E merkure, 30.04.2025, 11:58 PM (GMT+1)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Hapni ambasadën në Washington

E merkure, 13.03.2013, 10:00 PM


HAPNI AMBASADËN NË WASHINGTON!

Nga Frank Shkreli

Përmbajtjen e letrës, që ambasadori shqiptar në Washington, Zoti Gilbert Galanxhi u dërgoi kohët e fundit eprorëve të tij në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë në lidhje me kushtet shumë të vështira të postit diplomatik që ai drejton, e mori vesh i gjithë dheu.   Gjendja e mjeruar e kësaj ambasade nuk ishte e panjohur për të gjithë ata që kanë patur rastin ta vizitojnë atë post diplomatik gjatë viteve, por askush nuk interesohej për atë punë, duke preferuar që të injorohej realiteti.

Ambasadori Galanxhi mori kurajon kohët e fundit t'i dokumentonte në letër hallet e tija aktuale dhe të ambasadës që ai drejton, por në të vërtetë, situata në këtë ambasadë kështu ka qenë gjithmonë, në mos me keq.   Gjatë viteve, unë kam patur rastin të vizitoja shpesh ambsadën e Shqipërisë në Washington.   Fatkeqsisht detyrohem të them se në çdo rast që vizitoja, u largoshja s'andejmi jo vetem i prishur qejfi dhe i indinjuar, por  si shqiptar, e ndjeja veten edhe si i koritur para të huajve që vizitonin, sidomos me rastin e festës kombëtare, Pavarësisë së Shqipërisë.   Më kujtohet nja 10 vjetë më parë, me rastin e një pritjeje për festën e 28 Nëntorit, ku të ftuarit amerikanë dhe të tjerë detyroheshin të mbanin të veshura palltot e.dimërit sepse ndërtesa nuk kishte ngrohje dhe për më tepër, xhamat e një dritareje ishin të thyera.

Dërgimi i letrës së Ambasadorit Galanxhi, mund te ishte nje masë dëshpëruese nga ana e tij --dhe ndoshta jo aq diplomatike -- por për mendimin tim dërgimi dhe publikimi i saj ishte shumë i nevojshëm, për të mos thënë i doemosdoshëm,  si e vetmja mënyrë për të tërhequr vëmendjen e Tiranës zyrtare dhe të publikut më të gjerë shqiptar mbi gjendjen e rëndë në të cilën gjëndet përfaqësia diplomatike e Shqipërisë, në vendin, sot për sot, më të rëndësishëm në botë, për fatin dhe interesat e kombit shqiptar

Gjatë dy dekadave të fundit, presidentë, kryeministra, me dhjetëra deputetë, gazetarë dhe personalitete të fushave të ndryshme të Shqipërisë kanë vizituar Washingtonin.   Pasi kam qenë dëshmitar i këtyre vizitave të shumëta, unë rrallë herë, për të mos thënë asnjëherë kam takuar ndonjë vizitor të nivelit të lartë nga Shqipëria të ketë vizituar ambasadën e vendit të vet në Washington.   Nuk e di nëse ata anashkalonin një vizitë të tillë me qëllim apo pa qëllim, por një gjë është e sigurt se po të kishin vajtur ta shohin ambasadën, ata do e kishin parë se në çfarë rrethanash (nuk) funksiononte ajo ambasade.   Mos interesimin personal dhe zyrtar ndaj përfaqësisë së Republikës së Shqipërisë në Washington—nga ana e vizitorëve zyrtar të Tiranës nga të gjitha grupet politike -- e kam venë re gjate viteve që kam punuar atje, pork am venë re edhe dukuri të tjera, që mua më dukeshin atëherë dhe sot absolutisht të  pa-kuptueshme dhe që më në fund kanë çuar në situatën skandaloze për të cilën ankohet ambasadori në letrën e tij dërguar Tiranës zyrtare.

