Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: 100 vjet pavarësi - kështu do të fliste Luigj Gurakuqi
E merkure, 22.08.2012, 04:01 PM
100-VJET
PAVARËSI: KËSHTU DO TË FLISTE LUIGJ GURAKUQI
Nga Frank Shkreli
Ndërsa po
bëhen përgatitje dhe ndërkohë që po mbushet kalendari i veprimtarive për të nderuar
figura të shquara historike të kombit shqiptar me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë
së Shqipërisë, të kujtojmë Luigj Gurakuqin, bashkountorin më të ngushtë të Ismail
Qemalit, njëri prej figurave më të mëdha të kombit shqiptar, për të cilin
Stefanaq Pollo ka shkruar se ''Nuk ka ngjarje të madhe politike, shoqërore e
kulturore në këtë çerek-shekulli ku të mos ketë qenë prania e tij, ku të mos
jetë ndier fjala, urtësia e vullneti i tij, ku të mos ketë spikatur patriotizmi
e demokratizmi i tij.'' Figura e Luigj
Gurakuqit, sipas tij, bëhet edhe më e madhe dhe më madhështore, ''po të kemi
parasyshë armiqtë e shumtë që duheshin përblluar, vështirsitë e mëdha që duheshin
kapërcyer, komplotet dhe intrigat e kobshme që thureshin kundër atdheut,
rreziqet e panumërta që i kanoseshin jetës së tij në çdo hap.''
Megjithëse
është shkruar shumë për kontributet e mëdha të Luigj Gurakuqit, jo vetëm si njëri
prej figurave udhëheqse politike më të shquara të kombit, por edhe si poet,
shkrimtar, linguist e mësues - Ernest Koliqi, i cili thotë se në vitin 1924 në Tiranë
ka shërbyer si sekretar privat i Luigj Gurakuqit, në një artikull shkruar në vitin
1965 në revisten ''Shëjzat'', pasi e kishte njohur nga afër atë, nenvijon për
lexuesin fuqinë frymëzuese dhe tërheqse të Gurakuqit: ''S'kam pa ndër Shqiptarë..... nji tjetër që të
kishte lidhje miqsore e politike aqë të shumta e të ndryshme sa Gurakuqi. Gegë e Toskë, qytetarë, katundarë, malësorë,
priftën, popa e hoxhallarë, analfabeta dhe eksponenta të intelektualizmit, arbëreshë,
të huej që interesoheshin për Shqipëni, qinda e qinda vetësh, i drejtoheshin
atij me një frymë të çuditshme besimi.... besojshin në përpjekjet e tij të çdo
lloji....''
Në artikullin
e tij përkujtimor me rastin e dyzet vjetorit të vrasjes së Luigj Gurakquit,
Ernest Koliqi, si bashkpuntor i ngushtë dhe sekretar privat i kësaj figure të madhe
të kombit shqiptar, shkruante se Luigj Gurakuqit i Madhi Zot i kishte falur aftësi
e zotësi si rrallë ndonjë njeriu tjetër, por sipas Koliqit, vetia që e dalllonte Gurakuqin nga të tjerët
e kohës së tij, ''Ishte ajo që me
bashkue e me miqasue ndër vedi gjindën me mendesi, prirje, rritje në kundërshtim. Përhapej nga zemra e Tij nji fuqi vëllaznuese
e tillë sa me tubue rreth vetes burra me idena mesjetare, doktora te rij plot
hov modernizues, anëtarë kleresh të ndryshme, bashkatdhetarë visesh të ndryshme,
të rij rrymash të ndryshme. Mbretnonte
harmonia aty ku Ai qindronte. ''
Luigj
Gurakuqi e konsideronte detyrën e deputetit si të rëndë e me përgjegjësi të madhe
, të një rëndësie kombëtare dhe si detyrë e shënjtë që ia kishte besuar populli. Mbi rolin e Luigj Gurakuqit në kuvendin
shqiptar, Koliqi sjellë kujtimet e tija duke thënë se ndërsa “në parlamentin shqiptar kumbojshin
zane si ato të Fan Nolit, Ali Klisurës, Stavro Vinjaut e Bahri Omarit, të dënja
me jehue në Dhomën e Komuneve (të Anglisë), Gurakuqi, kryetar i njoftun i
opozitës kundërshtonte me matuni: bashkë
me kolegët që përmenda, përpiqej të jepte shembullin e nji kritike të fortë por
jo fyese, ndërtuse jo rrënuese….’’
Roli
patriotik, ndërtues dhe bashkpunues i
Gurakuqit për të mirën e Shqipërisë njihej dhe respektohej nga shumë patriotë shqiptarë
të asaj kohe. Mihal Grameno i shkruante
atij me 24 Korrik 1919 se “Shqiptarët
kanë simpati dhe besim tek juve’’, dhe
më 15 Tetor, 1919, Pandeli Cale i shkruan Gurakuqit, duke pasqyruar në këtë mënyrë, besimin e tij të plotë në veprimtarinë
patriotike të tij, duke I shkruar Gurakuqit me një vendosmëri bindëse se ‘’Kini
në dorë fatin e Shqipërisë… bëni detyrën patriotike si ju thotë ndërgjegja’’.
