Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: OKB dhe të Drejtat e Njeriut
E enjte, 28.02.2013, 07:13 PM
OKB-EJA
DHE TË DREJTAT E NJERIUT - VEPRA E JO FJALË!
Nga Frank Shkreli
Këshilli
i Organizatës së Kombeve të Bashkuara OKB) për të Drejtat e Njeriut filloi të
hënën punimet në Gjenevë duke shënuar njëherazi edhe 20-vjetorin e miratimit të
Deklaratës së Vjenës që çoi në krijimin e postit të Komisionerit të Lartë të
Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, qëllimi i të cilit është të
mbështesë përpjekjet në mbrojtje të të drejtave të njeriut anë e mbanë botës
dhe të ritheksojë universalitetin e këtyre të drejtave, si edhe obligimin e
shteteve anëtare për zbatimin e tyre.
Këshilli përbëhet nga 18 vende anëtare dhe angazhohet të
“Zbatojë standardet më të larta në promovimin dhe në mbrojtjen e të
drejtave të njeriut.”
Në këtë
konferencë që do të zgjasë katër javë,
do të marrin pjesë udhëheqës shtetesh, diplomatë dhe personalitete të njohura
botërore, dhe mbrojtës të të drejtave të njeriut dhe organizata
jo-qeveritare nga e gjithë bota, për të
biseduar mbi çështje të ndryshme, që si bazë kanë të drejtat e njeriut - më
konkretisht, respektimin ose jo të tyre anë e mbanë botës. Në takimin e nivelit të lartë të Gjenevës,
sipas burimeve të OKB-së, përveç më
shumë se 100-ministrave të jashtëm do të flasin edhe disidentë dhe persona që u
kanë shpëtuar torturave dhe dëshmitarë të shkeljeve të të drejtave të njeriut
dhe torturave në Rusi, Kinë, Iran,
Tibet, Siri, Korenë e Veriut dhe anë e mbanë botës.
Sekretari i Përgjithëshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki-moon, sipas njoftimeve të organizatës
botërore, në një mesazh drejtuar konferencës së Gjenevës, tha se ''Ç'prej
themelimit të Organizatës, vendet anëtare dhe partnerët nga shoqëria civile
kanë punuar së bashku për të krijuar një numër programesh dhe marrveshjesh
ndërkombëtare në mbështetje të parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të
Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut. Deklarata Universale i përcakton të drejtat
e njeriut si, ''gur-themeli i lirisë,
drejtësisë dhe paqës në botë.''
Edhe
Komisionerja e Lartë e OKB-ës për të Drejtat e Njeriut Navi Pillay në fjalën e
saj drejtuar konferencës tha se, “është hera e parë që përfaqsues të qeverive
dhe të shoqërisë civile flasin për të drejtat e grave në një konferencë
kushtuar të drejtave të njeriut në përgjithësi dhe jo të drejtave të grave në
veçanti. Por ajo shtoi se në këtë fushë
mbetet shumë për t'u bërë pasi, ''ashtu
si edhe 20-vjetë më parë, gratë dhe vajzat vazhdojnë të jenë subjekte abuzimesh
seksuale dhe fizike dhe se dhunuesit e tyre vazdojnë të jetojnë në liri'', duke shtuar se anë e mbanë botës vazhdojnë
dhunimet dhe shkeljet sistematike të të drejtave të njeriut dhe se, ''premtimi
për respektimin e të drejtave të njeriut për të gjithë njerëzit kudo, është
ende një ëndërrë për shumë njerëz anë e mbanë botës'', tha Navi Pilay.
Zonja
Pilay i tha mbledhjes së Këshillit të
OKB-së për të Drejtat e Njeriut se ndërsa mirëpret një angazhim më të madh të
shoqërive civile në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ajo ndërkohë
ka venë re një rritje të rasteve ku qeveritë e ndryshme përsekutojnë
mbrojtësit e të drejtave të njeriut, për arsye të natyrës së punës së tyre në
mbrojtje të këtyre të drejtave. ''Unë
vazhdoj të marr raporte'', tha ajo, ''në lidhje me kërcënime, dhunime, burgosje
dhe vrasje të gazetarëve, dhe mbështetsve të të drejtave të njeriut, vetëm e
vetëm sepse ata kryejnë punën e tyre.'' Një gjë e tillë, kundër atyre që me të
drejtë kërkojnë angazhimin e organizmave ndërkombëtare për të mbrojtur të
drejtat e njeriut, shtoi Komisionerja e OKB-së për të Drejtat e Njeriut - nuk
duhet të tolerohet nga askush.
Punimet e
Këshillit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut do të
vazhdojnë deri më 22 mars dhe pritet që të diskutohet për një numër
çështjesh. Në krye të listës siç duket
është lufta në Siri, ku sipas Kombeve të Bashkuara thuhet se rreth 70-mijë veta
mund të jenë vrarë, me qindra mijëra të tjerë janë detyruar të shpërngulen nga
shtëpitë e tyre, dhe ku mbi 4 milionë
banorë, në një mënyrë ose në një tjetër,
janë prekur nga dhuna dhe kanë nevojë për ndihma emergjente humanitare.
