Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Ndërroi jetë Ramazan Turdiu
E premte, 26.10.2012, 05:22 PM
NDËRROI JETË RAMAZAN TURDIU
Nga Frank Shkreli
Javën që
kaloi në shtetin Nju Xhersi të Shteteve të Bashkuara ndërroi jetë në moshën
87-vjeçare Ramazan Turdiu, njëri nga nacionalistët dhe intelektualët më
të dalluar të emigracionit të pas Luftës së Dytë Botërore, si dhe njëri prej
aktivistëve dhe eksponentëve kryesorë të Ballit Kombëtar. Të ndjerin Ramazan e kam njohur gjatë 70-ave
dhe 80-ave, pasi për një kohë të shkurtër ishte në marrëdhënje pune me
seksionin shqip të Zërit të Amerikës, ku së bashku me të tjerët përpiqej që me
shkrimet e tija të jepte sado pak dritë në errësirën komuniste që kishte pllakosur Atdheun. Ai nuk fliste shumë për veten dhe as për
vuajtjet e familjes së tij. Ishte një
intelektual dhe atdhedashës i flakët, i cili gjithë jetën e tij, me zotësi dhe
dedikim punoi për lirinë e kombit shqiptar.
Ishte shumë i paqët dhe shkonte mirë me të gjithë. Në të vërtetë, me sjelljet e tija
intelektuale dhe humane, të lente përshtypjen
se ishte një pjesëtar i një shoqërie fisnike shqiptare, një aristocrat në kuptimin e mirë të fjalës.
Në
njoftimin zyrtar të vdekjes së tij thuhet se Ramazan Turdiu lindi në Tiranë në
një familje të njohur të kryeqytetit
shqiptar, ku më 1944 ishte maturant, siç thuhet , në një klasë me
ish-udhëheqsin komunist Ramiz Alia, dhe njëkohësisht punonte në farmacinë e të
vëllait Dr. Bilal Turdiut. Në njoftim thuhet gjtihashtu se megjithëse
familja e tij, përpiqej të qëndronte
larg politikës, duke marrë parasyshë situatën tepër të tensionur dhe
të politizuar të asaj kohe - Ramazani i
ri, madje edhe kundër këshillave të babait i cili dëshironte të qëndronte
jashtë politikës, rrjeshtohet në radhët e Ballit Kombëtar dhe punon me
këmbëngulje dhe passion për të mirën e Atdheut deri ditën kur mbylli sytë.
Me
ndërgjegjen e tij të lartë kombëtare, si
dhe të shumë bashk-kohësve të tij, për të punuar për të mirën e Atdheut dhe të
lirisë kombëtare, ai i përgjigjet
thirrjes për shpëtimin e Kosovës, duke u radhitur në batalionin ''Besnik
Cano'', dhe shkon në Kosovë për të
mbrojtur tokën shqiptare me armë në dorë nga pushtuesit sllavo-komunistë, një
luftë këjo që ai nuk e ndërpreu as nuk ndaloi gjatë gjithë jetës së tij, me të
gjitha mjetet që kishte në dispozicion.
Në njoftimin mortor thuhet se flamurin e batalionit shqiptar ''Besnik
Cano'', të qëndisur mjeshtërisht nga
motrat e Besnik Canos, e ka gjithnjë në shtëpinë e tij.
I riu
Ramazan Turdiu, më 1944, së bashku me udhëheqsit më të lartë të Ballit
Kombëtar, përfshirë Midhat Frashërin dhe
Ali Këlcyrën, largohet me varkë nga Shkodra për tu arratisur për në Itali. Eventualisht, përfundon në Itali ku ai ndjekë studimet e larta për doktor në
degën e farmacisë, për t'i vazhduar ato në Universitetin Kolumbia në Nju
Jork. Për pesë dekada, Ramazan Turdiu
punon në degën e kërkimeve dhe hulumtimeve farmaceutike për firmat e mëdha amerikane në këtë fushë, ''Ciba'' dhe Warner
Lambert''.
