E hene, 14.10.2024, 04:10 PM (GMT+1)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Përvjetori i Rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës

E hene, 20.02.2012, 09:02 PM


PËRVJETORI I RRËZIMIT TË BUSTIT TË ENVER HOXHËS

 

Nga Frank Shkreli

 

Më ka takuar që në shumë raste, në biseda të ndryshme me individë,  dhe pjesëmarrës në ngjarjet dramatike të para 20-vjetëve në Shqipëri, të bëhet pyetja se cila ishte data ose cili ishte momenti që në të vërtetë shënoi rënjen e komunizmit në Shqipëri?  Siç mund të pritej,  përgjigjet ishin të ndryshme, por për mendimin tim, rrëzimi i bustit të diktatorit komunist Enver Hoxha ishte simboli më domethënës së komunizmi në Shqipëri, siç njihej deri atëherë, kishte  marrë fund.  Ishte fundi, të pakën fundi simbolik, i një tiranie ndaj së cilës, shqiptarët atë ditë shprehën dënimin dhe zemërimin e tyre ndaj sistemit komunist -që autori dhe komentatori i njohur amerikan, Uilliam Bakli e pat quajtur si '' abuzuesi më i keq i lirisë në historinë e njerëzimit''.

 

Edhe sot e kësaj dite nuk më dalin nga mendja fotot dhe filmi që pasqyronin  dhe dokumentonin pjesëmarrjen e mijëra shqiptarëve në sheshin para bustit në Tiranë, si dhe aktiviteti i policisë gjatë asaj proteste, duke shtënë në ajër, dhe duke shpërndarë gaz lotsjellës kundër turmës.  Por skena më e tmershme vizive mu duk se ishte vënja në veprim dhe ngacmimi i qenëve kundër protestuesve.

 

Enver Hoxha dhe regjimi i tij kishin shumë ''armiqë'' të mbrendsëm dhe të jashtëm.  Por viktimat e tij ishin ''armiqët e mbrendshëm'', armiqët e klasave, mijëra prej të cilëve u vranë, e shumë prej tyre vdiqën në rrjetin e gjërë të kampeve të punës e të përqendrimit anë e mbanë Shqipërisë.  Ndërkohë, ai nuk kursente as aleatët e tij, ish-ndihmësa, diplomatë e ushtarakë, si edhe anëtarë të Partisë Komuniste, shumë prej  të cilëve gjithashtu u vranë ose vdiqën edhe ata nepër kampe të përqendrimit.

 

Përvjetori i rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës, është gjithashtu një ditë që duhet mbajtur mend dhe përkujtuar si rrëzimi i bustit të një diktatori që i kishte shpallur luftë popullit të vet, si rrëzimi i një monumenti vrasjesh të njerëzve të pafajshëm, si rrëzimi edhe i një ideje që përfaqësonte diktatorin dhe regjimin, i cili për pothuaj 50-vjetë përdori dhunën shtetërore, për të kryer krime kundër njerëzimit dhe më në fund, të konsiderohet si rrëzimi simbolik i regjimit komunist që monopolizonte tmerrin dhe dhunën mbi jetën politike e shoqërore të Shqipërisë.  Por, në të njëjtën kohë, në këtë përvjetor të rëndësishëm historik, le të mbahen mend e të kujtohen jo vetëm tmerret dhe krimet e këtij sistemi, por edhe viktimat (të gjallë e të vdekur) të regjimit komunist, ata të cilët me kurajon dhe trimërinë e tyre të pashoqët njerëzore e civile dhe me besimin e tyre të fortë në të vertetën dhe në dinjitetin njerëzor,qëndruan barrikadë kundër një ndërmarrjeje kriminale të një klike komuniste, për pothuaj një gjysëm shekulli.

 

Nga hallet e travajët e jetës së sotëme post-komuniste si edhe nga lufta politike për pushtet, jo vetëm që duket se sikur brutaliteti i komunizmit dhe i regjimit hoxhist është harruar, por fatkeqsisht nostalgjikët e atij sistemi,  me libra e botime të ndryshme përpiqen të bindin brezin e sotëm dhe të ardhëshëm duke e paraqitur  atë sistem gjithnjë si zgjidhjen e problemeve të kohës, megjith koston njerëzore dhe materiale.  Prandaj është e nevojshme që në këtë përvjetor të rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës, dhe me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, të fillojë një debat që në vend ku ishte busti i diktatorit, të ndërtohet një monument i viktimave të filozofisë dhe politikës komuniste, e cila kishte premtuar të zhdukte dallimet klasore, por që në të vërtetë zhduku fizikisht klasa të tëra njerëzish të pafajshëm, fatkqesisht përfshirë edhe ajkën intelektuale të kombit shqiptar.

 

Ndërtimi i një monumenti viktimave të komunizmit në Shqipëri, jo vetëm që do të nderonte ata për vuajtjet dhe sakrificat e tyre, por do tu kujtonte përgjithmonë brezave të ardhëshëm heroizmat e këtyre dëshmorëve të denjë të kombit shqiptar dhe do të përbënte një testament moral, politik dhe patriotik në këtë përvjetor, se jo vetëm që busti i Enver Hoxhës nuk ekziston më, por edhe hija e tij është zhdukur nga jeta politike dhe shoqërore e vendit.  Një monument i viktimave të komunizmit  në Tiranë, do të shprehte, njëherazi, edhe vullnetin serioz politik e shoqëror, mbarëkombëtar - se si komb liridashës, shqiptarët  nuk do të lejojnë që një sistem si komunizmi, ose një sistem i ngjashëm me të,    mos kërcënojë dhe të mos rreizkojë kurrë më kombin shqiptar.



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora