Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Lindja e Shqipërisë nga Nikola Gay
E premte, 20.07.2012, 06:58 PM
KUR LINDI
SHQIPËRIA
“LINDJA E SHQIPËRISË’’, NGA NIKOLA GAJ
Recensues Frank Shkreli
“Një shtëpi
e ndarë dhe e përçarë kundër vetvetes nuk mund të qendrojë në këmbë. Një komb i copëtuar nuk mund të jetojë, ai
duhet të luftojë për bashkim ose të vdesë.’’
Harold Nikëlson
Kohët e
fundit u promovua në Londër libri “Lindja e Shqipërisë’’ në gjuhën angleze nga
autorja Nikola Gaj, botuar nga Shtëpia Botuese ‘’IB Tauris’’. “Lindja e Shqipërisë”, trajton me saktësi
shkencore ‘’Çështjen Shqiptare’’, e cila edhe pas 100-vjetë pavarësi mbetet një
plagë e hapur për të gjithë shqiptarët, por
edhe me pasoja të rënda për rajonin dhe komunitetin ndërkombëtar.
Në librin
e saj, autorja Nikola Gaj ve në dukje se marrveshjet midis fuqive të mëdha
aleate, në kurriz të shqiptarëve dhe përsa i përkiste fatit të Shqipërisë dhe shqiptarëve, nuk kishin asnjë ndjenjë ose
bazë morale – duke venë në këtë mënyrë vazhdimisht
në dyshim pavarësinë e shtetit të ri shqiptar.
Ajo shkruan se si të mëdhejtë e Evropës në fillim të shekullit të kaluar,
coptuan Shqipërinë duke shpërblyer fqinjtë me më shumë se gjysmën e kombit
shqiptar.
Libri është
përqendruar kryesisht në rolin e politikës
britanike por edhe të fuqive të të tjera evropiane si dhe mbi politikën e Uashingtonit zyrtar
pas vitit 1917 ndaj çështjes shqiptare, duke u bazuar në burime të dorës së parë
në arkivat britanike, amerikane e të tjera.
Thelbi i
librit është se politika e hapët, diplomacia dhe intrigat e ulëta të fuqive të mëdha evropiane
ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, në fillim të shekullit të kaluar, ishin, jo
vetëm në përputhje me ta, por edhe aq armiqësore dhe anti-shqiptare, sa ishin edhe politikat
ekspansioniste të fqinjëve të saj në Ballkan.
Prandaj si rezultat i kësaj politike dhe diplomacie të fuqive të mëdha
evropiane dhe fqinjëve grabitës, Shqipëria ka sot kufijtë që ka – një padrejtësi prej një shekulli në kurriz
të kombit shqiptar dhe si e tillë, heret ose vonë - më mirë heret se vonë – kërkon
një zgjidhje të përhershme dhe përfundimtare.
Nikola
Gaj, në librin e saj shkruan për formimin e shtetit shqiptar pas përmbysjes së Perandorisë
Osmane, por mbi të gjitha, ajo përqendrohet duke përshkruar në hollësi se pse
trojet shqiptare u ndanë copa copa midis vendeve fqinje, duke rrezikuar në këtë
mënyrë vet ekzistencën e kombit shqiptar.
Ajo lidhë ngjarjet ndërkombtare të kohës me rrethanat e mbrendshme
shqiptare duke mbuluar me fakte e dokumentacion një histori që fillon nga luftërat
ballkanike dhe që përfshinë episode shqiptare dhe ndërkombëtare, - por edhe
ngjarjetnë vendet fqinje – duke filluar
nga konferencat e Londrës e deri tek Konferenca e Paqës në Paris dhe krijimit të
Ligës së Kombeve. Në librin prej 338
faqesh, tetë kapitujsh dhe një mori fusnotash, bibliografi të pasur si edhe
harta e fotografi personalitetesh shqiptare dhe të huaj të asaj periudhe,
Nikola Gaj, shpjegon se pse dhe si u arrijtë më në fund pavarësia e Shqipërisë,
bazuar në idetë që mbizotëronin në atë kohë mbi etnicitetin dhe identitetin
kombëtar, por që më së miri u përcaktua me frazën e presidentit të atëhershëm
amerikan Woodrow Wilson, si “Vetvendosje
kombëtare’’, për kombet e vogëla.
Nikola
Gaj e fillon librin duke shkruar për shfaqjen e nacionalizmit shqiptar bazuar në
gjuhën e folur në trojet shqiptare dhe mbi përpjekjet e patriotëve shqiptarë që
identiteti shqiptar të pranohej nga fuqitë e mëdha të kohës, me qëllim që të ndalohej
dhënja e tokave shqiptare shteteve fqinje. Ajo flet për diskutimet, në radhët e
përfaqsuesve të fuqive të mëdha, për të përcaktuar se çdo të thoshte ëmëri “Shqipëri’’,
si edhe mbi pranimin e gjuhës dhe etnicitetit si baza për krijimin e shtetit të
ri. Ajo në librin e saj nënvijon
gjithashtu vështirsitë me të cilat përballeshin shtetet e vogëla, në këtë rast
Shqipëria, sidomos kur nuk gëzojnë përkrahjen e ndonjë fuqie të madhe.
Për më tepër,
ajo shkruan në hollësi mbi arsyet dhe ndërlikimet e vendimit që morën fuqitë e
mëdha për të anulluar pavarësinë e Shqipërisë dhe për të copëtuar tokat
shqiptare duke ua dhënë Serbisë, Greqisë
dhe Italisë. Njërin prej kapitujve,
autorja Gaj ia kushton Konferencës së Paqës në Paris dhe se si “parimi i vet-vendosjes’’
nuk ishte paraparë që të zbatohej në rastin e Shqipërisë dhe flet për përpjekjet
e Presidentit amerikan Wilson, përballë kundërshtimeve ndaj qendrimit të tij - për
të rivendosur një zgjidhje për pavarësinë e Shqipërisë, të bazuar në parimin e
etnicitetit – e që kundërshtohej vendosmërisht nga fqinjtë e Shqipërisë dhe mbështetsit
e tyre evropianë dhe Rusia.
Autorja
shkruan se Presidenti Wilson përballej me presione të shumta nga fuqitë evropiane
përsa i përkiste Shqipërisë. Madje edhe
ndihmësit e tij e këshilluan Wilsonin që të tregonte më shumë mirëkuptim ndaj
qendrimeve të evropianëve për “çështjen shqiptare’’, kryesisht për shqetsimet
dhe interesat amerikane në lidhje me situatën në zonën e Adriatikut dhe në Ballkan. Por, Presidenti Wilson hodhi poshtë edhe këshillat
e ndihmësve të tij dhe mbeti i vendosur në bindjen e tij se Shqipëria nuk duhej
përdorur si një gur shahu. Duke u këthyer
nga Konferenca e Paqës për në Shtetet e Bashkuara, Wilsoni i dërgon një telegram
Sekretarit të Shtetit Robert Lansing, i cili pas largimit të Wilsonit kryesonte
delegacionin amerikan në Konferencën e Paqës, e në të cilin presidenti amerikan
i shkruante:
“Deshta që
para se të largohem tu shpreh ju dhe kolegëve të tjerë, interesimin tim të thellë
mbi fatin dhe të drejtat e Shqipërisë. Kam frikë se në mesin e shumë çështjeve
të tjera që mund të duken më të rëndësishme, të anashkaloni ose të mos përfillni
këto të drejta. U lutem shumë që ju të jeni
jashtzakonisht të kujdesshëm në lidhje me këto të drejta (të Shqipërisë’’.
Më pastaj,
në pjesën tjetër të librit, ajo shkruan për arsyet që patriotët shqiptarë hoqën
dorë nga varësia e tyre në fuqitë e mëdha duke përdorur, sipas saj, mjetet
diplomatike dhe ushtarake ndaj kundështarëve të shqiptarëve dhe të Shqipërisë. Autorja nënvijon taktikat që përdorën
shqiptarët, kryesisht nepërmjet organizatave ndërkombëtare, që më në fund të siguronin pavarësinë e tyre, megjithëse sipas saj, ata
ishin të detyruar të moderonin kërkesat e tyre kombëtare me qëllim që të siguronin
përkrahjen ndërkombëtare për mbijetimin e shtetit të ri.
Ky libër
i bazuar në dokumentacion të dorës së parë, është një kontribut jashtzakonisht
i vlefshëm në këtë 100-vjetor të pavarësisë së Shqipërisë. Pasi thuhet se historia është ajo që e
tashmja dëshiron të mësoj për të kaluarën,
atëherë libri, “Lindja e Shqipërisë’’ e autores Nikola Gaj, duhet të lexohet
doemoshmerisht nga shqiptarët por sidomos nga të huajt, të cilët kanë nevojë të
mësojnë se si dhe pse kombi shqiptar, si asnjë komb tjetër në Evropë e ndoshta
në botë - që sot e kësaj dite - mbetet i ndarë e i copëtuar në një gjysëm dyzinë
shtetesh fqinje rreth e përqark shtetit amë.
Botimi i këtij libri në këtë 100-vjetor, eshtë doemosdo një kontribut ndaj së vërtetës, por është edhe si një kujtesë se megjithë arrritjet e shqiptarëve gjatë shekullit të kaluar, përfshirë edhe pavarësinë e Kosovës, prapëseprapë kombi shqiptar nuk është ende ai që duhet të jetë - një, dhe i bashkuar - ashtu si e donin dhe e ëndërronin Rilindasit e Lidhjes së Prizrenit, për ndryshe rrezikon çfarosje.