E diele, 01.12.2024, 09:27 PM (GMT)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Fjalim me rastin e 101 - vjetorit të Kryengritjes së Malësisë së Madhe

E diele, 15.04.2012, 11:05 AM


FJALIM ME RASTIN E 101-VJETORIT TË KRYENGRITJES SË MALËSISË SË MADHE

3/31/12

 

Le ta marrë vesh Evropa dhe Ballkani se nuk luhet

më me fatin e  shqiptarit

 

Nga Frank Shkreli

 

Është kënaqësi dhe privilegj që gjëndem sonte këtu, jo vetëm për të përkujtuar me këtë darkë e festim, 101-vjetorin e kryengritjes së Malësisë së Madhe por në të njëjtën kohë - në këtë 100-vjetor të pavarësisë së Shqipërisë sivjet - me krenari jemi mbledhur për të lartësuar ngjarjen që i para-priu shpalljes së pavarësisë në Vlorë, më 1912 - e që është ngritja e parë e flamurit kombëtar në trojet shqiptare ç'prej kohës së heroit kombëtar Gjergj Kastriotit - Skënderbe.

 

- Falenderoj nga zëmra Shoqatën Ded Gjo Luli dhe Fondin Humanitar Malësia që na mblodhi sonte që gjithashtu të kujtojmë edhe protagonistin kryesor të kësaj ngjarjeje - Dedë Gjonin - Dedë Gjo' Lulin, i cili pati guximin dhe trimërinë të sfidonte perandorinë osmane dhe kolonializmin e institucioneve të saj.   Sepse në këtë mënyrë, ai, ndryshoi përgjithmonë historinë e kombit shqiptar duke e çuar atë drejtë fillimit eventual të lirisë shoqërore dhe pavarësisë politike.  Vepra e tij dhe e malësorëve mbetet sot e kësaj dite një akt i madh historik e patriotik, që do të kujtohet gjithmonë me krenari frymëzuese dhe si simbol i paharrueshëm i fuqisë morale të malësorëve dhe  të kombit shqiptar kundër pushtuesve të huaj dhe armiqëve të kombit, atëherë dhe sot.

 

-Gjithashtu, në këtë përvjetor, ne e ndjejmë veten kryelartë si malësorë, mbasi herojtë dhe dëshmorët e Kryengritjes së Malësisë së Madhe - kësaj kalaje të patundur arbërore ndër shekuj, ku nderi e burrënia përkundën në të njëjtin djep -janë vëllëzrit e motërat tona, të një gjaku, të një kombi e të një krahine.  Ata, me heroizmin dhe sakrificën e tyre - si gjyshat dhe stërgjyshat tanë nepër shekuj - i ndëjtën besnikë Atdheut, drejtësisë dhe lirisë së Kombit Shqiptar - besës e burrënisë, nderit dhe dinjitetit njerëzor, përballë robërisë shekullore të perandorisë turke dhe armiqëve të kombit shqiptar ndër shekuj.

 

Por merita e madhe e kryengritjes së Malësisë së Madhe, e udhëhequr nga Dedë Gjo’ Luli me malësorë, është se në një mënyrë, ajo konsolidoi dhe i dha hov idesë së Lidhjes së Prizrenit (1878) për një Shqipëri të lirë e të pavarur, për një Shqipëri që mbrenda kufijve të saj do të përfshinte të gjithë  ata që e konsiderojnë veten nipa, stërnipa e mbesa të Gjergj Kastriotit - Skendërbe.

 

Një meritë tjetër e këtyre burrave, është se kryengritësit malësorë i erdhën në ndihmë kombit në çastin kur mendohej se raca shqiptare po jepte shpirt, e ndarë dhe e harruar nga bota perëndimore,  nga ajo botë ku e kishte vendin.

 

Ata i erdhën në ndihmë tokës arbërore,  atëherë  kur dukej se shpresat e shqiptarëve për liri e pavarësi po zhdukeshin dhe kur fqinjtë , lakmues të tokave shqiptare,  nepër kancelaritë e Evropës, bërtisnin duke thënë se nuk ka komb shqiptar, Ded Gjo Luli me malësorët e vet, u tha atyre dhe botës:  pak ma ngadalë, zotërinjë  se këtu  -po -ka komb shqiptar dhe se nuk do të shitet këjo tokë e vjetër.   I tha lahutës mos vajto më, dhe  ngriti flamurin e Gjergj  Kastriotit,  e ri-ngjallli  atë  dhe në këtë mënyrë ndërroi përgjithmonë epokën e Shqiptarit.

