E marte, 08.10.2024, 06:29 AM (GMT+1)

Kulturë

Halil Haxhosaj: Vepër me fuguracion të dendur poetik

E hene, 28.10.2013, 08:54 PM


VEPËR ME THELLËSI DHE FIGURACION TË DENDUR POETIK

Nga Halil Haxhosaj

Autorja Bleta Qehaja, është poete që në veprën e saj të dytë poetike me titull “Bëri dritë shtegtimit tim” pasqyron qasjen e saj artistike për jetën, problemet, kohën dhe hapësirën në mënyrë të veçantë poetike. Qasja e kësaj poeteje ndaj problemeve të jetës nuk është e njëtrajtshme. Madje as njëlineare, por ajo ka shtrirje të gjerë, madje edhe shumështresore. Forma e këtillë e shprehjes poetike depërton nëpër thellësinë e objektit, për ta lëngëzuar subjektin dhe frymëzimin e vet. Dhe kësaj, poetja Qehaja, ia arrin më sukses dhe mirë. Depërtimet e këtilla veç sa e pasurojnë, por edhe e dendësojnë figuracionin e vargëzimit, duke e shprehur dhe paraqitur denjësisht, qoftë si mozaik, qoftë si inspirim frymëzues.

Strukturimi i veprës shtrihet në katër cikle poetike që janë: 1. Guximin e jetësoj, 2. Qetësi e frikshme, 3. Portreti i heshtjes dhe 4. Vetvetja,  që njëkohësisht janë edhe tematika, motive, figuracione, e pse jo edhe frymëzime dhe qasja e autores, ndaj të gjitha atyre që asaj i interesojnë për t’i shprehur artistikisht në këto vargje. Mënyra e këtij strukturimi nuk rrjedh zorshëm, madje as nëpër shabllone e pika të caktuara, por shënon rrjedhë të lirshme, të ndjeshme, intime, madje edhe sensibile e tejet inspiruese. Duke i vërejtur e shijuar këto gjëra, lexuesi i këtyre vargjeve heton edhe dendësinë, muzikalitetin, shtrirjen dhe gradacionin e poezisë se Bleta Qehajes.

Duke qenë studente, madje e moshës së re, poetja mundohet dhe depërton në qelizat e kësaj moshe, të cilat  i njeh, por edhe i përjeton më mirë:

 

Fol me zërin e zemrës

Fol e nxjerr në pah të vërtetën

 

shprehet ajo në vargjet e para, pra në fillimin e veprës së saj, në poezinë e parë me titull “Fol”, e cila është edhe e para poezi e veprës. Këndvështrimi i këtillë nuk është as moralizues, madje as edukues në kuptimin didaktik, por është një emancipim artistik, të cilin poetja do t’ia bëjë subjektit poetik të saj. Mëtimet e tilla nuk janë të pakta në vargëzimet e kësaj autoreje, e cila kështu mundohet ta shprehi tërë misionin dhe synimin e saj prej krijueseje, individi në bashkëdyzim me subjektin lirik.

Në secilin cikël poetik, autorja sintetizon synimet e veta artistike, që shkojmë duke u përsosur dhe duke u manifestuar ashtu siç e kërkon vargëzimi dhe krijimtaria artistike, në këtë rast poezia. Kjo gjë nuk është e ngurtë, madje as e detyrueshme, por është një rrjedhë poetike, e cila gurgullon ashtu ëmbël, bukur, dhe fiton melodi, apo muzikalitet poetik., sepse:

 

Jetë e re sot fillon

Natyrë e gjelbëruar më frymëzon

 

(Poezia: “Jetë e re”).

 

Enumeracionet e këtilla për jetën dhe të gjitha ngjyrimet e saj, veshin ngjyrën e gjelbëruar, e cila është frymëzim për autoren në njërën anë, por edhe jetë e re, në anën tjetër. Ky binom nuk është statik, as i ngurtësuar, por ai rrjedh, depërton, marshon dhe triumfon mbi të gjitha të zezat, të këqijat dhe anët e errëta të jetës. Kështu vargjet tash marrin edhe ngjyrime personale dhe intime, sepse janë të mbushura me frymëzim dhe ndjenjë që përkon edhe me qëndrimin, ndjenjën dhe qasjen e poetes, Bleta Qehaja:

 

Dielli fytyrën ma përshkon

Lëshon ngrohtësi trupit tim

Era e lehtë foletë m’i lëmon

 

shkruan ndër të tjera në këto vargje të poezisë “Lajm fitoreje”. Ky lajm i fitores marshon nëpër rrugët e vështira dhe tepër të rënda, por misioni ka për qëllim prurjen e lajmit të triumfit, sepse misioni i rëndë ka përfunduar, miljet janë zvogëluar e janë bërë sa një hap e ora është bërë një sekondë, andaj lajmi i fitores kumtohet hareshëm e plot gëzim e lumturi. Jeta është një vrap që nuk duhet ndalur kurrë dhe për ta bërë këtë njeriu duhet pasur guximin, por edhe besimin. Këto koncepte filozofike që trajtohen poetikisht nga pena e autores, Bleta Qehaja, janë të thella, por jo hermetike dhe as të pakuptueshme. Dhe si të këtilla kryejnë misionin e vet artistik, i cili mëton ta shprehë figurën e shtrirë, por edhe të ndërtuar poetike të vargut.

