Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Morali në politikën e jashtme
E merkure, 14.08.2013, 09:40 PM
A DUHET TË KETË MORAL NË POLITIKËN E JASHTËME
Nga Frank Shkreli
Shkak për këtë shkrim u bënë vizitat e fundit
të Kryeminstrit të ardhëshëm të Shqipërisë, Z. Edi Rama në Turqi, Greqi dhe Itali, ku sipas deklaratave të tija
për median, gjatë dhe pas vizitave, qëllimi i
tij ishte për të hapur një
kapitull të ri në marrëdhënjet me këto vende që ai i cilësoi si ''partnerë
strategjikë'' të Shqipërisë.
Në një
intervistë me Top Channel, Kryeministri i ardhëshëm shqiptar, deklaroi se “Ne jemi të gatshëm që të ngremë në një
nivel të panjohur deri tani marëdhëniet me Turqinë që e konsiderojmë një
partner strategjik”. Edhe për
Greqinë, Z. Rama tha se megjith
problemet e së kaluarës me fqinjin në jug,
u shpreh i gatëshëm, siç tha ai, të “Hapë një kapitull të ri’’, në
marrëdhënjet midis Tiranës dhe Athinës.
Shqipëria
dhe shqiptarët, përfshirë edhe Republikën e Kosovës, kanë nevojë për miqë të
afërm e të largët, pasi si numër, shqiptarët janë një komb i vogël dhe i shtypur, i harruar dhe i nepërkëmbur
për shekuj, kryesisht dhe pothuaj ekskluzivisht nga këto kombe, tani “partnerë
strategjikë” të Shqipërisë, duke mos
lënë jashtë kësaj liste edhe Serbinë, që kanë bërë kërdinë mbi shqiptarët. Janë ekzaktërisht këto vende që gjatë
historisë së kombit shqiptar, jo vetëm u kanë mohuar shqiptarëve lirinë,
bashkimin dhe pavarësinë e plotë të
tyre, por janë përpjekur me mish e me shpirt
t’i zhdukin ata nga faqja e dheut si komb dhe të ndajnë trojet shqiptare
midis tyre. Por etja për liri, bashkim
dhe pavarësi e shqiptarëve, bëri që kombi shqiptar të mbijetojë sado i vuajtur
e i përgjysmuar.
Është
shumë me vend që Zoti Rama i bëri këto vizita në Turqi, në Greqi dhe Romë para
se të fillojë zyrtarisht nga detyra e kryeminsitrit , ndonëse si për çdo vend
tjetër, marrëdhënjet me fqinjtë – megjith historinë e hidhët të shqiptarëve me fqinjtët e tyre--duhet të
jenë prioritare, për nga vet natyra dhe afërsia gjeografike dhe pragmatizmi
politik, por edhe për nga interesat ekonomike.
Si të tilla, marrëdhënjet e Shqipërisë dhe të shqiptarëve me këto vende
tani të “partneritetit strategjik”, sipas Z. Rama do të jenë në favor të, “një
Shqipërie më të fortë politikisht, ekonomikisht dhe shoqërisht.”
Por,
ky “partneritet strategjik’’ me këto tri
shtete, pa dyshim me rëndësi për politikën kombëtare dhe ndërkombëtare të
Shqipërisë, nuk mund të realizohet në një zbrazëti morale dhe në mungesë të
konsideratave historike dhe të politikave aktuale të këtyre tre vende ndaj
Shqipërisë dhe shqiptarëve. Sepse,
qëllimi i kësaj politike të “partneritetit strategjik”, duhet të jetë diçka më tepër se vetëm një
proces. Duhet patjetër të ketë qellime
për arrijtjen e disa rezultateve të caktuara.
Si “partnerë strategjikë”, të Shqipërisë, nën kuptohet se me ta ndahen
vlerat madhore të njerëzimit, siç janë
zbatimi dhe resepktimi i të drejtave bazë të njeriut, lirisë së fjalës, lirisë
së shtypit e të tjera, për vet shtetasit
e këtyre vendeve dhe më gjërë. Nëqoftse
këto vende nuk respektojnë dhe nuk zbatojnë këto të drejta për popujt e vet,
atëherë si do respektojnë ata këto të drejta dhe norma ndërkombëtare për
shqiptarët kudo. Nuk mund të mos binte
në sy deklarata e Z. Rama gjatë vizitës në Turqi, kur tha se “Turqia do të
shërbejë si shembull’’ për Shqipërinë, ndërsa në të njëjtën kohë, në sheshet
turke, policia dhe forcat e sigurimit rrahnin me shkopinjë dhe derdhnin gaz
lotësjellës kundër protestuesve paqësorë.
Edhe sjelljet e këqia të Greqisë me imigrantët, përfshirë edhe ata
shqiptarë, njihen mirë nga të gjithë.