 

Lëvizja e kryesuar nga prijsi i Malësisë së Madhe Ded Gjon Luli dallohet gjithashtu edhe nga lëvizjet e tjera kombëtare, pikërisht për nga jehona që  trimëria dhe lufta guximtare  e malësorëve bëri anë e mbanë botës së atëhershme, sidomos Evropës.   Malësorët e vitit 1911, jo vetëm që u bënë simboli i Rilindjes Kombëtare,  por ata ishin edhe dallëndyshet që paralajmëruan pavarësinë,  e cila erdhi një vit më vonë.  Ata ishin lajmëtarët e kombit që i njoftuan botës se toka e Gjergj  Kastriotit kishte zot.

 

Një meritë tjetër e kryengritjes së Malësisë së Madhe është fakti se ajo nuk ishte një ndërmarrje për përfitime të përkohëshme personale, krahinore, ose ideologjike, por ishte një përpjekje për jetë a vdekje - për mbijetesën e kombit shqiptar - dhe si  e tillë kishte qëllime dhe objektiva mbarëkombëtare.

 

Ismail Qemali e pat quajtur Ded Gjo Lulin pushkë të ngrehur të Shqipërisë.  Lufta serioze e malësorëve  menjëherë gjeti ndihmën dhe përkrahjen e Ismail Qemalit e Luigj Gurakuqit, të cilët  të inkurajuar nga lufta e malësorve kundër armikut, shkuan për tu takuar me Dedë Gjonin për të përpiluar Memorandumin historik që,  përmbante ndër të tjera, kërkesat e Malësorëve dhe të  gjithë Shqiptarëve për një Shqipëri me administratë dhe gjuhë e buxhet të vetin.  Mund të ishte ky fillimi i një përpjekjeje, që sot do ta quanim “ndërkombtarizim të çështjes shqiptare.’’

 

Rëndësia e këtij Memorandumi qëndron gjithashtu në faktin se, kërkesat ekspozuan jo vetëm vullnetin e Malësorëve  shumë të vuajtur e të diskriminuar, porn ë të njëjtën kohë pasqyruan edhe dëshirën e të gjithë shqiptarëve për liri e pavarësi.  Ishin malësorët  ata të cilët në emër të kombit shqiptar, i parashtruan botës së atëhershme të  qytetëruar kërkesat e tyre për liri.   Kryengritsit malësorë ishin pra,   jo vetëm përfaqsuesit, por  dhe vitrina e aspiratave të mbarë kombit shqiptar për liri e pavarësi.  Lufta e Malesorëve, 101 vjetë më parë, dhe ngritja e flamurit të Skenderbeut ne Deçiq, u bë symbol i bashkimit të kombit shqiptar dhe i tregoi botës se Shqiptarët kishin një atdhe që donte liri dhe dëshironte dritë për të dalur nga errësira shekullore e robërisë osmane.

 

Si rrjedhojë e kryengritjes së Malësorëve, gazetat anë mbanë Evropës shkruan për shqiptarët si një popull që ishte në prak të lirisë dhe të çlirimit nga zgjedha shekullore e pushtimit turk.  Për më tepër, sipas historianëve, kryengritja e Malësorëve në krye me Ded Gjo’ Lulin, frymëzoi edhe kryengritje të tjera në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, duke çuar më në fund në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë me 28 Nëntor, 1912.

 

Gjatë disa dekadave të fundit, shumë prej nesh jemi dëshmitarë të asaj që – përballë akuzave falso dhe gënjeshtrave të fqinjëve në Ballkan - konsiderohej i nevojëshëm “ndërkombëtarizimi i çështjes shqiptare’’, sidomos të tragjedisë nepër të cilën po kalonte Kosova, por edhe i mbarë kombi shqiptar.  Shumë nipa e stërnipa por edhe mbesa të Ded Gjo Lulit,  disa prej të cilëve mund të jenë sonte këtu, duhet të jenë krenarë – që ashtu siç ndërkombtarizoi Ded Gjo Luli çështjen shqiptare para 101 vjetësh – edhe ata  nepërmjet demonstratave dhe lobingut modern, në qytetet e mëdha anë e mbanë Amerikës ekspozuan trajtimin e keq dhe krimet që po bëheshin kundër shqiptarëve në trojet e tyre në Ballkan, përpjekje këto që më në fund çuan në çlirimin e Kosovës nga aleanca NATO, e prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në një përmirësim të jetës dhe liri më të madhe se kurr më parë në historinë e shqiptarëve.

 

Të jeni krenarë, pasi përpjekjet e kësaj gjenerate të malësorëve këtu në Amerikë, janë pjesë e pandarë e një trashëgimie dhe tradite patriotike që i ka rrënjët morale, parimore dhe atdhetare në kryengritjen e Malësisë  të vitit 1911.

 

Përvjetori i kryengritjes së Malësisë së Madhe i parapri 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë që festohet më vonë këtë vit.  Ky jubile i lavdishëm duhet të jetë, për çdo shqiptar kudo, një rast i shpërthimit patriotik dhe atdhedashurie.  Por duhet të jetë, për mbarë kombin shqiptar, edhe një rast për të reflektuar,  për të përkujtuar dhe për të nderuar veprat, sakrificat  dhe kontributin që kanë dhënë herojtë kombëtarë si Ded Gjo Luli me malësorë, për pavarësinë dhe shtet-ndërtimin eventual të Shqipërisë  si dhe për ruajtjen e identitetit dhe vlerave  kombëtare të racës së vjetër arbërore.

 

Një ndër këta malësorë ishte Marash Uci, i cili sipas At Gjergj Fishtës, në Lahutën e Malësisë, porosia e ‘Mashit’ për të rinjtë, “është vula dalluese e Kombit Shqiptar’’.  Sipas Lahutës, para se të largohej nga vendi ndoshta për të mos u këthyer më, ai u kërkon të rinjve ‘’të ruajnë familjen e gjanë, tu dalin zot të drejtave të veta me pushkë e me gjak, të shkojnë mirë me shokë e të afërm, të cilët, sido që të jenë, janë gjithmonë vëllazën - të mos poshtënojnë kurrkënd, të jenë mikpritsa me të njohur e të panjohur, e sidomos me të huaj por pa u lëshue këtyne të fundit kurr zemrën në dorë…. Të ruhen prej pandershmërisë, por mbi të gjitha mos të prishin nderën e besën e dhanun, e të duen vendin e Atdheun.’’

 

Si mbrojtës i këtyre vlerave kombëtare , Ded Gjo Luli është padyshim nderi dhe krenaria e Malësisë së Madhe,  dhe të gjithë ne si malësorë, jemi krenar me veprën e tij.   Por ai në të njëjtën kohë u përket të gjithë Shqiptarëve:  në Shkodër, Tiranë, Gjirokastër e Tiranë, në Shkup e Manastir, në Prishtinë e Prizren, në Ulqin e Tivar.  Trimëria dhe vendosmëria e herojve të kombit si Ded Gjo Luli,  ndaj avancimit të kauzës për liri e pavarësi kombëtare janë arritje të cilat, në mënyrën e tyre unike, kanë kontribuar dhe vazhdojnë të frymëzojnë dhe të kontribojnë në formimin e ndërgjegjës dhe të zhvillimit kombëtar edhe sot.

 

Mirëpo, ky kontribut i Ded Gjo Lulit nuk është njohur gjithmonë  nga historia dhe ende ka   anashkalime dhe hesitime për të njohur kontributin e vërtetë të Ded Gjon Lulit në historinë kombëtare.

 

Fan Noli me një rast pat shkruar për Ded Gjo Lulin kështu:  ‘’Gjithmonë ky personalitet i madh i Veriut më ka tërheqë shumë për trimëritë, mençurinë, guximin dhe vetëdijen e lartë që kishte dhe për sakrificat që bënte për Atdheun e tij.  Jam ndjerë i pezmatuar, kur vonë u rehabilitua nga sistemi komunist dhe shumë pak u përmend.  Rregjimi komunist me heshtjen e tij e dënoji për së vdekuri heroin e luftrave për Flamur dhe Pavarësi,  Dedë Gjo Lulin. Historia vonon, por nuk harron.’’

