Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Viktimat e pafajshme në dorë të Rusisë dhe Kinës
E shtune, 30.06.2012, 06:17 AM
KUR FATI
I VIKTIMAVE TË PAFAJSHME ËSHTË NË DORË TË RUSISË DHE KINËS
Nga Frank Shkreli
I dërguari
i posaçëm i Kombeve të Bashkuara dhe i Ligës Arabe për Sirinë, Zoti Kofi Anan
njoftoi këtë javë se të Shtunën do të kryesojë një mbledhje ndërkombëtare të nivelit
të lartë në të cilën ai ka ftuar të marrin pjesë ministrat e jashtëm të pesë vendeve
anëtare të përherëshme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, dmth.
Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Kinës, Francës dhe Rusisë. Në takimin
e Gjenevës janë ftuar gjithashtu Sekretari i Përgjithëshëm i Organizatës së Kombeve
të Bashkura, Ministri i jashtëm i Turqisë dhe ministrat e jashtëm të Irakut,
Kuvajtit dhe Katarit. Megjithëse përfaqsuesi i përbashkët i OKB-së dhe Ligës
Arabe ka punuar me të gjitha shtetet dhe palët e interesuara në konfliktin e
Sirisë, vëndimi i Zotit Annan për të mbajtur mbledhjen në këtë nivel të lartë diplomatik,
është një pranim se ai ka dështuar në përpjekjet e tija për të ndaluar dhunën
dhe gjakderdhjen në Siri, nga e cila kanë gjetur vdekjen më shumë se 10.000
veta, shumica civilë. Sipas vetë hetuesve të Kombeve të Bashkuara, forcat
siriane të sigurimit, gjatë sulmeve ushtarake, kanë bërë shkelje të mëdh të drejtave
të njeriut, përfshirë edhe ekzekutime, sipas tyre në "një shkallë alarmante'',
gjatë muajve të fundit. Ditët e fundit kriza në Siri sa vjen e keqësohet, duke
detyruar 300 vëzhgues të pa-armatosur të Kombeve të Basshkuara që të anullojnë misjonin
e tyre, ndërkohë që këtë javë presidenti sirian Bashar al Assad pranoi se vendi
i tij është në gjëndje lufte, ndërsa kundështarët e regjimit të tij sulmuan një
bazë ushtarake jo shumë larg pallatit presidencial.
Në mbledhjen
e nivelit të lartë në Gjenevë, ish-Sekretari i Përgjithëshëm i Kombeve të Bashkuara,
Zoti Anan shpreson që pjesmarrësit në këtë konferencë të miratojnë parimet e përpiluara
prej tij për një tranzicion politik në Siri, parime këto të cilat, sipas tij, "përputhen
me aspiratat legjitime të popullit sirian''. Sekretarja amerikane e shtetit,
Hillari Klinton shprehi përkrahjen e vendit të saj për këto parime të tranzicionit
politik në Siri, që sipas saj, mund të çojnë në një "përfundim demokratik
që do të reflektojë vullnetin e popullit sirian''.
Por nuk është
e qartë se çfarë qendrimi do të mbajnë këtë fund jave në Gjenevë Rusia dhe
Kina, vende këto që përkrahin regjimin diktatorial të presidentit Asad. Ditë më
parë, duke folur mbi gjendjen e krijuar në Siri, Sekretari i Përgjithëshëm i
NATO-s, Zoti Anders Rasmussen tha se gjëndja në atë vend po i ngjanë gjithnjë e
më shumë luftërave në Ballkan gjatë gjatë 1990-ave. Edhe atëherë Rusia dhe Kina
ishin në kundërshtim me vendet përendimore mbi mënyrat dhe masat që duheshin
marrë për t'i dhënë fund dhunës në atë rajon.
Përkrahja e Moskës dhe Pekinit për Serbinë, siç dihet, zgjati konfliktet
dhe pati pasoja katastrofale për popujt e Ballkanit. As kësaj radhe nuk pritet që Rusia dhe Kina të
heqin dorë vullnetarisht nga përkrahja e tyre për regjimin shtypës të Assadit. Fundi i fundit, kemi të bëjmë me dy regjime që
nuk mërziten aspak për të drejtat bazë të popujve të vet, e lere më të shqetësohen
shumë për fatin e popullit sirian apo të ndonjë populli tjetër në botë që bie
viktimë e diktaturave të lloj-llojshme. Rusia,
aleate e vjetër e regjimit diktatorial sirian, është një vend që udhëhiqet nga
një Vladimir Putin që nuk i fsheh tendencat e tij dikatoriale. Ai është aq nostalgjik për komunizmin sa që citohet
të ketë deklaruar se fatkeqsia më e madhe për Evropën dhe për botën ishte shpërndarja
dhe shkatërrimi i Bashkimit Sovjetik - jo Lufta e parë botërore, madje as Lufta
e dytë botërore, por shkatërrimi i regjimit komunist të Bashkimit Sovjetik dhe
si pasojë i komunizmit ndërkombëtar. Nga
ana tjetër, Kina komuniste, është aleate e Moskës në arenën ndërkombëtare kur
vjen puna tek mbrojtja e diktatorëve si Assadi, Milosheviqi, Kadafi e të tjerë,
dhe e politikave të tyre shtypëse kundër popujve të vet dhe të tjerëve. Është e
famëshme deklarata e një zyrtari të lartë të Sigurimit të Shtetit kinez i cili është
cituar nga një revistë e Hong Kongut të ketë thënë se ''përsa na takon ne,
Sigurimit të shtetit, mund t'u them se në Kinë nuk ka më shumë se 200
intelektualë të cilët kundërstojnë Partinë Komuniste dhe të cilët gëzojnë influencë
në popull. Mirëpo, nëqoftëse
autoritetet qëndrore mendojnë se regjimi i tyre përballet me një krizë, ata
mund të arrestohen të gjithë mbrenda një nate dhe të varrosen për së gjalli.''
Prandaj
nuk është për tu habitur nga mbështetja që Rusia dhe Kina, në kapacitetin e
tyre si anëtare të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, u akordojnë dikaktorëve
gjak-ftohët në mbledhjet ndërkombëtare. Mos
vallë regjimi i Moskës dhe ai Pekinit kanë frikë se diçka e ngjashme mund tu
ndodhi edhe atyre siç po i ndodhë Asadit në Siri e shumë diktatorëve të tjerë anë
e mbanë botës. Prandaj këto dy shtete - me
përgjegjësi ndërkombëtare për paqën dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut ë botë,
falë ndër të tjera, antarësimit të tyre në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bshkuara
- me përkrahjen e tyre për regjime brutale, fashiste e barbare si ai i Asadit
sot e Millosheviqit më parë, përbëjnë ndoshta kërcënimin më të madh ndaj
popujve liridashës anë e mbanë botës.
Sekretarja
amerikane e shtetit, Hillari Klinton shprehi shpresën se takimi i përfaqsuesve
të fuqive të mëdha në Gjenevë këtë të shtunë, do të jetë një pikëkëthesë që do
të çojë në një marrëveshje ndërkombëtare, që sipas saj do të sjellë një të ardhëme
më të mirë për të gjithë sirianët. Por nëqoftse
krahasimi i gjëndjes në Siri me luftërat e Ballkanit nga ana e Sekretarit të Përgjithëshëm
të NATO-s, ka ndonjë vlefshmëri, atëherë as mbledhja e Gjenevës nuk ka gjasë të
flasë me një zë dhe të arrijë në ndonjë marrveshje që, sipas Zotit Kofi Anan,
do të përkrahë aspiratat legjitime të popullit sirian dhe të mënjanohet një gjakderdhje
e përmasave të mëdha në Siri.