Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Zgjedhjet në SHBA dhe politika e jashtme
E merkure, 25.07.2012, 06:39 PM
ZGJEDHJET
PRESIDENCIALE DHE POLITIKA E JASHTME AMERIKANE
Nga Frank Shkreli
Këtë verë
me vapë, fushata për president këtu në Shtetet e Bashkuara ka arritur kulmin për
nga ashpërsia dhe agresiviteti i sulmeve midis kandidatëve të dy partive
kryesore për president, demokratit Barak Obama dhe republikanit Mit Romni. Deri tashti, pothuaj pa ndërprerje, debati
midis dy kandidatëve dhe fushatave të tyre është përqëndruar kryesisht mbi
ngadalësimin e veprimtarive ekonomike, mbi deficitet buxhetore dhe mbi masat që
duhen marrë për krijimin e punëve të reja për miliona amerikanë të papunë, që llogaritet
të jenë 8,2 për qind të forcës punëtore.
Me përjashtim kur vendi ishte në luftë, shëndeti i ekonomisë pothuaj
gjithmonë ka vendosur fituesin e zgjedhjeve presidenciale, pasi është ekonomia
ajo që mbi të gjitha preokupon familjet amerikane. ''Është ekonomia, o i trashë'', është fraza
që u bë e famëshme gjatë fushatës së suksesshme presidenciale të Presidentit
Bill Klinton më 1992. Ka të ngjarë që gjëndja
e rëndë ekonomike me të cilën përballen
shumë familje amerikane të jetë çështja kryesore që preokupon shumicën e
amerikanëve në këtë vit zgjedhjesh presidenciale dhe jo sigurimi kombëtar
ose politika e jashtme në përgjithësi, përfshirë
terrorizmin, luftën në Afganistan, krizën financiare në Evropë, Sirinë, e tjera.
Megjithkëtë,
duket se ketë javë, Obama dhe Romni ia kanë dedikuar përqëndrimin e fushatës së
tyre,politikës së jashtme dhe asaj ushtarake.
Të hënën, Presidenti Obama mbajti një fjalim në kuvendin e Veteranëve të
Luftërave Jashtë vendit, gjatë të cilit ai sulmoi ashpër kredencialet e politikës
së jashtme të kandidatit republikan Romni.
Presidenti Obama iu përgjigj drejtë për drejtë akuzës që ka bërë fushata
e kandidatit Romnit ndaj politikës së jashtme të Presidentit Obama, se gjatë administratës
së tij, Amerika ka pësuar rënje dhe humbje të influencës së saj anë e mbarë botës.
Presdienti Obama u tha veteranëve se ''Nëqoftse
dikush përpiqet t'u bind ju se madhështia e këtij vendi ishte në të kaluarën,
se Amerika është në rënje, ju thuajuni atyre se ashtu si edhe shekulli i 20-tët,
edhe shekulli 21 do të jetë gjithashtu një shekull tjetër i madh për Amerikën.'' Presidenti Obama tha në kuvendin e veteranëve
se si komandant i forcave të armatosura, presidenti u ka borxh forcave të armatosura
dhe kombit që të ketë një plan të përpiluar, e ky plan sipas tij, duhet të ''përfshijë
vendosmërinë jo vetëm për të filluar luftërat nëqoftse është e nevojshme, por
edhe aftësinë për t'u dhënë fund atyre luftërave.''
Fushata e
Mit Romnit qe e gatëshme me sulmet e saj ndaj fjalimit dhe politikës së jashtme
të administratës së Presidintit Obama, duke thënë se ''Presidenti Obama medon
se vizita në një vend aleat të ngushtë (Izraelin) në Lindjen e Mesme është e
parëndësishme, se Hugo Çavezi i Venezuelës nuk përbën ndonjë kërcnim serioz, se
përgjigjëja e duhur ndaj Rusisë është që t'i premtoj asajë më shumë fleksibilitet
në shkëmbim për t'i dhënë atij një hapësirë më të madhe para zgjedhjeve të Nëntorit.'' Fushata e kandidatit republikan për
president, duke reaguar ndaj fjalimit të Presidentit Obama në kuvendin e
veteranëve të Amerikës, deklaroi gjithashtu se ''është e qartë se politika e
jashtme e presidentit Obama është e hutuar, jo efektive dhe është një politikë që
ka dobësuar influencën e Amerikës në çdo rajon të botës.'' Sipas deklaratës së fushatës
presidenciale të Mit Romnit, ''Governatori Romni i dallon mirë aleatët nga kundërshtarët
që duan të na sfidojnë. Ai do të përkrahë
aleatët dhe do të rivendosë fuqinë e Amerikës dhe në të njëjtën kohë është i
vendosur të mbrojë interesat dhe vlerat tona anë e mbanë botës'', përfundon
deklarata e fushatës së Mit Romnit.
Një ditë më
vonë, edhe kandidati republikan për president Romni, foli në kuvendin e veteranëve
duke thënë se, “Beson me gjithë shpirt në madhështinë e këtij vendi. Mua nuk më turpëron fuqia e Amerikës. Unë jam krenar se gjatë gjithë historisë,
fuqia e jonë ka vendosur drejtësinë aty ku zotëronte tirania, paqën aty ku
kishte konflikte dhe shpresën aty ku mbizotëronte dëshpërimi….Unë besoj se
vendi ynë është fuqia më e madhe që ka njohur ndonjëherë bota, për të bërë mirë
në këtë botë --dhe se bot ka nevojë për influencën tonë, tani më shumë se
kurdoherë tjetër…Unë besoj me pasion se ky shekull duhet të jetë një shekull i
Amerikës’’, u tha Mit Romni veteranëve të Amerikës.