Megjithëse
fjalët e të tjerëve për Gurakuqin dhe veprimtarinë e tij hedhin dritë mbi këtë figurë
të madhe të kombit shqiptar, janë fjalët e tija, ato që në të vërtetë pasqyrojnë
vlerat dhe idealet e larta njerëzore të këtij patrioti dhe njeriu të madh, e të
cilat sikurë dëgjohen edhe sot si tepër aktuale. Në mbledhjen e parë të parlamentit shqiptar
me 21 Janar 1924, i frymëzuar nga nevoja e madhe për ndryshime politike, shoqërore
dhe ekonomike, Gurakuqi iu drejtua anëtarve të kuvendit duke thënë se si përfaqsues
të popullit, ‘’populli na ka tregue
edhe udhën që do të ndjekim. Populli na
thotë: Ky jam, këto nevoja kam, pra mbas
dëshirës sime, mbas nevojave të mia, mbas zakoneve që kam, bani ligjet
themelore që të mund të rroj i lirë dhe i lumtur si shqiptar.’’
Për më tepër,
në këtë 100-vjetor të pavarësisë së Shqipërisë, fjalët e tija edhe sot tingëllojnë
si largpamse e bujare dhe si të tilla duhet të shërbejnë sot dhe në të ardhmen,
për të mbajtur gjallë kujtimin e veprës së tij të madhe në dobi të kombit
shqiptar.
''...Nuk
asht sot dita të përmendim nepër sa të liga ka shkuar Shqipënia në këtë mot të gjatë
e sa ka vuar e po vuan akoma; dua vetëm të shtoj se ne këtë ditë fatbardhë, që do
të mbetet e paharrueshme në kujtimet e shënjta të kombit tonë, lipset që zemrat
e të gjithë shqiptarëvet të lidhen, të bashkohen, të bahen një.
Duke
kujtuar e duke kremtuar ditën e sotshme duhet të përsëritim prapë besën që i
dhamë shoqishoqit vitin që shkoi; e duke sjellun përpara sysh rreziqet e tmerëshme,
që i vareshin Atdheut përmbi krye, e shpëtimin tonë të çuditshëm, t'a forcojmë dashuninë
e vëllezëninë e t'i japim dorën njëni tjatrit për të mbajtun, për të rritun, për
të shtuar mvehtësiën e Shqipënisë sonë të dashun.
“Ta dijmë
mirë se çarjet, zihjet, anmiqësitë tona na turpërojnë përpara Evropës, e cila
vitin që shkoi nxitoi duke njohun me një herë mvehtësiën tonë; u shtojnë rreziqet
vëllëzënvet tanë të mjerë, që ditë më tjatrë po presin të lirohen nga zgjedha
greke e të bashkohen me ne; e ma tepër u thyejnë zemrën atyne fatzesve, që patën
rrezikun e math të mbeten jashtë Shqipënisë së lirë.''
(Marrë tekstualisht
nga Luigj Gurakuqi: ''Mvehtësia e Shqipëniës'', 1913)
Në një artikull
që Gurakuqi kishte shkruar në Paris në prag të 28 Nëntorit 1919, e në të cilin
duket se ai i bën thirrje pikëspari vetvetes por dhe të tjerëve që të reflektojnë,
por këjo është edhe një thirrje e sinqertë vëllazërore, nga ana e tij, që fatet
e Atdheut të jenë mbi të gjitha, një thirrje që çuditërisht është gjithnjë aktuale. Ai shkruante:
''E
kremtja e 28 Nandorit duhet të jetë për ne të gjithë, jo vetëm një ditë gëzimi
e dëfrimi, por edhe një ditë pendimi në të cilën të mbledhim mendjen e të bajmë
shqyrtimin e vetdijes sonë. Në këtë ditë,
duhet të vemë të gjithë dorën në zemër e të pyesim veten tonë nëse e kemi bamun
gjithkund e gjithmonë detyrën që kishim përpara Atdheut. T'i tregojmë pa turp e t'i njohim fajet
tona, të harrojmë hidhnimet e anmiqësitë që na ndajnë, t'i japim vëllaznisht
dorën njani-tjetërit e të betohemi mbi besën e gjyshave tanë se sot e mbrapa do
të përpiqemi me të vërtetë për të mirën e Atdheut, për lulëzimin e kombit, për
nderin e flamurit tonë.''
Vet Luigj
Gurakuqi, kishte shkruar se, “Një popull që nderon burrat e vet, një popull që pavdekëson
kujtimin e tyne, jo vetëm ndër faqet e historisë, por edhe mbi rrasa e në monumente,
ai popull tregon se ka ndërgjegje, se ka ndiesi të holla, se njeh miradijen e
ka dëshirë me u sjellun e me u drejtuem mbas shembullit të të Mëdhejvet të vet.’’
Luigj
Gurakuqi ishte dhe mbetet njëri ndër të Mëdhejtë e kombit shqiptar. Fjalët e
Luigj Gurakuqit flasin vet, jo vetëm për periudhën që ai jetoi, por mund dhe duhet të shërbejnë si një fuqi frymëzuese
për të gjithë në këtë 100-vjetor të pavarësisë.