Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Mbledhja vjetore e OSB-së
E hene, 10.12.2012, 08:27 PM
MBLEDHJA
VJETORE E OSBE-SË NË DUBLIN DHE PARALAJMËRIMI I HILLARI KLINTON
Nga Frank Shkreli
Ministrat
e Jashtëm nga më shumë se 50 vende morën pjesë në mbledhjen vjetore prej dy
ditësh të Organizatës për Sigurim dhe Bashkpunim në Evropë (OSBE) që u mbajtë
në Dublin të Irlandës, të ënjtën dhe të premtën e javës që kaloi. Në mbledhjen ministrore prej dy ditësh,
Kryetari
i radhës i Organizatës për Sigurim dhe Bashkpunim në Evropë, zëvendës
kryeministri dhe ministri i jashtëm irlandez, Eamon Gilmore njoftoi se
ministrat e punëve të jashtme të 57 vendeve pjesëmarrëse kanë rënë dakord për projekt planet e
ardhëshme të OSBE-s, duke thënë se ''kemi arritur një marrveshje për një proces
për të forcuar dhe për të ri-ngjallur organizatën e OSBE-së tani e deri në vitin
2015, viti që shënon 40-vjetorin e Marrveshjes përfundimtare të
Helsinkit.'' Sekretari i Përgjithshëm i
OSBE-së, Lamberto Zannier e mirëpriti marrveshjen duke e cilësuar atë si një
bazë të mirë për të përcaktuar vizionin e kësaj organizate për fazën e
ardhëshme të veprimtarisë së saj, duke e aftësuar OSBE-në të përballohet në
mënyrë më efektive me sfidat e reja ndaj sigurimit rajonal.
Siç
dihet, Marrveshja e Helsinkit e vitit 1975 ishte dokumenti bazë që themeloi OSBE-në dhe njëra prej
marrveshjeve kryesore që konsiderohet të
ketë ndihmuar në dhënjen fund të luftës
së ftohët. Por roli i saj pas rënjes së
Murit të Berlinit ka rënë ndjeshëm, ndërkohë që roli i organizatave si Bashkimi
Evropian dhe NATO është shtuar gjatë dy dekadave të fundit.
Megjithse
Ministri i jashtëm irlandez, Z. Gilmore, si kryetar i OSBE-së mirëpriti
marrëveshjen e arritur për projekt-planet e organizatës për tre vitet e
ardhëshëm, ai në të njëjtën kohë shprehu keqardhjen e tij në lidhje me
''mungesën e një marrëveshjeje mbi vendimet që kanë të bëjnë me të drejtat e
njeriut.'' Por ai u tha delegatëve se
ajo që është ''shumë shqetsuese është
realiteti trishtues se respekti për të drejtat e njeriut dhe për liritë
themelore është tani më i kërcënuar se
përpara në shumë vende të rajonit të OSBE-së’’.
Ironia e
këtij komenti është se ai iu drejtua ministrave të jashtëm të vendeve anëtare
të një organizate, misjoni i së cilës është për të promovuar dhe për të
mbrojtur të drejtat e njeriut anë e mbanë zonës së OSBE-së. Ndërkaq, nuk është aspak e rastit atëherë,
kur Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton në njërën që mund të jetë
prej mbledhjeve të fundit ndërkombëtare që ajo merr pjesë para se të largohet
nga detyra muajin që vjen, shprehu shqetsimet e saj mbi të ardhmen e OSBE-së,
duke thënë se 20-vjetë pas luftës së ftohët, ''mbetet pa u kryer puna për një
Evropë të tërë, të lirë dhe në paqë'',
dhe njëkohësisht theksoi
''shqetësimin e saj në rritje e sipër për të ardhmen e kësaj organizate
dhe të vlerave që ajo ka promovuar'',
për pothuaj 40-vjetë.
Para se
të fliste para ministrave të jashtëm të OSBE-së, Hillari Klinton u takua me
përfaqsues të shoqërive civile nga disa vende anëtare të kësaj organizate, të
cilët e informuan Zonjën Klinton mbi abuzimet e të drejtave të njeriut në
vendet e tyre. Sekretarja
amerikane e shtetit ishte dakord me përfaqsuesit e shoqërive civile se
''hapësira për veprimtarinë e tyre po ngushtohej dhe mbrojtja e të drejtave të
njeriut dhe lirive bazë ka rënë gjithashtu dhe se qeveritë janë duke u treguar
më agresive ndaj kundërshtarëve.''
Zonja Klinton foli posaçërisht kundër vendosjes së kufizimeve të reja ndaj të drejtave të
njeriut në disa ish-shtete sovjetike, duke kritikuar në veçanti qeverinë ruse
për kriminalizimin e ndihmave të huaja për organizatat e të drejtave të njeriut
dhe të shoqërisë civile në Rusi.
Por
akuzat më të forta, zyrtarja e lartë e Shteteve të Bashkuara i rezervoi për
Rusinë pak para takimit të saj me Ministrin e jashtëm rus Sergei Lavrov. Duke përdorur gjuhën më të ashpër që ka
përdorur administrata e presidentit Obama gjatë katër viteve të fundit ndaj
Moskës, Sekretarja e amerikane e shtetit paralajmëroi delegatët duke
kritikuar ashpër ato që ajo quajti,
''përpjekje për të sovjetizuar rishtas rajonin'', një referencë këjo ndaj
planeve të Moskës për të krijuar një bashkim të ri tregtar midis Rusisë dhe
ish- shteteve satelitë sovjetikë, ose një të ashtuquajtur Bashkim
euro-aziatik. Ajo shtoi se Shtetet e
Bashkuara janë duke marrë masa për të ngadalësuar ose për të penguar këtë
proces’’. Madje, ajo tërhoqi vëmendjen
edhe ndaj disa zhvillimeve, sipas saj, “shqetësuese’’ në fushën e të drejtave
të njeriut dhe të zhvillimeve demokratike në disa vende anëtare të Bashkimit
Evropian dhe NATO, dhe shtoi se ''ia vlenë t'ia kujtojmë vet-vetes se secili
vend anëtar (i OSBE-së) --përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara -- kanë hapësirë
për përmirësim'', në këtë fushë.
Megjithë
kritikat e ashpëra ndaj disa vendeve anëtare të OSBE-së dhe mungesës së
përparimit në fushën e të drejtave të njeriut dhe të zhvillimeve demokratike në
radhët e shteteve anëtare të kësaj organizate, Sekretarja Amerikane e Shtetit,
Hillari Klinton në emër të vendit të saj, tha se ''Shtetet e Bashkuara mbeten
të angazhuara ndaj objektivit për një Evropë të tërë, të lirë dhe në paqe, si
edhe ndaj parimeve të OSBE-së'', dhe
njëherazi u bëri thirrje ministrave të jashtëm të vendeve anëtare, që të
''zbatojmë dhe jo të minojmë angazhimet dhe zotimet që i kemi bërë njeri tjetrit
dhe qytetarëve tanë'', për të mbrojtur dhe për të promovuar të drejtat e
njeriut dhe zhvillimet demokratike anë e mbanë eurozonës.
Kështuqë,
përfundoi Zonja Klinton, ''ndërsa po i afrohemi 40-vjetorit të nënshkrimit të
Marrveshjes së Helsinkit, ka ardhur koha që OSBE-ja të veshë edhe njëherë mantelin
e udhëheqjes për të zgjëruar kufijtë e të drejtave të njeriut dhe dinjitetit
njerëzor dhe për të ripohuar prapë vlerat dhe parimet që kanë udhëhequr këtë
organizatë ç'prej themelimit të saj''.