Ndërkaq,
Miçellë Flornoj, një ish zëvendës-Sekretare për Politikën e Mbrojtjes i tha
gazetës USA Today se nga pikëpamja e saj, ''është e qartë se ç'prej zgjedhjes së
Presidentit Obama katër vjetë më parë, ai ka qenë i sukseshsëm në ringalljen e
aleancave, sidomos në Evropë dhe se ai ka forcuar rolin e Shteteve të Bashkuara
anë e mbanë botës.''
Është bërë
si traditë që kandidatët për president të Shteteve të Bashkuara të vizitojnë Evropën
para zgjedhjeve të Nëntorit për të treguar se janë të aftë të merren edhe me
marrëdhënjet e jashtme duke u takuar me udhëheqës të vendeve të ndryshme. As sivjet nuk mund të ishte ndryshe. Mit Romni mësyn drejtë Evropës. Deri diku edhe në përgjigje të kritikave të fushatës
së Presidentit Obama se Mit Romni nuk ka përvojën e nevojshme në fushën e në politikës së jashtme, sidomos përsa i përket
Lindjes së Mesme dhe marrëdhënjeve me Rusinë, kandidati i republikanëve Mit
Romni, i cili po përpiqet të bëhet ''udhëheqsi
i botës së lirë'', viziton këtë javë Britaninë e Madhe, Poloninë dhe Izraelin,
vizitë këjo që media patjetër do ta krahasojë me vizitën që pat bërë kandidati
Barak Obama në Gjermani katër vjetë më parë, ku u prit nga dhjetëra mijëra veta
në Berlin. Vizita e Mit Romnit këtë javë
në Evropë nuk do të jetë e tillë dhe nuk do të tërheqë dhjetëra mijëra veta.
Por i
vetdijshëm se disa sondazhe tregojnë se ai përballet me disa sfida për të bindur
amerikanët se ai është kandidati më i mirë për të udhëhequr politikën e jashtme
amerikane, Mit Romni po viziton vendet që ai i konsideron si aleatë të ngushtë të
Amerikës, duke filluar me Britaninë e Madhe ku do të takohet me udhëheqsit më të
lartë britanikë dhe do të marrë pjesë në hapjen e lojërave olimpike. Poloninë do ta vizitojë i ftuar nga ish
presidenti Lek Valesa, e ku do të ketë mundësi të diskutojë edhe për marrëdhënjet
me Rusinë, të cilën Mit Romni e ka cilësuar, kohë më parë, si ''armikun
gjeopolitik numër një'' të Shteteve të Bashkuara. Edhe në Izrael, kandidati republikan për
president, do të takohet me udhëheqsit më të lartë të vendit, përfshirë presidentin
dhe kryeminsitrin izrealit, si edhe kryeministrin e Autoritetit Palestinez, dhe
udhëheqës të tjerë. Gjatë vizitës në Izrael
ai do të mbajë një fjalim me rëndësi mbi gjëndjen në Lindjen e Mesme.
Megjithëse
fituesi dhe humbësi në zgjedhjet presidenciale, historikisht, vendoset nga
politika e mbrendshme, si çeshtjet ekonomike dhe të punësimit, Drejtori
Ekzekutiv i institutit Forajn Polisi Inishativë, Xhejmi Flaj thotë se udhëtimi
i Mit Romnit në Evropë do të sjellë patjetër vëmendjen ndaj disa çeshtjeve të politikës
së jashtme dhe të sigurisë, e që deri tani nuk kanë qenë prioritet i asnjërës
fushatë. Ai i tha se ''Populli amerikan
duhet të dijë se (në Nëntor) zgjedhë komandantin e forcave të armatosura dhe jo
vetëm dike që do të ndreqë ekonominë. Unë
jamë gjithmonë i shqetuar'', shtoi ai, ''kur gjatë fushatës për president nuk
zhvillojmë një debat të vërtetë dhe domethënës në lidhje me sigurimin kombëtar. Ne kemi nevojë urgjente të kemi një dialog'',
të tillë në lidhje me politikën e jashtme dhe të sigurimit kombëtar, tha ai.
Ka mundësi
që vizita e Mit Romnit në Evropë dhe në Lindjen e Mesme të mos ketë asnjë sukses ose arritje nga e cila ai të mund të pëfitojë si kandidat
për president të Shteteve të Bashkuara. Megjithëkëtë ajo duhet të mirëpritet si një ngjarje
-- që të pakën këtë javë -- fushata për president këtu në Shtetet e Bashkuara
po përqëndrohet kryesisht mbi politikën e jashtme dhe të sigurisë kombëtare të presidentit
Obama gjatë katër vjetëve të kaluara. Dhe
në të njëjtën kohë ajo po nxitë debate në media dhe në qendra akademike --mbi alternativat që paraqet kundërshtari i
tij, kandidati republikan për president Mit Romni, duke mundësuar kështu
votuesit amerikanë të kenë një ide më të mirë se cili prej dy kandidatëve për
president -- Barak Obama apo Mit Romni – është kujdestar më i mirë i sigurimit
kombëtar dhe i politikës së jashtme i të
vetmes supër fuqi në botë sot.