Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Domethënja e 4 Korrikut - Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara
E marte, 03.07.2012, 06:56 PM
DOMETHËNJA
E VËRTETË E KATËR KORRIKUT - PAVARËSISË SË
SHTETEVE TË BASHKUARA
Nga Frank Shkreli
Çdo vit
me 4 Korrik, Shtetet e Bashkuara festojnë Ditën e Pavarësisë. Sivjet, 4
Korriku shënon 236-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara
të Amerikës (SHBA) nga Britania e Madhe, kur 13 kolonitë e asaj kohe shpallën
pavarësinë dhe lirinë e tyre nga qeverisja britanike. Dokumenti i
Shpalljes së Pavarësisë së SHBA është njëri ndër dokumentet - ndoshta dokumenti
politik më me rëndësi në botë - që përcaktoi fatin dhe kornizën për mbijetimin
dhe rritjen e këtij vendi, por është gjithashtu edhe dokumenti i cili frymëzoi
lëvizje të njëjta për pavarësi, anë e mbanë botës.
Gjatë gjithë
historisë, popujt kanë besuar se të drejtat e tyre vinin nga qeveria, mbreti
ose pushteti, dhe si të tilla ato mund të shkeleshin e të mohoheshin
sipas deshirës e qejfit të qeverisë, ose mbretit, pasi, sipas tyre, ato ishin
privilegje që akordoheshin e hiqeshin sipas dëshirës së pushtetit në fuqi.
Shpallja e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara hodhi poshtë këtë besim ose
nocion, njëherë e mirë, duke shpallur se të drejtat, personit
dhe popullit nuk i jepen nga qeveria, por nga vet Krijuesi. Në frazën
ndoshta më të famëshme tani të nxjerrë nga teksti i Shpalljes së Pavarësisë Amerikane
thuhet se , ''Ne i konsiderojmë këto të vërteta si krejtësisht të qarta se të gjithë
njerëzit janë krijuar me të drejta të barabarta, se Perëndia u ka falë atyre
disa të Drejta të pamohueshme, ndër të cilat janë Jeta, Liria dhe mundësia për
të ndjekur suksesin dhe lumturinë.''
Mesazhi
kryesor i kësaj dite si për Amerikanët ashtu edhe për popujt anë e mbanë botës është
se këto mund të jenë fjalët më me rëndësi në historinë e njerëzimit - se Perëndia
dhe natyra, dhe jo qeveria, mbreti ose parlamenti - jo vetëm amerikanëve por të
gjithë njerëzëve kudo, u ka falur të drejta themelore dhe të pamohueshme.
Dhe se qeveritë krijohen nga populli për të vetmin qëllim e që është për
t'i shërbyer atij në mbrojtjen e këtyre të drejtave natyrore dhe në ushtrimin e
tyre në mbështetje të qytetarëve.
Shpallja
e Pavarësisë së Amerikës shënoi shkëputjen e kolonive nga Britania e Madhe 236
vjetë më parë, por ajo ishte vetëm fillimi i vendosjes së lirisë në këtë vend,
pasi në atë kohë në shumë koloni praktikohej skllavëria, gratë nuk gëzonin të gjitha
të drejtat për të cilat bëhej thirrje në Shpalljen e Pavarësisë dhe fatkeqësisht
indiano-amerikanët vendas u detyruan të shpërnguleshin nga toka e tyre ndërkohë
që kolonët e ri kishin filluar të vendoseshin anë e mbanë vendit. Por ç'prej
nënshkrimit të këtij akti dramatik para më shumë se dy shekujsh, përpjekjet në Shtetet
e Bashkuara të Amerikës për të siguruar barazi dhe të drejta të barabarta për të
gjithë, kanë triumfuar me shumë fitore gjatë dekadave të kaluara, prapseparapë ekziston
vetdija se mbetet shumë për t'u bërë dhe se ruajtja e këtyre të drejtave që na
i ka falë Përëndia dhe natyra, kërkon vigjilencë të vazhdueshme për t’i ruajtur
ato, sidomos nga intervenimet e qeverisë e cila ka për detyrë t’i mbrojë dhe jo
të shkatërrojë liritë dhe të drejtat e popullit.
Liria, këjo
e drejtë e pamohueshme e njeriut, për herë të parë u vendos në skenën botërore
si një e drejtë e pamohueshme më 4 Korrik 1776. Ideja se njerëzit duhet të
gëzojnë këto të drejta të pamohueshme të akorduara nga Përendia dhe jo nga
ndonjë pushtet i kësaj bote, ishte objekt talljeje nga bota e atëhershme e
''qytetëruar'', madje edhe sot Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të urrehen gjithnjë
në shumë pjesë të botës, nga diktatorë e regjime shtypëse, të cilat mendojnë se
të drejtat dhe liritë e njeriut janë privilegje që ata i rregullojnë sipas dëshirës
dhe vullnetit të vet. Ata i urrejnë gjithnjë Shtetet e Bashkuara se kanë mbrojtur
dhe mbrojnë parimin e atëhershëm radikal të dalur nga Shpallja e Pavarësisë së Amerikës,
më 4 Korrik 1776 se është e drejta e popullit kudo e në çdo vend të ndryshojë regjimin
ose qeverinë dhe ta zëvendësojë atë me një tjetër që do të mbrojë këto të drejta
e liri të pamohueshme, jo vetëm për amerikanët, por për të gjithë popujt anë e
mbanë botës.
Për të siguruar
se këto të drejta do të ishin gur-themeli i shtetit të ri, kolonitë amerikane
miratuan Kushtetutën e re më 1789 me dhjetë amandamente të cilat garantojnë liritë
bazë të njeriut, përfshirë lirinë e fesë, lirinë e fjalës dhe të shtypit , si
edhe shtesa të tjera në mbrojtje të qytetarit nga abuzimet e mundshëme nga ana
e shtetit dhe qeverisë. Patrik Henri, njëri prej udhëheqësve të Pavarësisë
Amerikane, ka thënë se "Kushtetuta nuk është një instrument i qeverisë për
të kufizuar të drejtat e popullit, por është një instrument i popullit për të kufizuar
veprimtarinë e qeverisë, për ndryshe ajo do të dominojë jetën dhe të drejtat
tona''.
Është me
vend që këto vlera e të drejta të pamohueshme të njeriut të festohen sot në në këtë
përvjetor të Pavarësisë së Amerikës, por është gjtihashtu e arsyeshme që këjo
ngjarje të kujtohet edhe nga popujt anë e mbanë botës, pasi këto parime të mishëruara
në Shpalljen e Pavarësisë Amerikane, pasqyrohen gjithashtu në kushtetuta të shumë
vendeve dhe janë të përfshira në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut.
Le të jetë pra 4 Korriku një festim i garancisë së të drejtave të njeriut, jo
vetëm për çdo shtetas amerikan, por të kujtohet gjithashtu edhe nga mbarë bota,
e cila nga këjo ditë e shënuar patriotike amerikane mund të mësojë se sipas
Mark Twain, ''Patriotizëm do të thotë të duash atdheun tëndë gjithmonë, por të mbështetësh
qeverinë vetëm kur ajo e meriton''.
Si e tillë, megjithë të metat dhe mos-kënaqësitë që shprehen nga koha në koha - edhe 236 vjetë pas Shpalljes së Pavarësisë së sajë, Amerika mbetet gjithnjë simboli i lirisë, demokracisë dhe i pavarësisë për popujt anë e mbanë botës dhe Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara shënohet si një festim i vlerave të përbashkëta njerëzore, të bazuara në lirinë dhe të drejtat e pamohueshme për të gjithë, të pasqyruara në Shpalljen e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.