Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Organizata e Kombeve të Bashkuara nderon Nënë Terezen
E merkure, 19.12.2012, 06:48 PM
ORGANIZATA E KOMBEVE TË BASHKUARA NDERON NËNË TEREZEN
Nga Frank Shkreli
Më 1985
Nënë Tereza ishte ftuar të fliste para Asamblesë së Përgjithëshme të Kombeve të
Bashkuara me rastin e 40-vjetorit të themelimit të kësaj organizate
botërore. Sekretari i Përgjithëshëm i
Kombeve të Bashkuara në atë kohë Perez de Cuellar, e paraqiti murgeshën
shqiptare Nënë Terezën me këto fjalë:
''Këtu është një sallë fjalësh.
Disa ditë më parë në këtë tribunë
folën burrat më të fuqishëm të botës.
Mirëpo, tani kemi privilegjin të kemi mes nesh gruan më të fuqishme në
botë. Nuk besoj se është e
nevojshme tua paraqesë atë. Ajo nuk ka nevojë për fjalë. Por Ajo ka nevojë për veprat tona.
Mendoj se gjëja më e mirë që mund të bëjë unë është ta nderoj atë dhe tu
them se ajo është më e madhe se unë, ajo është më e madhe se të gjithë ne së
bashku. Ajo është Kombet e Bashkuara. Ajo është paqëja në botë.''
Sipas
gjasës, duke përfillur fjalët e ish-Sekretarit të Përgjithëshëm Cuellar, se
Nënë Tereza kishte nevojë për veprat dhe jo fjalët e OKB-së, të hënën pasdite
më 17 Dhjetor, Asambleja e Kombeve të Bashkuara shpalli 5 shtatorin, dita kur
ka ndërruar jetë e lumnuara Nënë Tereza, si Dita Ndërkombëtare e
Bamirësisë. Shqipëria, nepërmjet
ambasadorit të saj Z. Ferit Hoxha ishte një nga vendet kryesore sponsorizuese
të kësaj rezolute dhe Misioni Shqiptar në Kombet e Bashkuara luajti një rol kyç
në miratimin me konsensus të saj.
''Nëpërmjet një lobimi të fuqishëm, rezoluta arriti të marrë
bashkë-sponsorizimin e më se 20 vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së
Punëve të Jashtëme të Republikës së Shqipërisë në lidhje me vendimin e
organizatës botërore.
Në fjalën
e tij me këtë rast, Ambasadori i Përheshëm i Republikës së Shqipërisë pranë
Kombeve të Bashkuara, Z. Ferit Hoxha, pasi falenderoi Hungarinë për për punën
që bëri gjatë konsultimeve për miratimin e kësaj rezolute, ndërkohë që theksoi
rolin që luan dhe duhet të luaj Bamirësia në çdo shoqëri dhe në botë në
përgjithësi, me krenari foli edhe për Nënë Terezën si simbolin e Bamirësisë në
botë duke thënë:
''Duke
zgjedhur datën 5 shtator, dita kur bota humbi Nënë Terezën, si Dita
Ndërkombëtare e Bamirësisë, Asambleja e
Përgjithëshme me këtë vendim ndihmon që ta bejë këtë ditë më domethënse për
njerëzit anë e mbanë botës dhe në të njëjtën kohë i shërben më mirë objektivit
të rëndësishëm për të njohur më mire dhe
për të mbështetur veprat e Bamirësisë anë e mbanë botës.....Shqiptarët do të
jenë përherë krenarë me Nënë Terezen, për veprën dhe trashëgiminë e saj, gjë që
ne e konsiderojmë si dhuratën më të mirë që mund t'i kemi dhënë njerëzimit.''
Ambasadori
shqiptar pranë Kombeve të Bashkuara, Z. Ferit Hoxha u tha delegatëve se ''Ne do
të kujtojmë gjithmonë njërën prej thënjeve të saj, pasi këjo deklaratë nënvijon
esencën ose thelbin e veprës së Nënë Terezës: ''Me gjak jam Shqiptare. Me
shtetësi jam Indiane. Me besim jam
murgeshë katolike. Si e tillë, i përkas
të gjithë botës''.
Është
ekzaktërisht kjo thirrje e Nënë Terezës, përfundoi ambasadori shqiptar pranë
OKB-së, që do të festohet çdo vit me 5 shtator për të kujtuar rolin e
pazëvendsueshëm të Bamirësisë në çdo shoqëri dhe në çdo vend të botës, ashtuqë
të njihet edhe puna dhe kontributet, në këtë fushë, të të gjithë personave të
ndryshëm dhe nga rajone të ndryshme anë e mbanë botës.
Ministria
e Punëve të Jashtëme e Shqipërisë, nepërmjet një deklarate për mediat e ka
përshëndetur këtë vendim, me të cilin, sipas saj, ''vendet anëtare të OKB-së,
duke njohur e vlerësuar rolin e pazëvendësueshëm të akteve të bamirësisë në
zbutjen e krizave humanitare dhe vuajtjeve njerëzore, i bëjnë një homazh të
merituar aktivitetit e trashëgimisë së Nënë Terezës, e njohur ndërkombëtarisht
dhe e vlerësuar botërisht për përkushtimin dhe punën e saj gjatë gjithë jetës
në ndihmë të të sëmurëve, të varfërve e njerëzve në nevojë'', përfundon
deklarata e Ministrisë Shqiptare të Punëve të Jashtëme.
Nuk ka
emër më të madh as më të mirë se Nënë Tereza,
siç tha edhe ambasadori shqiptar pranë OKB-së, Z. Ferit Hoxha – rreth të cilit të mobilizohen burimet botërore njerëzore dhe
materiale, përfshirë edhe ato të OKB-së në përkrahje të rolit që luan
Bamirësia, pasi sipas rezolutës, varfëria vazhdon të ekzistojë në të gjitha
vendet e botës, pa marrë parasyshë situatat ekonomike, shoqërore dhe kulturore.