Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Të mos nëpërkëmbët liria e shtypit
E premte, 29.06.2012, 07:55 PM
TË MOS
NEPËRKËMBET LIRIA E SHTYPIT
''Liria jonë varet nga liria e shtypit dhe ajo nuk mund të kufizohet pa u humbur plotësisht'' - Tomas Xheferson
Nga Frank Shkreli
Të Premtën
që kaloi, parlamenti i Kosovës vendosi të lente në fuqi kodin penal të Kosovës
i cili përmban disa nene mbi median, të cilat sipas njoftimeve ato mbajnë gazetarët ''penalisht përgjegjës'' për raste kur ata refuzojnë të njoftojnë burimet
e tyre. Presidentja e Kosovës Atifete
Jahjaga i kishte kërkuar parlamentit të Kosovës heqjen e neneve shqetsuese dhe
problematike për shumë veta, mbrenda dhe jashtë vendit, e të cilat kanë të bëjnë
me përgjegjësitë penale të gazetarëve.
Mos-miratimi
i këtyre neneve nga kuvendi i Kosovës, që i ishin paraqitur parlamentit për
aprovim nga presidentja e Kosovës, me të drejtë shkaktoi reagime të ashpëra nga
organizata gazetarësh mbrenda Kosovës si edhe nga përfaqsuesit ndërkombëtarë, përfshirë
edhe masën drastike të dorëheqjes së zëvëndës-kryeministrit Harjedin Kuçi. Pa dashur të futem në akuza e kundër akuza se
kush e ka fajin për mos-miratimin e këtyre neneve dhe për zhvillimet e fundit në
lidhje me situatën e krijuar e që është shumë vështirë të mbrohet, deshta të shpreh
mendimin tim se sa i doesmosdoshëm është miratimi i këtyre neneve për të mbrojtur
lirinë dhe integritetin e gazetarëve si edhe për të siguruar që burimet e
informacionit të jenë në dispozicion të gazetarëve, pa frikë dhe pa ndërhyrhje
nga qeveritarët.
Është vështirë
të merret me mend se si një popull i cili në të kaluarën ka vuajtur aq shumë mungesën
dhe mohimin e të gjitha lirive nga regjime pushtuese, tani që është i aftë e ka
mundësi të vendosë vetë fatin e vet, përfaqsuesit e tij votojnë për të kufizuar
lirinë, në këtë rast lirinë e shtypit. Por
siç ka thënë edhe Tomas Xheffersoni, autori i shpalljes së pavarësisë së Amerikës
dhe presidenti i tretë i Shteteve të Bashkuara, liria e shtypit nuk mund të kufizohet
pa humbur plotësisht edhe liritë e tjera.
Kosova ka
ambicje të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian dhe e organizmave të tjera euro-atlantike,
por vendimi i parlamentit të Kosovës hedhë në erë këto ambicje pasi është në kundërshtim
të plotë me konventat e Bashkimit Evropian për mbrojtjen e lirisë së shtypit
dhe të medias në përgjithësi. Përfaqsuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë,
Samuel Zhbogar në një deklaratë për median tha se, “Nenet për përgjegjësinë penale dhe burimin e
informacionit do të kenë një ndikim negativ në lirinë e shprehjes dhe lirinë e
medias në Kosovë. Bashkimi Evropian
mbetet thellësisht i përkushtuar në nxitjen dhe ruajtjen e lirisë së shprehjes
dhe medias, si vlera të një rëndësie të veçantë për forcimin e demokracisë së Kosovës''. Për më tepër, përfaqsuesi evropian në Prishtinë,
duke krahasuar Kosovën me vendet e tjera të Ballkanit, tha se ''ky hap e lë Kosovën
mbrapa në kontekstin rajonal, duke qenë se pothuajse të gjitha vendet fqinje
kanë hequr tashmë nenet që penalizojnë mediat për kryerjen e detyrave të tyre''.
Edhe
gazetarët e Kosovës nepërmjet organizatave përfaqsuese shprehën shqetësimin e
tyre ndaj masës së deputetëve të Kosovës të cilët votuan kundër heqjes së neneve
37 dhe 38 nga Kodi Penal. Asociacioni
i Gazetarëve profesionistë të Kosovës u shpreh i ''tmerruar'' me votimin e
deputetëve dhe Unioni i Gazetarëve të Kosovës,
tha se rezultati i votimit në parlament,
''ishte i papranueshëm dhe në kundërshtim me kushtetutën e Kosovës''.
Nenet 37
dhe 38 të Kodit Penal, sipas organizatës
ndërkombëtare “Korrespondentët pa Kufij’’, u japin gjykatave kompetencën për të
detyruar gazetarët që të zbulojnë burimet e tyre, dhe për një “shpifje’’ të tillë, gazetarët mund të dënohet deri me tre vjetë burg. Organizata për mbrojtjen e gazetarëve, “Korrespondentët pa Kufij’’, thotë se “këto nene janë të papranueshme…dhe
se është e qartë se kanë për qëllim t’i mbyllin gojën llojit të gazetarisë dhe raportimit hetimor që siç duket shqetëson
shumë qeverinë’’.
Këtë muaj,
këtu në Shtetet e Bashkuara u shënua 40-vjetori i skandalit Uatergejt dhe po
kujtohet natyrisht si një fitore e demokracisë, por edhe si një shembull i rëndësisë
dhe i rolit që luan shtypi i lirië. Gazetari
Uodourd tha me rastin e këtij përvjetori
se ‘’ne emëruam indidvidë të posaçëm të cilët kishin marrë pjesë në konspiracione
kriminale për të shkatërruar sistemin elektoral që kemi në këtë vend’’. Ishte gazetaria hetimore e gazetarëve të Uashington
Postit, Karl Bersntin dhe Bob Uodourd, që më në fund dokumentoi pjesëmarrjen e
vet Presidentit Nikson në skandal, dhe që
çoi në dorëheqjen e presidentit Riçard Nikson.
Liria e
shtypit luan një rol të pa-zëvëndsueshëm në promovimin dhe në ruajtjen e
demokracisë. Liria e pa kufizuar e
shtypit është jetësore për një shoqëri të
shëndoshë demokratike. Censura, frikësimi,
dënimi ose miratimi i ligjeve që promulgojnë masa kundër gazetarëve vetëm e vetëm
se përpiqen të kryejnë punën e tyre, jo vetëm që janë në kundërshtim me
standardet evropiane dhe ndërkombëtare, por shkelin edhe lirinë personale të gazetarit,
dhe në të njëjtën kohë i mohon edhe shoqërisë të drejtën për të qenë e informuar. Një shoqëri e pa informuar nuk mund të zhvillojë
dhe të avancojë demokracinë dhe as të respektojë të drejtat bazë të njeriut,
madje një shoqëri e painformuar mirë mund të jetë e rrezikshme për vetveten dhe
për të tjerët.
Këjo është
një perudhë e vështirë për median në Kosovë dhe nëqoftse nuk tërhiqen nenet 37
dhe 38 gazetaria kosovare do të përballet me probleme edhe më të mëdha. Kosova dhe e gjithë bota shqiptare ka nevojë për
një media të fortë e të pavarur, si dhe për një shkëmbim të lirë, të pa
paragjykim dhe të pa frenuar të ideve
dhe pikpamjeve të ndryshme. E drejta për
të mbledhur informacionin dhe për të mbrojtur
burimet e informacionit është pjesë jetike e zhvillimit të medias dhe një
shoqërie të lirë e demokratike. Qytetarët kanë nevojë për informcione të lira,
të sakta e të pavarura nga burime që ata
mund tu besojnë.
Parlamenti
i Kosovës duhet të marrë hapa të menjëhershëm që të krijojë një hapësirë ku
gazetarët e pavarur të kryejnë detyrën e tyre pa pasur frikë nga dhuna ose dënimet
dhe persekutimet. Gjithashtu gazetarët kanë përgjegjësitë e tyre që ata të shërbejnë si promovues të ndryshimeve
pozitive në shoqëri duke ndihmuar në forcimin e platformës së lirisë,
demokracisë dhe të shërbejnë si agjentë të
tolerancës politike dhe shoqërore në përgjithësi.