Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Isa Boletini - Pishtari i bashkimit kombëtar
E diele, 02.09.2012, 11:06 AM
ISA
BOLETINI: PISHTARI I BASHKIMIT KOMBËTAR
''Unë jam mirë kur ashtë mirë Shqipënia''
Nga Frank Shkreli
Në këtë 100-vjetor
të pavarësisë së Shqipërisë, kujtojmë njërin prej protagonistëve kryesorë të një
Shqipërie të pavarur, atdhe i të gjithë atyre që e konsiderojnë veten mbesa të Teutës
dhe stërnipa të Gjergj Kastriotit-Skendërbe - Isa Boletinin nga Mitrovica. Një figurë ndër më të ndriturat e kombit
shqiptar, dorë e djathtë e Ismail Qemalit dhe Luigj Gurakuqit me shokë, i cili
gjithmonë kishte pushkën në dorë dhe dorën në pushkë, në mbrojtje të Atdheut.
Isa
Boletini u tradhëtua nga diplomatët francezë dhe pas një qëndrese të fortë, u
vra në tradhëti nga xhandarët malazezë së bashku më të afërmit e familjes së tij,
Janarin e vitit 1916. Për fat të keq të saj
dhe të kombit, familja e Isa Boletinit
nuk pau dritë dielli as më vonë. Anëtarët
e familjes Boletini të vrarë, të burgosur e të përsekutuar janë me dyzina. Gjithsejt, sipas një deklarate dhënë një gazete shqiptare, një
nip i Isa Boletinit, thotë se nga familja e tij janë vrarë ose ekzekutuar 15
vetë dhe dhjetë të tjerë janë dënuar me vite të tëra në internim dhe burgjet
komuniste. I vrau serbi e malazezi, dhe
i burgosi jugosllavi, por për faqe të zezë të komunistëve shqiptarë, mbi
familjen e Isa Boletinit sikur të mos kishte vuajtur mjaft, regjimi komunist i
Enver Hoxhës, ushtroi një kalvar të vërtetë duke burgos, duke internuar dhe
duke vrarë anëtarët më të afërm të familjes Boletini, siç duket për ’’shpërblim’’
që për një gjysëm shekulli Isa Boletini dhe familja e tij bënë vetëm e vetëm, që ‘’Shqipënia të ishte
mirë’’. T'a kujtojmë pra dhe të nderojmë
Isë Boletinin, i cili me trimërinë dhe sakrificën e tij personale dhe
familjare, e bëri të nderueshëm kombin shqiptar.
Nuk është
qëllimi i këtij shkrimi që të përshkruhen ngjarjet historike dhe roli i
pazevendsueshëm që luajti Isa Boletini për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë dhe
të kombit shqiptar në fillim të shekullit të kaluar kundër përdhunimeve
historike ndaj shqiptarëve nga fqinjtë e përkrahur nga fuqitë e mëdha të kohës,
pasi një gjë e tillë do të kërkonte më shumë kohë dhe hapësirë. Deshta vetëm të nënvijoj disa vlera fisnore të
kombit shqiptar, nderin e burrërinë - por mbi të gjitha atdhedashurinë - të jetuara,
të zbatuara dhe të mishëruara në qënjen e shqiptarit me shekuj, e të cilat janë
trashëgimi e shënjët e patriotëve dhe herojve kombit si Isa Boletini, e të cilët
shqiptarëve u dhuruan një Atdhe.
Isa
Boletinit, Perëndia i kishte falur shumë dhunti të çmueshme. Mund të thuhet se ai, për kohën kur jetonte,
kombinonte vetitë e dy udhëheqësve modern shqiptarë – cilësitë dalluese
diplomatike të Dr. Ibrahim Rugovës me aftësitë legjendare ushtarake të Adem
Jasharit. Ai arrijti të luaj, në mënyrë
të plotë e të përsosur rolin e një diplomati duke vizituar qendrat e diplomacisë
së kohës dhe duke u takuar me përfaqsues të fuqive të mëdha të cilat kishin në dorë
fatin e Shqipërisë. Isa Boletini ishte
anëtar i delegacionit shqiptar të kryesuar nga Ismail Qemali, që në Mars të vitit
1913 shkoi në Londër për të kërkuar mbështetjen e Britanisë së Madhe për
shtetin e posa formuar shqiptar.
Aubrey
Herbert, një diplomat anglez i asaj kohe me përvojë ballkanike, kishte lidhje të
ngushta me Shqiptarët, por veçanërisht me Isa Boletinin i cili, sipas tij,
''kalonte orë të tëra në shtëpinë time'' gjatë qendrimit të tij në Londër - shkruan
në kujtimet e tija se '' Shqiptarët që erdhën në Angli lanë një përshtypje të shkëlqyer''. Ai e përshkruan Isa Boletinin si “më të pashmin
dhe më i shprehuri i delegacionit’’,
duke shtuar se megjithëse Boletini ''ishte i pa shkollë, ai gëzonte një reputacion
që e dallonte atë për kurajon dhe trimërinë për të cilat ishte i njohur. Veprat e tija ishin madhështore dhe
arratisjet e tija nga serbët dhe turqit ishin këthyer në legjendë.'' Gjatë takimit me përfaqsuesin e lartë britanik, Z. Lloyd George, sipas Aubrey Herbert, Isa
Boletini iu drejtua përkëthyesit të delegacionit shqiptar, Tonin Prekës duke i
thënë: "Thuaji atij, (Lloyd George)
se unë jam malësor, ashtu si është ai, dhe se unë e di që zemra e tij është e
sjellshme karshi atyre që vuajnë.” Dhe
me shprehinë që e dallonte Boletinin, ai vazhdoi, ”E thuaji, që kur të vij
pranvera, do të plehërojmë Fushë Kosovën me eshtrat e serbëve, sepse ne Shqipëtarët
kemi vuajtur shumë për të harruar."
Kur Isa
Boletini nuk ishte në zyrat e diplomacisë evropiane, ku përpiqej të bindëte
Londrën zyrtare dhe kancelaritë e tjera evropiane që të ndalonin ndarjen e
tokave shqiptare, ai gjëndej në front të luftës për çlirimin, për lirinë dhe
pavarësinë e Atdheut kundër forcave osmane dhe serbo-malazeze.
Jo vetëm
me fjalë dhe me vepra, por edhe me veshën tradicionale dhe me qeleshe të bardhë në kokë, Isa
Boletini ishte, si të thuash me fjalorin e ditëve të sotëme, një reklamë në përpjekje
për të bërë sa më të njohur para syve të botës vlerat, kulturën dhe traditën e
vjetër të kombit shqiptar.
Sikurë Adem
Jashari, edhe Isa Boletini e lidhi jetën e vet dhe të familjes së tij më në fund duke sakrifikuar çdo gjë - por mbi të gjitha familjen e tij - për
fatin e Atdheut. Ai nuk e bëri këtë as për
ambicje, as për nam, as për ndonjë kolltuk, as për dobi të miqve ose të farefisit
– por vetëm e vetëm se me zemër e me shpirt i kishte kushtuar jetën dhe qenjen
e tij interesave të Atdheut dhe të kombit.
Këtë ai më së miri e ka shprehur vet duke thënë: ‘’Unë nuk kam dalë malit
për të mirën time, por për të mirën e Atdheut tim, për lirinë e popullit tim. Në është Evropa se nuk do të zgjidhë drejtë
çështjen e kufijve të tokave shqiptare, Ballkani nuk do të ketë qetësi kurr,
dhe për këtë, faji do të bie mbi ju e jo mbi ne, që do të luftojmë përherë,
derisa të çlirohemi.’’ Dhe përsëri ai
citohet të ketë thënë se, "Unë kam ngrit krye për hakin e Shqipnisë. Nuk lypi shpërblime për vete. Unë jam mirë kur ashtë mirë Shqypnia!"
Kujtimi më
i mirë i Isa Boletinit dhe patriotëve të tjerë, në këtë përvjetor, do të ishte
që e ardhmja e shqiptarëve në Ballkan të ndërtohet mbi themelet e këtyre
vlerave, për të cilat luftoi dhe dha jetën Isa Boletini. Pasi ata me luftën e tyre për liri e pavarësi,
u përpoqën që të plotësonin porositë e Gjergj Kastriotit-Skëndërbe, për një Shqipëri
të bashkuar, si një dëshmi e denjë këjo e dinjitetit kombëtar. Kombi shqiptar ka kaluar nepër një periudhë të
zezë dhe shumë të vështirë të komunizmit, që
tronditi themelet e traditës së shëndoshë shoqërore dhe morale të shqiptarit, pikërisht ato tradita me të cilat Isa
Boletini mburrej para botës.
Ndërsa
kombi shqiptar ende përpiqet të shkundë nga kujtimi këtë periudhë të errët të historisë
së tij, është shembulli i jetës dhe i veprimtarisë së patriotëve si Isa
Boletini, ai i cili duhet të frymëzojë brezin e sotëm dhe brezat e ardhëshëm të
shqiptarëve. Këjo për më tepër, sepse
shqiptarët sot gjënden përballë kushteve të reja kombëtare dhe ndërkombëtare si
dhe të nevojave të natyrshme të cilat kërkojnë plotësimin e tyre.
Le të jetë ky një përvjetor që të frymëzohet nga objekivat e larta të vëllazërimit shqiptar, për të cilat luftoi dhe sakrifikoi Isa Boletini dhe familja e tij. Dhe në të njëjtën kohë, të pyesim nëse herojtë si Isa Boletini - të cilët sakrifikuan aq shumë për lirinë e kombit shqiptar- në rrethanat e sotëme, do të ishin të kënaqur me status quonë në trojet shqiptare. A thua do të ishin të kënaqur për sakrificat e mëdha—personale dhe familjare - që ata kanë bërë, ashtuqë “Shqipënia të jetë mirë’’?