Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Mesazhet e SHBA për Ballkanin
E marte, 10.07.2012, 07:15 PM
MESAZHET
E SHTETEVE TË BASHUARA PËR BALLKANIN PERËNDIMOR
Nga Frank Shkreli
Ndihmës
Sekretari Amerikan i Shtetit, Z. Filip
Gordon mori pjesë të shtunen që kaloi në takimin e nivelit të lartë në Dubrovnik
të Kroacisë ku u takua me udhëheqsit më të lartë të Kroacisë si edhe me udhëheqës
të vendeve të ndryshme nga Evropa dhe Ballkani, përfshirë edhe Kryeministrin e
Shqipërisë Z. Sali Berisha dhe Kryeminsitrin e Kosovës, Z. Hashim Thaçi. Këtë javë, zyrtari i lartë amerikan
vizitoi gjithashtu Beogradin dhe
Prishtinën ku u takua me udhëheqsit më të lartë të këtyre dy vendeve. Qëllimi i
vizitës së Z. Gordon në rajon ishte për të nënvijuar rishtas angazhimin e
vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara ndaj vendeve të rajonit si dhe për të theksuar
angazhimin e Shteteve të Bashkuara për ndërtimin e shteteve dhe për zhvillimin
e ekonomive dhe shoqërive të forta në Ballkanin perëndimor.
Sipas
Departmentit Amerikan të Shtetit, qendrimi i tij në Beograd kishte për qëllim nënvijimin
e përkrahjes amerikane për formimin e një qeverie të re e cila do të zotohet të
punojë drejtë një të ardhme evropiane për Serbinë, sidomos ''përsa i përket
stabilitetit rajonal dhe marrëdhënjeve konstruktive me Kosovën.''
Në Prishtinë,
ndihmës sekretari amerikan i shtetit u takua me udhëheqsit e lartë të shtetit të
Kosovës, të cilëve u ritheksoi mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara
për sovranitetin e Kosovës dhe i uroi ata për vendimin e kohëve të fundit, për
t'i dhënë fund pavarësisë së mbikqyrur, gjë që ai e cilësoi si ''një votëbesim
i komunitetit ndërkombëtar për Kosovën.'’
Në takimin
e nivelit të lartë në Dubrovnik ku merrnin pjesë kryeministra dhe ministra të jashtëm
nga Evropa dhe rajoni mesdhetar, Zoti Gordon tha se megjith angazhimet e mëdha
të vendit të tij, Shtetet e Bashkuara nuk janë më pak të interesuara në zhvillimet
e vendeve të Ballkanit, ku sipas tij, ''kemi investuar aq shumë dhe ku kemi aq
shumë miqë e interesa.'' Ai, në të vërtetë
e cilësoi takimin e Dubrovnikut si një rast i mirë për të ritheksuar edhe njëherë
zotimin amerikan ndaj integrimit të plotë të vendeve të këtij rajoni në Evropë. Zyrtari i lartë amerikan u bëri thirrje udhëheqësve
të këtij rajoni që të bëjnë më shumë për të siguruar që vendet e Ballkanit të mos
mbesin mbrapa, duke thënë se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë që në këtë rajon të kenë partnerë të fortë, të
qendrueshëm e të begatë, të cilët mund të ndihmojnë në përballimin e sfidave
globale.
Ndërsa
zyrtari i lartë amerikan, në fjalimin e tij në Kroaci, theksoi përparimet e shënuara
nga të gjitha vendet e rajonit, si edhe përpjekjet e tyre gjatë tre vjetëve të kaluar, për të përballuar
armiqësitë e vjetëra, ai shprehu zhgënjimin
e tij ndaj dështimeve e pengesave të ndryshme si edhe ndaj papajtueshmërisë politike.
Në lidhje me këtë, ai iu drejtua pjesëmarrësve duke u thënë se dëshronte të ishte
shumë i sinqert me ta në lidhje me pikëpamjet e Shteteve të Bashkuara mbi
sfidat e tanishme dhe munëdsitë për përparim të mëtejshëm për vendet e këtij
rajoni. Duke folur për secilin vend të Ballkanit
perëndimor, Zoti Filip Gordon tha se Kroacia duhet të shërbejë si shembull për
rajonin -- për të reformuar ekonominë, për t’u pajtuar me fqinjët dhe për të zbatuar
standardet demokratike dhe të drejtat e njeriut, si masa praprake t'u bërë pjesë
e Evropës.
Në komentet
e tija mbi Shqipërinë, Zoti Gordon tha se Tirana ndërmori shumë shpejtë reformat
e nevojshme për tu bërë anëtare e NATO-s.
Mirëpo, shtoi ai, ngërçi politik i dy viteve të fundit në parlament, pas
zgjedhjeve të vitit 2009, ka ngadalësuar përparimin e nevojshëm për të marrë statusin
e kandidatit për antarësim në Bashkimin Evropian. Megjithëse bojkotimi i parlamentit nga ana e
opozitës ka marrë fund, tha ai, Z. Gordon nënvijoi se ''mungesa e vullnetit
politik ka penguar përfundimin e reformave parlamentare dhe të zgjedhjeve.'' Pas një periudhe të zgjatur të ngërçit
politik -- përfundoi ai komentin e tij mbi zhvillimet në Sqipëri -- ''ka ardhur
koha që udhëheqsit politikë të lënë mënjanë grindjet personale, me qëllim që të
shënojnë përparimin e duhur në fushën e reformave të nevojshme''.
Në lidhje
me Kosovën, ndihmës sekretari amerikan i shtetit tha se qendrimi ynë, i përpiluar
në bashkpunim me NATO-n dhe me Bashkimin
Evropian, është i qartë: ''Ne presim që Kosova
dhe Serbia të vazhdojnë përpjekjet e tyre drejtë normalizimit të marrëdhënjeve. As ne as Komuniteti Evropian nuk presim që Serbia
të njohë Kosovën tashti -- pasi ajo nuk do të bëjë një gjë të tillë. Por Serbia do të pranojë realitetin e një Kosove
demokratike, sovrane, të pavarur, shumë etnike, me kufijtë e saj ekzistues.'' Duke shtuar se nuk do të ketë ndarje të Kosovës,
Z. Gordon tha se Beogradi duhet t'i jap fund mbështetjes ndaj strukturave
paralele në veri të Kosovës ashtuqë të sigurohet lëvizja e lirë për të gjithë. Ai bëri thirrje që Kosova të vazhdojë në përmirësimin
e qeverisjes duke u marrë me papunësinë, me heqjen e pengesave për investimet,
me luftën kundër krimint të organizuar dhe me korrupsionin.
Në lidhje
me Maqedoninë, Zoti Filip Gordon tha se Shtetet e Bashkuara kanë investuar shumë
në suksesin e këtij vendi, duke mbështetur shoqërinë civile dhe forcimin e
institucioneve demokratike, dhe kanë mbështetur
parimet e diversitit, në përpjekje për të inkurajuar pjesëmarrjen e të gjithave
grupeve në qeveri dhe shoqëri. Z. Gordon
tha se megjith përparimet e shënuara,
Shtetet e Bashkuara janë të shqetsuara, madje të alarmuara, shtoi ai,
nga shënjat në rritje e sipër të tensioneve midis komuniteteve. Ai shprehu gjithashtu shqetsimin e tij në lidhje
me mungesën e pavarësisë së gjykatave si edhe mbi lirinë e medias. Ai shtoi se ''ne kemi inkurajuar qeverinë e
Maqedonisë që të dyfishojë përpjekjet për zbatimin e plotë të marrëveshjes së Ohrit.''
Në lidhje
me Malin e Zi, ndihmës sekretari amerikan i shtetit, në fjalimin e tij në Dubrovnik,
tha se ai vend ka shënuar përparime të dukshme drejtë antarësimit në NATO, por
lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar që ka përfshirë të gjithë shoqërinë
e Malit të Zi, duhet të vazhdojë të jetë priotitet për qeverinë e Podgoricës.
Në fund të
fjalimit të tij në takimit e nivelit të lartë në Dubrovnik fund javën që kaloi,
ndihmës sekretari amerikan i shtetit i siguroi kryeministrat dhe ministrat e
jashtëm evropianë dhe të rajonit të Ballkanit se Shtetet e Bashkuara ''në partneritet
të ngushtë me Bashkimin Evropian'', do të vazhdojnë të luajnë gjithnjë një rol
të rëndësishëm për të kryer ''punën pambaruar'' në Evropë. Mirëpo, zyrtari amerikan paralajmëroi se përgjegjësia
kryesore mbetet natyrisht në duarë të ''aktorëve rajonal'', pasi sipas tij,
''Komuniteti ndërkombëtar nuk mund të dëshiroj zbatimin e reformave dhe përparimin
e nevojshëm të këtyre vendeve, më shumë se dëshirojnë vetë udhëheqsit e këtij rajoni.''