E shtune, 27.07.2024, 02:20 AM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Jusuf Bislimi në gjuhën rumune

E hene, 28.10.2013, 08:58 PM


JUSUF BISLIMI NË GJUHËN RUMUNE

(J. Bislimi, Shprishja e ëndrrave, Amanda Edit, Bukuresht 2013)

Shqiptarit të Kosovës, kur i kanoset rreziku për humbjen e Lirisë apo të Dashurisë, i duket se qielli ra mbi të, se kodra u shemb, siç shprehet Jusuf Bislimi në një poezi të tij, se hëna humbi rrezet, se sytë u errësuan, se zemra m’u përmbys. Moral ideal, imagjinatë e bujshme dhe guximi e durimi për t’u bërë ballë rebesheve të kohës, për të mos vdekur as pas vdekjes, për të ndjerë gjithmonë zërin e atdheut dhe psherëtimat e dashurisë.

Nga Baki Ymeri (alban.voka@gmail.com)

Këto ditë e pa dritën e botimit në Bukuresht edhe një libër i ri i një poeti të talentuar nga Dardania jonë e mbrujtur me engjëj të frymëzuar. Shprishja, apo shpupurisja e ëndrrave strukturohet në dy kapituj. Në të parin vjen lënda poetike në gjuhën shqipe, kurse pas saj pason kapitulli i dytë me të njëjtën lëndë në gjuhën rumune. Nuk ka nevojë të përmendim emrin e autorit të përkthimit, sepse shumëkush prej jush e din se kush a ka prezantuar për herë të parë Kosovën letrare në gjuhën e një vendi ku njeriu lind poet. Sinqeritet nuk është një veti e karakterit, por një shprehje e mençurisë. Sinqeriteti është një akt i njohjes, dhe, si çdo akt njohjeje, është edhe një akt krijimi. Sipas autorit të një medalioni që del në faqet e fundit, filozofia e shprehur në këto perla poetike, është aq e fortë sa që lexuesi krijojon përshtypjen se para nesh kemi një poet që i jep rëndësi filozofisë moderne të  mendimit për jetën dhe dashurinë. Autori i qaset jetës me një entuziazëm të pashoq. Kjo është një qasje reale e jetës, e asaj çka e ndjen në vetëvete. Jusufi vjen para nesh me një gamë ngjarjesh magjepsëse, dashuri, përjetime të veçanta shpirtërore, madje edhe melankoli. Po ia japim fjalën autorit të parathënies:

Fillimi gjendet në Fjalë, fjalët shndërrohen në lumenj yjesh, madje edhe atëherë kur „vetëm një hije e kthjellët/ larg në qetësi/ ndërron vendin.” Herë pas here mund të jemi dëshmitarë të frymëzimit në një qiell të mbushur me fjalë, një përpëlitje flatrash apo një vetëtimë meteorike. Poeti kërkon shenja të shenjta për intenzitetin e fjalës. Ai shtrin duart drejt mjegullave të përhirta që mbështjellin trupin e saj. Ajo, sipas poetit, shndërrohet në siluetë. E paprekshme dhe e pavdekshme është fjala e poetit, sidomos atëherë kur thurr hymne dashurie. Përpara saj jemi të përkulur mbi një turrë dëshirash që digjen, pa e ditur se prej ku mund të nisemi për t’i shndërruar në përmbushje. Jemi apo s’jemi, vetëm hapësira e zbrazët që ndodhet pas nesh mund ta dijë.

Shqiptarit të Kosovës, kur i kanoset rreziku për humbjen e Lirisë apo të Dashurisë, i duket se qielli ra mbi të, se kodra u shemb, siç shprehet Jusuf Bislimi në një poezi të tij, se hëna humbi rrezet, se sytë u errësuan, se zemra m’u përmbys. Moral ideal, imagjinatë e bujshme dhe guximi e durimi për t’u bërë ballë rebesheve të kohës, për të mos vdekur as pas vdekjes, për të ndjerë gjithmonë zërin e atdheut dhe psherëtimat e dashurisë. Gjithëçka ndërlidhet me atë që të besojmë e përparojmë, duke vajtur më tej përmes kërkimit të mirësisë.

Fjala e bukur dhe femra besnike janë dy krijesa që e vërtisin botën rreth diellit: „Ti je/ Mal që përgjon/ Fushë që sheh rreth e rrotull/ Dielli  që ngroh botën/ Ylli  që shndëritë/ Hënë  që fëmijët i përkund/ Rigë shiu që ujit fusha/ Erë që freskon/ Ylber me shumë ngjyra” (Ti je imja). Në këto tekste fiksohet/apo/fokusohet ambienti shpirtëror i momentit. Karakteri i poemave është simbolik e jo alegorik. Mendimet, përjetimet e ndjenjat mbi dashurinë janë një dhunti e bekuar e Zotit. Divinizimi i femrës ndërlidhet me mitologjinë e forcave të natyrës dhe krijimin gjinisë njerëzore. Një prodhim i fantazisë së një populli e krejt popujve të botës, e jo vetëm i një individi. Krahasimi i mashkullit me femrën „si dy pëllumba kafazi” s’është tjetër veçse sensibilizimi refleksiv i një koncepti mitologjik: „Tërmet brenda” e „jashtë vullkan”, shkruan autori mes valëve shushuritëse të dashurisë.

