Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Vit vdekjeprurës për gazetarët
E premte, 21.12.2012, 07:59 PM
NJË VIT
VDEKJEPRURËS PËR GAZETARËT
Nga Frank Shkreli
Komiteti
për Mbrojtjen e Gazetarëve (KMG),
(Committee To Protect Journalists),
një organizatë jo-fitimprurëse me qëndër në Nju Jork e cila promovon
lirinë e shtypit dhe mbron të drejtat e gazetarëve, në një raport të posaçëm
thotë se viti 2012 ishte një ndër vitet më vdekjeprurëse për gazetarët anë e
mbanë botës. Komiteti për Mbrojtjen e
Gazetarëve thotë se numëri i gazetarëve të arrestuar është më i larti ç'prej
vitit 1990, duke identifikuar 232 gazetarë të burgosur anë e mbanë botës, 53 më
shumë se vitin e kaluar. Raporti thotë
se burgimet e shumta të gazetarëve gjatë vitit 2012 në Turqi, në Iran dhe në
Kinë e kanë ngritur numërin e gazetarëve të arrestuar në një nivel rekord. Këto tre vende që sipas KMG, janë vendet më të këqia për të punuar si
gazetar dhe përdorin ligje të paqarta për veprimtari anti-shtetërore kundër
gazetarëve. Raporti citon Mehmet Ali
Birand një kryeredaktor i stacionit Kanal D në Stamboll, se “këto ligje nuk
diferencojnë midis një gazetari që ushtron të drejtën e shprehjes së lirë dhe
një individi që mbështetë terrorizmin’’, duke shtuar se zbatimi i ligjeve për
veprimtari anti-shtetërore kundër gazetarëve është një “sëmundje
kombëtare’’. Sipas raportit, të pakën 49
gazetarë mbeten të burgosur në Turqi.
Anë e
mbanë botës, thuhet në raport, akuzat për veprimtari anti-shtetërore siç janë
terrorizmi, tradhëtia dhe subversioni, ishin akuzat e ngrehura më së shumti
kundër gazetarëve gjatë vitit 2012.
Sipas raportit, gjatë këtij viti, vrasjet u shtuan me 42 për qind për gazetarët,
të cilët ndër të tjera mbulonin luftimet në Siri, në Pakistan dhe Somali dhe
thuhet se organizata KMG është duke bërë hetime në lidhje me rrethanet e
vdekjes së 30- gazetarëve të tjerë.
Duke
vazhduar dhënjen e statistikave vjetore për vrasjen e gazetarëve anë e mbanë
botës, organizata për mbrojten e lirisë së medias, thotë se nga 68 vrasjet, 28
prej tyre janë vrarë duke mbuluar konfliktin në Siri.
Drejtori
Ekzekutiv i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, Xhoel Sajmën tha me rastin e
botimit të raportit se megjithëse pothuaj çdo aspekt i gazetarisë ka ndryshuar
falë teknologjisë së re, detyra kryesore e gazetarit nuk ka ndryshuar, mbetet
ajo që ka qenë gjithmonë duke shtuar se, ''Gazetarët janë dëshmitarë''. ''Kur vriten gazetarët'', tha ai, ''mundësia
për të mësuar se ç'po ndodhë në krizat kritike globale zvogëlohet ndjeshëm, ose
zhduket fare.'' Ai përmendi Sirinë si
shëmbull, ku aq shumë gazetarë janë vrarë duke u përpjekur të bëjnë punën e
tyre me qëllim për të informuar botën mbi ato që po ndodhin në atë vend. Raporti njofton se gjatë trazirave dhe
luftës në Siri, janë vrarë të pakën 67 gazetarë duke mbuluar luftën ose pasi
ishin venë në shënjestër për t’u vrarë nga forcat qeveritare ose ato të
opozitës.
Në një
statistikë interesante, KMG thotë se një e treta e gazetarëve të vrarë ishin
nga ata që punonin ''on-line'', ngritje e dukshme këjo, sipas raportit, në
krahasim me një vit më parë për këtë kategori gazetarie. Kina, sipas raportit të organizatës për
mbrojtjen e gazetarëve, më shumë se çdo vend tjetër ka përdorur ligjet për
veprimtari kundër shtetit, për të burgosur gazetarët dhe shkrimtarët “on-line’’, të cilët shprehin pikpamjet e
tyre disidente si dhe gazetarët që mbulojnë pakicat etnike në atë vend. Në këtë kategori gazetarësh të burgosur
përfshihet edhe redaktorja e portalit Klubi i Grave Iraniane, Zhila
bani-Yaghoub, e akuzuar për “propagandë kundër regjimit.’’
Gjithashtu
në raport thuhet se nga të ashtuquajturit ''qytetar-gazetarë'', të cilët kanë
shërbyer si burime lajmesh për organizata ndërkombëtare lajmesh, kanë pësuar
vdekjen 13 prej tyre. Sipas Komitetit
për Mbrojtjen e Gazetarëve, në Pakistan janë vrarë shtatë gazetarë dhe në
Brazil u vranë katër gazetarë, megjithë angazhimet e atij vendi për të zbatuar
ligjet ndërkombëtare dhe për të respektuar të drejtat e njeriut. Gjithashtu sipas raportit, ''dhunë e
jashtzakonshme'', është përdorur edhe në
Meksikë për të censuruar shtypin. Vendet
e tjera, që përmenden në raport si abuzuese të gazetarëve, përfshijnë Eritrenë
e cila mban 28 gazetarë të burgosur, Vjetnami me 14 gazetarë në burg,
Azerbajxhani me të pakën 9 gazetarë nën akuza të ndryshme, të pasuar nga
Etiopia, Uzbekistani dhe Arabia Saudite.
Komiteti
për Mbrojtjen e Gazetarëve thotë, në përmbyllje të raportit, se nuk beson që
gazetarët të burgosen vetem e vetem sepse kryejnë punën e tyre gazetareske dhe
shton se i ka dërguar letër -- duke shfaqur shqetsimet e tij serioze -- çdo
vendi që ka burgosur madje edhe një gazetar, dhe shton se përpjekjet e kësaj
organizate në mbrojtje të gazetarëve kanë përfunduar në lirimin e të pakën 58
gazetarëve anë e mbanë botës.
Liria e
shtypit është një e drejtë themelore e
njeriut dhe çdo shtet do të duhej të respektojë dhe të mbrojë ata të cilët i raportojnë të vërtetën
bashkqytetarëve të vet, megjithë sfidat dhe kërcënimet me të cilat përballen
gazetarët. Vende të ndryshme të botës
kanë ligje të ndryshme në lidhje me lirinë e shtypit dhe të fjalës, por të
gjitha shtetet kanë nënshkruar Nenin 19 të Deklaratës Universale të Kombeve të
Bashkuara mbi të drejtat e njeriut, nen i cili mbron lirinë e të shprehurit dhe
të drejtën e lirisë së shtypit. Por në
fund të fundit, pa marrë parasyshë se cilat janë ligjet mbi lirinë e shtypit
dhe si zbatohen ato, siç ka thënë edhe Xhorxh Orvelli, “nëqoftse shumica e popullit beson në lirinë e shtypit, atëherë do të
ketë liri shtypi, edhe nëqoftse e ndalon
ligji, por nëqoftse opinioni publik nuk
është i vendosur për të mbrojtur këtë liri, atëherë pakica që beson në lirinë e
shtypit do të përsekutohet, madje edhe nëqoftse ligjet ekzistojnë për t’a
mbrojtur atë’’.