Si anëtar
i Komitetit Qendror të Ballit Kombëtar, Ramazan Turdiu ishte një nacionalist
dhe anti-komunist i përkushtuar. Ai
ishte anëtar aktiv i komunitetit shqiptar në Amerikë dhe merrte pjesë në
seminare, kremtime, kongrese dhe në çdo rast ku e kërkonte nevoja dhe
interesi i Atdheut. Ai bashkpunonte ngushtë dhe u qëndronte afër udhëheqsve historikë të parties Balli Kombëtar, Midhat Frashërit dhe Vasil Andonit. Ramazan Turdiu ishte ndër ata intelektualë
dhe nacionalistë, të cilët Midhat Frashëri i mblidhte rreth vetes në përpjekje
dhe në saje të luftës për shpëtimin kombëtar.
Në një prej fjalimeve të tij me rastin e 30-vjetorit të vdekjes së
Midhat Frashërit, Ramazan Turdiu e
vlerësoi kështu bashkpunimin e intelektualëve si ai dhe të shqiptarëve të tjerë
me Midhat Frashërin, duke thënë:
''Si në
Shqipni, ashtu edhe në mërgimin e padashun, nepër kampe refugjatësh, anëtarët e
Ballit Kombëtar, Shqiptarët , u grumbulluan rreth Midhat Frashërit, punuen me
të, e ndihmuen me ç'u vinte për dore, për ta mbajtë gjallë flakën dhe veprimin çlirimtar. Me memorandume nepër qarqe të naltë
dipllomatike, me botime dhe nisma të guximshme, me takime të papreme, ai ia hapi sytë botës për gjendjen e
Shqipnisë, për vuajtjet e Kosovës, për
çfarosjen e Çamerisë, dhe për veprimet shtazore të komunizmit të ardhun nga jashtë.''
Në këtë
frymë atdhedashurie dhe veprimtarie ishte i brumosur edhe Ramazan Turdiu. Ishte ndër ata që besonin në vetveten dhe në
një të ardhme më të ndritur për kombin shqiptar. Ishte ndër ata që si parime bazë kishin
realizimin e një Shqipërie me Kosovë e Çamëri,
të lirë, demokratike dhe e lumtur në paqë me të gjithë. Ky ishte karakteri dhe botëkuptimi i brezit
të këtyre burrave, i çështjes
shqiptare. Ndonëse i qetë nga natyra,
ishte trim dhe i vendosur - si shumë të tjerë të brezit të tij - të cilët me
zemër e shpirt besonin në një Shqipëri, ashtu si është e drejta, prej Tivarit e
deri në Prevezë, e nderuar dhe pjesë e asaj bote, të cilës i përket
historikisht dhe gjeografikisht - Evropës.
Brezi i tij besonte se për arritjen e këtij qëllimi duhej luftuar për të
pëmbysur komunizmin dhe për të bashkuar kombin. Lufta e tyre ishte sy patrembur, dhe e
konsideronin atë si një detyrë për të cilën i thërriste Atdheu, në lirinë e të
cilit kishin një besim të patundur për një ardhëmëri demokratike dhe për një Shqipëri
pro-perëndimore. Vet Ramazan Turdiu
mori pjesë në stërvitje të organizuara nga anglo-amerikanët në fillim të
’50-ave për tu futur në Shqipëri me qëllim për të rrëxuar regjimin e
dikatatorit komunist të Enver Hoxhës.
Gjatë
regjimit enverist, Ramazan Turdiu pësoi fatin e shumë familjeve
anti-komuniste. Lidhjet me familjen e
tij në Shqipëri qenë prerë, sepse
regjimi komunist kishte vendosur emërin e tij në ''listën e kriminelëve'', të
''tradhëtarëve'' dhe ''të armiqëve të
vendit''. Ndonëse ishte krahu i djathtë
i udhëheqësve të Ballit Kombëtar në mërgim dhe si i tillë i rrjeshtuar në
frontin e nacionalizmit shqiptar anti-komunist,
familja e tij - si edhe shumë familje të tjera anti-komuniste shqiptare - këtë gjë e pagoi shumë shtrenjtë.
Me
vdekjen e Ramazan Turdiut, diaspora shqiptare në Amerikë dhe shqiptarët kudo
humbën një burr i cili ishte i pajisur me traditën e shpirtit patriotik dhe i
cili kurdoherë dhe sipas rrethanave u gjënd aty ku e kërkonte zëri i Atdheut
për liri, si dhe nderi i kombit. Ideali
i tij si besnik ndaj kauzës kombëtare mbeti i paluhatshëm. Ashtu të mbetet edhe kujtimi i tij.