Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Amnesty International - Gjëndja e të drejtave të njeriut në botë
E enjte, 24.05.2012, 04:27 PM
AMNESTY INTERNATIONAL: GJËNDJA E TË DREJTAVE TË NJERIUT NË BOTË
Nga Frank Shkreli
Organizata e të drejtave të njeriut, Amnesty International botoi me 24 Maj raportin e sajë vjetor mbi gjëndjen e të drejtave të njeriut anë e mbanë botës. Raporti vjetor për 2012, prej 400-faqesh jep hollësi mbi gjëndjen e të drejtave të njeriut në 155 vende të botës. Raporti i sivjetëm përqendrohet kryesisht mbi efektet që kanë patur protestat anë e mbanë botës gjatë vitit që kaloi, si edhe ndryshimet që kanë ndodhur si rezultat i këtyre protestave.
Në raportin e saj, Amnesty International flet për një dështim të përgjithëshëm në udhëheqje anë e mbanë botës si mesazh i raportit, përfshirë edhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara,(OKB) të cilën ajo e cilëson si “të pa-efektshme për qëllimet që është krijuar, gjatë një viti protestash dhe abuzimesh të të drejtave të njeriut anë e mbanë botës’’. Vitin që kaloi, protestat shpërthyen në mbarë botën, ndërsa njerërzit kërkonin liri, drejtësi dhe demokraci për vete dhe shoqëritë e tyre. Në raportin për vitin e kaluar ''Ne kemi përshkruar fuqinë dhe vendosmërinë e pabesueshme të njerëzve të thjeshtë që kanë vendosur të mbrojnë të drejtat e tyre, jo vetëm në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën Veriore, por edhe anë e mbanë botës'', tha Sekretari i Përgjithshëm i Amnesty International, Salil Shetty. Ai shtoi se megjithë dështimet në lidershipin e Kombeve të Bashkuara, regjimeve shtypëse gjithjnë e më shumë po u kërkohet të japin llogari për shtypjet dhe padrejtësitë që u bëjnë popujve të tyre. ''Qeveritë duhet të tregojnë udhëheqje legjitime dhe të hedhin poshtë padrejtësitë, të mbrojnë të pa-fuqishmit dhe të përmbajnë e të kontrollojnë të fuqishmit'', shtoi ai.
Amnesty International vuri në dukje protestat e mëdha pro-demokratike anë e mbanë Lindjes së Mesme si edhe zgjedhjet që po zhvillohen në Egjipt, si provë e një lëvizjeje botërore për liri e demokraci, por shtoi se këto mundësi të reja drejtë shoqërive më të lira, po pengohen nga ''aleanca oportuniste'' dhe ''interesa financiare’’. Organizata botërore e të drejtave të njeriut thotë se ''gjuha në mbrojtje të të drejtave të njeriut miratohet kur u shërben agjendave të ngushta politike ose ekonomike dhe nuk zbatohet kur pengon sigurimin e interesave individuale dhe të ardhurave.''
Në përgjithësi, në raportin e saj të sivjetshëm, Amnesty International përmendë 91 vende që kufizojnë lirinë e fjalës dhe 101 vende të tjera të cilat përdorin torturën dhe trajtimin e keq ndaj njerëzve të tyre, shpeh vetëm e vetëm sepse marrin pjesë në demonstrata e protesta anti-qeveritare. Raporti kritikon Kinën Komuniste se gjatë vitit që kaloi ka përdorur të gjithë fuqinë e aparatit të sigurimit shtetëror që të shtypte protestat dhe shton se regjimi komunist kinez përbën sfidën më të madhe në botë përsa i përket zbatimit të drejtave të njeriut.
Raporti vjetor për Evropën dhe Azinë Qendrore kritikon shtypjen e fjalës së lirë, diskriminimet dhe keqtrajtimet në shoqëritë post-konflituale, si edhe retorikën ksenofobike të disa politikanëve evropianë, por lavdëron masat për ''vendosjen e drejtësisë në Evropë, me arrestimin e gjeneralit Ratko Mladiq dhe serbo-kroatit Goran Hazhiq për krimet e kryera gjatë luftërave të viteve 1990 në ish-Jugosllavi.''
Amnesty International thekson se dështimi për të ndërhyrë në Sri Lanka dhe sidomos mos veprimi ndaj krimeve kundër njerëzimit në Siri – që është një prej klientëve kryesorë të Rusisë për blerjen e armëve – e ka lënë Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të duket si një mbrojtës i pafuqishëm i paqës botërore. “Ekzistojnë arsye të qarta dhe bindëse që gjëndja e krijuar në Siri t’i referohet Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve për hetime të krimeve kundër njerëzimit. Vendosmëria e disa vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit’’ si Rusia dhe Kina, “për të mbrojtur me çdo kusht regjimin e Sirisë ndaj këtyre krimeve…..
....është një tradhëti ndaj popullit sirian’’, tha Sekretari i përgjithëshëm i Amnesty International.
Në Rusi, sipas organizatës së të drejtave të njeriut, gjatë vitit që kaloi u shtua aktivizmi i qytetarëve dhe pati demonstrata e protesta ndër më të mëdhatë ç’prej rënjes së Bashkimit Sovjetik, ku zërat e opozitës u abuzuan dhe sistematikisht u minuan nga regjimi i Putinit, ndërsa në Iran, qeveria e atij vendi, thotë Amnesty International, është e izoluar gjithnjë e më shumë ndërsa nuk toleron asnjë lloj kundërshtimi dhe se vetëm Kina ia kalon me vrasjet e kundërshtarëve të saj.
Për Amerikën, Amnesty International ve në dukje se sigurimi publik është shqetsimi kryesor, duke thënë se në “disa vende, qeveritë kanë shfrytëzuar shqetsimet legjitime në lidhje me sigurinë publike për të injoruar shkeljen e të drejtave të njeriut nga forcat e tyre të sigurimit….’’
Amnesty, ndër të tjera, thotë se “për ndryshime afat-gjatë nuk është i mjaftueshëm dëbimi nga fuqia i udhëheqësve individual. Qeveritë duhet të angazhohen për të ndërmarrë ndryshime afat-gjatë në mbrojtje të drejtësisë, barazisë dhe dinjitetit njerëzor dhe të investojnë në sisteme dhe struktura që do të sigurojnë drejtësinë, lirinë dhe barazinë para ligjit, për të gjithë.’’ Protestat gjatë vitit të kaluar, thotë Amnesty International, kanë treguar se udhëheqsit që nuk plotësojnë këto kushte nuk janë më të pranuar sit ë tillë.
Në lidhje me Shqipërinë, besoj se media shqiptare do të shkruaj më hollësisht, por vlen të përmendet intervista që Zëvendës Drejtoresha e Programit për Evropën dhe Azinë Qendrore, të Amnesty International, Jezerca Tigani i dha me këtë rast Zërit të Amerikës, duke theksuar mesazhin kryesor të raportit botëror,e ku nënvijoi se problematika kryesore, siç thotë ajo, është dështimi në udhëheqje, që sipas saj, duhet t’i jepet fund menjëherë. Si shembëll të këtij dështimi në udhëheqje, Jezerca Tigani përmend korrupsionin dhe “mungesën e paanshmërisë në çdo pjesë të jetës së përditshme’’, dhe shton se ky dështim shihet më së miri në mungesën e implementimit të politikave të ndryshme nga autoritetet e niveleve të ndryshme të vendit.
Absurditeti
i raportit të Amnesty International në lidhje me Kosovën është se këjo
organizatë e konsideron Kosovën gjithnjë si pjesë të Serbisë. Me të drejtë, raporti flet për abuzimet e të
drejtave të njeriut dhe shtypjet kundër individëve e popujve anë e mbanë botës,
por çfarë ironie se nuk e njihka Kosovën si vend më vete e të pavarur, pasi,
sipas saj, nuk është njohur nga të gjitha vendet e botës dhe nga të gjitha organizatat
ndërkombëtare, siç janë Kombet e Bashkuara, që megjithëse sipas të njëjtit
raport, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara kritikohet ashpër se ka dështuar
në mbrojtjen e të drejtave të njeriut anë e mbanë botës. Si mund t’u kërkohet seriozisht autoriteteve
të Republikës së Kosovës që të zbatojnë rekomandimet e kësaj organizate, kur
Amnesty International as nuk e njeh se ekziston. Besoj se raporti i këtij viti i Amnesty
International për Kosovën duhet të injorohet krejtsisht për derisa këjo
organizatë nuk e njeh Kosovën shtet të pavarur, që si i tillë është njohur nga
shumica e vendeve demokratike perëndimore.