Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Rrofte toleranca politike amerikane
E enjte, 31.05.2012, 07:21 PM
ROFTË TOLERANCA
POLITIKE AMERIKANE
PRESIDENTI OBAMA URON KUNDËRSHTARIN E TIJ REPUBLIKAN MIT ROMNI PËR FITOREN
Nga Frank Shkreli
Të marten
që kaloi, ish guvernatori i shtetit Masaçusets, Mit Romni e siguroi emërimin e
Partisë Republikane për president pas fitores në zgjedhjet paraprake të kësaj
partie në Teksas. Nga 150 delegatët e këtij
shteti, Mit Romni fitoi votat e 88 prej tyre, duke e çuar numrin e delegatëve të
siguruar prej tij në më tepër se numri i nevojshëm prej 1 mijë e 144 delegatësh
për t’u bërë kandidati formal presidencial i republikanëve. Emërimi zyrtar i Zotit Romni do të bëhet në qytetin
Tëmpa të shtetit Florida në muajin gusht ku delegatët e partisë nga të gjitha
shtetet dhe territoret e Amerikës do të votojnë për Zotin Romni edhe për
kandidatin që ai do të zgjedhë për nën-president.
Presidenti
i Shteteve të Bashkuara Zoti Barak Obama, në të njëjtën kohë edhe kandidati
zyrtar i Partisë Demokrate për president në zgjedhjet e nëntorit, i telefonoi
dje kundërshtarit të tij republikan Zotit Romni për t'i uruar fitoren formale të
tij në zgjedhjet paraprake në shtetin Teksas të martën. Media amerikane bën të ditur se Presidenti
Obama i telefonoi dje Zotit Romni nga Shtëpia e Bardhë. Zëdhënësi i fushatës së
Presidentit Obama, Zoti Ben Lablot në një deklaratë që lëshoi për mediat tha
se, "Presidenti Obama i telefonoi Guvernatorit Romni për t'i uruar
sigurimin e emërimit të tij për president nga Partia Republikane. Presidenti i tha atij se pret që gjatë fushatës
së ardhëshme ata të zhvillojnë një debat të rëndësishëm dhe të shëndoshë mbi të
ardhmen e Amerikës dhe i dëshiroi guvernatorit Romni dhe familjes së tij gjithë
të mirat gjatë fushatës.'' Ndërsa pak më
vonë zëdhënsi i Shtëpisë së Bardhë Xhej Karni e cilësoi bisedën midis dy kundërshtarëve
politikë amerikanë, ''si një shkëmbim miqësor midis dy kolegëve.'' Ndërkaq, një
zëdhënës i fushatës së Zotit Romni e karakterizoi bisedën telefonike midis tyre
si ''të shkurtë dhe të përzemërt'', dhe shtoi se guvernatori Romni e falënderoi
presidentin Obama për urimet që i bëri duke i dëshiruar gjithë të mirat atij
dhe familjes së tij.
Sipas
burimeve nga të dy palët vihet në dukje se Presidenti Obama dhe Guvernatori nuk
e njohin mirë njëri tjetrin, pasi sipas burimeve, telefonata e djeshme ishte
komunikimi i parë midis tyre ç'prej fillimit të fushatës paraprake të Partisë Republikane
dhe një prej kontakteve të rralla midis tyre.
Por gjatë javëve dhe muajve të ardhëshëm, këta do të mësojnë shumë për
njëri tjetrin, ndoshta më shumë se ç'dëshirojnë. Kritikat, madje nganjëherë edhe të ashpëra
ndaj njëri tjetrit kanë filluar tanimë. Megjithëse
gjatë fushatës së deritanishme, Obama
dhe Romni kanë sulmuar ashpër njëri tjetrin, të dy palët thonë se përsonalisht të dy kanë respekt për njëri tjetrin. Gjatë takimeve me votuesit, presidenti Obama
ka lavdëruar Zotin Romni --ashtu siç bëri javën e kaluar në shtetin Ajova, para
se ta kritikonte punën e tij si bisnesmen dhe guvernator -- duke thënë se
''Guvernatori Romni është një amerikan patriot... ka një familje të mrekullueshme
dhe duhet të jetë krenar për sukseset që ka arritur në fushën e financave.....''
Ndërsa Zoti Romni e ka cilësuar Presidentin Obama si ''një burr të mirë'', por
shton se ai nuk di se ç'të bëjë me ekonominë....ai nuk di si të krijojë punë të
reja për amerikanët...''
E vërteta
është se fushata paraprake posa po merr fund dhe ndërkohë që fillon fushata për
zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit, shumë votues nuk janë përqendruar ende në
fushatën për president -- dhe normalisht votuesit amerikanë nuk fillojnë të familjarizohen
me karakteristikat dhe qendrimet e kandidatëve mbi çështje të ndryshme për të cilat
ata janë të interesuar, deri pas mbarimit të pushimeve verore. Ish guvernatori Romni do të përpiqet të paraqesë
veten si një kandidat i denjë për të zëvëndsuar Presidentin Obama në Shtëpinë e
Bardhë dhe do të bëjë ç’mos për të bindë votuesit se ai mund të bëjë një punë më
të mirë se Presidenti Obama, sidomos për të ri-ngjallur ekonominë, pasi sipas
ekspertëve, këtë vit është ekonomia çështja që do të vendosë se cili prej këtyre
politikanëve amerikanë do kontrollojë Shtëpinë e Bardhë për katër vjetët e ardhëshme.
Ndërsa
Zoti Obama, me një fushatë të organizuar dhe financuar shumë mirë, do të përpiqet
të bindë amerikanët se atij duhet t'i besohen frenat e qeverisë edhe për katër
vjetët e ardhëshëm.
Si një post
scriptum të këtij shkrimi në lidhje me zhvillimet e fundit politike në Amerikë,
por edhe si shenjë e traditës së tolerancës politike që dallon këtë vend, sot
Presidenti Obama pret në Shtëpinë e Bardhë para-ardhësin e tij, ish-Presidentin
Xhorxh W. Bush. Megjithse Zoti Obama
pothuaj çdo javë nuk le rast pa kritikuar ish-presidentin Bush dhe politikat e
tija të brendshme dhe të jashtme, ai sipas agjencisë se lajmeve Asociejted
Pres, me ''krenari dhe kënaqësi'' të madhe do të kryesojë sot në Shtëpinë e
Bardhë ceremoninë e zbulimit të portetit zyrtar të Presidentit Bush dhe
bashkshortes së tij Laura Bush duke përjetësuar kështu përgjithmonë trashëgiminë
dhe imazhin e tij në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti
Obama dhe zonja e parë Miçellë do të shtrojnë gjithashtu një drekë në Shtëpinë e
Bardhë për ish-presidentin Bush dhe ish-zonjën e parë të Amerikës Laura Bush. Unë
mund të them vetëm: Rroftë toleranca politike amerikane!