Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Ndërroi jetë Majk Ualles - gazetar amerikan me famë botërore
E enjte, 12.04.2012, 07:57 PM
NDËRROI
JETË MAJK UALLES – GAZETAR AMERIKAN ME FAMË BOTËRORE
Nga Frank
Shkreli
Majk
Ualles (Mike Wallace), gazetari veteran dhe njëri prej korrespondentëve më të dalluar
gjatë disa dekadave në Shtetet e Bashkuara, ndërroi jetë të Djelën në moshën 93
vjeçare. Pjesën më të madhe të karjerës së tij ai e kaloi në rrjetin e
televizionit amerikan CBS, si korrespondenti dhe intervistuesi kryesor i
programit të famshëm "60 Minuta'', i cili edhe sot mbetet programi më popullor
lajmesh në television. Gjatë një karjere prej pothuaj shtatë dekadash, Majk
Ualles intervistoi me qindra përsonalitete të shquara botërore dhe amerikane, përfshirë
presidentë e kryeministra, mbretër, gjeneralë, shkrimtarë e artista, yje të fushave
të ndryshme, përfshirë edhe Holivudin. Por ai nuk linte pas dore as njerëz më pak
të famshëm, por të dyshimtë për veprimtaritë e tyre dhe për mënyrën e
grumbullimit të pasurisë. Për të gjithë ata që kishin diçka për të fshehur nga
publiku, pa marrë parasyshë së çfarë pozite kishin në administratën qeveritare
e shtetërore ose në shoqëri në përgjthësi, fjalët më të tmershme që mund të dëgjonin
ishin, ''Ka ardhur Majk Uales për tu intervistuar.''
Rrjeti
televiziv CBS për të cilin punoi aq gjatë, në njoftimin me rastin e vdekjes se
tij, tha se gazetari Ualles kishte dhënë një ndihmesë të jashtzakonshme për
gazetarinë dhe e cilësoi atë si ''një forcë me ndikim të industrisë televizive''. Si korrespondenti kryesor i programit
popullor televiziv ''60 Minuta'', Majk Ualles admirohej për stilin dhe teknikën
e tij por edhe ia kishin frikën ata të cilët i intervistonte për stilin e tij të
ashpër e të pamëshirshëm prej prokurori, si të thuash. Kryetari i rrjetit televiziv CBS, Zoti Xhef
Fejger në pronocimine tij me rastin e vdekjes së të ndjerit Ualles, tha se pa
Majk Ualles nuk do të ekzistonte programi ''60 Minuta'', duke shtuar se
''thjeshtë nuk kishte ndonjë korrespondent tjetër televizioni me aq shumë talente. Pothuajse nuk ishte i rëndësishëm subjekti që
mbulonte ai, ajo që kishte rëndësi ishte fakti se çfarë pyetjesh bënte ai'',
personave që intervistonte.
Historiani
i televizionit Ran Sajmon komentoi për gazetën Uashington Post se Majk Ualles,
''hapi rrugën e mënyrës se si duhet të bëhet gazetaria investigative në televizion
duke gjurmuar për fakte dhe duke bindur, në këtë mënyrë, shikuesit dhe dëgjuesit
të cilët idnetifikoheshin me të dhe i besonin atij, se ai ishte një njëri që përfaqësonte
interesat e tyre.''
Ai
admirohej , por edhe kritikohej për stilin e tij të ashpër të intervistuarit,
stil i cili mund të trondiste dhe frikësonte figurat politike e publike dhe të sfidonte diktatorët
më të fuqishëm, anë e mbanë botës. Kolegu
i tij në programin ‘’60 Minuta’’, Stiv Kroft
i tha agjencisë së lajmeve Asociejted Pres se Majk Ualles ishte
intervistuesi më i mirë në televizion… dhe se përveç Eduard Murrov (një ikonë tjetër e gazetarisë amerikane) nuk
besoj ka njeri tjetër që të ketë patur influencë më të madhe në përcaktimin e
gazetarisë televizive.’’
