Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Partneriteti kundër korrupsionit
E shtune, 21.04.2012, 02:17 PM
PARTNERITETI KUNDËR KORRUPSIONIT
Nga Frank Shkreli
Udhëheqës
botërorë dhe delegatë nga të paktën 53 vende do të mblidhen këtë javë në qytetin
Brasilia të Brazilit ku do të marrin pjesë në mbledhjen vjetore të organizatës
ndërkombëtare ''Partneriteti për Qeverisje të Hapur'' dhe transparente. Këjo lëvizje është një iniciativë ndërkombëtare
për të inkurajuar qeveritë e ndryshme që të praktikojnë transparencën në shpenzimet
qeveritare, pjesëmarrjen e publikut në punët e qeverisë si edhe nenvijon të drejtën
e publikut për të qenë i informuar mbi veprimet qeveritare. Sipas njoftimit të organizatës ''Partneriteti
për Qeverisje të Hapur'' kundër korrupsionit, mbi 5000 delegatë do të mblidhen
për dy ditë -- të Martën dhe të Mërkurrën --për të biseduar mbi mjetet dhe
teknologjitë e reja që do të vihen në dispozicion për të ndihmuar qeveritë e
ndryshme anë e mbanë botës, të zgjidhin problemet shekullore të (mungesës) së qeverisjes
transparente dhe korrupsionit dhe për të bërë të mundur realizimin e
rezultateve konkrete për shtetasit e tyre.
Në radhët
e delegatëve , sipas njoftimit, përfshihen
përfaqsues të organizatave civile, tregëtare dhe qeveritare, të cilët do të ndajnë
përvojat e vendeve të tyre, duke paraqitur shëmbuj konkret se si transparenca
mund të shpëtojë jetën e njerëzve, se si ajo mund të nxisë rritjen ekonomike
dhe të luftojë korrupsionin e shumë përhapur anë e mbanë botës. Vendet pjesëmarëse do të paraqesin planet e
tyre të veprimit drejtë një transparence më të madhe duke sjellur qeveritë dhe
qytetarët më afër njëri tjetrit. Sipas
mediave të ndryshme pritet që, ndër të tjerë udhëheqës të lartë, në këtë mbledhje
ndërkombëtare të marrë pjesë Presidentja e Brazilit, Dilma Rousseff dhe
Sekretarja Amerikane e Shtetit Hillari Klinton, si edhe dhjetëra ministra të lartë
nga e gjithë bota.
Ministri
Brazilian i kontrollit të shtetit, Jorge Hage tha se rëndësia e këtij takimi të
nivelit të lartë është se ''Këjo mbledhje do të konsolidojë të gjitha nismat e
''Patneritetit për Qeverisje të Hapur'', pasi këjo është një iniciativë me pjesëmarrje
vullnetare, e jo si një detyrim traktatesh ndërkombëtare ose konventash të detyruara,
siç është Konventa Anti-Korrupsion e Kombeve të Bashkuara.'' Ai tha se vendet pjesëmarrëse i kanë paraqitur
tanimë planet e veprimit ose angazhimet e tyre të reja në lidhje me transparencën
qeveritare si dhe të drejtën e qytetarëve për të qenë të informuar mbi
veprimtaritë qeveritare, për vitin që vjen.
Sekretarja
Amerikane e Shtetit, duke njoftuar pjesëmarrjen e saj në këtë takim tha se “Për
Shtetet e Bashkuara, lufta kundër korrupsionit anë e mbanë botës është një prioritet i lartë’’. Ajo shtoi duke thënë se “Ne jemi të interesuar
në pakësimin e varfërisë dhe në nxitjen e rritjes ekonomike, në krjimin e një sigurie,
begatie dhe paqeje më të madhe në mbarë botën. Ne e dimë’’, tha Sekretarja Amerikane e
Shtetit “se korrupsioni dhe mungesa e
transparencës është si një kancer që prekë dhe dëmton rëndë besimin që populli
duhet të ketë në qeverinë e vet. Korrupsioni
i zë frymën lirisë ekonomike dhe përpinë fondet që duhej të shpenzoheshin për
shërbime kritike të publikut.’’
Jo se në Amerikë
nuk ka korrupsion, sepse edhe këtu ka korrupsion, madje edhe në nivele të larta
të shtetit e të firmave të mëdha. Por
ajo që e dallon këtë vend, është fakti se jo vetëm që ka angazhime serioze në nivele
vendore, shtetërore dhe federale për të luftuar ketë fenomen të zi për këtë vend
dhe për çdo shoqëri tjetër kudo në botë.
Për më tepër, Shtetet e Bashkuara
janë në krye të përpjekjeve ndërkombëtare për të luftuar korrupsionin e formave
të ndryshme anë e mbanë botës. Këto përpjekje
kundër korrupsionit në mbarë botën, ndërmirren kryesisht për arsye të dëshirës
për të krijuar një botë më të sigurt, të begatë dhe në paqë, por ka edhe motive
ekonomike, pasi firmat e ndryshme amerikane nuk do të shkojnë e të investojnë në
një shoqëri ku zyrtarët e niveleve të ndryshme qeveritare përfitojnë nga
pozitat e tyre për t’u pasuruar në kurriz të popullit.
Edhe në Shqipëri
e në Kosovë por edhe në të githa trevat shqiptare, vazhdimisht është shfaqur
shqetsim nga vendorët dhe nga ndërkombëtarët mbi përkeqësimin e korrupsionit në
të gjitha nivelet e shoqërisë. Qytetarët
e thjeshtë shqiptarë kudo janë të mendimit se përveç qeverisë, korrupsion ka
edhe në gjykata, në partitë politike e bile edhe në spitale, shkolla e universitete. Si rrjedhim, këjo sëmundje e quajtur
korrupsion, duhet të luftohet nga të gjithë.
Në Kosovë, presidentja Jahjaga inauguroi kohët e fundit Këshillin Kombëtar
Kundër Korrupsionit, veprimtaria dhe efikasiteti i të cilit mbetet për tu parë.
Por një gjë
duhet të jetë e qartë për të gjithë, se sipas fjalëve të presidentit Obama,
gjatë një vizite në Afrikë kohë më parë,
në lidhje me këtë subjekt, “Asnjë vend nuk mund të krijojë pasuri, nëqoftse udhëheqsit
e tij shfrytëzojnë ekonominë për pasurimin e vetvetes….Njerëzit kudo duhet të kenë
të drejtë të krijojnë një tregëti, ose të arsimohen pa u detyruar të paguajnë ryshfet. Ne kemi përgjegjësinë që të mbështesim ata që
veprojnë në mënyrë të përgjegjëshme dhe të izolojmë ata që nuk veprojnë në këtë
mënyrë….’’
Korrupsioni
është pjesë e natyrës njerëzore, pa marrë parayshë se në cilin vend jetojmë. Por ndryshimi nga një vend në tjetërin, është
niveli i gatishmërisë për të luftuar këtë fenomen në të gjitha veprimtaritë e
jetës shoqërore. Mbledhja e nivelit të lartë
kundër korrupsionit, që po mbahet këtë javë në Brazil, pritet që sadopak të sjellë në vëmendjen publike ndaj problemit
të korrupsionit dhe në të njëjtën kohë të forcojë bashkpunimin ndërkombëtar dhe
partneritetin midis grupeve dhe organizatave të ndryshme civile, jo-qeveritare
nga të gjitha anët e botës në luftën kundër korrupsionit.