Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Fryma e Davos-it
E marte, 29.01.2013, 08:03 PM
FRYMA E
DAVOS-it
Nga Frank Shkreli
Takimi më
i njohur në botë i udhëheqsve politikë dhe të biznesit -- Forumi Ekonomik
Botëror 2013 në Davos të Zvicrës -- përfundoi punimet të djelën. Në atë forum morën pjesë javën që kaloi mbi
2500 veta ndër udhëheqsit më të dalluar të botës në fushën politike e
qeveritare, biznesit, të shoqërisë civile dhe intelektualë të njohur
botëror. Përfshiheshin gjithashtu edhe
aktivistë të lloj lloj kauzash, përfqsues sindikatash, akademikë dhe biznismenë
në moshë të re dhe natyrisht një mbledhje e tillë nuk mund të përjashtonte
qindra gazetarë nga e gjithë bota.
Forumi
ndërkombëtar në Davos mund të jetë i vetmi takim botëror ku nuk negociohen as
nuk arrihen marrëveshje të asnjë natyre, as nuk merren vendime për asgjë, por
është sipas Profesorit Klaus Schwab -- cili themeloi Forumin Davos 43 vjetë më
parë -- një platformë për të shkëmbimin
e mendimeve dhe për gjetjen e zgjidhjeve në një atmosferë të izoluar dhe
larg nga problemet dhe presionet e jetës së përditshme.
Në një
kryeartikull në lidhje me mbledhjen e këtij viti, botuar në gazetën kombëtare
amerikane USA Today, Profesori Schwab,
duke folur për mbledhjen e parë të Forumit Davos, tha se, ''objektivi i
themelimit të Forumit ishte për të sjellur në Evropën e pas luftës, idetë dhe
aftësitë e intelektuale, industriale dhe të inovacionit të Shteteve të
Bashkuara, me qëllim për të modernizuar sistemet evropiane shoqërore dhe të
biznesit.'' Ai shtoi se ndonëse natyra
e këtij forumi vjetor ndërkombëtar ka ndryshuar gjatë 43-viteve të kaluara,
Profesori Schwab shkruan se objektivi kryesor i Forumit mbetet i njëjti si
atëherë: ''Shkëmbimi i lirë i mendimeve, dialogu, si dhe ideja e lirisë dhe të
shprehurit hapur e pa pengesa, cilësi këto për të cilat Amerika është një model
për botën'', tha ai në kryertikullin për gazetën amerikane.
Natyrisht
se sivjet në mbledhjet e Davos-it u bisedua dhe u shkëmbyen mendime mbi pothuaj
të gjitha problemet me të cilat përballet sot bota. U diskutua
mbi ekonominë botërore dhe mbi papunësinë, problem këto që u cilësuan si një burim
shqetësimi serioz për shumë pjesëmarrës.
U fol edhe mbi të ardhmen e Europës, pasi Kryeministri britanik David
Cameron njoftoi mbajtjen e një referendumi mbi të ardhmen e antarësimit të
Britanisë së Madhe në Bashkimin Evropian, duke thënë se, ''Evropa ka më shumë
nevojë për vullnet politik dhe jo për më shumë institucione politike''.
Folësja
kryesore në Forum, Kancelarja e
Gjermanisë, Angela Merkel, duke folur për gjëndjen ekonomike në eurozonë,
paralajmëroi kundër lehtësimit të masave të rrepta ekonomike në Evropë, duke
shtuar se ''Përvoja politike tregon se
shpeshëherë nevojitet bërja e presionit
për të siguruar reforma strukturore politike.'' Ajo shtoi se, ''Nëqoftse Evropa sot është në një gjëndje të
vështirë, atëherë ne duhet që sot të ndërmarrim reformat e nevojshme, ashtuqë të jetojmë më mirë nesër.''
Përveç
problemeve ekonomike e financiare të botës, ndër shqetësimet kryesore për të
cilat u bisedua sivjet në Davos ishin gjithashtu edhe problemet politike dhe të
sigurisë ndërkombëtare, si për shembëll
mundësia që Irani të zhvillojë armë bërthamore dhe zhvillimet në Lindjen e
Mesme, si rrjedhim i të ashtuqujturës ''Pranverë Arabe''.
Është e
vërtetë se në këtë mbledhje vjetore tradicionalisht marrin pjesë kapitalistë të
dalluar nga mbarë bota, përfaqsues dhe drejtues të firmave më të mëdha
botërore, njerëz të fuqishëm dhe të njohur të politikës dhe ekonomisë e
financave por edhe të fushave dhe
aktiviteteve të ndryshme të shoqërisë,
për të cilët shtrohen darka e dreka dhe kokteje ekskluzive për të ftuarit.
Por
pjesmarrësve të rregulltë në Forumin Davos këtë vit iu bashkuan edhe udhëheqës
dhe biznesmenë në mosh të re, të ftuar në frymën e shkëmbimit të lirë të
mendimeve -- për të sfiduar përfaqsuesit e elitës politike, ekonomike dhe
financiare të botës, jo vetëm ata nga Perëndimi por edhe nga vendet në
zhvillim. Ndër këta përfaqsues të brezit të ri nën moshën 30-vjeçare,
pëfshiheshin njëri prej udhëheqësve të protestave studentore në Kili, nipi i
Warren Buffet, njeriut të tretë më të pasur në botë dhe vajza e ish-Presidentit
Bill Clinton e Hillary Clinton. Të gjithë këta, në një mënyrë ose në një
tjetër, janë të aktivizuar në përpjekje për një ''angazhim për të përmirësuar
gjëndjen në botë'', e që është edhe motoja zyrtare e Forumit Davos.
Ndër
subjektet kryesore për diskutim ishte papunësia në radhët e rinisë, sidomos në
Evropën jugore por edhe në mbarë botën, si dhe mënyrat për të motivuar rininë
për tu angazhuar në zgjidhjen e problemeve, ndërkohë që këjo rini përballet me
një papunësi rreth 60-për qind në disa vende.
Organizuesit e Forumit Davos
bënë gjithashtu përpjekje që të komunikonin edhe me përfaqsues të protestave
kundër Wall Street-it dhe të protestuesve nga Britania e Madhe dhe vendeve të
tjera të Evropës.
Themeluesi
i Forumi Davos, Profesori Klaus Schwab duke folur për problemet e shumëta me të
cilat përballet sot Evropa dhe bota, si dhe për zgjidhjen e problemeve
ekonomike botërore, ai e mbylli forumin me fjalët e fushatës së presidentit
amerikan Barak Obama, ''Po, ne mund t'ia dalim.... por mendoj se kyçi është
bashkpunimi global’’, tha ai para më shumë se 2500 pjesëmarrësve nga e mbarë
bota.
Arritjet
ose dështimet e këtij Forumi sivjet po debatohen dhe kritikohen nga media, gjë
që është e natyrshme për një takim të tillë të nivelit botëror. Madje edhe Profesori Schwab, që nga natyra
është tepër optimist, pranoi se ky ishte forumi më i zymtë që ai ka organizuar
ndonjëherë. Por ai është gjithnjë
optimist dhe mbështetës i dialogut për zgjidhjen e problemeve në nivele të
ndryshme shqoërore, shtetërore dhe botërore,
duke shkruar në gazetën amerikane USA Today se: ''Dialogu i vërtetë do të thotë
bashkveprim dhe komunikim me ata me të cilët nuk je dakort, me fqinjët ose
miqët si dhe me ata të cilët e shikojnë botën nga një përsepktivë krejt
ndryshe, me njerëz të gjeneratave e kulturave të ndryshme si dhe me ata që mund
të kenë misjone tjera në jetë. Ne të
gjithë jemi pjesë e një komuniteti global''.
Ky ishte nje mesazh i rendesishem per te gjithe pjesemarrsit dhe me
gjere.
Pa marrë
parasyshë analizat dhe komentet mbi përfundimet e Forumit në Davos të Zvicrës,
pjesëmarrësit nga më shumë se 100-vende të botës janë larguar së andejmi me
mendime dhe ide të ndryshme për problemet e shoqërive të tyre dhe të botës. Por
cilat do qofshin vlerësimet e punimeve të Forumit të sivjetshëm në Davos
nga
analistët dhe pjesëmarrësit, nëqoftse ata marrin me vete këshillat e porositë e
themeluesit të Forumit Davos se “të gjithë ne jemi pjesë e një komuniteti
global” dhe se me dialog dhe respekt për njëri tjerin -- pa marrë parasyshë
ndryshimet midis nesh -- mund të zgjidhen më lehtë problemet serioze me të
cilat përballet sot shoqeria dhe mbare
njerëzimi. Porosia për dialog dhe
mirëkuptim e ''Frymës së Davos-it'' vlen
edhe për marrëdhënjet dhe komunkimet në çdo nivel të jetës, në familje, në
shoqëri, në politikë -- mundësia pra për tu ulur dhe biseduar mbi problemet dhe
zgjidhjen e tyre nepërmjet shkëmbimit të lirë dhe të papenguar -- pa marrë
parayshë ndryshimet në pikpamje -- me qëllim që të përallohen sfidat me të
cilat mund të ndeshen individët dhe shoqëria në përgjithësi.