Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Nelson Mandela si Nënë Tereza
E merkure, 12.06.2013, 07:24 PM
NELSON
MANDELA SI NËNE TEREZA
“Thuhet se askush nuk e njeh një komb për derisa nuk ke qënë në burgjet e tij. Një vend nuk duhet të gjykohet duke u bazuar në faktin se si ai trajton ata që janë në maje të piramidës, por duhet të gjykohet duke u bazuar në faktin se si ai trajton shtreesat më të ulëta të shoqërisë.” Nelson Mandela
Nga Frank Shkreli
Ish
presidenti i Afrikës së Jugut dhe ish-i burgosuri politik më i famshëm i botës,
94-vjeçari Nelson Mandela është shtruar në një spital të Pretorias, për të
katërtën herë ç'prej dhjetorit të kaluar, pasi vuan nga një infektim në
mushkëri. Në njoftimin e fundit mbi
gjëndjen shëndetsore të tij, qeveria e Afrikës së Jugut tha se gjëndja e Z.
Mandela, njeriut që admirohet nga mbarë bota për qëndresën e tij ndaj së keqës,
mbetet ''serioze''. Deklarata e
qeverisë le të kuptohet se gjëndja shëndetsore e Mandelës po keqësohet.
Nelson
Mandela, qyshë në moshë të re mori pjesë në lëvizjen kundër aparteidit dhe më
vonë, më 1942 u bë anëtar i Kongresit Kombëtar Afrikan. Për pothuaj 20 vjetë ai drejtoi një fushatë
pa dhunë duke kundërshtuar në mënyrë paqësore qeverinë e atëhereshme të Afrikës
së Jugut dhe politikën e saj raciste.
Pas 27-vjet burg si i burgosur politik,
për veprimtarinë e tij politike kundër aparteidit, Mandela lirohet në
vitin 1990, bëhet president i partisë së tij, Kongresi Kombëtar Afrikan, parti
e cila fiton zgjedhjet në mënyrë demokratike në vitin 1944. Atij, së bashku me ish-presdientin e Afrikës
së Jugut F. W. de Klerk, iu akordua Çmimi Nobel për Paqë, për meritat e tyre në
shkatërrimin e sistemit aparteid racist të Afrikës së Jugut. Në vitin 1994, Nelson Mandela, ish-i
burgosuri politik u inaugurua presidenti i parë zezak në historinë e atij
vendi. Ditëlindja e e tij, 18 Korriku,
është shpallur si Dita e Mandelës, e cila festohet si një ditë këjo për të
promovuar paqën në botë dhe njëkohësisht për të celebruar trashëgiminë e këtij
burri të madh të Afrikës.
Në një
deklaratë nga fondacioni që kryesohet nga Kryepeshkopi Desmond Tutu, edhe ky
një fitues i Çmimit Nobel për përpjekjet e tija paqësore në luftën kundër
aparteidit në Afrikën e Jugut -- heroi i luftës kundër qeverisë raciste, Nelson
Mandela cilësohet si një "dhuratë e veçantë" nga Perëndia për Afrikën
e Jugut dhe bëhet thirrje për lutje, "për babain e dashur të kombit
tonë", për njeriun i cili, anë e mbanë botës, edhe sot shikohet si simbol
i pajtimit dhe i paqës midis njerzëve.
Dejvid
Ejkmën, autor i njohur, gazetar i dalluar i revistës amerikane Tajm dhe
këshilltar në fushën e politikës së jashtme, njëri i cili ka qenë dëshmitar i
ngjarjeve më të rëndësishme në botë gjatë shekullit të kaluar dhe i cili ka
intervistuar personalitetet më të famëshme botërore, në librin e tij:
"Shpirtrat e Mëdhej: Gjashtë të Cilët Ndryshuan Shekullin", ndër ta
përmend bijen e kombit shqiptar, nobelisten e paqës Nënë Terezen dhe Nelson Mandelën,
si personalitetet që me shembullin e jetës dhe me veprat e tyre kanë ndikuar në
ndryshimet pozitive të shekullit të kaluar.
