Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Fjalët e Nënë Terezës gjithnjë aktuale
E hene, 26.08.2013, 09:00 PM
FJALËT E NËNË TEREZËS TINGËLLOJNË GJITHNJË AKTUALE
(Në kujtim të 103-vjetorit të lindjes)
Nga Frank
Shkreli
Anë e
mbanë botës, përfshirë edhe në kryeqendrën e urdhërit të Nënë Terezës në
Kalkuta, u festua me lutje të posaçme 103-vjetori i lindjes së Nënë Terezes, në
përkujtim të mësimeve dhe trashëgimisë së saj dhe njëkohsisht për të kërkuar
bekimet e saj.
Age Gonxhe
Bojaxhiu, Nënë Tereza, bija e kombit shqiptar, e njohur anë e mbanë botës për
punën e saj të palodhur në shërbim të varfëreve, të sëmurve dhe atyre në prakë
të vdekjes, lindi në Shkupin shqiptar 103 vjetë më pare, më 26 gusht, 1910. Me
shembullin e veprës së saj dhe të dashurisë personale për të afërmin sa
ishte gjallë, -- megjithse ka ndërruar
jetë 16 vjetë më parë -- ajo
nepërmjet veprimtarisë të motrave
të Kuvendit të saj në më shumë se
120-vende të botës, vazhdon misionin e saj edhe sot duke u ngjallë shpresat të pa shpresëve. Ajo
gjithnjë vazhdon të frymëzojë botën, ashtu që besimin në diçka më të
madhe se ne, ta përdorim për punë të mira dhe për një dashuri më të madhe për
njëri tjetrin. Vepra dhe fjalët e sajë
vazhdojnë të tingëllojnë gjithnjë si udhëzim dashurie për të gjithë njerërzit,
si për katolikët ashtu edhe për jo katolikët, pa marrë parasyshë besimet ose
dallimet e tjera anë e mbanë botës.
Bija e kombit shqiptar, edhe në këtë 103 vjetor të lindjes së saj
vazhdon të konsiderohet nga bota si një shembull altruizmi, bazuar në punën e
saj dedikuar më të varfërve të botës.
Ajo ishte shembull i dashurisë së njeriut për njeriun, në veprim! Për këto kontribute ndaj botës, Nënë Tereza
kishte marrë disa çmime prestigjoze, përfshirë edhe Çmimin Nobel për paqë për
punën dhe veprimtarinë e urdhërit të saj për shërbimet humanitare ndaj
shoqërisë dhe njerëzimit.
Ky mesazh
i Nënë Terezës, dashuria për njërin tjetrin, është sot më i nevojshëm se kurrë
– në çdo nivel të jetës së njeriut -- ndërkohë që bota po përballet me probleme
të mëdha ekonomike dhe politike si dhe me ndasi, kryengritje shoqërore dhe
ndasi fetare. Në këtë pasiguri botërore,
njerëzit kanë nevojë për diçka më tepër, për diçka më me vlerë, për diçka me
një substancë më të theksuar shpirtërore, për një objektiv e qëllim më të lartë
për ta bërë ekizstencën tonë në këtë tokë më të lehtë dhe më të lumtur. Nënë Tereza me trashgëminë saj dhe me fjalët
e saja të pasqyruara dhe të dokumentuara në qindra libra e artikuj e intervista,
na mëson të duam njëri tjetrin, me qëllim jo vetëm të mbijetojmë por edhe si
pjesëtarë të shoqërisë ku jetojmë, të kontribojmë në këtë botë, që sado pak të
ndihmojmë në përmirësimin e jetës për të gjithë, e sidomos për ata që janë të
"varfërit e më të varfërve" --sipas sajë, gjithmonë me dashuri për të gjithë dhe nepërmjet dashurisë për
njëri tjetrin, si krijesa me të drejta dhe obligime të barabarta para
Perendisë.
Ndërkohë
që bota, për arsye ideologjike, materiale dhe ndasive të ndryshme, përballet me terrin e shpirtit dhe me
mungesën e dashurisë për njëri tjetrin, Nënë Tereza gjithnjë qëndron para botës
si një simbol i një shprese të qëndrueshme, për një jetë më të mirë dhe si
simbol i mundësisë së ndryshimeve pozitive përballë sfidave personale dhe
shoqërore të njeriut dhe të shoqërisë ku ai jeton.