Duke kërkuar shenja të shenjta për intenzitetin e fjalës

Më herët apo më vonë, mund të arrijmë madje edhe te Fjala, si te një gur themeli që mund të jetë për tepër i bukur për ngritjen e monumentit të ndjeshmërisë. Poeti hedh një gur në detin e qetë, dhe hedh edhe gurin e dytë e të tretë, kur papritmas deti u nda në dy pjesë: „Nga fundi i tij/ doli llavë/ vullkani/ marramendje/ shtangim” (Mes valëve shushirimë). Meditim optimist, imagjinatë konstruktive, poezi dhe melankoli. Duke shfletuar vargje të këtilla, dikush krijon prej nesh përshtypjen se fare lehtë mund të zbritet në „Shpellën e Fjalëve”. Bota pa fjalë e pa dashur i duket autorit si zog mali krah thyer, si dita pa dritë, si nata pa hënë, si qielli pa yje, si kopshti pa lule, si peshku pa ujë, si mali pa gurë, si fusha pa gjelbërim, si ngjallesat pa ushqim (Po të pyes). Jusuf Bislimi me librin e tij më të ri din të na befasojë, sepse na ka dhënë do shenja intenziteti që dëshmojnë se krejt fuqia qëndron në Fjalë. Sintagmat e tij janë tërësi intuitive, të dukshme si një fantazi, port ë mveshura me teshat e ndjeshmërisë.

Autori ngacmon imagjinatën kur buzët e qenjes së dashur e shndërrojnë në përvëlim, duke e pyetur: „Kush ta dhuroi atë zjarr?”. Nxirre atë fjalë, dhe dëshmo se më do, thekson në një poezi tjetër idilike, duke e krahasuar emrin e saj me një zemërlule që „qetëson vullkanin tim”. Buzët e saj janë si teh shpate që ndezin detin në mesnatë. Sytë e saj verbojnë malin, vetullat e saj hijeshojnë fushën, hija e saj e zuri peng në rrjetë: „Këtu do ta pres agun/ me dritën tënde”. Idetë e tij mbi rëndësinë poetike të mitologjisë dhe kultit ndaj femrës, krijojnë një oazë admirimi që ta përkujton Firdusin, Omar Khajamin, Emineskun apo sistemin filozofik të Schelingut. Në regjistrin e tij lirik, poeti na provokon duke na e përkujtuar lëndinën e një konstrukcioni idilik të hijeshisë, mençurisë dhe ndjeshmërisë. Poemat e tij, zakonisht të shkurta e jo bezdisëse, janë si do bërthama të vërtetësisë mbi krijimin e botës e të dritës së fjalës që josh për joshje e admirim:

„Papritmas u dashuruam/ buzë lumit në mjaltishtë”, atje ku edhe peshqit na xhelozuan. Ti ishe dielli i zemrës sime, thekson poeti, duke u mahnitur kur femra i vjen si fantazmë: „Ku është ai diell/ ku është ajo hënë/ në lot gëzimi notonim/ nën retë e bardha”. Dhe më tej: Është natë/ më vjen si fantazmë/ mos vallë/ hënës ia huazove/ rrezet”. Vlen të përsërisim me fjalë të tjera se fjala e bukur dhe femra besnike janë si një det ëndrrash që na rrëmbejnë. Nëse nuk ke dashuruar, nuk e din se çka don të thotë një rreze dielli. Jusuf Bislimi depërton në spektrin e Kosovës letrare me një gamë të pasur frymëzimesh lirike kushtuar femrës dhe dashurisë: “Një zë më thotë/ për dashuri e jap shpirtin/ ndërsa unë them/ dashuro shpirtërisht”. Autori ngjitet në botën stelare (yjore) për të pasuruar “kotarin” e sensibilitetit, kur “nën rrezet e hënës” mediton për dashuri: “Nuk pendohem/ se të lartësoj/ nuk lodhem/ se të hymnizoj”, sepse ajo edhe në heshtje duket si një përjetim ngrohtësie, si një hije e ëmbël, që shëtit “në vargun tim”.

Dashuria është një ndjenjë që nuk ka pengesë. Vetëm dashurinë dielli nuk e përcëllon në psika të verës, e as janari me kristalet e akullta “nuk e ngrinë. Personazhi kryesor i kësaj lënde duket si një lëvizje magjike që ta turbullon qetësinë, që të josh e mashtron në kuptimin pozitiv të fjalës, që edhe liqeneve të etura ua rikthen vezullimën, që duket si një dhuratë e bekuar që zbret “në vetminë e meditimit”. Falë përkthimit artistik të Baki Ymerit, Jusuf Bislimi është i mirëseardhur në gjuhën rumune me këtë album perlash poetike që afrojnë dy vende, dy popuj, dy gjuhë, dy kultura dhe një univers identik të ndjeshmërisë sonë. (Ioan N. Ro?ca)



(Vota: 15 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora