Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Amerika kujton Viktimat e Komunizmit Botëror
E marte, 19.06.2012, 09:32 PM
AMERIKA KUJTON VIKTIMAT E KOMUNIZMIT BOTËROR
Nga Frank Shkreli
Javën që kaloi
Fondacioni për Kujtimin e Viktimave të Komunizmit me qëndër në
Kryetari
i Fondacionit Lee Edwards pas një minutë heshtje, hapi ceremoninë vjetore për të
kujtuar viktimat e komunizmit dhe sakrificat e tyre. Në ceremoni morën pjesë diplomatë
të huaj, përfshirë për herë të parë edhe përfaqsues të ambasadës shqiptare në Uashington,
organizata civile si Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Shtëpia Shqiptaro-Amerikane
e Lirisë dhe udhëheqës amerikanë, republikanë e demokratë dhe përfaqsues prej më
shumë se një dyzinë vendesh ish-komuniste.
Në frymën e mirëkuptimit dhe të qytetërimit politik, fondacioni kishte
ftuar si folës kryesor një republikan dhe një demokrat -- ish-sekretarin
amerikan të mbrojtjes, zotin Donald Rumsfeld dhe zonjën Annette Lantosh,
bashkshorten e ish-kongresistit demokrat Tom Lantosh nga Kalifornia.
Folësit
theksuan traumat nepër të cilat kanë kaluar
dhe po kalojnë miliona njerëz anë e mbanë botës nën thundrën e diktaturës
komuniste. Zonja Lantosh foli rreth
trashëgimisë së bashkshortit të saj si edhe për vështirsitë që familja e saj
kishte ndeshur në Hungarinë komuniste. Ajo
theksoi se ''çdo njeri ka të drejtë të jetë i lirë dhe çdo njeri e ka për detyrë
të mbrojë lirinë e të tjerëve.'' Ajo u
kujtoi gjithashtu të pranishëmve se regjimet totalitare janë edhe sot një shqetësim
serioz për të gjithë.
Ndër folësit
e ditës ishte edhe Kryetari i Ligës Shqiptaro-Amerikane, ish-kongresisti me
origjinë arbëreshe, Xho Dioguardi, i cili tha se Shqipëria duhet të pëballet me
të kaluarën e saj komuniste dhe i bëri thirrje qeverisë shqiptare që të ''sjellë
demokraci të vërtetë në Shqipëri duke u kërkuar zyrtarisht falje viktimave të komunizmit
dhe familjeve të tyre, duke ngritur një komision të së vërtetës dhe të pajtimit,
duke hapur arkivat komuniste, ashtuqë të fillojë një proces i cili do të shërojë
plagët dhe do të rivendosë besimin tek qeveria dhe udhëheqsit e saj.'' Mohimi i së kaluarës komuniste shqiptare, tha
Dio Guardi, nuk ka sjellur as drejtësi as shërim të plagëve, por mund të thuhet
se ka vazhduar vuajtjet e tyre.
Fondacioni
për Kujtimin e Viktimave të Komunizmit i akordoi këtë vit, ish-Ministrit
amerikan të Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, ''Medaljen Truman-Reagan të Lirisë'', që
mban natyrisht emërin e dy ish-presidentëve amerikanë, Harry Truman e Ronald
Reagan -- njëri demokrat e tjetëri republikan-- e që ishin të njohur për anti-komunizmin
e tyre gjatë luftës së ftohët. Medalja e
Lirisë i akordohet çdo vit një personi i cili gjatë jetës e karjerës së tij ka
dalluar vetën me vepra në favor të lirisë dhe kundër komunizmit e tiranisë. Fituesit e mëoparshëm të kësaj medalje kanë qenë
ish-Konresmeni Tom Lantosh, Lek Walesa, Vaclav Havel, Elena Bonner, Papa Gjon
Pali i Dytë, William Buckley, senatorët Henry Jackson, Jesse Helsm, Joseph
Lieberman dhe nën-kryetari i Dhomës së Përfaqsuesve në Kongres, Steny Hoyer. Zoti Rumsfeld, në kapacitetin e fituesit të medaljes
së Lirisë këtë vit, foli mbi rëndësinë e përkujtimit të viktimave të komunizmit
si edhe të sakrificave të tyre dhe u kërkoi të pranishëmve që të mos harrojnë të
gjithë ata që anë e mbanë botës jetojnë gjithnjë nën thundrën e regjimeve
totalitare.
''Ne nuk
do t'i harrojmë viktimat e komunizmit dhe as sakrificat e tyre'', tha Zoti
Rumsfeld. Duke folur para monumentit pranë Kongresit amerikan, dedikuar
viktimave të komunizmit, Zoti Rumsfeld vazhdoi duke thënë se komunizmi ishte përgjegjës,
më shumë se çdo lëvizje tjetër në historinë e njerëzimit, për vrasjet e miliona
njerëzve, dhe shtoi se ''ne nuk duhet të harrojmë se gjithnjë miliona njerëz anë
e mbanë botës jetojnë nën thundrën e tiranisë dhe presin prej nesh e shikojnë tek
ne për t'i ndihmuar ata. Shpresoj që Shtetet e Bashkuara të shërbejnë gjithmonë
si një pishtar drite për botën, dhe lutem që të kemi udhëheqës që e kuptojnë këtë
gjë.''
Duke
folur, pasi mori Medaljen e Lirisë ''Truman-Reagan'' nga Fondacioni për
Kujtimin e Viktimave të Komunizmit, ish-sekretari amerikan i mbrojtjes,
Rumsfeld tha se ''toka dhe të gjitha vendet e botës e shohin se shtetet ku
populli gëzon një sistem të lirë politik dhe ekonomik, në ato vende populli
jeton më mirë se në vendet ku nuk mbizotëron liria.'' Duke iu përgjigjur
pyetjes nga korrespondenti Beqir Sina i gazetës Bota Sot në lidhje me ish-regjimin
komunist në Shqipëri, Zoti Rumsfeld u përgjigj: " Unë kam qenë për një kohë
të gjatë në shumë prej këtyre vendeve komuniste, kur kam shërbyer si ambasador
për NATO-n gjatë viteve 1970. Mbaj mend që ato regjime ishin të forta, të egër,
dhe të vendosur që të përjetësonin veten në ideologjinë e tyre. Shqiptarët, tha ai, kanë një dëshirë të zjarrtë
e të natyrshme për të qenë të lirë. Ne
kemi parë në të gjithë botën, të gjitha regjimet komuniste se si kanë rënë një nga
një dhe njerëzit arritën të gjejnë mënyra për të jetuar në sistemet e lira
demokratike, sistemet e lira politike dhe sistemet e lira ekonomike në dobi të tyre,
përfshirë Shqipërinë".
Folës të tjerë theksuan përpjekjet e vazhdueshme sot të aktivistëve
të të drejtave të njeriut kundër shtypjeve dhe mohimit të lirisë anë e mbanë botës,
përfshirë Kinën komuniste, ndër të tjerë
edhe fatin e disidentit të vërbër kinez Chen Guanchen, i cili kohët e fundit u
detyrua të largohej nga Kina për në Shtetet e Bashkuara, për veprimtaritë e tij
pro-demokratike. U fol gjithashtu edhe për
humbjen e mijëra vjetnamezëve të cilët u fundosën gjatë përpjekjeve për tu arratisur nga Vjetnami i jugut nepërmjet
detit, pas brutalitetit që ndërmorën
kundër popullsisë civile, komunistët vjetnamezë kur morën kontrollin e
Vjetnamit të Jugut në fillim të 1970-ave.
Dedikimi
i përmendores në kujtim të më shumë se 100-milionë viktimave të komunizmit anë e
mbanë botës më 12 Qershor 2007 ishte një date e rëndësishme pasi është e njëjta
ditë kur Presidenti Reagan mbajti fjalimin e tij me 12 Qershor 1987 para portës
Banderburg të Berlinit, duke u kërkuar komunistëve shëmbjen e Murit të Berlinit.
Ish
presidenti George Bush, i cili pat mbajtur fjalim me rastin e dedikimit të përmendores
më 2007 kushtuar viktimave të komunizmit, tha se ishte me vend që kryeqyteti i
Shteteve të Bashkuara, Washingtoni të kishte një memorial që të shërbejë si ndërgjegje
e botës ndaj më shumë se 100-miliona njerëzve të vrarë nga komunistët anë e
mbanë botës.
Bota
gjithnjë mbanë mend emërat e diktatorëve komunistë, si Lenini, Stalini, Ho Chi
Min, Mao Tse Tung, Enver Hoxha e Pol Pot, e shumë të tjerëve, por fatkeqsisht hollësitë dhe trashëgimia
kriminale e këtyre despotëve po zhduket dal nga dalë dhe me qëllim. Megjithëse në shumë vende ish-komuniste nuk ka ndonjë ditë zyrtare për të kujtuar
viktimat e komunizmit, është me vend që njëherë
në vit të mblidhen përfaqsues nga e gjithë bota për të kujtuar viktimat e
komunizmit ndërkombëtar dhe sakrificat e
tyre ekzaktërisht në Washington, kryeqytetin e vendit që luftoi dhe më në fund
fitoi luftën kundër komunizmit botëror.