Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Shqetësimet e një miku
E marte, 30.04.2013, 08:22 PM
SHQETËSIMET
E NJË MIKU
Nga Frank Shkreli
''Ne jemi
shumë të shqetësuar nga ato që kemi parë.
Ekziston një nivel i lartë tensionesh në këtë periudhë
parazgjedore.'' Kështu u shpreh për
median shqiptare, Xhonatan Mor, Drejtori i Zyrës për Punët e Evropës
Jug-Qendrore në Departmentin amerikan të Shtetit (DASH) gjatë vizitës që ai
bëri kohët e fundit në Shqipëri. Zoti
Mor nënvijoi interesimin dhe shqetësimin e Uashingtonit zyrtar për mbarvajtjen
e punëve në Shqipëri në përgjithësi dhe të zgjedhjeve të Qershorit në veçanti,
duke kujtuar vizitën dhe fjalët e ish-Sekretares amerikane të Shtetit Hillari
Klinton në Tiranë, Nëntorin që kaloi, e cila sipas Zotit Mor foli me
këmbëngulje për interesimin e fortë të Shteteve të Bashkuara se Shqipëria duhet
të bëjë përparim drejtë antarësimit në Bashkimin Evropian dhe të zhvillojë
zgjedhje të suksesshme këtë vit. Zoti
Mor deklaroi gjatë vizitës së tij në Tiranë se ato që Zonja Klinton tha në
kryeqytetin shqiptar për miqët shqiptarë, përkrahen edhe nga "Sekretari i
tanishëm i Shtetit Xhon Kerri, nga të gjithë ne në qeverinë amerikane si dhe
nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara."
Në takimet e tij me udhëheqsit më të lartë të Shqipërisë, pozitë dhe
opozitë, Zoti Mor theksoi interesimin e Shteteve të Bashkuara për mbarvajtjen e
zgjedhjeve të Qershorit duke paralajmëruar një numër diskutimesh publike,
përfshirë edhe seanca në Kongresin amerikan, mbi zgjedhjet e ardhëshme në
Shqipëri.
Njëra
prej mbledhjeve të njoftuara tanimë për të diskutuar mbi atmosferën
parazgjedhore në Shqipëri, është ajo e Komisionit Amerikan të Helsinkit, seancë
e titulluar "Demokracia në Shqipëri: Ritmi i Progresit", e cila do të
mbahet të hënën më 6 Maj, në një prej sallave të Senatit amerikan në
Uashington. Komisioni prej nëntë
anëtarësh nga Senati, Dhoma e Përfaqsuesve dhe nga një përfaqsues i DASH,
Departmentit të Mbrojtjes dhe të Tregëtisë, i cili kontribon në përpilimin e
politikës së jashtme amerikane, në këtë séance, ka ftuar ekspertë, përfshirë
Zëvëndës Ndihmës Sekretarin për Çeshtjet Evropiane dhe Euro-aziatike, në DASH,
Filip Riker, Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Uashington Gilbert
Galanxhi, Dr. Elez Biberaj, Dejtor i Zërit të Amerikës për Euroazinë dhe Besa
Shahini, analiste e Iniciativës për Stbilitetin Evropian.
Në
njoftimin e Komisionit Amerikan të Helsinkit thuhet se megjithëse para vitit
1991, Shqipëria sundohej nga njëri prej regjimeve më shtypëse komuniste të
botës, dhe ishte i vetmi vend evropian që refuzoi të merrte pjesë në proesin e
Helsinkit -- në 20vitet e fundit vendi ka shënuar përparime të mëdha si një
shtet demokratik ku respektohen të drejtat e njeriut, dhe si një shtet që është
pjesëmarrës aktiv në punët evropiane, përfshirë edhe antarësimin në NATO në
vitin 2009. Por megjithë progresin e
shënuar gjatë dy dekadave të fundit, Komisioni Amerikan i Helsinkit thotë në
njoftimin zyrtar të seancës në Kongres, se "megjithë arritjet, Shqipëria
vazhdon të përballet me vështirsi në ndërtimin e institucioneve dhe praktikave
demokratike, përfshirë edhe respektimin e ligjit". Komisioni vlerëson se, ndërkohë që Shqipëria
po përgatitet për zgjedhjet parlamentare të Qershorit, seanca në Kongresin
amerikan, "shpreson të vlerësojë nivelin në të cilin përparimi ka nisur të
bjerë në krahasim me ato që priten, si brenda ashtu dhe jashtë vendit, si dhe
ç'mundë të bëhet drejtë përshpejtimit të reformave të mëtejshme, sa i përket
qeverisjes së mirë".
Interesimi
zyartar amerikan mbi zgjedhjet e ardhëshme në Shqipëri u pasqyrua edhe nga një
takim ditët e fundit midis Kongresistit Geri Peters, anëtar i Grupit të
Çështjeve Shqiptare në Kongres dhe ambasadorit shqiptar në Uashington, Gilbet
Galanxhi. Kongresisti Peters, pasi
vlerësoi marrëdhënjet e shkëlqyeshme midis dy vendeve, shfaqi besimin e tij se
është e rëndësishme që, në lidhje me ato që po ndodhin në Komisionin Qendror të
Zgjedhjeve të Shqipërisë, të zbatohet ligji, me qëllim që të ruhet
legjitimiteti i zgjedhjeve të ardhëshme.
Edhe Kongresmenë të tjerë amerikanaë kanë shprehur pikpamje të njëjta.
Marsin që
kaloi një delegacion i Institutit Demokratik Amerikan (NDI) i kryesuar nga
ish-governatori i shtetit Vermont dhe ish kandidat për president i Shteteve të
Bashkuara qëndroi në Shqipëri për të "vlerësuar në mënyrë të paanshme
përgatitjet për zgjedhjet parlamentare, klimën e përgjithshme politike që i jep
form ciklit zgjedhor, të shqyrtojë faktorët e veçantë që favorizojnë ose
pengojnë shprehjen demokratike të vullnetit të popullit dhe për të bërë
rekomandimet për rritjen e besueshmërisë në procesin zgjedhor.''
Shfaqja
jo vetëm e interesimit, por edhe e shqetsimit amerikan në lidhje me
mbarëvajtjen e zgjedhjeve të këtij viti në Shqipëri nuk është dhe nuk duhet të
interpretohet si një ndërhyrje në procesin zgjedhor të Shqipërisë, por si
këshilla të një miku që Shqipërisë dhe shqiptarëve ua do të mirën. Këto shqetësime i janë paraqitur të gjithë
klasës politike shqiptare pa dallim, qoftë pozitës qoftë opozitës, por edhe të
tjerëve, pasi të gjithë kanë rolin e
tyre për të luajtur për një fushatë të
përgjegjeshme elektorale dhe në përfundimin me sukses dhe pranimin
përfundimtar të zgjedhjeve, me fjalë të tjera të mos rrezikohet integriteti
zgjedhor. Historikisht, zgjedhjet e
lira, fatkeqsisht kanë qenë gjithmonë si një çështje kundërshtuese, si një asht ose kockë në fyt, në marrëdhënjet midis Shqipërisë dhe Shteteve
të Bashkuara, duke filluar që nga viti 1945, kur regjimi komunist i Enver
Hoxhës refuzoi të lejonte mbajtjen e zgjedhjeve të lira, gjë që çoi në mbylljen
e misionit diplomatik amerikan në Tiranë, duke përfunduar kështu në prerjen e
marrëdhënjeve prej pothuaj 50-vjetësh midis dy vendeve. Sot, pas 20-vjetë marrëdhënjesh miqësore,
mbajtja e zgjedhjeve të lira nuk duhet të jetë shkak për --ruajna Zot -- ftohjen
e marrëdhënjeve midis dy kombeve mike.
Por, siç tha edhe ish-Sekretarja Amerikane e Shtetit Hillari Klinton me
rastin e 20-vjetorit ë rivendosjes së marrëdhënjeve diplomatike midis dy
vendeve, këjo miqësi e dy dekadave të fundit, të shërbejë për zhvillimin e një
partneriteti të vazhdueshëm, të na kujtojë përparimet e bëra deri tani dhe
njëkohësisht të nënvijojë shpresat për një të ardhme më të mirë për Shqipërinë
dhe Shqiptarët, por edhe për marrëdhënjet shqiptaro-amerikane. Këjo është përgjegjësi e pozitës dhe opozitës
si edhe e të gjithë faktorëve politikë, por edhe e medias që i shërben
interesave partiake, si dhe e shoqërisë në përgjithësi. Është vështirë, për të
mos thënë e pamundur, të mendohet ndryshe, pas më shumë se 20-vjetë demokraci
dhe në fillim të shekullit 21!