Gjatë
kësaj konference shumë pjesëmarrës të nivelit të lartë të Kombeve të Bashkuara
dhe të shteteve anëtare do të shprehin,
''shqetsimet e tyre serioze'' mbi shkeljet e të drejtave të njeriut anë
e mbanë botës, do të bëjnë thirrje për paraqitjen e këtyre rasteve Gjykatës
Ndërkomblëtare për ndëshkimin e individëve dhe të shteteve e qeverive që
dhunojnë në mënyrë flagrante të drejtat themelore të qytetarëve të tyre, duke
shkelur kështu edhe marrëveshjet dhe konventat ndërkombëtare që mbrojnë këto të
drejta dhe që ato vet i kanë nënshkruar.
Duhet
thënë se gjatë 20-vjetëve të fundit, ç'prej miratimit të Deklaratës së Vjenës,
janë bërë përparime aty këtu por jo të mjaftueshme në mbrojtjen e të drejtave
të njeriut anë e mbanë botës. Andaj lind
pyetja. A është me të vërtetë serioz komuniteti ndërkombëtar dhe Kombet e
Bashkuara se mbrojtja e të drejtave bazë të njeriut është me të vërtetë një
prioritet me rëndësi i politikave të tyre në arenën ndërkombëtare? Fjalët dhe retorika janë të mira për konsumim publik, por veprat
e tyre venë në dyshim angazhimet e tyre serioze ndaj zbatimit dhe respektimit
universal të këtyre të drejtave.
Dy
shëmbuj ilustrues që e bëjnë edhe vërejtësin e pa-anshëm të dyshojë në
sinqeritetin e këtyre deklaratave
në Gjenevë nga udhëheqsit e
ndryshëm të OKB-së. Punimet e Këshillit të OKB-ës për të
Drejtat e Njeriut i hapi kryetari i Asamblesë së Përgjithshme dhe ish-ministri
i jashtëm serb, Vuk Jeremiq. Duke iu
referuar situatës në Siri, ai tha se dëshironte të ''shprehte shqetësimin e tij të thellë ndaj
tragjedisë më të tmershme humanitare të ditëve tona''. ''Për dy vjetë tani'', shtoi
ish-ministri i jashtëm serb,
''komuniteti ndërkombëtar ka dështuar në përpjekjet e tija për të ndaluar
këtë maskër.''
Tani, për
lexuesin shqiptar nuk është e nevojshme të shpjegohet se kush është Jeremiqi
dhe çfarë politike anti-shqiptare ndjekë ai dhe shteti i tij në Ballkan. Për më tepër, Jeremiqi nuk tha në fjalimin e
tij se Rusia dhe Kina, aleate të Serbisë, me të cilat ai punonte ngushtë për të
penguar pavarësinë e Kosovës dhe njohjen ndërkombëtare të saj - janë aleate të
ngushta edhe të diktatorit sirian dhe të cilat në të njëjtën kohë kanë bllokuar
vazhdimisht rezolutat e Këshillit të Sigurimit për t'i dhënë fund gjakderdhjes
dhe dhunës në Siri, gjë për të cilën tani
Jeremiqi shprehet gjoja tepër i
preokupuar si zyrtar i Kombeve të
Bashkuara.
Kur e
merr me mend se ç'bëri Serbia mbi Kosovën dhe në ish-Jugosllavi, dhe tani
ish-ministri i jashtëm i saj që ishte njëri prej mbrojtësve më të zellshëm të
asaj politike çfarosëse anti-shqiptare, fletë për të drejtat e njeriut, si
njëri prej zyrtarëve më të lartë të OKB-së
- të pakën mua më bën
seriozisht të dyshoj në
seriozitetin deklaratave të tij dhe në
seriozitetin e OKB-së për të marrë ndonjë masë
për të ndaluar gjakderdhjen në Siri, apo kudo tjetër.
Një akt
tjetër i turpshëm dhe absurd i kësaj
organizate, ndërsa filloi punimet në Gjenevë, ishte emërimi si nën-kryetar i
Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut për 12 muajtë eardhëshëm, i një përfaqsuesi të Mauretanisë.
UN Watch, organizata jo qeveritare e të drejtave të njeriut me qëndër në Gjenevë, e cila monitoron zbatimin e parimeve të Kartës së OKB-së, tha se ka ardhur koha që organi më i lartë i organizatës botërore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të kalojë nga retorika boshe në vepra konkrete dhe njëkohësisht, nënvijoi ajo, ''mbrojtja e të drejtave të njeriut në botë fillon në secilin vend më së pari”, dhe shtoi se, ''Antarësimi në Këshillin e OKB-së për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut është një pivilegj që bart përgjegjësi, dhe këto vende kanë dështuar në zbatimin e standardeve bazë'', të mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut, thotë organizata UN Watch.