Për dekada, regjimi komunist i Enver Hoxhës refuzonte vendosjen e marrëdhënjeve diplomatike me Shtetet e Bashkuara.   Sot Shqipëria ka marrëdhënje të ngushta me Washingtonin, për të cilat ne të gjithë jemi krenarë, por fatkeqsisht, në të vërtetë, siç ven në dukje edhe ambasadori Galanxhi në Washington Tirana nuk ka ambasadë funksionale.   Edhe për këtë situatë, në vend që të kërkohen e të sugjerohen zgjidhje të problemeve, është bërë tani top futbolli për median dhe politikën, në pritje të përftimeve politike.   Varësisht nga pikëpamja politiko-partiake, media dhe personalitetet politike akuzojnë njëra tjetrën për gjendjen e krijuar në ambasadën e Shqipërisë në Washington.   Ish-Ministri i Jashtëm Paskal Milo, tha në një intervistë se e konsideron ngjarjen si "një turp për qeverinë shqiptare", duke shtuar se, "është pak të thuhet se është një skandal.''   Zoti Milo, gjëndja në ambasadën e Shqipërisë në Washington ishte skandaloze në kohën tuaj dhe është skandaloze edhe  sot.

Ndërsa Ministri i tanishëm i Punëve të Jashtme, Zoti Edmond Panariti u citua të ketë thënë se është në dijeni të problemit dhe se e ka ngritur çështjen me organet përkatëse të qeverisë dhe të parlamentit, duke shtuar se megjithë shkurtimet në buxhet për arsye të krizës ekonomike, që sipas tij, ka prekur edhe diplomacinë e vendeve të tjera, Ministria që ai drejton, “do të garantojë funksionimin normal të ambasadave dhe shërbimin diplomatik në të gjitha vendet ku ajo përfaqsohet, natyrisht, duke pasur më përparësi qëndrat tona kryesore në SHBA, në Bruksel dhe në Kombet e Bashkuara.”   Megjithëse është e vështirë  të nxirret ndonjë pëfundim nga këjo deklaratë e ministrit të jashtëm shqiptar, duke marrë parasyshë përmbajtjen e letrës së ambasadorit Galanxhi, është vështirë të besohet se Tirana zyrtare u jep përparësi serioze posteve diplomatike në SHBA, siç pretendon krye-diplomati shqiptar.

S'ka dyshim se qeveria e sotëme ka përgjëgjësitë e veta si dhe detyrimin, në interesin kombëtar, për ta zgjidhë këtë çështje sa më parë që të jetë e mundur dhe për të venë kontrollet e nevojshme mbi buxhetin,mbi nivelin e fondeve dhe mbi personelin që i mbikyrë ato, por  e vërteta është se skandalet në këtë ambasadë -- qoftë për mungesë fondesh, qoftë për abuzim fondesh -- kanë prekur këtë post diplomatik ç'prej fillimit të hapjes së tij 20-vjetë më parë.   Këjo ka ndodhur pa dallim se cila parti kishte qeverinë në dorë në Tiranë, socialistët apo demokratët.   Për këtë, të dy palët mund të mburren se përfaqësinë diplomatike në shtetin më të rëndësishëm të botës dhe aleatit historik të kombit shqiptar e kanë këthyer në një post krejt të parëndësishëm dhe jo funksional.

Shqipëria e ka ndërtesën e ambasadës në Washington, megjithse e mbyllur për një kohë të gjatë tani, për arsyet që ve në dukje vetë ambasadori Galanxhi në letrën e tij dërguar organeve qeveritare në Tiranë..  Ndërtesa e ambasadës është paguar me paratë e taksa-paguesve shqiptarë dhe si e tillë duhet të jetë e hapur për të gjithë.   Është në interesin kombëtar që këjo ambasadë të hapë dyertë sa më parë dhe të funksionojë normalisht si përfaqësi e një shteti funksional  në sytë e Washingtonit zyrtar, për miqët tanë amerikanë dhe për shqiptarët që jetojnë e punojnë në këtë vend.   Është urgjente që përfaqësia diplomatike e Shqipërisë në Washington të hapet menjëherë dhe të veprojë në interes të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, 24 orë në ditë, shtatë ditë të javës dhe 12 muaj në vit.   Shqipëria ka nevojë për një ambasadë të denjë që përfaqëson vlerat e shqiptarëve dhe për një përfaqësi që nderon shtetin dhe kombin shqiptar, por ka nevojë edhe për një ambasadë që kultivon dhe forcon marrëdhënjet tepër të rëndësishme diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me popullin amerikan.   Shpresoj që mënyra se si trajtohet ambasada shqiptare në Washington të mos jetë një reflektim i rëndësisë që Tirana zyrtare u kushton marrëdhënjeve të saj me Washingtonin.   Hapni ambasadën!



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx