Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Roli i Amerikës në botë
E premte, 02.11.2012, 08:23 PM
ROLI I
AMERIKËS NË BOTË
Nga Frank Shkreli
Këtu në
Shtetet e Bashkuara javën që vjen mbahen më në fund zgjedhjet për president,
duke i dhënë fund kështu një fushate të gjatë dhe të lodhëshme por edhe shumë
të shtrenjtë - një fushate gjatë së cilës janë debatuar dhe diskutuar çështje
dhe probleme të ndryshme me të cilat përballet vendi, kryesisht ato ekonomike,
buxhetore dhe financiare. Ndonëse punësimi,
ekonomia dhe deficiti i buxhetit federal
janë çështjet që preokupojnë më së shumëti zgjedhsit amerikanë. Por megjithse interesimi i elektoratit
amerikan për politikën e jashtme është tepër i ulët, në krahasim me problemet e
mbrendshme dhe ato të jetës së përditshme, debati i tretë dhe i fundit midis dy
kandidatëve për president, Barak Obama dhe Mit Romni, u përqendrua kryesisht
mbi vizionin e këtyre dy burrave mbi marrëdhënjet ndërkombëtare si dhe mbi
rolin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të luajnë në botë.
Ndër
çështjet që u diskutuan dhe të cilat tani janë të një përparësie të rëndësishme
të politikës së jashtme amerikane, ishin
luftërat në Irak dhe Afganistan, programi i Iranit për prodhimin e armëve
bërthamore, kërcënimet terroriste nga
Lindja e Mesme, politika amerikane ndaj Kinës dhe Rusisë, si dhe roli i
Shteteve të Bashkuara si supërfuqia e vetme në botë.
Gjatë
debatit, siç ka bërë gjatë gjithë fushatës, kandidati republikan Mit Romni e
cilësoi Presidentin Obama si të dobët dhe reagues ndaj situatave botërore dhe
jo si udhëheqës i një superfuqie botërore.
Ndërsa Presidenti Obama e karakterizoi
Guvernatorin Romni si të papërgjegjshëm dhe oportunist në kritikat e
tija, duke paralajmëruar se qëndrimi më agresiv i Z. Romni ndaj gjendjes në
Siri dhe në Iran, mund të rrezikojë një luftë të re, ndërsa vendi po bën
përpjekje për t’u tërhiqur nga Iraku dhe Afganistani. Z. Romni iu përgjigj akuzave të Presidentit
Obama duke i thënë atij se ''sulmet kundër meje nuk janë një agjendë'' e politikës
së jashtëme, ndërkohë që Z. Obama tha se
Amerika është më e sigurt se katër vjetë më parë. Ndërsa Z. Romni e uroi presidentin Obama për
vrasjen e Osama bin Ladenit, ai iu përgjigj duke thënë se ''influenca e
Amerikës nuk është në asnjë vend të botës më e madhe se ç'ishte katër vjetë më
parë''.
Debati u
ashpërsua midis dy kandidatëve kur Z. Romni kritikoi Z. Obama për atë që ai
cilësoi si ''një turne botëror për të kërkuar falje'' për ato që ka bërë
Amerika, duke akuzuar presidentin Obama se ai e keqkupton rolin e Amerikës në
historinë botërore kur thotë se Shtetet e Bashkuara u kanë “diktuar’’ vendeve
të tjera. ''Amerika'', shtoi Zoti
Romni ''nuk ka u ka diktuar vendeve të
tjera, Amerika ka çliruar vendet e tjera nga diktatorë të ndryshëm.''
Debati
mbi politikën e jashtme dhe rolin që duhet të luajnë Shtetet e Bashkuara në
botë për katër vjetët e ardhëshëm do të marrë fund më 6 Nëntor. Por ama një gjë është tepër e qartë, se
cilido prej këtyre dy kandidatëve që do të fitoj në zgjedhjet e javës që vjen -
do e s'do - do të përballet me një mori problemesh ndërkombëtare, të cilat do
të prekin jetën e përditshme të amerikanëve dhe të cilat do kërkojnë angazhimin
e plotë të presidentit të ardhëshëm
amerikan dhe të Shteteve të Bashkuara.