Përveç këtyre temave dhe interesimeve artistike të kësaj krijueseje, në këto vargje të përmbledhjes poetike “Bëri dritë rrugëtimit tim”, ka edhe tema dhe interesime të tjera, që e shtojnë figuracionin, por edhe strukturimin e veprës. Subjekti lirik i poetes, botën e femrës së sotme e vështron nga një pikëvështrim i caktuar, i cili shpesh del tejet interesant, madje edhe i imagjinuar. Imagjinata nuk ka për qëllim tjetërsimin dhe as humbjen e interesimit të së kaluarës, por shprehimisht mëton të paraqet kohën dhe hapësirën me të gjitha nuancat dhe problemet e veta. Kështu, nyjëtimet e këtilla bien shpesh ndesh me ndërtimin e bazave të forta dhe tepër të rrepta patriarkale. Atë, subjekti lirik e sheh vetëm si një fjalë, e cila duhet patjetër të vuloset në ardhmëri, sepse pastaj ajo nuk është kanun, por shndërrohet në një urdhër praktik. Atëherë skeptikja lëshon pe dhe më nuk është aq tragjike, sepse tashmë këtu, në këtë mes, në këtë kohë, por edhe në këtë hapësirë fryjnë erëra të tjera. Por edhe kjo duhet patjetër të bëhet më masë, sepse bëhet e rrezikshme, madje edhe rebelohet nëse nuk e zbaton normën njerëzore:

 

Rebelim i ndaluar

Rrugë pa kthim

Vendim skeptik

thuhet në këto tri vargje të poezisë me titull “Vendim”, e cila faktikisht përkon me një normë humanitare, por jo aq të mbyllur dhe aq të rreptë.

Poezia e poeteshës, Bleta Qehaja, në brendinë e saj shpreh edhe një dialog poetik, i cili nuk mëton të jetë dominues. Në të vërehen disa koordinata të ekzistencës njerëzore para një tmerri, që kishte bërë kërdi dhe kishte sjellë tragjedi të paparë deri atëherë. Dialogu poetik bëhet me një ndjenjë të thellë dhe me mjaft maturi e ndjeshmëri. Ai depërton deri te lexuesi duke marshuar e depërtuar nëpër standardet humanitare të njeriut, por edhe të kolektivitetit. Gërshetimi i nuancave të këtyre dy unazave të dialogut e dendëson tematikën e kësaj ane dhe e bën interesante, madje edhe të dashur e të kapshme për receptorit. Autorja në këtë rast nuk është pasive, por ajo pozicionohet ndaj subjektit lirik gjykuese deri në mallkim, por edhe në atë adhuruese deri në përqafim. Andaj, poetesha assesi nuk pranon të bien në “lajthitje” sepse:

 

Kurrë më parë nuk isha e vogël

Kur e njoha botën

E kuptova sa e vogël jam

 

shkruan ajo në poezinë “Lajthitje”, e cila është një moto tepër interesante me vargëzim të elipsës poetike.

Duke qenë vrojtuese, por edhe pjesëmarrëse në rrjedhat e jetës në Kosovën e pasluftës, Bleta Qehaja, disa nga këto do t’i poetizojë edhe artistikisht në vargëzimin e vet në këtë vepër. Vargëzimi i këtillë nuk është i pakuptim, madje as nuk qëndron në ndonjë stad të pakapshëm, por duke i parë e vrojtuar të gjitha këto, ajo i trajton me ndjeshmëri me penë dhe krijon një stil të vetin të vargëzimit. Mu kjo ja shton vlerën, pse jo edhe karakterin e një individualiteti, apo risie që në të ardhmen do të jetë synim i duhur dhe i qëlluar i kësaj krijueseje. Kjo do të shihet dhe do të kristalizohet më mirë në shkrimet e tjera të poezisë nga penda e Bleta Qehajës, sepse vetëm atëherë do ta fitojë një përvojë në marshimin e vet poetik, duke e avancuar çdo gjë, edhe stilin, strukturën, motivet, tematikën, por edhe qasjen, gjykimin e pse jo, edhe gjendjen dhe shtrirjen e interesimeve të saj prej krijueseje.

Edhe gjuha, figurat, muzikaliteti, madje përputhshmëria e vargëzimit janë në nivel dhe përkojnë me rangun e poetikës së kësaj autoreje, andaj kjo vepër do ta pasurojë jetën tonë artistike të poezisë bashkëkohore, por edhe bibliotekat tona.



(Vota: 16 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora