Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Kuvendi i Partisë Republikane të Amerikës
E diele, 26.08.2012, 11:20 AM
KUVENDI I
PARTISË REPUBLIKANE TË AMERIKËS
Nga Frank Shkreli
Partia
Republikane këtu në Shtetet e Bashkuara po bën përgatitjet e fundit për
kuvendin e saj në qytetin Tampa të shtetit Florida që pritet të fillojë punimet
katërditëshe të hënën, megjithëse ekzistojnë shqetsime se një stuhi e madhe që parashikohet
të godasë Floridën ekzaktërisht kur ajo do të kalojë nepër zonën ku gjëndet
qyteti Tampa, mund të ndërhyjë me punimet e kuvendit të republikanëve. Kuvendi, që pritet të kurorëzojë zyrtarisht
emërimin e governatorit Mit Romni për kandidat për president dhe të kongresistit
Polë Rajën për zëvëndës-president të Partisë Republikane, do të mbledhë gjithsejtë
2286 delegatë nga e gjithë Amerika. Delegatët
do të votojnë kandidatët e partisë së tyre për president dhe zëvendës-president,
të cilët -- në zgjedhjet e përgjithëshme në Nëntor -- do të ballafaqohen me
kandidatët e Partisë Demokrate, Presidentin Barak Obama dhe zëvendës-presidentin
Xho Bajdën.
Pritet që
anëtarë të njohur dhe aktiv të Partisë Republikane, përfshirë governatorë,
senatorë, biznismenë dhe të tjerë të mbajnë fjalime dhe të diskutojnë mbi temën
e caktuar të kuvendit, ''Për Një Të Ardhme
Më Të Mirë''. Mirëpo, njoftohet se
republikanët e dalluar, ish-presidenti Xhorxh Bush dhe ish-zëvendës-presidenti
Riçard Çejni kanë thënë se nuk do të marrin pjesë në kuvend. Natën e parë të kuvendit është caktuar se do
të flasë bashkshortja e governatorit Romni, Zonja An Romni e cila do të mbyllë aktivitetet
e ditës së parë të kuvendit dhe njëkohësisht është njoftuar se fjalimin kryesor
me rëndësi të kuvendit do ta mbajë të Mërkurën mbrëma governtori i shtetit Nju
Xhërsi, Zoti Kris Kristi. Siç është traditë këtu në Amerikë, kuvende të
tilla çdo katër vjetë, shoqërohen gjithashtu edhe me demonstrata e protesta të mëdha,
shpeshëherë të dhunëshme, nga grupe me interesa të ndryshme.
Qëllimi i
mbajtjes së këtyre kuvendeve nga partitë kryesore amerikane çdo katër vjetë, është që delegatët dhe votuesit amerikanë të familjarizohen
me programin e partisë dhe të kurorëzojnë zyrtarisht emërimin e kandidatit të partisë
së tyre për president. Kryetari i
komisionit Kombëtar të Partisë Republikane, Reince Priebus tha se këtë vit,
''Objektivi i punimeve të kuvendit është që populli amerikan të ketë mundësi të
dëgjojë prioritetet dhe të familjarizohet me përvojën dhe me planet e kandidatëve
tanë për të siguruar një të ardhëme më të mirë për vendin tonë.''
Sipas
portalit të Kuvendit të Partisë Republikane, përveç 2,286 delegatëve zyrtarë dhe
2,125 zëvendësve të tyre, punimet e Kuvendit
të kësaj partie do t'i mbulojnë edhe 15.000 gazetarë tanimë të regjistruar
zyrtarisht me kredencialet e nevojshme të medias kombëtare dhe ndërkombëtare.
Analistët
politikë amerikanë besojnë se -- roli
dhe interesimi për këto kuvende politike është në rënje -- duke nënvijuar si
provë edhe faktin se rrjetët kryesore të telelvizionit amerikan, që në të kaluarën
mbulonin pothuaj të gjitha punimet e kuvendeve të dy partive kryesore, sivjet kanë vendosur të kufizojnë mbulimin e
punimeve të kuvendit në tre orë në ditë.
Megjithkëtë, ata thonë se kuvendet e dy partive kryesore kanë gjithnjë një
rol për të luajtur në jetën politike dhe në afirmimin e kandidatëve dhe në promovimin
e programeve të tyre. Punimet, debatet
dhe diskutimet në këto kuvende zakonisht pasqyrojnë pikëpamjet dhe qendrimet e
kandidatit dhe të partisë që ai përfaqëson.
Por e vërteta është se si rezultat i zgjedhjeve paraprake që zgjatën
pothuaj një vit, shumica e votuesve tani
kanë vendosur se për cilin kandidat -- Barak Obama ose Mit Romni -- do të votojnë
në Nëntor. Por punimet e kuvendit dhe
fjalimet e ndryshme, përfshirë ato të kandidatëve kryesorë, shpesh pasqyrojnë qendrimet
dhe parimet në të cilat beson kandidati.
Si përfundim, ka mundësi që punimet
e kuvendit të bindin votuesit amerikanë që ende nuk kanë vendosur se për cilin
kandidat do të votojnë: Presidentin
BarakObama apo Guvernatorin Mit
Romni.
Javën që vjen,
Kuvendi i Partisë Republikane dhe kandidati i saj për president Mit Romni, nëqoftse
janë të interesuar dhe dëshirojnë të kontrollojnë Shtëpinë e Bardhë për katër
vjetët e ardhëshme, duhet të bindin votuesit që nuk kanë vendosur ende se për
cilin kandidat të votojnë. Republikanët duhet të paraqesin vizionin e tyre të qartë
dhe bindës për të ardhmen e vendit dhe jo vetëm të kritikojnë e të thonë se
politikat e Presidentit Obama kanë dëmtuar
dhe janë shkatërruese për vendin.
Ata e kanë
për detyrë të paraqesin idetë e tyre ndryshe dhe në mënyrë të qartë t'i
paraqesin votuesve amerikanë se si Amerika e Mit Romnit do jetë ndryshe nga
Amerika e sotëme e Presidentit Barak Obama dhe se një administratë e mundëshme
e Mit Romnit ka jo vetëm një plan dhe program të qartë, por edhe bindjet,
vullnetin dhe karakterin e nevojshëm për të zgjidhur problemet serioze me të cilat
përballet sot Amerika. Këjo është sfida
e Kuvendit të Partisë Republikane që do të zhvillojë punimet në qytetin Tampa të
shtetit Florida, nga 27 deri më 30 Shtator.