Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Hilari Klinton në Tiranë e Prishtinë
E marte, 30.10.2012, 08:22 PM
SEKRETARJA
E SHTETIT KLINTON NË TIRANË DHE NË PRISHTINË
Nga Frank Shkreli
Stejt
Departmenti njoftoi se Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton do të bëjë një
turne në Ballkan, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën. Në njoftimin zyrtar thuhet se vizita e
Zonjës Klinton në Ballkan ka për qëllim të nënvijojë interesin, angazhimin dhe
mbështetjen e vazhdueshëme të Shteteve të Bashkuara për të ardhëmen e vendeve
të këtij rajoni në Komunitetin Evropian dhe në strukturat euro-atlantike. Gjatë këtij turneu, (në Bosnje-Hercegovinë,
në Serbi dhe në Kosovë), Zonja Klinton do të shoqërohet nga baronesha Katerinë
Ashton, përfaqësuese e lartë e Bashkimit Evropian për punët e jashtme dhe të
sigurisë. Në njoftim thuhet se në
Sarajevë, dy përfaqsueset e politikës së jashtëme të Përendimit, Zonjat Klinton
dhe Ashton do të theksojnë nevojën urgjente që udhëheqsit e partive të ndryshme
t'u shërbejnë interesave të popullit të Bosnje-Hercegovinës, ashtuqë ata që të
realizojnë reformat e nevojshme, dhe në të njëjtën kohë do të theksojnë gjatë
takimeve në atë vend, kushtimin dhe angazhimin e patundur të komunitetit
ndërkombëtar ndaj Marrëveshjeve të Dejtonit.
Stejt
Departmenti thotë se gjatë qëndrimit të tyre në Beograd dhe Prishtinë,
Sekretarja Klinton dhe Përfaqsuesja e Lartë Ashton do të rithekësojnë
vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian që në lidhje me
marrveshjet e mëparshme midis Serbisë dhe Kosovës të shënohet përparim, ashtuqë
të shtyjnë përpara dialogun midis tyre dhe të inkurajojnë marrjen e masave konkrete
që do të bëjnë të mundur që këto dy vende të shënojnë përparim në rrugën e tyre
drejtë antarësimit të tyre në Komunitetin Evropian. Në Prishtinë, Sekretarja Klinton pritet të
ritheksojë angazhimin amerikan pë të punuar me qeverinë e Kosovës për forcimin
e mëtejshëm të institucioneve të shtetit të ri, përfshirë funksionimin e
ligjit, të ekonomisë dhe të ndërtimit të një shoqërie tolerante dhe të
begatshme, elementë kyç këta për një
shtet të fortë demokratik që
dëshiron dhe ka aspirata për antarësim të plotë në organizmat euro-atlantike.
Në
Tiranë, thuhet në njoftimin zyrtar të Stejt Departmentit, Sekretarja e Shtetit do të theksojë solidarizimin e
NATO-s me Shqipërinë dhe në të njëjtën kohë ajo gjëndet në
kryeqytetin shqiptar për të shënuar 100-vjetorin e Pavarësisë së
Shqipqërisë me një fjalim me rëndësi për këtë rast, para deputetëve të Kuvendit
shqiptar, ndërkohë që gjatë asaj vizite do të theksojë edhe nevojën kritike për
një bashkpunim më të madh politik si edhe doemosdoshmërinë e funksionimit të
shtetit ligjor.
Gjatë
takimit me kryeministrin shqiptar në Prill të këtij viti në Uashington, Zonja
Klinton e përshëndeti udhëheqsin shqiptar duke thënë se ''Kryeministri dhe
vendi i tij janë partnerë të fortë të Shteteve të Bashkuara, në NATO, si pjesë
e misionit tonë në Afganistan, dhe vendet tona gëzojnë marrëdhënje të gjëra dhe
të thella, që ne i vlerësojmë shumë'',
shtoi Sekretarja e Shtetit Klinton.
