Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Ushtrinë time do ta bëj
E shtune, 05.01.2013, 12:04 PM
USHTRINË TIME DO TA BËJ
Nga Frank Shkreli
Ishte një
kohë menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, pothuaj pesë vjetë më
pare, që fjala ''ushtri'' as të mos përmendej si pjesë e shtetformimit dhe
sigurimit të shtetit më të ri në Evropë.
Thuhej se Kosova nuk ka nevojë për ushtri, sepse ishte organizata e
Atlantikut Verior (NATO) ajo që do të kishte përgjegjësinë për ruajtjen e paqës
dhe të sigurisë në Kosovë. Por punët po
piqen dal ngadalë. Kosova së shpejti do
të festojë 5-vjetorin e pavarësisë së saj.
Në arenën diplomatike është njohur nga pothuaj 100-vende të botës,
përfshirë edhe shtetet më të rëndësishme të Përendimit, anëtare të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian,
megjithëse kundërshtohet pavarësia e saj nga Serbia fqinje dhe miqët e saj
shekullorë, Rusia, Greqia, Kina e tjerë.
Kosova si shtet i ri e i pavarur, synon që të bëhet pjesë jo vetëm e
Bashkimit Evropian por edhe anëtare e
organizatës ushtarake përendimore, NATO.
Por, për tu bërë anëtare e NATO-s, Kosova ka nevojë për ngritjen e një
ushtrie profesionale, pasi nuk ka ndonjë
vend anëtar të NATO-s pa ushtri.
Kohët e
fundit po flitet dhe po shkruhet se viti 2013 do të jetë viti i bërjes së një
ushtrie profesionale të Kosovës.
Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK-së), Agim Çeku tha të
Mërkurën për Zërin e Amerikës se krijimi i ushtrisë së rregullt të Kosovës, ''është një proces i cili tashmë
ka filluar me studimin e kapaciteteve që i duhen Kosovës për tu përballur me
kërcënimet dhe rreziqet, duke shtuar se një ndër institucionet që mundëson një
jetë normale dhe funksionale të shtetit të Kosovës, është ushtria.
Edhe
gazeta e ushtrisë amerikane Stars and Strajps (''Stars and Stripes'', në një
artikull nga Prishtina, të botuar javën e fundit të Dhjetorit që kaloi, i
bashkohet zërave të këtij debati duke thënë se Kosova synon krijimin e një
force ushtarake, si dhe të bëhet anëtare
e NATO-s. Siç dihet në Kosovë, NATO ka
rreth 5600 ushtarë të NATO-s, ndërkohë që nja 800 prej tyre janë
amerikanë. NATO, përveç rolit të saj
për ruajtjen e paqës dhe sigurisë në Kosovë, ka ndihmuar gjithashtu në krijimin
dhe trajnimin e Forcës së Sigurisë të Kosovës, e cila konsiderohet si thelbi i një ushtrie të ardhëshme për atë
vend. Gazeta Stars and Strajps thotë se
megjithëse ambasada amerikane në Prishtinë nuk komentoi në lidhje me përpjekjet
e Kosovës për krijimin e një ushtrie të rregullt, ajo citon shefin e Zyrës së
ambasadës amerikane për Bashkpunimin në Fushën e Mbrojtjes, Kolonelin Ray Wojçik
të ketë thënë se ''Ne mendojmë se është një rast shumë i mirë për ta, që të
shqyrtojnë seriozisht se në ç'drejtim duhet të shkojnë''. Megjithëse udhëheqsit e Kosovës shpresojnë
për antarësimin e tyre në NATO, gazeta e ushtrisë amerikane thotë se nuk është e qartë se si do të
reagonin vendet e ndryshme anëtare të NATOs ndaj ngritjes së ushtrisë së
Kosovës, pasi ka kundërshtime madje edhe për statusin që gëzon tani
FSK-ja. Por artikulli citon
këshilltarin politiko-ushtarak të ambasdës amerikane Majkël Kreidler se këjo
është një situatë “ku ne përpiqemi të
zgjërojmë konsensusin dhe ta çojmë atë në një drejtim pozitiv.’’ Por, shton zyrtari amerikan, “arritja e një
konsensusi në Bruksel është shumë e vështirë’’.