Kjo
shpresë dhe besimi në mundësinë për të kryer vepra të mira në shërbim të
tjerëve të cilët kanë nevojë për mbështetjen tonë, rrjedhë nga fakti se ajo
besonte se çdo njëri prej nesh posedon aftësinë, mirësinë dhe dashamirësinë për
vepra të mëdha. Vetë Nënë Tereza nuk
besonte se ajo ishte unike ose e veçantë dhe nuk kishte ndonjë sistem shtetëror
ose të ndonjë organizate botërore që të mbështeste veprimtarinë e saj, ndaj për
këtë arsye, trashgëmia e kësaj murgeshe katolike me origjinë shqiptare mbetet
edhe sot e respektuar anë e mbanë botës, nga pothuaj të gjithë njerëzit e
ideologjive dhe feve të ndryshme, përfshirë edhe ata që nuk besojnë.
Nënë
Tereza e shihte misjonin e vet në këtë botë si një thirrje për të ndihmuar më
të varfërit, dhe për të dashur më të afërmin, si një doemosdoshmëri këjo e
nevojshme për paqë jo vetëm në familje,
por edhe në shoqëri dhe në botë. Për veprimtarinë
e saj në këtë fushë, në vitin 1979 ajo mori Çmimin Nobel për Paqë, "Për
punën e sajë në përpjekjet për të mposhtur varfërinë, vuajtjet dhe mjerimin, të
cilat gjithashtu përbëjnë një kërcënim ndaj paqës në botë."
Për një
kohë të gjatë, Nënë Tereza kryente misjonin e saj në vetmi dhe larg interesimit
dhe vëmendjes së medias botërore. Por më
1967, gazetari i njohur i BBC-së Malcolm Muggeridge, mori në intervistë Nënë
Terezën, për të cilën deri atëherë, bota nuk kishte dëgjuar shumë. Pas kësaj interviste, media ndërkombëtare,
sidomos ajo perëndimore filloi t'i kushtonte vëmendjen personit dhe punës së
Nënë Terezës. Mediat amerikane e
trajtuan atë si një "super-star''.
Ndër të tjera, në atë kohë, gazeta Nju Jork Tajms e deklaroi atë në
faqen e parë, si "Një shënjtëreshë të gjallë", dhe revista Tajms e
cilësoi Nënë Terezen si "lajmëtaren e dashurisë dhe të lumturisë" në
botë. Fillimisht, e gjithë këjo famë
nuk i pëlqente Nënë Terezës, por me kohë ajo mësoi ta përdorte mjeshtërisht
interesimin e medias për punën e sajë, për të përqendruar vëmendjen
ndërkombëtare mbi gjendjen e mjerueshme të të varfërve të kësaj bote dhe si një
mjet për realizimin e misionit të saj për të ndihmuar më të varfërit dhe të
mjeruemit anë e mbanë botës. Nepërmjet
medias, ajo mundi të tërhiqte vëmendjen e personaliteteve më të njohura
botërore politike, kulturore e të tjera, si edhe të qeverive dhe enteve
ndërkombëtare, përfshirë edhe organizatën e
Kombeve të Bashkuara, para të cilës ajo ishte ftuar të fliste disa herë.
Duke e
parë rëndësinë që kishte media si dhe rolin pozitiv që ajo mund të luaj në një
shoqëri, Nënë Tereza, me një rast është
shprehur kështu duke iu drejtuar përfaqsuesve të medias: "Shkruani të
vërtetën......Mos shkruani vetëm me qëllim për të bërë bujë ose për të
provokuar reagime. Njerëzit do të bëhen
produkt i asaj që lexojnë. Dikush ka
thënë se, 'më thuaj se çka lexon dhe të tregoj se kush je’. Ata të cilëve Perëndia u ka falë fuqinë,
aftësinë dhe talentin, duhet t'i përdorin ato vetëm e vetëm për të adhuruar
Atë, dhe për të mirën e të tjerëve.”
Media
ndërkombëtare në përgjithësi e ka trajtuar Nënë Terezën dhe punën e saj me
respektin që ajo meriton. Nuk jam i
sigurt nëse këjo mund të thuhet edhe për median shqiptare dhe shqiptarët në
përgjithësi. Në një kryeartikull të
ditëve të fundit, me titull, “Dy skaje të Krishtërimit që nisën nga trojet
tona”, Ruben Avxhiu, kryeredaktor i gazetës shqiptaro-amerikane,
Në një
njoftim për median, Kuvendi i Nënë Terezës tha se 103 vjetë më parë, “Zoti i
fali botës Nënë Terezën, ashtuqë bota ta dijë se është e dashur për Të dhe se
të gjithë jemi fëmij të Perendisë, vëllëzër e motëra me njëri tjetërin….Në
botën e sotëme, Nënë Tereza, ashtu siç bëri edhe gjatë jetës së saj, na mëson
që të duam njëri tjetërin…”, pa dallim feje, besimi ose ideologjie. Mesazh ky për të gjithë njerëzit pa dallim,
dhe për të gjithë epokat.