E diele, 28.04.2024, 08:57 PM (GMT+1)

Kulturë

Vangjush Saro: Halloween-i dhe portat e mbyllura

E shtune, 02.11.2013, 07:59 PM


Intermexo

Halloween-i, kolendrat dhe portat e mbyllura

Nga Vangjush SARO

Gjatë mbrëmjes patëm vizita; fëmijë të veshur “frikshëm”, gjithnjë në shoqërinë e prindërve. Vajzat dilnin dhe i gostitnin, kurse mua më ndërmendeshin kolendrat. Ishte festa jonë e këtij lloji (diku afër Krishtlindjeve) në fëmininë e bekuar. Merrnim me vete një dritë, nga një çomage dhe...mëhallës mbarë, portë më portë. Duke trokitur e duke iu rënë dyerve. Këndonim edhe diçka që mbaronte pak a shumë: “Edhe të ketë mirësi…” Njerëzit hapnin portën, na uronin dhe na jepnin: kush ndonjë kolendër (biskotë e sajuar si shenjt a qenie tjetër e çuditshme) kush gështenja a ndonjë portokall; kishte raste edhe lekë. I mbanim në një qese, për t’i ndarë barabar në fund të “gjuetisë”.

...Ajo që më bënte përshtypje më shumë, ishte se disa porta nuk hapeshin. Asnjëherë. Sadoqë ne çfarë s’iu bënim me çomaget tona, bam e bum(!) Ja tek erdha në temë. Mbase aty jetonin njerëz që nuk e kishin mbroth dhe vizita jonë iu dukej pa vend. Mbase prapa atyre portave kishte kopracë. Pse jo, edhe të mjerë. Ne i lëndonim edhe më, me britmat dhe çomaget tona. Portat janë bërë që të hapen dhe të mbyllen. Por ka porta që nuk hapen. Ka gjithnjë njerëz që nuk të japin asnjëlloj “kolendre” e fjale; nuk i japin askujt këso, asnjëherë; as ata vetë nuk e dinë çfarë janë dhe cilat mund të quhen lidhjet e tyre në këtë botë. Ka porta (ar)miqsh që mbyllur rrinë për njëqind arsye. Ka porta të pushtetit që nuk hapen asnjëherë; (sidomos për ata që janë të pavarur dhe nuk dinë të përkulen). Ka edhe në Perëndimin e trazuar porta që nuk hapen; duke pritur nga ti, nga vendi yt, një shfaqje edhe më tërheqëse; ose që “kënga” të këndohet më bukur...

Prapa shumicës së portave, nuk ka më kolendra. Ka punë. Karrierë. Miqësi. Flirte. Lavdi. Ndonjëherë gremisje. Dhe ne vazhdojmë të trokasim. Po. Shpesh më bëhet sikur ende jam duke trokitur. Me fjalë. Jam duke trokitur në letërsinë time. Në fatin tim. Në gjërat e rëndësishme e të vyera, për të cilat ia vlen të vazhdosh të trokasësh...Ka porta që mund t’i shtysh lehtazi, sepse në fakt janë lënë hapur...dhe prapë nuk gjen atë që ke ëndërruar. Ka porta që mbyllen, fort madje, pikërisht në çastin që ke vënë këmbë brenda...Ka porta që nuk do të hapen kurrë. Por, kurajo...

Lexohemi.



(Vota: 2 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora