Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Kujto, për të mos harruar
E premte, 06.07.2012, 08:46 PM
KUJTO,
PËR TË MOS HARRUAR KURRË
Nga Frank Shkreli
Java që
kaloi në Shqipëri dhe në Amerikë ishte
''Java e Çamërisë'', gjatë së cilës me veprimtari të ndryshme u kujtua
gjenocidi dhe dëbimi me forcë nga shtëpitë e tyre i mijëra shqiptarëve të
Çamërisë në vitin 1944. Ishte një javë
për të përkujtuar vikimat çame, të vrarë e të shpërngulur me forcë, por ishte
gjithashtu edhe një rast për të informuar publikun dhe ishte sadopak një
përpjekje për të zbardhur të vërteten
mbi fatin e mijëra viktimave si edhe një rast për të venë në dukje
vendosmërinë për të mbrojtur të drejtat e njeriut për shqiptarët në Ballkan.
Organizuesit
e ''Javës së Çamërisë'' duhet të përshëndeten, dhe këjo nismë e të tjera si
këjo duhet të mbështeten dhe të inkurajohen nga të gjithë shqiptarët kudo dhe
sidomos në kuadër të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë duhet të nxitet
zhvillimi i kujtimeve të tilla. Historia
e kombit shqiptar është e ngarkuar rëndë me gjenocide, masakra, shpërngulje të
detyrueshme -- mbrenda dhe jashtë trojeve shqiptare -- kampe përqendrimi e punë
të detyrueshme, shkaktuar nga të huajt kundër shqiptarëve në përpjekje për të
zhdukur kombin shqiptar nga faqëja e dheut, por fatkeqsisht edhe nga shqiptari
kundër shqiptarit, siç ishte politika zyrtare e regjimit komunist të Enver
Hoxhës për të eliminuar ''armiqtë e brendshëm'' të regjimit të tij. Si e tillë,
''Java e Çamërisë'' për të përkujtuar viktimat shqiptare të fashizmit
grek kundër një popullësie të pambrojtur dhe të pafajshëme, paraqet një sfidë
morale ndaj një politike, që në themelin e saj ishte e ligshtë dhe
ç'njerëzore. Megjithëse fatbardhësisht kanë vdekur nga të njëjtat
dështime dhe si rrjedhim i politikave të tyre anti-njerëzore komunizmi dhe fashizmi edhe sot duhet të shkaktojnë trishtim, sidomos në radhët e
atyre që kanë jetuar nën ato regjime.
Sisteme këto për të cilat jeta e njeriut, sidomos e kundërshtarit, nuk
kishte asnjë vlerë. Lenini thuhet të
ketë thënë se “vdekja e një përsoni
është tragjedi, por vdekja e një million vetave është (vetëm) një statistikë’’.
Organizuesit
e ''Javës së Çamërisë'' duhet të konsiderohen si roje të kujtesës të një
historie të korruptuar dhe amorale.
Pjesëmarrësit janë pjesë e një bote të qytetëruar që e kupton rëndësinë
e kujtimit të viktimave të pafajshme, qofshin ato rezultat i masakrave në
Çamëri, në Tivar, në Kosovë, pëersekutimet komuniste në Shqipëri, apo kudo në
trojet shqiptare. Ishte një javë për të
kujtuar viktimat dhe ngjarjet tragjike që shkaktuan numërin e madh të
viktimave të pafajshëme, por për më tepër ishte një javë që duhet të
shërbejë si një reflektim dhe mësim, që masakrat e shqiptarëve në të kaluarën –
e sidomos gjatë shekullit të kaluar -- në Çamëri, në Shqipëri, në Kosovë, në
Tivar e kudo tjetër, të mos përsëriten
më, ashtuqë këjo histori tragjike të mos jetë fati i brezave të ardhëshëm të
shqiptarëve.
Për shumë
veta këto ngjarje tragjike mund të jenë si një histori që ka ndodhur shumë,
shumë kohë më parë dhe të cilat nuk na afektojnë, pasi sot kemi probleme të
tjera. Por, fatkeqsisht gjatë gjithë
historisë, mendime e qendrime të tilla mospërfillëse ndaj një historie të tillë
me ngjarje të rënda e tronditëse, kanë shkaktuar përsëritjen e tragjedive të
tilla, ndoshta edhe më të përgjakshme se përpara. Është shumë e rëndësishme që në veprimtaritë
e organizuara për ''Javën e Çamërisë'' morën pjesë shumë të rinj nga Kosova dhe
nga e gjithë Shqipëria. Sepse masakrimi
i një shqiptari, ose gjenocidi kundër një grupi shqiptarësh -- në cilën do kohë
dhe nga kushdoqoftë -- është një shkelje e të drejtave të të gjithë
shqiptarëve, në të gjitha kohërat.
Kombi
shqiptar ka vuajtur shumë golgota gjatë historisë së tij dhe është jetike që
brezi i ri, si ata që morën pjesë në ''Javën e Çamërisë'', të kujtojnë viktimat
dhe të ruajnë gjallë kujtesën e tyre, të mësojnë historinë me qëllim që brezat
e ardhëshëm të mos e përsërisin atë.
Tragjeditë nepër të cilat ka kaluar kombi shqiptar gjatë historisë së
tij, e sidomos gjatë shekullit të kaluar -- shqiptarët jo vetëm që u ndanë në
disa shtete kundër vullnetit të tij -- por si përfudnim, shumë prej tyre humbën
pothuaj çdo gjë, mbi të gjitha jetën, por edhe familjet, shtëpitë, si edhe
gjuhën, kulturën e shpesh edhe idenititetin kombëtar. Nëqoftëse humbjet tragjike dhe kolosale të
kombit shqiptar në jetë njerzish e pasurie, nuk meritojnë të kujtohen, sepse
sipas disave ishte shumë kohë më pare dhe se kemi halle të tjera tani --
atëherë çka meriton të kujtomë në këtë jetë.
Dëshmitarët
e gjallë ende flasin për tmerret që kanë parë me sytë e tyre, qoftë gjatë
gjenocidit çam qoftë gjatë regjimit komunist: kanë parë shqiptarë të njohur e
madje edhe anëtarë familje duke i vrarë në mënyrat më shtazarake, burra, gra e
fëmij. Shumë prej tyre ishin njerëz të
thjeshtë të cilët nuk përbënin asnjë rrezik për regjimin. A pyet njeri sot se pse u vranë këta? Si është e mundur që vuajtje e krime të
tilla kundër një populli të harrohen ose të mos përfillen. Si është e mundur të heshtet para një
tragjedie të tillë? Nga historia duhet të mësojmë tmerret që kanë
pësuar shqiptarët e pafajshëm nga regjimet fashiste e komuniste, jo vetëm për
arsyen që të mos përsëriten më -- por gjithashtu të hapë mundësi që të
ndërtohet një jetë më e mirë për të gjithë në të ardhëshmen, duke mos heshtur
dhe duke mos u fshehur pas një perde gënjeshtrash.
Ky vit i
100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë,
duhet të jetë një vit frymëzimi dhe shprese për një të ardhme më të mirë
për të gjithë shqiptarët. Por nuk ka të ardhme pa të kaluarën. Nuk është e lehtë për asnjë popull të
pranojë krimet ndaj popullit të vet, por duhet të vendoset e vërteta historike.
Për shqiptarët, mohimi i historisë është më i rrezikshëm se sa një shoqëri
humane e në pajtim me njëri tjetërin. A
është e mundur se asnjë person ose persona nuk do të japin llogari për ato që
ndodhën? A do të harrohen ato
tragjedi madje edhe pa një fjalë, ose
një ditë e pse jo edhe një javë përkujtimore?
Shqiptarët
kanë pasur një histori shumë të turbulltë, por sot fatbardhësisht janë duke
përjetuar një periudhë paqeje dhe përbëjnë një oazë stabiliteti në rajonin ku
jetojnë. Për një të ardhëme më të
mirë, të gjithë shqiptarët kudo, të
bashkohen në këtë përvjetor e të celebrojnë patriotizmin e rilindasve, por
edhe të kujtojnë heroizmin, sakrificat
dhe kurajon e të gjithë atyre bijve e bijave të kombit shqiptar të cilët u vranë, u viktimizuan e u dhunuan
nga komunizmi e fashizmi, si edhe ata, si shqiptarët nga Çamëria, që u
shpëngulën me forcë nga trojet e tyre shekullore, vetëm e vetëm sepse ishin dhe dëshironin të mbeteshin shqiptarë e të ruanin
lirinë dhe dinjitetin njerëzor, identitetin kombëtar dhe të drejtat e tyre
themelore të njeriut. Ata dhanë jetën
për këto vlera të larta humane e kombëtare, të pakën të kemi kurajon e tu
themi, “In Memoriam’’.