Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Lavdi Malësi e Madhe
E enjte, 15.11.2012, 08:38 PM
LAVDI
MALËSI E MADHE - O NDERI I KOMBIT
Nga Frank Shkreli
Njoftohet
se Presidenti i Republikës së Shqipërisë zoti Bujar Nishani ka vendosur të
dekorojë Malësinë e Madhe me titullin ''Nderi i Kombit''. Pritet që Presidenti
Nishani të zhvillojë cermoninë e dorëzimit të titullit, “Nderi i Kombit”
Malësisë së Madhe më 25 Nëntor, pak ditë para Festës së Madhe të 100-vjetorit
të Pavarësisë së Shqipërisë, për të cilën trevat e Malësisë së Madhe --kësaj
kalaje të patundur të Arbërit ndër shekuj -- kanë dhënë një kontribut të
çmueshëm dhe historik. Është e drejtë
historike dhe morale që Presidenti Nishani njeh meritën dhe kontributin e
malësorëve, të cilët me ndihmën e Ismail Qemalit, Luigj Gurakuqit, dhe
aptriotëve të tjerë, përpiluan memorandumin me 12 pika, të ashtuquajturin
''Libër i Kuq'', e i cili përfshinte kërkesat e të gjithë shqiptarëve, ndër të
tjera, për vet administrim, me gjuhë, buxhet dhe guvernator të vetin. Memorandumi, që në atë kohë bëri jehonë të
madhe anë e mbanë Evropës, përfaqësonte kërkesat e të gjithë shqiptarëve. Në një gazetë të kohës Kolnische Zeitung, cituar në librin
Kosova të Jusuf Buzhovit në artikullin, ‘’Shqiptarët dhe Evropa’’ thuhet se ‘’Malësorët e fiseve shqiptare të
Grudës, Hotit, Kastratit, Kuqit dhe të Shkrelit nuk i lëshojnë armët prej dore
dhe më me dëshirë vdesin për çështjen e tyre të shëjntë se sa të jetojnë në
robëri.’’
Sipas
revistës Leka të vitit 1937, nënshkruesit malësorë të këtij memorandumi ishin:
Sokol Baci i Grudës, Ded Gjon Luli i Traboinit të Hotit, Dedë Nika Bajraktar i
Grudës; Dodë Preçi Bajraktar i Kastratit; Tomë Nika i Shkrelit, Col Dedi i
Selcës Këlmendit; Lul Rrapuka i Vuklit të Këlmendit; Llesh Gjergji, Bajraktar i
Nikçit; Gjeto Marku i Hotit; Mehmet Shpendi, i pari i Djelmënisë së Shalës;
Martin Preka i Shkrelit; Prelë Marku, Bajraktari i Shalës, Avdi Kola Bajraktar
i Gimaj, Nik Mëhilli i Shllakut, Pup Çuni Prekalor, Binak Lulashi Toplanas;
Bash Bajrami Bajraktar i Nikajve dhe Bec Delia.
Këta
ishin prijësit heroikë të malësorëve trima, këtyre rojtarëve të fateve të
kombit shqiptar ndër shekuj, që sipas Ismail Qemalit ''ishin pushkë të ngrehura
të Shqipërisë'', të cilëve gjatë asaj periudhe kritike për shpëtimin e kombit
shqiptar nga copëtimi, iu bashkangjitën në Podgoricë edhe mendjendriturit e
atëhershëm të kombit shqiptar, Ismail Qemali, Ekrem Vlora, Luigj Gurakuqi,
Fadil Pashë Toptani, Pandeli Cale, Qazim Kokoshi, Hamit Bej Toptani, Risto
Siliqi, Xhemal Kondi, Hil Mosi, Mark Kakarriqi e të tjerë. Ishte ndoshta hera e parë, ç'prej Lidhjes së
Prizrenit, që kryengritja e malësorve kishte përkrahjen e të gjithëve, gjë që i
jepte asaj edhe një frymë pjekurie kombëtare që do ta çonte Shqipërinë në
pavarësinë e saj. Më 24 Mars 1911,
malësorët trima, me kryengritjen e tyre hodhën hapin vendimtar drejtë lirisë
dhe pavarësisë së Shqipërisë, megjithëse e copëtuar, e pasuar nga kryengritja e
Kosovës më 1912, e prirë nga Bajram Curri, Hasan Prishtina dhe Isa Boletini,
duke kurorëzuar kështu një mori kryengritjesh të shqiptarëve anë e mbanë
trojeve të tij kundër robërisë shekullore
otomane.
Si një
mërgimtar me origjinë nga ato treva, falenderoj Presidentin e Republikës për akordimin e titullit ''Nderi i Kombit'',
Malësisë së Madhe me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në këtë
ditë të shënjtë të kombit shqiptar. Ky
përvjetor, le të festohet në trekëndshin shqiptar: Tiranë-Prishtinë-Shkup, si
një festë mbarë-kombëtare në të gjitha trevat, përfshirë edhe Malësinë e Madhe,
duke shënuar një moment historik të kombit, kur shqiptarët janë më të lirë se
asnjëherë tjetër në historinë e tyre, kurë me fatin e tyre nuk luan më as
sllavi as greku e as edhe Evropa shtrigë -- dhe kur kombi shqiptar është duke
luajtur rolin që i përket atij për ruajtjen e paqës dhe të stabilitetit në
Balkan, ndërkohë qe ëndërra e rilindasve të kombit shqiptar, që Shqipëria e
natyrshme të jetë pjesë e pandarë e botës përendimore ështe në prag të
realizimit.
Le të
shpresojmë qe brezat e sotëm shqiptarë të jenë bartës të denjë të vuajtjeve,
sakrificave dhe luftërave të malësorëve dhe të gjithë shqiptarëve gjatë
historisë, duke jetuar sipas trinomit në bazë të cilit jetonin dhe vepronin
malësorët tanë, e që janë besa, nderi e burrënia, të bindur se këto vlera bazë
të përmblidhej udhëzimi i drejtë për një jetesë të ndershme e të kënaqshme për
të gjithë kombin. Me gjith lirinë që
gëzojnë sot shqiptarët pas aq shumë
vjetë mohim lirie dhe nepërkëmbje të të drejtave bazë të tyre -- së bashku të
gjithë festojmë këte ditë shënjte -- të mirëfilltë se liria dhe shpëtimi i
vërtetë i kombit vjen nga njohja e vlerave të këtij trinomi dhe të traditës
frytdhënse të historisë tonë kombëtare, të pastruara nga ideologjitë dhe
influencat e huaja.
Duke
uruar Malësinë e Madhe për nderimin që i bën Kombi në këtë përvjetor, dhe të
gjithë shqiptarët për këtë jubile historik, shpresoj dhe lutem që liria që gëzojnë sot shqiptarët, të çojë
në një përmirësim të gjithanëshëm të jetës politike dhe ekonomike si dhe në një
diskurs më të denjë politik dhe në një jetë më të lumtur dhe më të begatshme
për të gjithë shqiptarët kudo që janë.