Dihet se
Amerika mbetet përkrahsja kryesore e Kosovës në shumë fushë, përfshirë edhe
trajnimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës si edhe forma të tjera ndihmash për
nevojat e sajë, sipas ambasadës amerikane në Prishtinë. Gazeta Stars & Strajps citon Komandantin
e Forcës së Sigurisë së Kosovës Gjeneralin Kadri Kastrati, i cili i thotë
gazetës së ushtrisë amerikane se ''Shtetet e Bashkuara janë partneri ynë
strategjik dhe i tillë do të mbeten përgjithmonë''. Ai vazhdoi duke thënë se, ''Çdo gjë që jemi
duke bërë, e bëjmë në bashkrendim me atasheun ushtarak amerikan në Prishtinë si
dhe me kolegët tanë që punojnë në Grupin
Këshillues të Natos ose në Zyrën e Bashkpunimit në fushën e Mbrojtjes.'' Sipas gazetës amerikane, roli i ushtrisë
amerikane do të jetë kyç në fazën e ardhëshme të zhvillimit të Forcës së
Sigurisë së Kosovës, pasi parashikohet
që në Qershor të këtij viti të ri-shqyrtohet ligji që mbulon veprimtarinë e
kësaj force. Ministri i Forcës së
Sigurisë së Kosovës dhe ish-Kryeministri i Kosovës Agim Çeku tha se në këtë
proces të ri-shqyrtimit të rolit të FSK-së dhe të ngritjes së ushtrisë së
Kosovës, ai është në konsultime dhe beson se do të ketë mbështetjen dhe ndihmën
e Shteteve të Bashkuara dhe të Britanisë së Madhe, duke shtuar për gazetën
Stars & Strajps se, ''Unë nuk do të formulojë asnjë rekomandim i cili nuk
bashkrendohet dhe që të mos pranohet nga Shtetet e Bashkuara''.
Sikurë
donte të qetësonte jo vetëm partnerët strategjikë të Kosovës, por edhe rajonin,
se ngritja e ushtrisë së Kosovës nuk do të përbëjë asnjë rrezik as kërcënim për
asnjë vend të rajonit, Ministri Çeku tha për Zërin e Amerikës të Mërkurën, se
ushtria e ardhëshme e Kosovës do të jetë, ''Një forcë për të mirën e vendit,
për të mirën e rajonit dhe jo një forcë që dikush duhet ta ketë frikë ose që
paraqet kërcënim për dike -- por do të jetë një forcë që reflekton siguri për
të gjithë.''
Ka ardhur
koha që Kosova të ketë ushtrinë e vet.
Ngritja e ushtrisë së Kosovës do të përmirësojë qendrueshmërinë e paqës
në vend si edhe në rajon dhe si anëtare, eventualisht e NATO-s, Kosova dhe ushtria e saj do të
kontribojnë jo vetëm për paqën në Evropë, por edhe në botë duke marrë pjesë në
misjone paqëruajtëse të NATO-s në zona me konflikte, anë e mbanë botës.
Një këngë
e këngëtares së njohur dhe shumë popullore nga Kosova, Adelina Ismaili, e ka
titullin ''Ushtrinë time do ta bëjë'', kushtuar luftës në Kosovë dhe
ish-Presdentit Ibrahim Rugova. Le të
jetë ky vit, viti kur profecia e titullit të këngës së Adelinës të bëhet
realitet, që Kosova t'a bëjë, më në fund, ushtrinë e vet, ashtuqë të bëhet
anëtare – aty ku e ka vendin e saj -- tek organizmat përëndimore ushtarake dhe
ekonomike, NATO-s dhe Bashkimit Evropian, me të gjitha të drejtat, privilegjet
dhe përgjegjësitë si çdo vend tjetër anëtar i këtyre aleancave.