Nga ana e
tij, Kryeministri Berisha, gjatë atij takimi iu referua Zonjës Klinton ''si një
mike e madhe e vendit dhe kombit tim'', dhe shtoi se ''Shqipëria ka pasur
privilegjin e madh të gëzojë mbështetjen e këtij vendi të madh....në të gjitha
përpjekjet për të ndërtuar një demokraci të ngritur mbi ekonominë e tregut.''
Duke u
bazuar në këto deklarata si edhe në deklarata zyrtarësh të tjerë të lartë të dy
vendeve, marrëdhënjet midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë janë shumë të
mira. Shtetet e Bashkuara e kanë
treguar gjatë historisë mbështetjen dhe miqësinë ndaj shqiptarëve, shpeshëherë
në momentet më kritike për ekzistencën e tyre si komb dhe si shtet. Edhe shqiptarët kudo, nga ana e tyre, e
shprehin vazhdimisht mirënjohjen dhe admirimin për ato që Shtetet e Bashkuara
kanë bërë në mbrojtje të drejtave të shqiptarëve, jo vetëm në Shqipëri e
Kosovë, por edhe në të gjitha trojet.
Ndjenjat pro-amerikane në radhët e shqiptarëve kudo,
megjithë propagandën anti-amerikane të regjimit komunist të Enver Hoxhës,njihen
mirë. Ato janë aty dhe janë të
sinqerta. Historikisht, Shqiptarët i
janë mirënjohës ish-presidentit amerikan
Uilson për mbështetjen që ai i akordoi shtetit të ri shqiptar më 1919. Edhe Shqipëria, nga ana e saj, megjithë
problemet që ka, si aleate e ngushtë e Amerikës ka përkrahur vendosmërisht
përpjekjet amerikane në luftën kundër terrorizmit dhe Shtetet e Bashkuara
vlerësojnë rolin moderues që Tirana ka luajtur në rajon. Për më tepër, shqiptarët kudo, kujtojnë
ndërhyrjen ushtarake të NATO-s më 1999 në Kosovë të kryesuar nga Shtetet e Bashkuara,
ndërhyrje këjo që shpëtoi me qindëra mijëra shqiptarë të Kosovës nga sulmet
barbare serbe, gjë që më në fund çojë në largimin e detyrueshëm të forcave
serbe nga ai vend dhe eventualisht në pavarësinë Kosovës. Shqiptarët kudo u janë mirënjohës Shteteve
të Bashkuara për mbështetjen e tyre të vazhdueshme për një Kosovë stabile, të
lirë dhe demokratike.
Jam i
sigurt se në vizitën e saj në Tiranë,
zyrtarja e lartë amerikane, do e ndjejë veten midis miqësh, dhe si
përfaqsuese e lartë e një vendi mik, ajo do të trajtohet si e tillë. Zonja Klinton do i flasë politikës dhe
shoqërisë shqiptare duke i ofruar Tiranës mbështetjen dhe partneritetin e
vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara në sfidat e saj për konsolidimin e
institucioneve demokratike dhe për integrimin e plotë të Shqipërisë në organizmat
euro-atlantike.
Por në të
njëjtën kohë, ajo do të bëjë gjithashtu thirrje, siç thuhet edhe në njoftimin
për vizitën e sajë në Tiranë, ''për nevojën kritike për një bashkpunim më të
madh politik si edhe për doemosdoshmërinë e zbatimit të ligjit''. Ajo do t'i drejtohet Kuvendit shqiptar duke
i këshilluar ligjvensit, miqësisht, se SHBA shpresojnë që parlamenti të miratojë ligje dhe reforma që çojnë vendin
përpara. Duke u bazuar në deklaratat e
kohëve të fundit të zyrtarëve të lartë amerikanë, përfshirë edhe Sekretaren
Klinton, ajo do t'i bëjë thirrje klasës politike shqiptare që të tregohet më
serioze dhe të tejkalojë grindjet e politikave partiake në interes të popullit
dhe të zgjidhjes së problemeve me të cilat përballet shoqëria shqiptare. Fjalimi i Zonjës Klinton në Kuvendin
shqiptar besoj do të nënvijojë ecurinë e reformave dhe rëndësinë -- që sipas
saj dhe qeverisë që ajo përfaqëson – që duhet t’i kushtohet respektimit të pavarësisë së institucioneve
demokratike të vendit dhe do të shprehë shpresën se zgjedhjet e vitit të
ardhëshëm do të zhvillohen sipas standardeve.
Sekretarja
Klinton viziton Shqipërinë dhe Kosovën si përfaqsuese e një vendi që kishte për
president Abraham Linkolnin i cili nuk mund të duronte që vendi të ishte gjysëm
i lirë e gjysëm i skllavëruar. Ajo vjen
si përfaqsuese e një vendi që kishte për president Woodrow Wilsonin i cili nuk
mund të toleronte një botë gjysëm të
lirë dhe gjysëm të skllavëruar dhe ndërhynë drejtë për drejtë për të mblshtetur
pavarësinë e shtetit të të ri shqiptar, i cili kërcënohej nga fqinjtë dhe
përkrahësit e tyre. Ajo zbret në Tiranë
dhe në Prishtinë, për tu takuar me shqiptarët, si përfaqsuese e Shteteve të
Bashkuara që kishte për udhëheqës presidentin Ronald Reagan, i cili nuk mund të
toleronte një botë gjysëm të lirë dhe gjysmën tjetër të skllavëruar nga
komunizmi ndërkombëtar. Sekretarja
Klinton vjen gjithashtu nga një vend i cili si dëshmitar, ndaj masakrave dhe gjenocidit serb kundër
shqiptarëve të Kosovës, të mos bënte asgjë.
Ajo vjen si përfaqsuese e presidentit
Bill Klinton, i cili nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara, bindi
aleancën NATO që të ndërhynte në Kosovë për të shpëtuar popullësinë shqiptare
nga zhdukja.
Marëdhënjet
e Shqiptarëve me Shtetet e bashkuara janë cilësuar si ''të veçanta'', dhe si
''marrëdhënjet më të rëndësishme bilaterale'' që Shqipëria dhe Kosova mund të
kenë me cilindo vend. Vizita dhe bisedimet e Sekretares Klinton në Prishtinë
dhe në Tiranë do të jenë të sukseshme, pasi nuk ka si të jetë ndryshe midis dy
popujve miq.
Për
shqiptarët është vendosmërisht në interesin kombëtar që këjo vizitë të shërbejë
si një rast i mirë për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënjeve dypalëshe, pasi
për më shumë se një shekull histori, fati i shqiptarëve ka qenë dhe është i
lidhur ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në të njëjtën kohë, shqiptarët duhet të njohin ato që Amerika ka bërë për ‘ta
gjatë historisë, pa u dukur të nënshtruar ose servil. Pasi Amerika dëshiron marrëdhënje solide dhe
të qinqerta dhe jo servile. Por siç
thonte Fan Noli, Shqipëria nuk mund t'ia këthejë plotësisht borxhin (Amerikës),
por nëqoftse ''ne bëjmë aq sa kemi mundësi për kauzën e njerëzimit dhe të
qytetërimit, atëherë Amerika do të thotë se e kemi paguar borxhin'' dhe
gjithnjë sipas Nolit, ''në këtë mënyrë, ne do të çlirohemi nga një barrë e
rëndë....''.
Çështjet
e mbrendshme dhe rajonale që Sekretarja Klinton do të bisedojë me udhëheqsit
shqiptarë si në Tiranë ashtu dhe në Prishtinë, do të jenë këshillat dhe
objektivat e një vendi mik dhe të sinqert, i cili dëshiron që marrëdhënjet
midis dy popujve të rriten dhe të forcohen edhe gjatë 100-vjetëve të ardhëshëm,
për të mirën e vet kombit shqiptar dhe për miqësinë e fortë historike midis dy popujve.