Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Kriza kubane e raketave
E premte, 19.10.2012, 05:18 PM
50-VJETORI
I KRIZËS KUBANE TË RAKETAVE
Nga Frank Shkreli
16 Tetori
shënoi ditën e parë të 13 ditëve të 50-vjetorit
të Krizës Kubane të Raketave, krizë këjo që solli botën në prak të luftës
bërthamore, dhe shënon një prej momenteve më të rrezikshëm jo vetëm në historinë
e Shteteve të Bashkuara por edhe në historinë botërore. Për pothuaj dy javë, në Tetor të vitit 1962,
plani i Bashkimit Sovjetik për të dislokuar në Kubë raketa bërthamore,
shkaktoi konfrontimin e shekullit midis
Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik.
Ishte ky një moment kur bota, si
asnjëherë më parë ose më vonë, ishte shumë afër shpërthimit të një lufte të përgjithëshme
bërthamore. Shtetet e Bashkuara kishin
zbuluar nga fotografitë e marra nga aeroplani i spiuazhit U-2, se Bashkimi Sovjetik
po përgatiste poligonet për vendosjen e raketave bërthamore në Kubë.
Më 22
tetor, në një fjalim drejtuar kombit dhe botës, Presidenti Kennedi njoftoi se
qeveria amerikane kishte ''zbuluar prova të pa disktueshme se një numër
poligonesh për dislokimin e raketave bërthamore
po ndërtohen në ishullin-si-burg të Kubës,'' me qëllim të vetëm, shtoi
presidenti amerikan, ''për të mundësuar një sulm bërthamor kundër vendeve të Hemisferës
Perendimore.'' Në atë fjalim,
Presidenti Kennedi nënvijoi, qartë dhe pa asnjë dyshim politikën mbrojtëse
amerikane duke paralajmëruar udhëheqjen komuniste sovjetike se, ''Politika e këtij
vendi është që të konsideroj çdo hedhje të ndonjë rakete bërthamore nga Kuba
kundër cilit do vend në Hemisferën perendimore, si një sulm i Bashkimit
Sovjetik kundër Shteteve të Bashkuara, dhe si i tillë do të nevojitë ndërmarrjen
e një kundër-sulmi të gjithanshëm (amerikan) ndaj Bashkimit Sovjetik. ''
Pas këshillimeve
të fshefta me këshilltarët e tij, Presidenti Kennedi vendosë bllokadën detare
ndaj Kubës, me qëllim për të ndaluar anijet sovjetike që të sillnin në atë ishull
furnizime të tjera ushtarake. Presidenti
Kennedi kërkoi me këmbëngulje largimin e raketave sovjetike që ishin vendosur në
Kubë si edhe shaktërrimin e poligoneve.
Askush nuk dinte se si mund të reagonte Krushçovi ndaj bllokadës së Kubës
dhe ndaj kërkesave të Uashingtonit për largimin e raketave sovjetike nga Kuba. Rreziku ishte tepër i madh se gjëndja mund të
dilte jashtë kontrollit nga kalkulimet e gabura të njerës ose pales tjetër.
Ndërsa
Amerika dhe bota prisnin dhe shpresonin për një zgjidhje paqësore, Presidenti i
ri amerikan Xhon Kennedi dhe këshilltarët e tij, përfshirë vëllain e tij Robert
Kennedi, zhvilluan bisedime dhe negociata me udhëheqsin e atëhershëm sovjetik
Nikita Hrushçov për një zgjidhje diplomatike dhe paqësore për ç'vendosjen e
raketave ndërkontinentale sovjetike nga ishulli i Kubës. Kriza u lehtësua dhe bota mori frymë më lirisht,
kur anijet detare ushtarake sovjetike të ngarkuara me raketa të tjera bërthamore u këthyen mbrapsht dhe Moska pranoi të tërhiqte
raketet bërthamore që kishte dislokuar në
Kubë.
Të dy palët
ishin tepër të vetdijshme se sa e rrezikshme ishte situata e krijuar, dhe mundësia
e një katastrofe bërthamore ishte aq reale sa që të dy udhëheqsit, Kennedi dhe
Hrushçov - pas negociatave të vështira dhe komunikimeve diplomatike - arritën
marrveshjen, sipas së cilës sovjetikët do të tërhiqnin raketat e tyre bërthamore
nga Kuba dhe siç u mësua më vonë nga dokumentat
sekrete të deklasifikuara, Shtetet e Bashkuara kishin pranuar, në të njëjtën
kohë, të tërhiqnin raketat bërthamore amerikane nga Turqia.
Ironia e 50-përvjetorit të Krizës kubane të raketave bërthamore është se bie gjatë një fushate presidenciale
këtu në Shtetet e Bashkuara dhe të dy kandidatët po debatojnë në lidhje me çështje të politikës së jashtëme,
veçanërisht kërcënimin që përbëjnë përpjekjet
e Iranit për të prodhuar armë bërthamore,
masë këjo që shikohet si një hap që do të destabilizonte jo vetëm Lindjen
e Mesme por edhe më gjërë. Cili nga dy
kandidatët për president të Shteteve të Bashkuara, Presidenti Obama apo
Guvernatori Romni –do të këtë vendosmërinë politike dhe imagjinatën diplomatike
të Presidentit Xhon Kennedi , për të bindur Iranin që të ndalojë
programin për prodhimin e armëve bërthamore, me qëllim që të mënjanohet lufta,
dhe të arrihet një kompromis i pranueshëm për të gjitha palët. Sepse, siç ka thënë Presidenti Kennedi në një fjalim drejtuar kombit
amerikan më 1963, “më në fund, lidhja bazë e përbashkët dhe më e fortë midis njerëzve është fakti se duam e s’duam, ne të gjithë jemi banorë të
këtij planeti të vogël. Ne të gjithë marrim
frymë nga i njëjti ajër. Të gjithë ne dëshirojmë
një të ardhme më të mirë për fëmijtë tanë.
Dhe të gjithë jemi bijtë e vdekjes.’’