Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: 100 vjetori i pavarësisë
E marte, 23.10.2012, 06:59 PM
OPINION
ME RASTIN E 100-VJETORIT TË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË
Nga Frank Shkreli
Zhvillimet
historike nepër të cilat ka kaluar kombi shqiptar, shpesh të ngarkuara me
fatkeqësi fatale, kanë bërë që kombi shqiptar të humbasë kohë dhe si rrjedhim të
mbesë mbrapa kombeve të tjera si motra në Evropë. Nuk është se shqiptari nuk kishte gjallëri
dhe prirje për të ecur hap më hap me kombet e tjera. Shqiptari luftoi, e u dogj por mbijetoi,
gjithmonë me bindjen se ''Kombet shuhen përmbi dhe, por Shqipëria do të rrojë.'' Rrjedha e shekujve e bëri atë që të priste
me vuajtje e durim -- në një hapësirë gjeografike të tijën të zvogëluar nga
grabitqarët fqinjë-- duke kapërcyer sulmet armiqësore dhe planet ngatërrestare
shekullore të armiqëve të kombit shqiptar dhe bashkpuntorëve djallëzorë të tyre.
Më në fund
lindi drita, lindi mengjesi i ri, u shpallë pavarësia e Shqipërisë, 100-vjetori
i së cilës festohet brenda një muaji. U
rivendos nderi i flamurit të Gjergj Kastriotit-Skënderbe, dhe i Lidhjes së Prizrenit
si dhe i rishfaq shpresa për një të ardhme më të lumtur dhe të lirë për kombin
shqiptar. Këjo fitore, që i ndryshoi
kombit shqiptar fytyrën anakronike të tij të deri atëhershme, u realizua nga
rilindasit, përfaqsues të të gjitha trojeve shqiptare, të një kombi të pa-ndarë,
me interesa dhe me një fat të përbashkët, të një kombi që ishte dhe është integral,
homogjen në trojet e veta dhe i pandashëm.
Prandaj, ky përvjetor thërret me zë të lartë nevojën për një ideal njerëzor
dhe kombëtar, për të bashkuar jo vetëm të gjitha forcat me ndërgjegje kombëtare,
por edhe secilin bir e bijë të kombit shqiptar, ashtuqë të gjithë të gjëjnë vullnetin
dhe arsyenë -- me të drejta dhe detyrime të barabarta -- të punojnë të gjithë së bashku për lartësimin e
interesave të kombit dhe të gjithë shqiptarve kudo që ata jetojnë. Në sofrën e festës së 100-vjetorit duhet të
ketë vend për të gjithë. Këjo është trashëgimia
e Lidhjes së Prizrenit, për një Shqipëri për të gjithë dhe nga të gjithë. Jo, një Shqipëri me pa ndërgjegje kombëtare; jo një Shqipëri me ndasi krahinore ose
fetare; jo një Shqipëri e sunduar nga një
klasë politike, pakicash oligarkike me interesa tregëtare dhe ekonomike në kurriz
të shumicës, e cila gabimisht mendon se duke pasuruar vetveten, përmirëson
gjendjen e mbarë vendit.
Në këtë 100-vjetor,
kombi shqiptar fatbardhësisht ka njerëz mendje-ndritur dhe ekspertë në çdo degë
dhe fushë të jetës njerëzore. Ky përvjetor
është momenti historik i përqëndrimit në idealin njerëzor dhe kombëtar. Mungesa e idealit kombëtar, tërheqë lakmitë e
të huajve dhe dashtë e pa dashtë bie viktimë e tyre. Ideali kombëtar duhet të jetë lartësimi i vëllazërimit
kombëtar në nivelin e trashëguar nga të parët: të nderit, besës dhe burrënisë --
trashëgimi këjo e stërgjyshërve tanë dhe e krenarisë së emërit shqiptar.
Shqipëria
për 100-vjetë pavarësi dhe 20-vjetë demokraci, megjithëse e cunguar, është mëkëmbur
duke lëshuar rrënjë si një shtet modern, anëtar i NATO-s dhe kandidate për
antarësim në Bashkimin Evropian. Ajo do
të jetojë pa marrë parasyshë armiqësitë dhe lakmitë e fqinjve të cilët gjtihmonë
i kanë shkaktuar pengesa. Kosova gëzon
gjithashtu pavarësinë, ëndërrë shekullore e të gjithë shqiptarëve. Në këtë përvjetor, edhe shqiptarët kudo në trojet e veta gëzojnë liritë
e tyre (megjithëse jo të plota) si asnjëherë më parë në historinë e tyre plotë vuajtje. Por megjithë këto arritje, kombi shqiptar
duket sikur thërret për rivendosjen e idealeve shpëtimtare të rilindasve dhe stërgjyshërve,
për fuqi dhe ide të reja, të shëndosha dhe të pastra përparimtare të kombit, për
të venë në vend amanetin e tyre.
Për arsye
të pushtimeve të huaja shekullore, 50-vjetë të diktaturë komuniste si dhe
koston e madhe njerëzore e morale që bartin ato, duhet pajtuar me faktin se të gjithë
shqiptarët kudo, si të pasur ose të varfër, si të shpërndarë dhe të përçarë, si
vuajtës dhe si përkrahës të rrymave dhe partive të ndryshme politike, ata nuk
do të pushojnë kurrë së vajtuari traumat
e së kaluarës, sepse dhëmbjet nga ato periudha historike janë ende të freskëta
dhe shumë të mëdha. Por ama si të tillë,
shqiptarët në këtë 100-vjetor, nuk kanë asnjë rrugëdalje tjetër veçse të jetojnë
si komb së bashku, të shtohen dhe të rritën, në harmoni me njëri tjetrin dhe në
begati, të bashkuar nga idealet kombëtare që nuk mund t'i thyej asgjë.
Prandaj,
nëqoftse do të festojmë diçka, nuk ka gjë më të shënjtë se pavarësia e një kombi,
dhe si e tillë duhet të festohet me gjithë mendë e zemër, nga çdo shqiptar dhe
nga i mbarë kombi. Ndjenjat dhe
krenaria kombëtare duhet të rivendosen, forca e ndjenjës së vëllazërimit kombëtar
e rilindasve duhet të këthehet. Përsonat
dhe zërat e kundërtë, qofshin ata politikanë, në pushtet ose jashtë pushtetit,
teoricienë, akademikë ose tregtarë, nga veriu ose nga jugu, nga Kosova ose nga
viset e tjera shqiptare në Ballkan -- të cilët vendosin pengesa ndajë rivendosjes
së këtyre idealeve kombëtare duhet të shpallen si persona me mendime të ndryshkura
dhe të pa ndërgjëgjëshëm nga pikëpamja kombëtare.
Prandaj
edhe njëherë, le të shërbejë ky përvjetor si një rast për shërimin e plagëve të
vjetëra, për pajtimin e mendimeve të ndryshme dhe për ribashkim në festën e
madhe të kombit shqiptar. Në të njëjtën
kohë, festa e përbashkët e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë të jetë gur-themeli
mbi të cilin do të ndërtohet një tempull i ri i lirisë kombëtare shqiptare, në
pajtim, paqë dhe begati për të gjithë dhe me njëri tjetrin.