Editorial » Shkreli
Frank Shkreli - “Qytetar Nderi” i Komunës Shkrel
E diele, 21.10.2012, 10:48 AM
Frank
SHKRELI - “Një titull nderi që unë e ndaj me gjithë ata bij e bija të Shkrelit
që janë shpërndarë nëpër botë”.
Nga FRANK SHKRELI
Zotëri
Kryetar Ferdi Sterkaj, anëtarë të Këshillit Komunal të Shkrelit, Zonja e Zotërinj!
Fillimisht
dua të shprehë kënaqësinë time që ndodhem sot në mesin tuaj, këtu në Shkrel, të
Malësisë së Madhe ku më kanë lind babë e gjysh e stërgjyshat dhe prej të cilëve
kam dëgjuar aq shumë për këtë vend e për këtë fis. Si përfundim, vizita ime sot
këtu është plot emocione dhe ndihem shumë i mallëngjyer. Por mbi të gjitha dëshiroj
t’ju falënderoj Ju Zoti Kryetar dhe të gjithë anëtarët e Këshillit Komunal të Komunës
Shkrel të Malësisë së Madhe, për nderin që më keni bërë duke më akorduar
titullin e ”Qytetarit të Nderit”, të komunës Shkrel. Unë u jam mirënjohës për
gjithmonë, dhe me kënaqësi e pranoj këtë titull nderi, jo sepse e meritoj unë,
por e pranoj në emër të të gjithë atyre bijve e bijave të Shkrelit, të cilët për
fatet e këqija e tragjike të historisë së kombit tonë, jemi shpërndarë anë e
mbanë botës.
E pranoj
në emër të tyre, për të gjitha ato që kanë bërë ata -sipas dijes e mundësisë së
tyre – për t’i sjellë nam Shkrelit – dhe ndër shekuj, për t’ia ruajtur emrin e
mirë këtij fisi të vjetër të maleve tona.
Pak më shumë
se njëzet vjet më parë, për arsye që dihen, vizita ime në Shqipëri do të ishte
e pamundur. Sot, është krenari për mua të njoftoj familjen dhe kushërinjtë si
dhe far e fisin më të gjerë, se prej sot unë jam qytetar nderi i komunës së Shkrelit.
Gjyshi, më kujtohet si fëmijë, na thoshte se kah do që të shkoni, me emrin
Shkreli do t’ju dallojnë se kush jeni e prej ka vini. Unë, pra, me krenari them
se më quajnë Fran Gjeto Luka dhe vijë nga Shkreli i Malësisë së Madhe.
Është një
thënie e vjetër se ”pa rrënjë nuk ka degë”. Megjithëse larg, është e pamundur të
pretendoj ndryshe sepse rrënjët dhe identiteti im janë këtu. Sepse këtu nëpër këto
rrugë e leqe, këtu në këto bjeshkë të madhnueshme, këtu në Luginën e Shkrelit,
dikur të parëve të mi u ka shkelur këmba.
Si i tillë,
ndajë me ju një rrugëtim të përbashkët, për të mirën e Shkrelit e të Malësisë së
Madhe dhe të mbarë kombit shqiptar. Njëheri, edhe 100-vjetori i pavarësisë së Shqipërisë
sivjet , për realizimin e së cilës edhe Shkreli e Malësia Madhe kanë dhënë kontributin
e vet të çmueshëm – është një rast i mirë dhe historik për një betim të përbashkët
dhe pjesëmarrje të gjallë e me dëshirë, për të çuar përpara interesat e komunës
së Shkrelit, të Shqipërisë dhe të mbarë kombit, kudo që të jetojnë shqiptarët.
Gjithashtu,
le të shërbejë ky 100-vjetor i pavarësisë së Shqipërisë, si një moment historik
për të shkundur ndryshkun e një periudhe të gjatë e të errët të së kaluarës, për
një nisje të re dhe hapje rrugësh të reja për mbarë shqiptarizmin, në frymën e
etërve të mëdhenj dhe mendjendritur të Pavarësisë së Shqipërisë.
Megjithëse
larg dhe të shpërndarë anë e mbanë botës, ne bashkë jemi, në këtë përvjetor të pavarësisë
dhe gjithmonë. Sivjet, si asnjë herë më parë, të gjithë shqiptarët kudo qofshin
i bashkon një flamur, flamuri i Gjergj Kastriotit – Skënderbe. Ky takim sot me
ju këtu në Komunën e Shkrelit, në vetvete, është një dëshmi e këtij bashkimi, që
shpresoj të forcohet dhe të mos thyhet kurrë.
Edhe njëherë,
Zotëni Kryetar dhe anëtarë të Këshillit Komunal, duke ju falënderuar nga zëmra
për nderimin që më bëtë dhe për respektin që treguat ndaj meje, dëshiroj që Zoti
mos na e ndaftë kurrë bashkimin dhe respektin për njëri -tjetrin, në interes të
lartësimit të emërit të mirë të fisit të Shkrelit, të Malësisë së Madhe dhe të mbarë
Kombit Shqiptar.
Qofshi gjithmonë me faqe të bardhë!
*4 tetor, 2012, fjala me rastin e pranimit të titullit “Qytetar Nderi” i Komunës Shkrel, Malësi e Madhe