Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: VOA terheqë gjithnjë nobelistët
E diele, 23.09.2012, 04:59 PM
VOA
TERHEQË GJITHNJË NOBELISTËT
Nga Frank Shkreli
Duke
lexuar gazetën Uashington Post para dy tre ditësh, më tërhoqi vëmendjen një shkrim
mbi vizitën në Uashington të udhëheqësjes birmaneze për demokraci, Zonjës Aung
San Suu Kyi dhe takimeve të saj zyrtare në nivelet më të larta të qeverisë dhe
të shtetit amerikan. Ajo u takua me
Presidentin Barak Obama, me Sekretaren Amerikane të Shtetit, Hillari Klinton
dhe me udhëheqsit kryesorë të dy partive të Dhomës së Përfaqsuesve dhe të Senatit
Amerikan. Zonja Suu Kyi është një ndër
femërat më të nderuara dhe të respektuara në botë, si një aktiviste e dalluar për
demokraci dhe të drejtat e njeriut në vendin e saj Birmani dhe më gjërë. Falë përkushtimit të saj ndaj mbrojtjes së të
drejtave të njeriut, asaj i është akorduar Çmini Nobel për Paqë. Për këto qendrime ajo ka vuajtur burgime dhe
persekutime nga hunta ushtarake birmaneze.
Si kampione botërore e të drejtave të njeriut, në Uashington ajo u prit
me nderimet më të mëdha nga Presidenti Barak Obama, nga Sekretarja e Shtetit
Hillary Klinton, e cila e quajti atë si një ''ikonë botërore e lirisë dhe
demokracisë'', -- dhe Kongresi amerikan
i akordoi asaj ''Medaljen e Artë të Kongresit Amerikan'', që është nderimi më i
madh që mund t'i bëhet një personi civil, vendas ose të huaj, nga Shtetet e
Bashkuara të Amerikës.
Hunta
ushtarake birmaneze e mbajti atë në arrest
shtëpiak për pothuaj 15 vjet, dhe si përfundim ajo nuk u lejua të vinte në Shtetet
e Bashkuara më 2008 që të mirrte Medaljen e Artë të Kongresit për punën e saj në fushën e të drejtave të njeriut
dhe në mbrojtje të demokracisë. Zonja
Suu Kyi i bashkohet një liste impresive liderësh botërorë, mbrojtës të të drejtave
të njeriut, si Uinston Çurçilli, Martin Luter Kingu, Papa Gjon Pali i Dytë e të
tjerë, të cilët, gjatë historisë janë nderuar me ''Medaljën e Artë të Kongresit
Amerikan'', dhe me Çmimin Nobel për paqë.
Normalisht,
unë nuk do të merresha me vizitën e Zonjës
Suu Kyi në Uashington, por ajo që më tërhoqi vëmendjen në artikullin e
gazetës së kryeqytetit amerikan Uashington Post dhe mediave të tjera amerikane
ishte fakti se Zonja Suu Kyi, menjëherë pas takimit të parë në Uashington me
Sekretaren e Shtetit Hillary Klinton, dhe para takimeve të tjera me rëndësi
diplomatike, ajo kishte shprehur dëshirën të vizitonte Zërin e Amerikës.
Komentet
dhe intervistat e sajë gjatë vizitës së saj në kryeqendrën e Zërit të Amerikës
në Uashington, më kujtuan vizitat që bënin
në Zërin e Amerikës gjatë Luftës së Ftohët dhe pas rënjes së Murit të Berlinit,
mbrojtës dhe aktivistë të të drejtave të njeriut dhe personalitete me famë botërore,
për të shprehur falenderimet e tyre për kontributin e VOAs në fushën e të drejtave
të njeriut dhe në mbrojtje të të përsekutuarve nga regjimet shtypëse komuniste dhe fashisto-ushtarake, si regjimi ushtarak i Birmanisë. Zonja Suu Kyi kishte shprehur dëshirën të vizitonte
-- jo gazetat me zë tl kryeqytetit
amerikan, Uashington Post, Uashington Tajms ose ndonjë rrjet të njohur
televiziv amerikan -- por Zërin e Amerikës, në këtë 70-vjetor të ekzistencës së
kësaj radioje me famë botërore. Në Kryeqendrën
e VOAs, ajo u prit nga Drejtori i Zërit të Amerikës Dejvid Ensor dhe zyrtarë të
tjerë të lartë transmetimeve ndërkombëtare
të Amerikës. Zoti Ensor, duke e përshëndetur
vizitoren e famëshme tha se ''Është një nder
i jashtzakonshëm që ne na viziton një personalitet kaq i dalluar'', dhe e
siguroi fituesen birmaneze të Çmimit Nobel se ''Zëri i Amerikës do të vazhdojë të
ushtrojë llojin e gazetarisë që e ka bërë Zërin e Amerikës stacionin më popullor
ndërkombëtar të lajmeve në Birmani.''
Nga ana e
saj, Zonja Suu Kyi gjatë takimit të saj
me zyrtarët e lartë të VOAs tha se e ''Dëgjoj Zërin e Amerikës çdo mengjes në orën
5:30. Më pëlqejnë shumë lajmet ndërkombëtare si edhe pasqyra e shtypit birmanez'', që transmetohen
nga Zëri i Amerikës në gjuhën birmaneze.
Gjatë një interviste me VOAn, ajo tha se, ''Të drejtat e njeriut duhet të
mbrohen nga ligji dhe se nuk duhet të ketë asnjë rast ku të drejtat e njeriut të
lihen pas dore ose të injorohen'', duke
shtuar se ''këjo është koha kur ne kemi nevojë për ndihmë, ashtuqë vendi im të vazhdojë
në rrugën e duhur, dhe jo vetëm vendi
im, por të gjitha vendet që ende nuk gëzojnë
lirinë.''
Gjatë takimit
me Zonjën Suu Kyi, bashkshortja e ish-presidentit Bush, Laura Bush tha se
''tranzicioni në Birmani si dhe tranzicionet e mëparshme, nga diktatura në demokraci
-- në Evropën Lindore dhe në Afrikën e Jugut --tregojnë se historia ka marrë një
drejtim shpresëdhënës.'' E pyetur nga Zëri
i Amerikës se cili ishte mesaxhi i saj për vendet e tjera në kushte të njëjta
si atdheu i saj, ajo u përgjigj duke thënë se ''pikëspari nuk duhet të hiqet
dorë nga shpresa....por në të njëjtën kohë nuk është mjaft të shpresosh, duhet
të punosh për të realizuar shpresat'', tha ajo.
Me rastin
e 70-vjetorit të themelimit të Zërit të Amerikës, fituesja e Çmimit Nobel
dhe e Medaljes së Artë të Kongresit
Amerikan, Zonja Suu Kyi tha se e konsideron këtë përvjetor si një ditëlindje të
një miku, ''Sepse Zëri i Amerikës dhe stacione të tjera të transmetimeve ndërkombëtare
ishin miqët që qëndruan pranë meje gjatë viteve të gjata të arrestit shtëpiak.''
Vizita e
Suu Kyi në kryeqendrën e VOAs në Uashington dhe komentet e saj mbi transmetimet
e lajmeve vendore dhe ndërkombëtare, si edhe për rolin që luan VOA për të mbajtur
gjallë shpresën për liri e demokraci në të gjitha vendet ku liritë shtypen dhe
mohohen, tregon se edhe sot pas 70-vjetësh ç’prej themelimit, Zëri i Amerikës ka gjithnjë një rol për të luajtur
në informimin e saktë, të balancuar, objektiv
dhe të gjithanëshëm anë e mbanë botës, e sidomos në vendet ku liria e medias mohohet ose keqpërdoret.