Organizata të ndryshme europiane dhe ndërkombëtare kanë venë në dukje
rregullisht, shkeljet e vazhdueshme të të drejtave të njeriut në Turqi dhe në
Greqi.
Natyra e
këtyre regjimeve besimi i tyre në normat dhe standardet ndërkombëtare dhe se si
ato i zbatojnë këto në sjelljet me
popujt e vet, ka shumë rëndësi edhe për marrëdhënjet shtet me shtet, pra për
marrëdhënjet edhe të Shqipërisë me këto vende.
Konsideratat gjeografike, ekonomike dhe kulturore për një
fillim të ri në marrëdhënjet me këto tre vende,
të cilat pa dyshim janë në interesin
kombëtar, duhet të kenë si bazë një
politikë të jashtme të bazuar në moral dhe në zbatimin e standardeve të
njohuara ndërkombëtarisht ndaj respektimit
të lirive dhe të të drejtave bazë të njeriut. Shqipëria dhe shqiptarët duhet të ngulin
këmbë për këto standard, pasi ata vetëm përfitojnë nga zbatimi i normave
ndërkombëtare në mbrojtje të të drejtave të njeriut që tani janë bërë pjesë e
pa ndarë e marrëdhënjeve shtet me shtete dhe ë nivel ndërkombëtar. Merre me mendë se çdo të kishte ndodhur një
dekadë më parë në rastin e Kosovës, nëse bota perëndimore në krye me Shtetet e
Bashkuara, nuk do të kishte si barometer
moral këto standarde ndërkombëtare në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe të
drejtës së kombeve për vetvendosje. Pa
këtë bazë morale në politikën e jashtme
dhe në marrëdhënjet ndërkombëtare nuk do të kishte as 14 pikat e Uodrou
Uilsonit, njëra prej të cilave
garantoi vetvendosjen dhe
pavarësinë e shteteve ballkanike,
përfshirë pavarësinë e Shqipërisë.
Kështuqë,
liria dhe siguria e Shqipërisë dhe e shqiptarëve në trojet e veta, siç është
provuar edhe historikisht, varen shumë
nga karakteri dhe morali, nga vlerat, etika dhe pranimi i parimeve
universale nga ana e regjimeve që
qeverisin vendet tani, “partnere
strategjike” të Shqipërisë.
Politika
e Tiranës zyrtare ndaj këtyre vendeve duhet të jetë me doemos strategjike dhe
praktike për kohën, por ama gjithmonë e bazuar në standardet më të larta morale
të njerëzimit dhe mbi të gjitha duhet të jetë një politikë që është në
interesin afat-gjatë të kombit.
Gjithmonë duke patur në mend fjalët pragmatike të Ministrit të Jashtëm
britanik, (1848) Lord Palmerston-it, se, “Ne nuk kemi as aleatë dhe as armiqë të përhershëm. Por interesat tona kombëtare janë të
vazhdueshme dhe të përhershme. Janë këto
interesa, pra, që e kemi për detyrë t’i ruajmë dhe t’i mbrojmë.”
Është e
natyrshme që vende të ndryshme kanë interesat e veta kombëtare, si dhe rrugën e
zhvillimit, të traditave dhe kulturave
të ndryshme. Secili vend gjithashtu do
të ndjekë rrugën e vet në zhvillimin e demokracisë dhe të reformave shoqërore,
por e drejta e njerëzve për të pasur një zë në shoqërinë ku jetojnë, është
jetësore për krijimin e një shoqërie të qendrueshme dhe të begatë – gjë që çon
drejtë një shoqërie më të hapur e më transparente dhe në mbrojtjen e të
drejtave të njeriut anë e mbanë botës dhe më në fund në një botë më të mirë për
të gjithë. “Partnerë strategjik’’
nënkupton miq të ngushtë, pothuaj si në familje, ku bisedohen e diskutohen
gjërat haptas. Marrëdhënjet me “partnerë
strategjikë” nënkuptojnë respekt dhe mirëkuptim të përbashkët dhe nuk janë
marrëdhënje bazuar në leksione për mohimin, rishkimin ose ndryshimin e
historisë në marrëdhënjet me këto vende.
Shqiptarët gjatë gjithë historisë së tyre kanë kërkuar miqësi me fqinjtë dhe me të tjerët, kanë kërkuar marrëdhënje të ngushta me popujt dhe institucionet e Ballkanit dhe më gjërë. Kështuqë nuk mund të fajësohen shqiptarët për mungesën e një partneriteti më të madh në të kaluarën midis Shqipërisë dhe shqiptarëve me këto vende, tani, “partnere strategjike”. Tani lindë pyetja: nëse Turqia, Greqia dhe Italia, do e konsiderojnë Shqipërinë dhe shqiptarët si partnerë strategjikë, apo si vëlla i vogël? Zoti Rama u ofroi atyre jo vetëm miqësi dhe solidaritet, por “partneritet strategjik”. Cila do të jetë përgjigja e Athinës, Romës dhe Ankarasë?