajti të Tiranës.
Në këtë antologji është prezantuar krijimtaria e këtyre poetëve (Radhitja sipas alfabetit): Agim GJAKOVA, Agim MALA, Albert SHALA, Alfons ZENELAJ, Ali MUSAJ, Ali PODRIMJA, Almona BAJRAMI, Anton MARKU, Anton PAPLEKAJ, Asllan OSMANAJ, Avni MULAJ, Azem BALIAJ, Besim BOKSHI, Besim MUHADRI, Besnik MUSTAFAJ, Blerina ROGOVA GAXHA, Brahim AVDYLI, Din MEHMETI, Elona ZHANA, Engjëll I. BERISHA, Enver GJERGJEKU, Gentiana MUHAXHIRI, Gjon NEÇAJ, Halil HAXHOSAJ, Hamit ALIAJ, Hydajet BAJRI, Jaho MARGJEKA, Jak PERPALI, Jehona AGUSHI, Kadrush RADOGOSHI, Manjola BRAHAJ, Mazllum SANEJA, Mehmet ELEZI, Migena RAMAJ, Mujë BUÇPAPAJ, Murteza XAJË NURA, Nafije SALIHAJ, Pal NDRECAJ, Qemajl JUNIKU, Selim ALIAJ, Skënder BUÇPAPAJ, Skënder SHERIFI, Tahir BEZHANI, Teki DËRVISHI, Ukzenel BUÇPAPAJ dhe Zef MULAJ.
Shkrepi mendja e arsyeja, që aspekti gjeografik i letërsisë të merr formën e prerë të unitetit dhe të respektit e të afirmimit gjithëkombëtar
Tani, në këto
ngjarje, lirisht mund të thuhet historike letrare, përveç që këmbehen përvoja
krijuese dhe që afirmohen veprat e shkrimtarëve nga të gjitha trojet, ka
shkrepur mendja e arsyeja për etjen, që aspekti gjeografik i letërsisë të merr
formën e prerë të unitetit dhe të respektit e të afirmimit. Kështu, krijuesit
tropojanë hedhin idenë që pikërisht pse krahinat veriore të Shqipërisë shquhen
historikisht për vlerat kombëtare, pra edhe për ato letraro-hitorike, siç është
edhe Rrafshi i Dukagjinit, në këtë rast, Gjakova, e cila deri me tash ka dhënë qindra
e qindra intelektualë të fushave të ndryshme dhe po ashtu mbi 200 krijues
letrarë, të lidhet dhe të mbështetet arsyeshëm mendimi për t’i përjetësuar
vlerat krijuese të kësaj ane nëpër periudha, respektivisht të poetëve të këtyre
trevave në një dokument me peshë, siç është antologjia. Dhe, pas shumë konsultimeve,
pas shumë takimesh pune që kjo nismë të jetë sa më me peshë dhe më e dëlirtë në
të gjitha aspektet, u vendos që ky hap të hidhet ndërgjegjshëm dhe gjithnjë duke
kujtuar se antologjia e poetëve të Malësisë së Gjakovës, do të jetë një dokument-histori
që do t’i provokojë gjeneratat që vijnë por edhe krijuesit e rinj, që këtë iniciativë
ta konsiderojnë si të shenjtë dhe me qëllimin më të mirë për të mishëruar në një,
krijimtarinë kombëtare letrare pa dallim qyteti, krahine apo vendi.
Mirëpo, edhe një gjë duhet ditur, se të bësh vepra të tilla, siç është kjo antologji që këto ditë u bë realitet dhe doli nga shtypi, është punë shumë e rëndë, me përgjegjësi, por edhe me peshë historike.
Prandaj, është e kuptueshme, se kjo vepër nuk mund të jetë edhe e përkryer apo edhe me te të jetë i kënaqur secili. Kjo, ndoshta edhe nuk do të ishte as normale. Por, një gjë është e sigurt dhe shumë e vërtetë dhe si e tillë shumë e qëndrueshme, se asnjë autor, asnjë poezi, asnjë fjalë nuk është e shkruar me prapavijë, me ndonjë qëllim të lig dhe jonjerëzor, por gjithnjë me qëllim shumë të pastër, por, gjithashtu edhe me rëndësi e me mesazh kombëtar për unitetin krijues, që edhe sot e kësaj dite për këtë gjë na nevojitet edhe shumë punë.
Edhe
tjetra. Secili krijues dhe secili lexues, duhet ta kuptojë realitetin, se
brenda një vepre nuk mund të futen të gjithë krijuesit, të të gjitha periudhave
dhe gjeneratave qofshin ata, edhe pse është bërë përpjekje që të përfshihen
krijues-poetë, të cilët u takojnë së paku tri gjeneratave të kohës më të re,
veprat dhe cilësia e të cilëve reflekton peshë dhe shprehë vlerat e qëndrueshme
që e kompletojnë dhe begatojnë tërësinë dhe rrugëtimin letrar e historik kombëtar.
Andaj, ky
dokument, në të cilin kësaj radhe janë përfshirë dyzetë e gjashtë poetë, por
janë theksuar edhe emrat e dhjetëra e dhjetëra të tjerëve që me siguri do të zënë
vend në antologjitë dhe veprat tjera që do të botohen në periudhën e ardhshme,
kujtoj se është me peshë të veçantë letrare, kulturore, historike mbase edhe
kombëtare, po ashtu, padyshim se do të jetë si një rreze, e cila do të ngrohë thekshëm
por edhe do t’i joshë dhe sjellë rrezet e reja për t’i begatuar në vazhdimësi të
arriturat dhe punën vetëmohuese në fushën e letërsisë dhe të kulturës përgjithësisht.
Pra, e tërë
kjo që theksova në këtë shkrim, ishte edhe qëllimi që të theksoj rëndësinë dhe
peshën e kësaj vepre, ndoshta të vetmen të këtij lloji deri me tash, dhe kështu
fillojmë të afirmojmë dhe të ndriçojmë diçka, të cilës gjë deri me tash nuk
ishte e mundur t’i hiqet velloja e errësirës. Pra, në këtë mënyrë t’i bashkojmë
dhe t’i përjetësojmë vlerat krijuese, t’i shndërrojmë ato në një gjeografi të mirëfilltë
unike letrare kombëtare.
Edhe diçka. Për transparencë dhe korrektësi sa më të madhe, krijuesit dhe poezitë e tyre në këtë antologji, janë prezantuar me radhë sipas alfabetit të gjuhës shqipe, që padyshim se e ka edhe rëndësinë e vetë për korrektësi dhe profesionalizëm.