 

Fan Noli kishte të drejtë.  Historia e ka vonuar Ded Gjo Lulin, por ajo nuk duhet ta harrojë, prijsin e malësorve.   Atij nuk i është ndërtuar ende ndonjë monument në Shqipëri, por emëri i tij është i shkruar në zëmërat e të gjithë shqiptarëve.  Ndërsa kujtimi i tij kapërcen kufijt e trojeve shqiptare dhe oqeanet, e mbërrinë  edhe këtu në Amerikën e largët.   Prania e jonë këtu sonte është dëshmi se ai nuk do të harrohet.

Prandaj, si pjesëmarrës në këtë përvjetor historik, ne sonte,  nga ky tubim përkujtimor kemi dy kërkesa.  Njërën prej këtyre kërkesave ua drejtojmë autoriteteve të Tiranës:  kërkojmë me këmbëngulje që një ndër objektivat madhore kombëtare -  në këtë 100-vjetor të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë - të jetë  vendosja e Ded Gjo Lulit (ashtu siç sugjeron edhe Fan Noli) në piedestalin e merituar  të historisë së kombit shqiptar duke i ndërtuar atij monumentin në qendër të kryeqytetit  të kombit në Tiranë.

Nëqoftse Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi dhe patriotë të tjerë intelektualë të asaj kohe, nga e gjithë Shqipëria, e kishin parë të nevojshme,  ndoshta të doemosdoshme, që  të shkonin për të takuar Ded Gjo’ Lulin  me qëllim të hartimit të Memorandumit për të drejtat e shqiptarëve  në të gjitha trojet e tyre – atëherë është e pakuptueshme dhe e pashpjegueshme se pse elita e sotëme politike dhe akademike shqiptare nuk i akordon Ded Gjon Lulit të njëjtin respekt  që i akorduan atij rilindasit e kombit dhe baballarët e pavarësisë së Shqipërisë?

Kërkesa tjetër me rëndësi nga ky tubim sonte i drejtohet qeverisë së Malit të Zi.  Është ironik dhe tragjik fakti  që edhe sot në  shekullin 21, malësorët dhe Malësia e Madhe, vendi ku Ded Gjo’ Luli ngriti flamurin shqiptar dhe aty  ku u përpiluan kërkesat për të drejtat e malësorve dhe të gjithë shqiptarëve  për vet-administrim, për gjuhë dhe buxhet të vetin  – malësorët sot  nuk i gëzojnë plotësisht këto të drejta - njohjen dhe zbatimin e të cilave - Ded Gjo Luli kërkoi  nga pushtuesit turq 101 vjetë më parë.

Kështuqë, sonte të gjithë ne duke falenderuar kongresistët amerikanë Eliot Engel, Gary Peters dhe Jean Schmidt  - i bashkohemi thirrjes së tyre të para disa ditëve drejtuar Kryeministrit malazez  - që Tuzit  t’i jepet  statusi i plotë i komunës me të gjitha të drejtat- siç theksojnë  kongresistët amerikanë në letrën e tyre – para mbarimit të këtij viti, pasi ky është  vullneti  dhe e drejta e banorëve të asaj zone.

Dhe më në fund, Zonja e Zotëri të ndershëm   - duhet të jemi të vetdijshëm sepse siç thashë edhe më lartë  Shqiptarët nuk kanë qenë kurr më të lirë se sot.  Rrugë e dyerë  atyre u janë hapur si kurrë më parë në histori.

Prandaj, ta marrë vesh Evropa dhe Ballkani se të drejtat e shqiptarit nuk mund të nepërkëmben  dhe as nuk mund të luhet më me fatin e shqiptarit.  Këjo nuk është një deklaratë kërcnuese, por është një deklaratë reale, që do të thotë se shqiptari dëshiron të jetojë në shtëpinë e vet,  zot i fatit të vet,  në paqë e siguri me fqinjtë, si pjesë e familjes së madhe evropiane.  Ky, pra  është mesazhi i përvjetorit  të Kryengritjes së Malësisë së Madhe dhe i udhëheqsit të saj, Ded Gjon Luli.

 

I përjetshëm qoftë kujtimi i Ded Gjo Lulit dhe i kryengritësve të Malësisë së Madhe.

Rrnoftë Malësia dhe i Madhi Zot e bekoftë kombin shqiptar.

 

U falemnderës,

Frank Shkreli



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora