Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Kandidati Romney emëron Ryan
E diele, 12.08.2012, 12:17 PM
NJË FAZË E
RE NË FUSHATËN PËR PRESIDENT TË SHTETEVE TË BASHKUARA
Nga Frank Shkreli
Kandidati
për president të Shteteve të Bashkuara i Partisë Republikane Mit Romni (Mitt
Romney) njoftoi të Shtunën kandidatin e tij për nënpresident të ardhëshëm të Shteteve
të Bashkuara. Pas shumë spekulimesh me
nja një dyzinë emërash, kandidati republikan për president njoftoi më në fund
se ka zgjedhur kongresistin Polë Rajën (Paul Ryan), nga shteti Uiskonsin. Kongresisti
Rajën aktualisht është kryetar i Komisionit që merret me buxhetin në Dhomën e Përfaqsuesve
dhe është një përkrahës i fortë i pakësimit të deficitit buxhetor dhe të shpenzimeve
të qeverisë federale.
Është interesant
fakti se 42 vjeçari Polë Rajën, kandidat për nënpresident të Shteteve të Bashkuara,
është i të njëjtës moshë sa edhe djali i madh i Mit Romnit, gjë që nuk ndodhë shpesh
në politikën amerikane.
Duke
njoftuar kandidaturën e kongresistit Rajën për nën-president, Zoti Romni e cilësoi
vendimin e tij si, ''Një hap tjetër përpara për të ringjallur premtimin e
Amerikës, ndërsa vazhdojmë fushatën për një të ardhme më të mirë për vendin. E kam për nder t'u paraqes kandidatin që kam
zgjedhur për nënpresidentin e ardhëshëm të Shteteve të Bashkuara, Polë Rajën.''
Ai e cilësoi kongresistin nga shteti Uiskonsin si një ''udhëheqës intelektual i
Partisë Republikane, i cili kupton mirë katastrofën financiaro/buxhetore që na
pret, nëqoftse nuk ndyshojmë drejtimin''.
Zoti Romni tha gjithashtu se një ndër karakteristikat e kandidatit të tij
për nënpresident është fakti se ai mund të punojë me antarë të dy partive
kryesore në Kongres... dhe se ai nuk i konsideron kundërshtarët e tij si të djallëzuar'',
duke shtuar se ''shumë veta nga Partia Demokrate mund të mos jenë dakort mbi
shumë çështje (politike dhe ekonomike) me Polë Rajën....por unë nuk njoh asnjë prej
tyre që të mos respektojë karakterin dhe gjykimin e tij.''
Kongresisti
Polë Rajën, i cili është i favorizuari i krahut të djathtë mbrenda Partisë Republikane,
sidomos për çështjet ekonomiko-financiare, menjëherë filloi të kritikojë ashpër
politikat e demokratëve në Kongres në përgjithësi dhe të administratës së Presidentit
Obama në veçanti, duke thënë se gjatë katër vjetëve të fundit, ''ata kanë refuzuar
të marrin vendime të vështira, sepse janë më të interesuar në rizgjedhjen në postet
që kanë se sa për fatin e brezit të ardhëshëm.'' Në lidhje me ekonominë, që është preokupimi
kryesor i zgjedhsve amerikanë këtë vit, kandidati republikan për nën-president
tha se situata e tanishme mund të ndryshohet, ''por nevojitet udhëheqje e fortë
dhe kurajo për t'i thënë të vërtetën'',
popullit amerikan.
Megjithëse
demokratët së shpejti do të fillojnë kritikat e tyre të ashpëra kundër
kongresistit Rajën, sidomos kundër politikës së tij financiaro/buxhetore, të cilën
ata e kanë cilësuar si të papërgjegjshme -në frymën tradicionale të tolerancës
politike amerikane, Nën-Presidenti Xho Bajdën i telefonoi kongresistit Rajën për
ta uruar për zgjedhjen e tij dhe i bëri thirrje
që të gëzojë këtë ditë me familjen dhe tha në mesaxhin e tij se pret me padurim që të debatojë me të çështjet
e rëndësishme me të cilat përballet vendi, ashtuqë që zgjedhësit amerikanë të kenë
alternativa të qarta në Nëntor.
Analistët
po reagojnë ndaj njoftimit të kandidaturës së kongresistit Rajën për nën-president
duke thënë, ndër të tjera, se kandidatura e tij për nën-president le të kuptohet
se fushata për president tani e deri në Nëntor do të përqëndrohet krejtësisht
mbi çështjet e mbrendshme, përfshirë ekonominë, papunësinë, taksat dhe
shpenzimet e qeverisë federale. Ekspertët
thonë gjithashtu se ndryshe nga e kaluara, kandidatët demokratë këtë vit - Presidenti
Obama dhe Xho Bajdën -mund të thonë pa ekzagjerim se kanë më shumë përvojë në fushën
e politikës së jashtme, në krahasim me kandidatët republikanë Romni dhe Rajën. Në të vërtetë as ish-governatori Romni as
kongresisti Rajën nuk mund të pretendojnë ndonjë eksperiencë në politikën e
jashtme ose të mbrojtjes, pasi nuk kanë patur ndonjë përvojë në këto fusha.
Përveç kredencialeve
të tij si konservator në çështjet buxhetore e financiare, ai dallohet edhe si
një atlet dhe kursimtar në në jetën tij personale, sepse njihet mirë fakti se
ai jeton në zyrën e tij në Kongres katër ditë të javës dhe këthehet në shtëpi në
Uiskonsin në fund të javës. Kongresisti
Rajën i përket fesë katolike dhe analistët sugjerojnë se edhe ky fakt mund të ketë
luajur një rol në vendimin e Z. Romni për ta zgjedhë atë kandidat për nënpresident,
me shpresë për të siguruar në Nëntor, përkrahjen e katolikëve amerikanë por
edhe të grupeve të tjera fetare, disa prej të cilave kanë shprehur shqetsim në lidhje
me fenë mormone të Z. Romni.
Strategët
politikë të Partisë Republikane shpresojnë që njoftimi dje i kandidatit republikan për president Mit Romni për të emëruar
kongresistin Polë Rajën kandidat për nën-president do të sjellë një energji të re
në radhët e republikanëve, por analistët
politikë shprehen njëkohësisht se
kandidatura e kongresistit Rajën për nënpresident, ka të ngjarë që të mobilizojë
gjithashtu edhe bazën e Partisë Demokrate, për arsye të kundërta.
Por cilat do qofshin intrepretimet e këtij emërimi dje nga përkrahësit e të dy partive ose nga analistët dhe komentatorët politikë të të gjitha ngjyrave, është votuesi amerikan ai që - pas një fushate të gjatë e cila do të kulminojë në debatet televizive midis kandidatëve - do të vendosë se kandidatët e cilës parti do të kenë vullnetin, aftësinë, vendosmërinë dhe vizionin për tu besuar frenat e qeverisë së Shteteve të Bashkuara për katër vjetët e ardhëshme, për të zgjidhur problemet serioze, të mbrendshme dhe të jashtme me të cilat përballen Shtetet e Bashkuara të Amerikës.