Në një intervistë,
Majk Uallese e pat cilësuar mënyrën e
tij të intervistuarit si një “vijë e zbehtë midis sadizmit dhe kuriozitetit
intelektual’’. Dhe se sekreti i suksesit
të intervistave të tija ishte përgatitja më përpara. “Unë jam i armatosur me
faktet kërkimore’’, thoshte ai.
Ndër
figurat e shumëta botërore që intervistoi Majk Ualles ishte edhe Ajatolla
Khomeini më 1979 gjatë krizës amerikano-iraniane, që ishte një intervistë konfrontuese
gjatë së cilës ai e pyeti Khomeinin se ç’mendonte ai për deklaratën e
presidentit egjiptian Sadat, që e kishte quajtur atë të çmendur. Më vonë Ualles intervistoi presidentin rus
Vladimir Putin duke e sfiduar atë me deklaratën se në Rusi nuk kishte demokraci
të vërtetë. Ai ishte gjithashtu i ashpër
edhe ndaj sjelljeve private dhe publike të politikanëve amerikanë të të gjitha
ngjyrave. Gjatë skandalit Uotergejt në fillim
të 1970-ave ai pat intervistuar këshilltarin
e lartë të presidentit Nikson dhe i lexoi atij një listë të gjatë akuzash për
krime të ndryshme të administratës. Të gjitha këto, i tha ai këshilltarit të lartë
të Shtëpisë së Bardhë, nga administrata
e Riçard Niksonit që pretendon të jetë zbatuese dhe mbrojtëse e ligjit.
Me një rast
ai u pyetë se megjithëse kishte intervistuar me qindra personalitete botërore,
a i kishte mbetur ndonjë personalitet që do të dëshironte ta kishte
intervistuar. Ai u përjgegj pa mëdyshje
duke thënë se i kishte mbetur merak të intervistonte
Papa Gjon Palin e Dytë, pasi sipas tij, ai ‘’ishte një njeri i renesancës,
atletë, dramaturg, akademik, një person me mendime kontraversiale mbi çështje
shoqërore e shpirtërore, por nuk munda kurrë të siguroja një intervstë me të.’’
Majk Ualles ishte i famshëm, siç ishin të famshëm
edhe figurat dhe personalitetet botërore që ai intervistonte. Gjatë karjerës së
tij të gjatë, ai fitoi çmimet më të larta të industrisë gazetareske e
televizive dhe siguroi reputacionin e
një gazetari i cili kërkonte të vërtetën
e fshehtë dhe pasi e zbulonte, ua paraqiste
atë afër 40-milionë shikuesve çdo të Djelë mbrëma, për pothuaj një gjysëm
shekulli. Sipas Barbara Uolters, një tjetër
intervistuese me famë dhe konkurrente në rrjetin televiziv ABC tha në një program
kushtuar Majk Ualles se, ’’intrevistuesi më i mirë në televizion – në të kaluarën,
tani dhe ndoshta edhe në të ardhmen, është Majk Ualles.’’
I ndjeri
Majk Ualles ishte unik në shumë pikpamje.
Në mbrojtje të parimeve të tija, ai luftonte edhe kolegët madje edhe punëdhënsin,
pasi ai besonte me pasion se edhe entet mediatike dhe gazetarët në përgjithësi
duhet të zbatojnë të njëjtat standarde të përgjegjësisë dhe të llogarisë civile,
që ata kërkojnë nga politikanët e të tjerë, aktivititetin e të cilëve e mbulojnë
rregullisht. Ai kërkonte pra, përgjegjësi
e kurajonga të gjithë, përfshirë edhe median, prandaj besohej për ato që thoshte
dhe gëzonte reputacion të gjithanshëm.
Me gjithë
kundërshtimet që shkaktonte nga hera në herë, si gazetar dhe komentator i
televizionit dhe megjith agresivitetin e tij që shpesh ai mund të frikësonte kolegët me të cilët
punonte dhe të gjithë personalitetet që ai
i intervistonte, gazetaria dhe bota në përgjithësi
është në një gjëndje më të mirë për arsye të përpjekjeve të tija të pakursyeshme
për të zbuluar të vërtetën për të mirën e publikut.