Autori i njohur amerikan përmend vetitë e këtyre personaliteteve që
ndikuan aq shumë në rrjedhat e historisë së shekullit të kaluar, duke nënvijuar
virtytet që i dallonin ata, e të cilat janë aq të nevojshme edhe sot, si e
vërteta, falja, mëshira dhe dhëmbshuria për të varfërit dhe respekti për
dinjitetin njerëzor.
Me rastin
e 90-vjetorit të Nelson Mandelës, gazeta britanike Telegraph pat bërë një
sondazh për të zgjedhur 90-personalitetet më frymëzuese në botë me rastin e
Ditës së Mandelës. Lexueve u kërkohej
që të votonin për personat -- të gjallë ose të vdekur -- por të cilët, sipas
mendimit të tyre, kanë demonstruar në jetën dhe me veprat e tyre,
karakteristikat kryesore të Nelson Mandelës, veti siç janë: kuraja, dinjiteti,
përvujtënia, qëndresa, falja dhe dashuria.
Lexuesit e gazetës britanike patën zgjedhur murgeshën katolike
shqiptare, Nënë Terezën si personalitetin numër një në botë që mbartë këto
karakteristika të Nelson Mandelës, para të gjitha personaliteteve të tjera më
të mëdha të shekullit të kaluar, përfshirë Uinston Çurçilin, Einstajnin, Martin
Luter Kingun, Mahat Magandin, e të tjerë
Nelson
Mandela i theksoi këto karakteristika dhe vlera në bazë të të cilave kishte
jetuar dhe vuajtur gjithë jetën e tij si i burgosur politik. Në fjalimin që pat mbajtur me rastin e
inuagurimit të tij si president i Afrikës së Jugut më 1994, megjithë vuajtjet dhe diskriminimet që
kishte pësuar populli i tij nga politika raciste e qeverisë së bardhë, ai
prapseparë personifikoi karakteristikat e tija njerëzore, duke iu drejtuar
bashkëkombasve të vet duke thënë se, "kishte ardhur koha për shërimin e
plagëve, se kishte ardhur momenti për të lënë pas ndasitë e së kaluarës, se
kishte ardhur koha për të ndërtuar vendin." Ai
tha me atë rast se rruga drejtë lirisë do të ishte e vështirë dhe e
gjatë, por ai shtoi se duke punuar së bashku, afrikano-jugorët do ta nxirnin
vendin e tyre nga errësira e së
kaluarës, nepërmjet pajtimit kombëtar, duke ndërtuar një jetë më të mirë për të
gjithë dhe pa dallim. Ai përfundoi duke
thënë se "kurrë, kurrë më ky vend i bukur nuk do të përjetojë shtypje nga
njëri person kundër tjetrit. Le të mbretëroj liria'' .
Me të
drejtë, Nelson Mandela konsiderohet si një ndër personalitetet më të mëdha të
shekullit të kaluar, kontributet e të cilit janë përhapur dhe njihen mirë
përtej kufijve të Afrikës së Jugut dhe kontinentit afrikan. Jeta e tij është shembull në mbrojtje të
lirisë, demokracisë, të dinjitetit dhe të drejtave bazë të njeriut. Ai i dha fund aparteidit zyrtar që ndante
zezakët nga të bardhët, dhe më vonë si president i Afrikës së Jugut ai predikoi
një harmoni shoqërore, bashkim kombëtar, paqë e pajtim për të gjithë banorët e
vendit të tij, zezakë, të bardhë e të tjerë.
Përveçse solli paqë e pajtim në vendin e tij pas një regjimi të egër
racist, Nelson Mandela dhe politika e tij pothuaj gandeske, mbetet gjithashtu
simbol dhe një zë shpresëdhënës për popujt e shtypur kudo në botë.
Edhe ne shqiptarët kudo, duhet të jemi krenarë, që në bazë të sondazhit të lartëpërmendur, Nënë Tereza është frymëzuesja numër një në botë e cila ka demonstruar gjatë jetës së saj karakteristikat që dallojnë jetën dhe veprat e Nelson Mandelas e që janë: kuraja, dinjiteti njerëzor, përvujtnia, qëndresa, falja dhe dashuria.