Në arenën ndërkombëtare gjithëmonë dalin në shesh probleme të
pa-parashikueshme dhe krijohen situata të papritshme, të cilat kërkojnë dhe nevojitin vëmendjen dhe ndërhyrjen e
Shteteve të Bashkuara. Por ndër
çështjet në krye të listës që do të kërkojnë, që në ditën e parë, vëmendjen e
presidentit amerikan, cilido qoftë ai,
Obama ose Romni, do të jetë natyrisht gjëndja në Afganistan dhe pyetja se ç'do
të ndodhë në atë vend kur të tërhiqen forcat amerikane më 2014. Një çështje tjetër shqetsuese për Amerikën dhe për botën
është programi bërthamor i Iranit dhe
mundësia e një sulmi izraelit për të ndaluar Iranin që të prodhojë armë
bëthamore. Çka ndodhi me të
ashtuquajturën 'pranverë arabe'' dhe quo
vadis Lindja e Mesme? Çështjet e tjera
kanë të bëjnë me rivalitetet e reja dhe të vjetëra të Shteteve të Bashkuara me
Kinën dhe Rusinë. Pyetja që po bëhet
tani është nëse Rusia, me politikat e Putinit, është mike apo armike e
Amerikës? Si duhet trajtuar Kina
komuniste dhe roli i saj gjithnjë e më i madh në fushën ekonomike, politike dhe
ushtarake, sidomos kur të merren
parasyshë kërcënimet e fundit ndaj fqinjëve të saj në rajonin Aziatik
dhe të Paqësorit, përfshirë Japoninë?
Megjithë mbarimit e luftës së ftohët, si Rusia ashtu edhe Kina siç duket
e kanë ndër mendë të vazhdojnë të kundërshtojnë
influencën amerikane anë e mbanë botës, ndërkohë që regjimet në Moskë
dhe Pekin, keqtrajtojnë dhe arrestojnë përkrahësit e të drejtave të njeriut dhe
burgosin kundështarët politikë, ndërsa në të njëjtën kohë kanë shënuar rritje
të dukshme të forcave të armatosura dhe
atyre policore për të shtypur kundërshtarët politikë.
Por
megjithë qëndrimet, që kandidatët për president Romni dhe Obama, pasqyruan dhe
theksuan gjatë fushatës në lidhje me politikën e jashtme dhe rolin e Shteteve
të Bashkuara në botë, qendrimet midis tyre, duke u bazuar sidomos në debatin e
fundit që ata zhvilluan mbi politikën e jashtme, nuk dallojnë shumë nga njëri
tjetri. Mund të dallojnë nga mënyra se
si i paraqitën ata këto qendrime, por në
substance mendimet e tyre janë pothuaj
identike. Të dy kandidatët për
president besojnë, siç tha edhe gazeta
Washington Post se ''Vlerat
politike dhe ekonomike të Amerikës duhet të triumfojnë në botë.''
Përputhja
e qendrimeve ndodhë pjesërisht nga fakti se politika e jashtme e Shteteve të
Bashkuara, sidomos në kohë krize, gëzon pothuaj gjithmonë përkrahjen e të dy
partive kryesore politike në Amerikë, dhe në përpilimin e saj, mbi të gjitha,
konsiderohet interesi kombëtar i vendit.
Si e tillë, ajo është një politikë institucionale dhe jo partiake. Edhe këtë vit, dy kandidatët, përfaqsues të
dy partive kryesore, mbi çështje të rëndësishme siç është Irani, janë në pajtim se Teherani nuk duhet lejuar
të prodhojë armë bërthamore. Në lidhje
me Afganistanin, të dy kandidatët janë dakord për tu tërhequr nga ai vend,
megjithse Romni ka thënë se do të jetë më i ashpër se sa administrate e
presdientit Obama në marrëdhënjet e Washingtonit me Rusinë dhe Kinën. Romni dhe Obama gjithashtu janë dakord për të mos ndërhyrë ushtarakisht
në Siri dhe të dy thonë se ndërhyrja ushtarake në Iran do të ishte alternativa
e fundit.
Në një
artikull të nënshkruar nga katër
ish-sekretarë shteti (Kondolisa Rajs, Xhejms Bejker, Xhorxh Shultz dhe Henri
Kisinger) ,në përkrahje të Mit Romnit, shkruajnë se “Shtetet e Bashkuara mbeten
fuqia më e madhe e botës, por mbi të gjitha Amerika vazhdon të jetë vendi më i
pa-zëvëndsueshëm në botë – nga pikëpamja diplomatike, ushtarake dhe
ekonomike.’’ Ata thonë se “Amerika është më e mirë kur ajo merr përsipër
rolin udhëheqës në botë….. një Amerikë e
cila mbetet shpresa e botës – e një bote në paqë, drejtësi dhe demokraci.’’
Shpresojmë
që qoftë Barak Obama, qoftë Mit Romni, cilit do që populli amerikan t’i dorëzoj
frenat e qeverisë më 6 Nëntor, të punojë për një Amerikë të fortë në fushën
ekonomike, diplomatike dhe ushtarake, pasi një ‘’Amerikë e fortë do të thotë
një botë në paqë.’’